Pregatiti: Bledar Tefik Haxhiu
Falënderimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka Pejgamber tjetër, si dhe mbi familjen dhe shokët e tij.
Më ka trishtuar fetvaja e disa vëllezërve të nderuar të cilët lejojnë urimin e jomuslimanëve për festat e tyre, pikërisht, muslimanët të cilët kanë marrëdhënie farefisnore, fqinjësie, miqësie ose marrëdhënie të tjera, që kërkojnë sjellje të mira dhe marrëdhënie të këndëshme që miratohen nga zakonet e shëndosha.
Këta njerëz të nderuar bazohen në fetva që pohojnë se ligjshmëria e urimit të njerëzve në këto raste bëhet më e ligjshme nëse jomuslimanët marrin iniciativën për ta uruar muslimanin për festat e tij islame dhe këtë e arsyetojnë me faktin se sheriati na ka urdhëruar t’i shpërblejmë të mirat me të mira, dhe përshëndetjen t’ua kthejë me një më të mirë. Ata pretendojnë se ligjshmëria e urimit përforcohet edhe nëse duam t’i ftojmë në Islam dhe t’i afrojmë me të, dhe t’i bëjmë muslimanët të dashur për ta.
Po ashtu pretendojnë se urimi i jomuslimanëve është prej moralit të mirë që ne jemi të urdhëruar t’i përmbahemi, si dhe një formë shprehje bamirësie ndaj jomuslimanëve që janë paqësor.
Çuditërisht ata thonë: “Nëse lejohet urimi i të krishterëve për festat e tyre, kërkohet të theksojmë se nuk lejohet marrja pjesë në festimet e tyre festare, sepse ne kemi festat tonat dhe ata të tyret”.
Do të përpiqem të shpjegoj, me lejen e Zotit, në këto rreshta se fjalët e këtyre njerëzve nuk janë në përputhje me Librin e Allahut, Sunetin e Profetit dhe konsensusin e dijetarëve, dhe se ajo që ata e konsiderojnë si interes; në fakt është një interes i shfuqizuar, të cilin Sheriati nuk e ka marrë parasysh, pasi është një interes që përfshin shumë dëme dhe humbin shumë interesa.
Koncepti i urimit:
Dihet se urimi është e kundërta e ngushëllimit dhe ajo që nënkuptohet me urim është shprehja e dashamirësisë dhe shfaqja e kënaqësisë me atë që ka arritur një person. Është bërë zakon që urimi dhe përgëzimi, të jenë në përputhje me shkallën e dashurisë dhe afrimitetit, në kundërshtim me përshëndetjen, e cila është legjitime për ata që i njohim dhe ata që nuk i njohim. Nga këtu kuptojmë se duke i uruar festat e jomuslimanëve, ne jemi pjesëmarrës në gëzimin e festave të tyre dhe shprehim kënaqësi ndaj tyre, kushdo që tregon lumturi për diçka ndaj një personi, atëherë ai miraton se është i kënaqur me të, edhe nëse ai pretendon të kundërtën. Sepse si mund ta përgëzojë një person me diçka kur ai e urren atë, nuk e do dhe nuk e miraton diçka të tillë?!
Zoti i Plotfuqishëm e urren mosbesimin dhe ritualet e tij, më të rëndësishmet e të cilave janë festat:
Zoti i Madhëruar ka thënë se Ai nuk e pranon mosbesimin; I Lartmadhëruari thotë: “Nëse ju e mohoni Atë, dijeni se Allahu është vërtet i pavarur prej jush. Megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosmirënjohjen e robërve të Tij, por kënaqet me ju, nëse e falënderoni”. (Ez Zumer: 7).
Pra, Zoti i Madhëruar e urren mosbesimin dhe nuk e miraton atë, dhe e dënon mosbesimin dhe nuk e lejon në asnjë rrethanë. Kështu që nëse Allahu Lavdi qoftë, e urren mosbesimin dhe nuk ia aprovon atë askujt, atëherë nuk lejohet që musliamni të kënaqet me mosbesimin e një personi tjetër; sepse kënaqësia me mosbesimin e të tjerëve nuk është gjë tjetër veçse kënaqësi me atë që nuk e pëlqen Zoti i Madhëruar dhe kjo nuk lejohet. Atëherë nëse festat janë një nga veçoritë më dalluese të feve, dhe një nga ritualet më të dukshme të tyre, atëherë urimi për festat e jomuslimanëve nuk është gjë tjetër veçse urim për ritualet e një feje që Zoti e urren dhe nuk është i kënaqur me të.
Të urosh festat e jomuslimanëve nuk është gjë tjetër veçse urim ndaj simboleve më specifike të mosbesimit.
Ndalimi i uljes në tubimet e mosbesimit dhe mosbindjes, tek të cilat bëjnë pjesë dhe festat e jobesimtarëve:
Sheriati na ka ndaluar uljen në kuvendet e mosbesimit dhe mosbindjes nëse nuk i këshillojmë dhe qortojë për to, Allahu Madhëruar thotë: “Ai jua ka shpallur në Libër: Kur të dëgjoni se mohohen fjalët e Allahut dhe bëhet tallje me to, atëherë mos rrini me ata (njerëz që veprojnë kështu), derisa të ndërrojnë bisedë, përndryshe do të ishit si ata. Allahu do t’i tubojë në Xhehenem të gjithë hipokritët dhe mohuesit”. (En Nisa: 140).
Që do të thotë: Dhe ty të është shpallur se nëse ulesh me dikë që nuk i beson shenjat e Zotit dhe tallet me to ndërkohë që ju i dëgjoni, atëherë jeni si ai; Pra, nëse nuk reagoni dhe nuk largoheni, do të jeni si ata në veprimet e tyre, sepse ju e keni kundërshtuar Zotin duke u ulur me ta, ndërsa po dëgjoni ata që tallen me ajetet e Zotit, duke mos i besuar dhe duke i përçmuar ato.
Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Përndryshe do të ishit si ata”. Kjo tregon se mëkatarëve u duhet shmangur nëse shfaqin gjynahe, sepse kush nuk u shmanget atyre, ai është kënaqur me veprat që bëjnë, dhe kënaqësia me mosbesim është kufër. Kështu, nëse nuk është në gjendje t’i qortojë, atëherë duhet të ngrihet e largohet prej tyre që të mos jetë nga personat që i përfshin ky ajet.
Përderisa personi bëhet pjesë me jomuslimanët në festat e tyre dhe i uron ata për to, atëherë kjo është një aprovim nga ai dhe shprehje kënaqësia e tij me festat e tyre të cilat ata ia kanë ligjëruar vetes së tyre, ndërkohë që Zoti nuk i ka miratuar për ta.
Ky urim mund të jetë dhe një mbështetje për ta që t’i përmbahen fesë së tyre të rreme. Në vend që muslimani t’i qortojë për pasimin e fesë së tyre të rreme, e cila përfshin edhe festat; në vend që t’i braktisë kur ata kremtojnë një nga ritualet e mosbesimit -që është festa-, ai i përgëzon ata për festën e tyre duke i uruar, dhe ky është mëkat më i madh dhe më i neveritshëm sesa të ulesh me ta kur kremtojnë një nga ritualet e mosbesimit dhe nuk i qorton.
Ndalimi i bashkëpunimit në mëkat dhe shkelje, e cila përfshin urimin për çdo çështje të ndaluar, duke përfshirë edhe urimet për festat e jomuslimanëve:
Sheriati ndalon bashkëpunimin për në mëkate dhe armiqësi me cilindo, qoftë mysliman apo jomysliman. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër”. (El Maide: 2).
Nuk i lejohet muslimanit të ndihmojë askënd nga jomuslimanët në ndonjë nga gjërat e ndaluara në fenë tonë. Për shkak se kjo konsiderohet bashkëpunim në mëkate dhe armiqësi, dhe për shkak se kjo është përkrahje për në të kotën. Nisur nga kjo, urimi i jomuslimanëve për festat e tyre, shkakton ndjenjë kënaqësie në zemrat e tyre me mosbesimin që ata jenë duke kryer, dhe kur i uron, u jep forcë dhe entuzazëm në zemrat e tyre për të vazhduar në mosbesim dhe fenë e tyre të rreme, në të cilën i bëjnë shok Zotit. Nuk duhet të harrojmë se shirku dhe mosbesimi në Allahun është e keqja më e madhe, kështu që nuk lejohet të ndihmohet në të askush, në asnjë mënyrë.
Urimi për festat e jomuslimanëve është në kundërshtim me qortimin që u duhet bërë kundrejt mosbesimit dhe ritualeve të tij.
