O brez i ri i begatë!

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 7 minuta lexim

O brez i ri i begatë!

 

Kadiu i Mekes së Shenjtë: Fehd ibnu Jahja El-Amari, Allahu e ruajtë!

 

* Qëndrueshmëria në fe, urtësia, durimi, lutja, të qenit i sinqertë me  Allahun, armatosja me dituri dhe përhapja e saj, sqarimi i dilemave dhe thirrja në fenë e Allahut, meditimi rreth Kuranit, rreth biografisë së dijetarëve dhe njohja e mirë e historisë, të gjitha këto janë faktorë të rëndësishëm të suksesit në kohën e trazirave, të devijimeve e të turbullirave, në kohën kur secili kënaqet me mendimin e vet, qoftë ai edhe anormal dhe i pavlerë; ato janë elemente të rëndësishëm për mbrojtjen e fesë së Allahut dhe përqendrimin në kufijtë e saj.

* Veprat e mira në kohë të vështira nuk janë njësoj si në kohë të begata; përqendrimi në fe në kohë begatie, nuk është njësoj si në kohë trazirash e vështirësish; shpërblimi në kohë trazirash nuk është njësoj si në kohët e begata.

* Është momenti që ju të sakrifikoni dhe të tregoni durim, duke ndihmuar fenë tuaj dhe duke mbrojtur traditën e të Zgjedhurit të Allahut, Profetit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Përmbushini premtimet tuaja, se kush i përmbush premtimet është në mbrojtjen e Allahut; ndërsa kush kthen shpinën dhe në këmbim të besës, që i ka dhënë Allahut përfiton diçka nga kjo botë, ky njeri ka zgjedhur vetëshkatërrimin. Allahu i Lartësuar thotë:

“Kujtoje (o Muhamed) kohën kur Allahu mori premtimin nga ata që iu është dhënë Libri, se do t’ua shpjegojnë ate njerëzve dhe nuk do të fshehin asgjë nga ai. Pastaj ata hodhën pas shpine (premtimin) dhe e ndërruan atë me një vlerë të vogel. Eh, sa këmbim të shëmtuar që bënë ata!”

* Abdullah ibnu Amër, Allahu qoftë i kënaqur me të, e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë:  “Përcillni prej meje qoftë edhe një ajet.” Buhariu

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pandryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.”

* Kjo nuk është koha kur mund t’i drejtohemi njëri-tjetrit me qortime e fajësime; nuk është koha e përtacisë; sikurse nuk duhet të bëhemi shurdh-memecë dhe as të jetojmë të izoluar, por duhet ta sqarojmë të vërtetën e të thërrasim në të, me urtësi e këshilla të mira.

* Nuk duhet të humbasim asnjë moment me thashetheme, me divergjenca, goditje  pas shpine, duke u pozicionuar në klane të caktuara e duke akuzuar të tjerët apo duke u përpjekur për larje hesapesh.

* Sot më shumë se  kurrë duhet të krenohemi me fenë e Allahut, ta ndihmojmë atë dhe të përqendrohemi në të derisa të takohemi me Allahun. Kujt i mbyllet një derë, le  ta dijë se para tij janë 1000 dyer të hapura.

 

* Ka ardhur koha e bashkëpunimit, e forcimit të lidhjeve mes nesh, e këshillës së sinqertë për hir të Allahut, e konsultimit dhe e bashkërendimit të përpjekjeve, në mënyrë që të bashkohemi e jo të përçahemi, të pajtohemi për të ecur në rrugën e mirësisë që na sjell çdo dobi për fenë e  për veten tonë, për ymetin dhe vatanin tonë. I mençur dhe i urtë është ai që mendon e mediton, që është i matur e nuk nxitohet, nuk bie në individualizëm dhe nuk mposhtet nga pasionet. Armiku është vigjilent, e duke pritur çdo rast e moment për të na dëmtuar. Prandaj: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, se do të humbni guximin dhe do t’ju lërë fuqia.”  Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të,  ka thënë: “E kur të bëhet Kiameti,  sikur ndonjëri prej jush të ketë në dorë një filiz, nëse do të mundej ta mbillte atë, le ta bëjë.” Transmeton Ahmedi dhe Buhariu tek “El-Edeb”.

* Secili prej nesh të jetë në një llogore të Islamit, në shtëpinë dhe në xhaminë e tij, në të gjitha punët, fjalët dhe sjelljet e tij. Çdo person të punojë sa të mundet, të thërresë në fenë e Allahut, fshehtas dhe haptas, le ta lëmë qortimin, e të mos e bëjmë atë zakonin tonë, por në vazhdim, vepra e mirë të jetë peshorja jonë.

O Zot, na mundëso ta kuptojmë ashtu siç  duhet fenë tonë, na bëj prej atyre që thërrasin në të dhe e ndihmojnë atë!

O Zot, ndihmoji udhëheqësit tanë dhe gjithë ata që e luftojnë të keqen dhe përpiqen për të ndihmuar Islamin dhe muslimanët!

 

Shkroi Kadiu i Mekës së Shenjtë:

Fehd ibnu Jahja El-Amari, Allahu e ruajtë!

12.6.1442 H

 

Përktheu: hoxhë Kastriot Bardhi