Normat e ihramit të haxhiut

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 3 minuta lexim

Normat e ihramit të haxhiut

 

Pyetje: Nga  ajo që dimë është se erërat e mira dhe parfumet në kohën kur jemi të veshur me ihram janë të ndaluara. Po kur përdorim shampo,  sapun ose solucione të ndryshme pastrimi që përmbajnë erë të mirë a është e ndaluar?

 

Përgjigje: Nëse shampo ose sapuni kanë vetëm funksionin pastrues në përdorim dhe nuk kanë erë të fortë që të ndjehet nga të tjerët pas përdorimit, atëherë mund të përdoren. Por, nëse shampot ose sapunët përveç funksionit pastrues kanë edhe përbërje parfumi, që kundërmon, atëherë kjo është e ngjashme me vetë parfumosjen dhe për rrjedhojë gabimi shpaguhet duke agjëruar tri ditë, ose duke bërë kurban një dele, ose duke dhënë ushqimin ditor gjashtë fukarenjve. Mund të zgjedhë si shpagim njërën nga këto të treja.

Ndërsa në rastin kur shampo ose sapuni përmbajnë erë të mirë, por jo në përqindjen e madhe sa të ndjehet e era e tyre më pas, atëherë më e mira dhe më e sigurta është të mos ta përdorë atë duke iu larguar dyshimit.

  

Pyetje: Çdo herë që kemi parë haxhinjtë kemi vënë re se përdorin ihramin me ngjyrë të bardhë. A është kjo detyrë e haxhit?

Përgjigje: Së pari sqarojmë se ihram quhet nijeti, pra hyrja në gjendjen e disa ndalesave që shoqërojnë haxhiun dhe fillimi i adhurimit të haxhit. Ihrami është një nga shtyllat e haxhit, pra pa ihram (pa nijet) haxhi është i pavlefshëm. Një nga elementët që shoqëron haxhiun dhe nis me të ky adhurim, është edhe veshja e ihramit për meshkujt, e cila konsiston në dy rroba lisho, pa ndarje të qepura, me të cilën haxhiu mbështillet poshtë edhe lart. Kurse ngjyra e bardhë nuk është detyrë,  por e pëlqyeshme. Kësisoj është e lejuar që haxhiu të përdorë për mbulim ihram me ngjyrë tjetër, mirëpo  ngjyra e bardhë është ngjyra që ka pëlqyer Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) qoftë për rrobat e zakonshme në jetën e përditshme, qoftë për veshjen e ihramit gjatë haxhit.

 
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH