Shkëputur nga Konferenca e 15-të Vjetore e Asamblesë së Juristëve Muslimanë të Amerikës – 2018, Teksas: – Parimet e Dhënies së Dispozitave Fetare (Fatvasë)
Rreth Fetvasë dhe Myftiut (ai që jep fetva)*
- Fetvaja është informim për një vendim sheriatik (fetar), por jo në mënyrë detyruese.
- Dhënia e një fetvaje është një çështje shumë serioze dhe një pozitë e lartë. Myftiu, në thelb, po “nënshkruan” në emër të Allahut. Ai po kryen të njëjtin rol për ymetin islam, ashtu si Profeti (alejhi salatu ue selam) e kryente në shpjegimin e ligjeve të Sheriatit. Qëllimi i fetvasë dhe i kërkimit të saj është ta nxjerrë personin e përgjegjshëm para Zotit nga sfera e ndjekjes së dëshirave dhe tekave, në atë të të qenit një rob i sinqertë i Zotit të tij.
- Një person nuk kualifikohet për të dhënë fetva deri sa të zotërojë parakushtet e nevojshme. Këto përfshijnë: njohuri mbi Librin e Allahut dhe lëmitë e tij përkatëse; njohuri mbi Sunetin e të Dërguarit të Allahut alejhi salatu ue selam) dhe aftësinë për të dalluar transmetimet e sakta nga ato të dobëta; njohuri mbi teorinë ligjore islame (Usulul Fikh) me rregullat dhe objektivat e saj; si dhe njohuri të gjuhës arabe. Ai duhet të ketë gjithashtu aftësinë për të analizuar rrethanat e realitetit dhe të jetë i njohur me dallimet e mendimeve të ndryshme mes dijetarëve. Në fund, duhet të jetë i specializuar në Ligjin dhe Jurisprudencën Islame, qoftë përmes përvojës, ose me diplomim në një fakultet të specializuar.
- Nëse një njeriu të aftë në fetva nuk i kërkohet në veçanti një fetva, ai mund t’ia përcjellë çështjen të tjerëve. Kjo mund të ndodhë për shkak të kujdesit dhe frikës ndaj Allahut, ose kur nuk është i sigurt për mendimin e saktë, ose kur ka mungesë e kohe për ta hulumtuar në thellësi, ose për ta lehtësuar situatën e atij që po kërkon fetva, ose për shkak të dobisë që ka nga kjo tërheqje, për xhematin dhe afrimin e zemrave.
- Rregulli i përgjithshëm është që një muxhtehid (dijetar plotësisht i kualifikuar) duhet të japë fetva. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë ajo duhet t’u kalojë të tjerëve në përputhje me nivelin e kualifikimit të tyre. Nëse dihet se një person është i paditur ose i pamoralshëm, ose nëse gjendja e tij nuk është e qartë, nuk duhet t’i drejtohemi atij për fetva.
- Një person i pakualifikuar që jep fetva kryen njërën nga shkeljet më të mëdha ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kjo përbën një nga gjynahet më të rënda dhe një krim kundër fesë, kësaj bote dhe Botës së Përtejme.
ETIKA E PERSONIT QË KËRKON FETVA
Së pari, pyetësi duhet të ketë një qëllim të sinqertë për të kërkuar të vërtetën.
Së dyti, pyetësi duhet të paraqesë pyetjen në një mënyrë të përshtatshme: as tepër të shkurtër, sa të mungojnë pikat kyçe, as tepër të gjatë me detaje të panevojshme. Nëse myftiu e ka të vështirë ta kuptojë çështjen, pyetësi duhet ta sqarojë atë në mënyrë të qartë.
Së treti, gjatë bashkëbisedimit, pyetësi duhet të sillet me mirësjellje, të dëgjojë me vëmendje, të mos e ndërpresë myftiun, të mos e vërë në siklet nëse ai nuk është i gatshëm të përgjigjet dhe të shmangë debatet e kota.
Së katërti, pyetësi duhet të zgjedhë kohën, vendin dhe rrethanat më të përshtatshme për të kërkuar një fetva.
Së pesti, pyetësi duhet të tregojë mirësjellje dhe edukatë të lartë ndaj myftiut.
METODOLOGJIA E DHËNIES SË FETVASË DHE PARAMETRAT E SAJ:
- Njohja e realitetit dhe rrethanave
Myftiu duhet të kuptojë hollësisht situatën, detajet e saj dhe rrethanat shoqëruese. Ai që jep fetva duhet të mbledhë të gjitha informacionet e nevojshme dhe, nëse është e nevojshme, të kërkojë ndihmën e specialistëve në fusha përkatëse për ta sqaruar çështjen para dhënies së fetvasë. - Kujdesi në dhënien e fetvasë
Myftiu duhet të jetë i vëmendshëm dhe të ruajë veten nga ndikimet e tekave personale, ndikimeve të grupit apo fanatizmave të ndryshëm politikë apo sektar. - Respektimi i ixhmasë së qartë
Në çdo çështje ku ekziston një ixhma (konsensus) e qartë, myftiu duhet t’i përmbahet atij. - Pasimi i mendimit më të fortë
Parimisht, myftiu duhet të ndjekë mendimin më të fortë (më të bazuar në argumente), duke mbyllur çdo shteg që do ta shpinte tek ndjekja e dëshirave vetjake ose tek subjektivizmi në gjykim. - Përjashtimet për ndjekjen e mendimit më të dobët
Në raste të veçanta, lejohet të ndiqet një mendim më i dobët nëse kjo shërben për të shmangur një dëm apo vështirësi, ose për të arritur një dobi në drejtim të unitetit dhe solidaritetit, pavarësisht nëse ai mendim është më i lehtë apo më i ashpër. Ky përjashtim vlen vetëm kur mendimi më i dobët nuk bie ndesh me argumente të qarta nga Kurani apo Suneti, dhe kur dihet me siguri se ky mendim e ka burimin e saktë te një muxhtehid, dhe kur myftiu që e zbaton posedon aftësinë për të peshuar domosdoshmëritë dhe nevojat. Gjithashtu, myftiu duhet ta kufizojë këtë fetva vetëm në rastin konkret që i paraqitet. - Paraqitja e argumenteve të Sheriatit
Myftiu, sa herë të jetë e mundur, duhet t’i paraqesë në mënyrë të përmbledhur argumentet e Sheriatit dhe të shtjellojë arsyetimin e fetvasë, veçanërisht kur mbi këtë çështje ka mendime të ndryshme ose të kundërta. - Respektimi i hadithit autentik
Një hadith autentik, i qartë në domethënien e tij, nuk mund të anashkalohet për shkak të fjalës së dikujt. Nuk lejohet hedhja e tij poshtë në favor të çfarëdo pikëpamjeje, nëse është vërtetuar se hadithi është i saktë dhe nuk ka argumente të forta që ta kundërshtojnë. Mirëpo, kjo fushë nuk është e hapur për masat e gjera pa dije përkatëse. - Ofrimi i alternativave
Nëse është e mundur, myftiu duhet të ofrojë një alternativë për një veprim të ndaluar, në mënyrë që të mos i mbyllen krejt rrugët atij që kërkon fetva. - Parimet themelore në dhënien e fetvasë
Përveç pikave të përmendura më sipër, myftiu duhet të:- Mbajë parasysh zakonet vendore në dhënien e fetvasë.
- Të mos bëj hile në fetva, veçanërisht në çështje që prekin gjerësisht masat e njerëzve.
- Të bëjë lehtësime kur plotësohen kushtet e nevojshme.
- Të marrë në konsideratë nevojat dhe rrethanat e kohës sonë, duke siguruar që nuk bien ndesh me tekstet e Kuranit dhe Sunetit ose Ixhmanë.
- Të ketë parasysh interesat e reja dhe në zhvillim të njerëzve.
- Të mos të kufizohet gjithnjë vetëm në një medhheb (shkollë fikhu).
- Të kërkojë, kur është e mundur, fetva kolektive për çështjet publike e bashkëkohore.
- Të sigurohet për ekzistencën reale të vështirësive që lehtësojnë gjykimin.
- T’i japë përparësi lehtësimit ndaj rreptësisë (ihtijat) (kur është e justifikuar nga Sheriati).
- T’u kërkojë njerëzve të ndjekin pikëpamjet mesatare e të konfirmuara të dijetarëve.
- Të shmangë mendimet e gabuara, të çuditshme ose të njohura si “mendime të vetmuara” (shaadh).
- Të mbështetet në fikhun e miratuar nga shumica e dijetarëve dhe usulistët e fikhut, si për shembull fikhun e objektivave sheriatike (el–mekasid), fikhun e aplikimit të argumentit (tahkik el–manaat), vlerësimin e përparësive (el-muazanat), pasojat afatgjata të veprimit (el–meaalat), përjashtimet (el–mustethnejat), kalimin gradualë (et–tederuxh), ato që janë të pandryshueshme (eth–theuabit) dhe ato që janë të ndryshueshme (el–mutegajirat), e kështu me radhë.
- Të ndjekë rrugën e mesme, me të cilën bie dakord shumica e dijetarëve në të gjitha këto çështje.
- Mendimet e ndryshme të juristëve islamë
Dallimet e mendimeve mes dijetarëve nuk janë në vetvete të dënueshme. Ato janë pjesë e mëshirës së Allahut për këtë Ymet. Nga ana ekzistenciale mendimet e ndryshme nuk është e mundur të shmangen plotësisht, por edhe nga këndvështrimi i Sheriatit, nuk ka detyrim për t’i eliminuar ato. Edhe brenda këtyre mendimeve që respektohen, disa janë të forta e disa të dobëta. Por, gjithsesi duhet shmangur fanatizmi ndaj një opinioni dhe sulmi ndaj atyre që kanë pikëpamje të ndryshme.
RRETH IXHTIHADIT (ARSYETIMI JURIDIK), SFERA DHE PARAKUSHTET E TIJ
Përkufizimi i Ixhtihadit
Ixhtihad quhet përpjekja që bën një jurist islam (dijetar i fikhut) për të përcaktuar një vendim të Sheriatit.
Sfera e Ixhtihadit
Sfera e ixhtihadit përfshin të gjitha ato çështje për të cilat nuk ekziston ndonjë provë përfundimtare nga një tekst autentik (ajet ose hadith) ose një ixhma (konsensus) i qartë. Muxhtehidi (personi që bën ixhtihad) në lidhje me këto çështje, edhe nëse gabon nuk merr gjynah. Gabimet që i falen muxhtehidit përfshijnë gabimet në çështjet e besimit apo dijes, por edhe në çështje praktike (të fikhut).
Kur ixhtihadi konsiderohet i vlefshëm
Ixhtihadi që konsiderohet i respektueshëm nga këndvështrimi i Sheriatit është ai që buron nga dikush i kualifikuar për të bërë ixhtihad dhe që ka ndjekur hapat e duhur. Gabimet apo lëshimet e një dijetari nuk vlejnë si argument justifikues, por as nuk lejohet të preket nderi i tij për shkak të tyre. Dhe kjo me qëllim që të mbrohet Sheriati dhe bartësit e tij. Si “gabim” konsiderohet një mendim i dijetarit që nuk pranohet e nuk ndiqet nga asnjë dijetar tjetër.
Parakushtet minimale për të bërë Ixhtihad
Që një individ të kryejë ixhtihad, mjafton të plotësojë disa kërkesa minimale, siç janë:
- Njohja e gjuhës arabe,
- Njohja e teksteve të Kuranit dhe Sunetit,
- Njohja e parimeve të analogjisë (kijasit) dhe e metodave të nxjerrjes së dispozitave nga tekstet,
- Njohja e çështjeve të shfuqizuara (në tekstet fetare).
- Myftiu duhet gjithashtu të sigurohet të mos japë një mendim mbi një çështje që shkel një ixhma ekzistues.
Specializimi i pjesshëm në Ixhtihad
Sipas mendimit më të fortë, është e mundshme që një person të jetë muxhtehid vetëm në çështje të caktuara. Nuk është e nevojshme që një muxhtehid të jetë i kualifikuar në të gjitha çështjet e fikhut.
Dhënia e fetvasë nga një jo-muxhtehid në mungesë të muxhtehidëve
Kur paraqitet një nevojë urgjente për një fetva, por nuk ka muxhtehid të pranishëm, lejohet që një ndjekës (mukalid) të përcjellë një mendim që e ka mësuar nga fetvatë e dijetarëve, me kusht që ai ta kuptojë mirë atë mendim dhe të dijë kushtet dhe kufijtë e zbatimit të tij.
Vlerësimi i mendimeve të bazuara në Ixhtihad
Vlerësimi mes opinioneve të bazuara në ixhtihad është relativ. Ai mendim që mund të konsiderohet më i fortë nga një jurist mund të vlerësohet si më e dobët nga shkolla të tjera të fikhut apo nga myftinjë të tjerë.
Mosndjekja verbërisht e një opinioni
Sipas mendimit më të fortë, nuk lejohet që një muxhtehid të ndjekë verbërisht dikë tjetër nëse ai mendim bie ndesh me konkluzionet e ixhtihadit të tij, përveç kur këtë e bën për të shmangur një vështirësi madhore ose për të përmbushur nevojat dhe interesat e komunitetit, si dhe për hir të ruajtjes së unitetit.
Qëndrimi ndaj opinioneve të kundërta
Rregulli themelor është që nuk duhet të qortohen ata që kanë mendime të ndryshme në çështjet e ixhtihadit. Nuk duhet të vihet në dyshim besimi apo ndershmëria e atyre që ndjekin një ixhtihad të ndryshëm. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se nuk mund të trajtohen këto çështje me qëllim sqarimi, bazuar në prova dhe argumente. Jo çdo çështje ku ka dallim mendimesh është vërtet e hapur për ixhtihad. Ka disa mendime që janë devijime të pasakta dhe nuk duhet të konsiderohen si mendime të respektueshme. Përcaktimi i kësaj i mbetet dijetarëve.
Paraqitja e pikëpamjeve të ndryshme
Nuk është e përshtatshme që personit që kërkon fetva t’i paraqiten vetëm pikëpamjet e ndryshme të dijetarëve pa u treguar edhe cila konsiderohet më e fortë, sepse kërkuesi i fetvasë mund ta keqkuptojë duke menduar se çështja është krejtësisht e lirë për të zgjedhur. Megjithatë, nëse diferencat midis pikëpamjeve janë të vogla ose nëse myftiu nuk mund të përcaktojë se cila prej tyre është e saktë dhe nuk dëshiron të arrijë në një konkluzion pa pasur njohuri të sigurta, atëherë mund t’i prezantojë ato pikëpamje thjesht duke mos treguar se cila është më e forta. Detyrimi i myftiut është vetëm brenda mundësive dhe aftësive të tij.
RRETH KOMBINIMIT TË MENDIMEVE TË SHKOLLAVE TË FIKHUT DHE “LEHTËSIVE JURIDIKE”
“Lehtësitë juridike” i referohen atyre interpretimeve (ixhtihad-eve) që gjenden në shkollat e fikhut të cilat lejojnë diçka, ndërkohë që ka mendime të tjera që e ndalojnë po të njëjtën gjë. Kjo lejohet të ndiqet nëse interpretimi është i vlefshëm nga pikëpamja e Sheriatit. Domethënë, ai interpretim duhet të vijë nga dikush i aftë për të bërë ixhtihad, dhe duhet të ekzistojë një nevojë për ta ndjekur, si dhe të mos jetë një mjet për një qëllim të palejuar, dhe personi që e zbaton atë (ixhtihad) e ka aftësinë për të zgjedhur dhe shpirti i tij gjen qetësi në ndjekjen e tij.
Është e lejuar të kombinohen mendimet e ndryshme të shkollave të fikhut kur ka nevojë ose urgjencë, pamundësi, ose kur ekziston një arsye e vlefshme. Kjo mund të ndodhë duke kombinuar dy çështje të ndryshme për të njëjtin person, apo për dy persona të ndryshëm ku secili ndjek një shkollë të veçantë për të njëjtën çështje, ose për një person mbi një çështje të vetme, për aq kohë sa kjo nuk çon në mashtrim ose në shkelje të qëllimit të Ligjvënësit.
Kombinimi i ndaluar i shkollave të fikhut është ai që bëhet nga tekat (pasionet vetjake), që çon në shkeljen e një ixhmaje (konsensusi), që zhvleftëson vendimin e një gjykatësi, që zhvleftëson atë që një ndjekës ka bërë në lidhje me një ngjarje të caktuar, që çon në shkeljen e qëllimit të Ligjvënësit. Për shembull, nuk lejohet që një person të martohet pa praninë e kujdestarit (uali), pa dëshmitarë dhe pa e bërë publike martesën, sepse kjo do të çonte në një martesë të fshehtë, që të gjithë e konsiderojnë të papranueshme. Po kështu, edhe veprimet mashtruese janë të ndaluara, si për shembull: një person të përdorë të drejtën e parablerjes (shufa) për veten e tij kur i leverdis, por ta mohojë atë të drejtë për të tjerët kur nuk i leverdis.
Çështjet administrative hyjnë në sferën e opsioneve të lejuara nga Sheriati. Ixhtihadi në këto çështje bazohet në vlerësimin midis dëmit dhe dobisë. Njerëzit duhet të konsultohen me njëri-tjetrin në një mënyrë konstruktive dhe të pranojnë mendimin e shumicës për të shmangur konfliktin, për aq kohë sa vendimi nuk shkel ndonjë dispozitë të prerë të Sheriatit.
RRETH NDRYSHIMIT TË FETVASË
Një ndryshim në fetva i referohet rastit kur një muxhtehid (dijetar me kompetencë për ixhtihad) e ndryshon dispozitën nga një vendim në një tjetër, me qëllim shmangien e vështirësive, realizimin e dobive të Sheriatit, për shkak të dobësisë së argumentit ose për një ndryshim në perceptimin e çështjes si rezultat i ndryshimit të kohës, vendit apo rrethanave. Pikërisht muxhtehidi është ai që përcakton përfundimisht ndryshimin e fetvasë, bazuar në realitetin e çështjes dhe detyrimet përkatëse. Në ixhtihadin e tij, ai duhet t’i ketë parasysh objektivat e Sheriatit dhe pasojat e veprimeve të individëve, me qëllim arritjen e drejtësisë, mëshirës dhe përsosmërisë që e karakterizon Sheriatin.
Dispozitat përfundimtare të Sheriatit
Për sa i përket dispozitave përfundimtare e të konfirmuara të Sheriatit, parimisht nuk ndodh ndonjë ndryshim në to, pasi nuk mund të ketë më shfuqizime të vendimeve pas kohës së Profetit (alejhi salatu ue selam). Kur dijetarët flasin për ndryshime të fetvave si pasojë e ndryshimeve në kohë dhe vend, ata i referohen fetvave ose vendimeve në përgjithësi (dhe jo dispozitave normative të Sheriatit).
Kur lejohet ndryshimi i fetvasë
Fetvatë mund të ndryshojnë vetëm kur kanë të bëjnë me gjykime të lidhura me justifikime të logjikshme, siç janë ato të mbështetura në interesa ose tradita zakonore, në rast se në këto interesa ose zakone ndodh një ndryshim thelbësor. Thjesht kalimi i kohës apo ndryshimi i vendit nuk kërkon domosdoshmërisht ndryshim fetvash.
Kriteret e një fetvaje të vlefshme
Një fetva nuk mund të quhet e saktë nëse nuk merr parasysh: kohën, vendin, rrethanat, qëllimet, zakonet, gjendjen dhe rezultatet. Çdo fetva e mbështetur në një shkak ligjor të lidhur me kohën, interesat në ndryshim apo zakonet e veçanta, do të ndryshojë kur këta faktorë të pësojnë ndryshim. Një fetvë nuk do të jetë e saktë derisa të kuptohet mirë gjendja e atij që e kërkon, qëllimi i tij, gjuha dhe zakonet e vendit të tij.
Balancimi midis qëndrueshmërisë së Sheriatit dhe ndryshimit të fetvasë
Kur një muxhtehid përdor parimin e ndryshimit të fetvasë, ai kurrë nuk duhet të harrojë se dispozitat e Sheriatit janë të qëndrueshme. Njëkohësisht, kur aplikon dispozitat e Sheriatit mbi një situatë të caktuar, ai nuk duhet të neglizhojë parimet që lejojnë ndryshimin e fetvasë.
Vlera praktike e parimit të ndryshimit
Parimi se një fetvë mund të ndryshojë me kalimin e kohës, sipas vendit dhe rrethanave, është një mjet i rëndësishëm që i udhëzon fetvatë dhe i mban ato brenda lehtësive që ofron Sheriati, duke iu përmbajtur njëherësh gjykimeve të tij.
RRETH NJERËZVE TË THJESHTË DHE DETYRIMIT TË TYRE NDAJ MYFTIVE ME MENDIME TË KUNDËRTA
Një individ i thjeshtë (amij, jo-dijetar) është ai që nuk ka arritur mjaftueshëm dije mbi fikhun për ta udhëzuar atë në çështjet praktike. Prandaj, është detyrim për të, të ndjekë mes myftive atyre të cilëve u beson.
Individi jo-dijetar, në të vërtetë, nuk ka një shkollë të caktuar fikhu. Shkolla e tij e fikhut është ajo që përcakton myftiu i tij. Megjithatë, ai mund të ndjekë në përgjithësi një shkollë të veçantë fikhut në adhurimet e veta. Nëse ka nevojë për një fetva në një situatë e re ku ai gjendet, nuk është e detyrueshme për të që të kërkojë patjetër fetva nga po njëjti medhheb që ai ndjek.
Nuk është as e ndaluar dhe as e detyrueshme të qëndrosh rreptësisht pas një shkollë të caktuar fikhu. Nuk ka asnjë problem nëse dikush e lidh veten me njërën prej katër shkollave të fikhut dhe ndjek Imamin e saj. Këshillohet që studenti i dijes të studiojë fikhun sipas një shkolle të veçantë, por pa treguar fanatizëm. Duhet të zgjedhë atë shkollë për të cilën ka mësues dhe referenca të mjaftueshme me argumente. Më pas, duhet të vazhdojë studimet në fikhun krahasues dhe të studiojë bazat e metodologjisë së ndryshme të Imamëve, derisa të arrijë në një nivel kërkimi të pavarur.
Shteti mund të imponojë një shkollë të veçantë fikhu për myftinjtë dhe studentët e dijes në një situatë të jashtëzakonshme, me qëllim shmangien e konfuzionit nga mendimet e shumta dhe tekat e ndryshme. Nuk ka problem as në kodifikimin e Sheriatit dhe hartimin e rregulloreve për gjykatat, në mënyrë që të mos ketë vendime kontradiktore në raste të ngjashme dhe për ta lehtësuar zbatimin e ligjit në nivel shtetëror.
Ai që kërkon një fetva duhet të jetë i kujdesshëm në zgjedhjen e myftiut. Duhet t’ia paraqesë çështjen personit të cilin e konsideron të besueshëm, si në devotshmëri ashtu edhe në kualifikim. Nëse myftinjtë kanë mendime të ndryshme në verdiktet e tyre, atëherë njeriu jo-dijetar duhet të ndjekë atë që beson se jep vendimin e Allahut. Kjo mund të arrihet duke ndjekur atë që është më i dijshëm dhe më i devotshëm. Këtë e merr vesh përmes reputacionit dhe autoritetit publik që ka dikush. Përndryshe, ai mund të ndjekë edhe mendimin e shumicës së dijetarëve, nëse beson se e vërteta qëndron me shumicën dhe jo me individin që përfaqëson mendimin pakicë.
Shumica e dijetarëve mendojnë se është e ndaluar të ndjekësh opsionin më të lehtë kur myftinjtë nuk bien dakord mes tyre, sepse kjo do ta mbështeste fenë thjesht mbi dëshira dhe teka. Por, nëse myftinjtë duken të barabartë si në devotshmëri ashtu edhe në aftësi, dhe personi nuk ka mundësi të analizojë vetë fetvatë, atëherë lejohet që ai të ndjekë mendimin më të lehtë, nëse nga kjo nuk rezulton diçka e dëmshme.
Nuk është e përshtatshme që ai që kërkon një fetva të “kërcejë” nga një myfti tek tjetri, sepse kjo mund të çojë në dy rreziqe: mosbindje ndaj kërkesës për nënshtrim para Allahut, duke kërkuar me qëllim vetëm mendimet më të lehta, ose rënie në dyshime të rënda e konfuzione, që mund ta bëjnë të ndiejë neveri ndaj adhurimit të Zotit të tij.
Një person jo-dijetar nuk duhet të japë fetva për dikë tjetër bazuar në ato që di për një çështje, pasi ai nuk i di argumentet e muxhtehidit dhe mund të ketë dallime mes dy situatave, për të cilat ai nuk është i vetëdijshëm. Megjithatë, ai mund të transmetojë informacione për të cilat është i sigurt dhe që lidhen me dispozita të përgjithshme, të njohura si nga masa e gjerë ashtu edhe nga njerëzit e dijes, siç janë çështjet bazë të besimit, shtyllat e adhurimeve, rregullat bazë të mirësjelljes, veprat qartësisht të ndaluara dhe të ngjashme.
RRETH FETVAVE SHAADH (TË VETMUARA, TË PASAKTA, ANORMALE)
Fetvatë shaadh janë ato që përmbajnë dy cilësi: (1) devijojnë nga e vërteta dhe (2) bien ndesh me njerëzit; domethënë, bien ndesh me një tekst autentik ose me një konsensus të qartë.
Një myfti mund t’i shmangë fetvatë shaadh duke mos u nxituar, duke u këshilluar me të tjerët, duke qenë i matur në dhënien e fetvasë, duke ndjekur ixhtihadet në grup ose thjesht duke thënë: “Nuk e di.”
Ixhtihadet në grup, si ato që zhvillohen në asambletë e fikhut apo komisionet e fikhut, kanë më shumë gjasa të arrijnë në përfundimin e duhur. Prandaj, duhet t’u drejtohemi atyre sa më shumë të jetë e mundur, sidomos për çështje të reja ose çështje që prekin masat në tërësi. Megjithatë, edhe këto ixhtihade në grup nuk janë prova përfundimtare dhe nuk është e detyrueshme që të gjithë t’u binden atyre.
FETVATË PËRMES TELEVIZIONIT DHE MEDIAVE LIVE
Fetvatë që jepen përmes televizionit dhe mediave live kanë si anë pozitive, ashtu edhe anë negative.
Anët pozitive:
- Lehtësia në marrjen e fetvasë: Njerëzit mund të kontaktojnë myftiun ose dijetarin pa u kufizuar nga distanca apo mungesa e mundësisë për ta takuar personalisht.
- Përhapja e dijes fetare: Duke qenë publike, këto fetva mund të ndihmojnë në edukimin e gjerë të shoqërisë.
- Fuqizimi i unitetit të Ymetit Islam: Lidhja e anëtarëve të komuniteteve islame dhe e dijetarëve nga vende të ndryshme mund të forcohet, pasi ata mund të komunikojnë dhe të ndajnë njohuritë e tyre.
- Rritja e aksesit për dijetarët dhe punonjësit islamë: Atyre u lehtësohet informimi mbi sfidat dhe problemet që ndeshin myslimanët anembanë botës, pa qenë nevoja e udhëtimit nga një vend në tjetrin.
- Zgjerimi i ndikimit të dijetarëve në shoqëri: Ata mund të bëhen më të njohur dhe të kenë mundësi të ndajnë mendimet e tyre me një audiencë më të madhe.
Anët negative:
- Fetva kontradiktore: Fetva të ndryshme mbi çështje të ngjashme mund të krijojnë konfuzion dhe kaos mes njerëzve.
- Përhapja e mendimeve shaadh: Opinione të pasakta ose devijuese mund të shpërndahen gjerësisht, duke shkaktuar mosmarrëveshje mes besimtarëve.
- Mospërfillja e rrethanave lokale: Veçoritë e çdo vendi, shoqërie dhe situate të veçantë mund të neglizhohen, duke nxjerrë kështu fetva jo të përshtatshme ose jo efikase.
- Humbja e kontaktit direkt me dijetarët: Njerëzit mund të largohen nga praktika e takimit dhe këshillimit personal, i cili shpesh është i domosdoshëm për një udhëzim të përshtatshëm.
- Kufizimi i kohës në televizion: Shpesh, për shkak të kohës së kufizuar, nuk ofrohen detaje të mjaftueshme për çështjet e ngritura.
- Ndikimi i qeverive dhe interesave të tjera: Media mund të jetë e kontrolluar nga qeveritë apo grupet e interesit, duke orientuar kështu fatvatë sipas dëshirave të tyre.
Përfundimi
Pavarësisht mangësive, lidhja e dijetarëve me publikun përmes mediave bashkëkohore sjell më dobi më të mëdha sesa dëme. Prandaj, dijetarët, studentët e dijes dhe thirrësit islamë duhet të përfitojnë nga këto mundësi të sotme komunikimi, duke u përpjekur të kufizojnë sa më shumë anët negative.
REKOMANDIME
- Zhvillimi i Akademive të Fikhut:
Rekomandojmë që koncepti i akademive të fikhut të zhvillohet më tej dhe të intensifikohet puna e tyre për dhënien e më shumë fetvave kolektive, sipas nevojës. Gjithashtu, duhet rritur numri i takimeve apo sesioneve që mbahen, në mënyrë që të mund të trajtohen çështjet e reja në fusha të ndryshme. - Bashkëpunimi mes akademive:
Duhet të rritet bashkëpunimi mes akademive të fikhut dhe komisioneve përkatëse. Ato duhet të bashkëpunojnë gjithashtu me institucionet e davetit, për të krijuar një kanal të dedikuar tërësisht për fetvatë. - Mbështetja e fetvave grupore:
Thirrësit Islamë duhet të shpenzojnë më shumë përpjekje rreth njerëzve të ditur në fikh dhe të mbështesin idenë e fetvave që jepen në mënyrë grupore. - Paralajmërime kundër fetvave ‘shaadh’ dhe devijante:
Duhet të ketë paralajmërime kundër fetvave të pasakta dhe devijante, si dhe kundër atyre që i përhapin. Ato duhen shpjeguar dhe kundërshtuar me argumente, për të mbrojtur fenë dhe për të frenuar përhapjen e tyre. - Shfrytëzimi i rrjeteve sociale dhe internetit:
Duhet shfrytëzuar më shumë media sociale dhe interneti për përhapjen e dijes dhe fetvave të sakta, me qëllim që t’u mësohet njerëzve feja e tyre. - Fetvatë për pakicat myslimane:
Atyre që jetojnë në vende ku myslimanët janë pakicë u rekomandohet të kërkojnë fetva nga dijetarët e vendit të tyre, të cilët kanë përvojë në dhënien e fetvave dhe janë njerëz të besuar në dije, sidomos sa i përket fikhut të pakicave myslimane. Kjo, pasi rrethanat dhe vendi kanë ndikim të madh në shumë dispozita, që mund të jenë ndryshe nga praktikat në vendet ku myslimanët janë shumicë. - Zgjerimi i hapësirës për dhënien e fetvave publike:
Rekomandohet rritja e hapësirave për fetva për publikun e gjerë. Në programet e xhamive, konferencave dhe veprimtarive të davetit, ku duhen caktuar kohë të posaçme për t’ju përgjigjur pyetjeve të njerëzve. Po ashtu, këshillohet krijimi i mënyrave të vazhdueshme të komunikimit me dijetarët përmes internetit ose linjave telefonike falas. - Zgjedhja e referencave të besueshme për fetvatë:
Institucionet e davetit dhe ato financiare duhet të zgjedhin burime të sigurta për fetva mbi çështjet e ndërlikuara, përpara se të fillojnë një projekt, në mënyrë që më pas të mos kenë konfuzione nga mendimet e ndryshme të myftinjve. - Mbështetje financiare për institucionet e dijes:
Rekomandohet që njerëzit e devotshëm dhe bamirës të mbështesin financiarisht njerëzit e dijes, institucionet e fetvave dhe asambletë e fikhut, në mënyrë që ata të vazhdojnë punën e tyre dhe që mesazhet e tyre të përhapen në mënyrën e duhur. - Njohja e kulturës perëndimore për myftinjtë në Perëndim:
Rekomandojmë që myftinjtë që jetojnë në Amerikë dhe Evropë të njohin sa më mirë kulturën perëndimore, historinë dhe strukturën e shoqërisë, në mënyrë që të ofrojnë fetva të cilat përputhen me realitetin dhe të jenë të pranueshme për zemrat dhe mendjet e myslimanëve, sidomos të rinjve. - Mësimi i gjuhëve dhe metodave të komunikimit:
Rekomandohet që myftinjtë në ato vende ku jetojnë t’i kushtojnë rëndësi gjuhëve lokale, të mësojnë metodat e komunikimit, parimet e përgjithshme të ligjeve vendore dhe principet e oratorisë publike, në mënyrë që fetvatë e tyre të mos bëhen pre e keqinterpretimit ose nxitjes së armiqve të myslimanëve, apo të keqkuptohen nga vetë myslimanët për shkak të mangësive në shpjegim. - Vetëdija për larminë e komunitetit mysliman:
Këshillohet që myftinjtë të jenë të vetëdijshëm se xhemati mysliman përbëhet nga shkolla të ndryshme të fikhut, qasje të ndryshme doktrinore e të tjera. Myftiu duhet ta ketë këtë parasysh kur trajton një çështje, jep një mendim ose përfundim, në mënyrë që të mos bëhet burim konfuzioni dhe sprove për disa prej myslimanëve.
* Me myfti në këtë tekst nuk ka për qëllim drejtuesit administrativë fetarë të një qyteti, që aplikohet në Shqipëri, apo edhe vende të tjera, por ka për qëllim atë njeri të ditur fetarisht, apo hoxhë që ka dituri dhe aftësi të japë fetva. (shën. përkth.)