Ndër ato që obligon Sheriati është dhe ndryshimi i së keqes me sa të mundemi, duke e ditur se e keqe konsidrohet çdo gjë që Sheriati e ka ndaluar dhe qorton ata që e kryejnë, duke përfshirë këtu të gjitha mëkatet dhe sajesat (bidatet). Del si detyrë që kur të shihet ndonjë e keqe, ta qortojmë dhe largojmë sa të mundemi. Ebu Seid El-Khudriu Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Zotit, salallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Kushdo prej jush që sheh një të keqe le ta ndryshojë atë me dorën e tij, e nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet, atëherë me zemrën e tij, dhe kjo është besimi më i dobët” (Muslimi në sahihun e tij, nr: 49).
Ky hadith tregon se muslimani duhet ta ndryshojë të keqen në të gjitha rrethanat, dhe se shkalla më e vogël e qortimit që kërkohet është urrejtja dhe ndryshimi me zemër, e cila nënkupton urrejtjen, mos pjesmarjen në të, shprehjen e moskënaqësisë dhe neverinë ndaj saj. Ai që nuk ka fuqi ta ndryshojë të keqen me dorë dhe është i paaftë ta ndryshojë me gjuhë, atëherë gjëja më e pakët që duhet të bëjë, është shmangia dhe mos prezantimi në to pa nevojë.
Nuk lejohet qëndrimi në një vend ku veprohet e keqja pa nevojë, përderisa njeriu nuk ka autoritet dhe fuqi ta ndryshojë atë me dorë dhe është i paaftë ta bëjë me gjuhë, përsa më sipër mos urimi i atij që kryen një të keqe është më përparësor se qëndrimi me të apo qortimi e ndryshimi i saj.
Kushdo që e uron një jomusliman për festat apo ndonjë ritual të mosbesimit të tij, është kontradiktor dhe në kundërshtim me atë që duhet të bëjë karshi mosbesimit dhe ritualeve të tij, pra, qortimin dhe ndalimin nga këto vepra.
Ndalimi i imitimit të idhujtarëve në atë që është një nga karakteristikat e tyre përfshi këtu ndalimin e urimit për festat e tyre
Janë të shumta tekstet fetare që ndalojnë imitimit e idhujtarëve, ku prej të cilave janë dhe fjalët e Profetit, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të: “Të jeni të ndryshëm nga idhujtarët: rritisi mjekrat dhe shkurtoni mustaqet”. (Buhariu nr: 5892)
Po ashtu përcillet nga Ibn Omerit, se i Dërguari i Zotit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Cilido që imiton një popull, ai është prej tyre”. (Ebu Daudi, hadithi nr: 4031).
Sheriati na ka urdhëruar të dallojmë nga idhujtarët si dhe ka ndaluar imitimin dhe ngjashmërinë me ta, për të shfaquar dallimin ndërmjet besimtarëve dhe jobesimtarëve në aspektin e jashtëm, ashtu siç është edhe në brendësinë e tyre. Sepse miratimi dhe imitimi i jashtëm mund të çojë në dashurinë dhe madhërimin e tyre, si dhe të lindë ndjenja se nuk ka dallim mes tyre dhe besimtarëve, duke e shtyrë kështu imituesin të përvetësojë moralin e atyre që imiton dhe të veprojë njëjtë si ata, që përfshin edhe urimin e njëri-tjetrit për festën e tyre (idhujtarëve).
Mos ndalimi nga veprat e keqja është arsye për të merituar mallkimin dhe dënimin e Zotit, ku pjesë e të këqijave është dhe idhujtaria e ritualet e saj
Tekstet e Sheriatit kanë treguar se mosndalimi nga e keqja është një nga shkaqet e shkatërrimit dhe meritës për mallkimin e dënimin e Zotit, Allahu i Madhëruar thotë: “Ata izraelitë që ishin mohues, u mallkuan me gjuhën e Dautit dhe të Isait, të birit të Merjemes, për shkak se kundërshtonin, shkelnin çdo kufi dhe nuk e ndalonin njëri-tjetrin të bënin vepra të këqija. Eh, sa të shëmtuara ishin veprat që bënin ata! (El Maide: 78-79).
Bijtë e Izraelit merituan dënim, mallkim dhe dëbim nga mëshira e Zotit për shkak të neglizhencës së tyre në ndalimin nga e keqja; gjë që tregon se urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është një nga arsyet e shmangies së dënimit, mallkimit dhe dëbimit nga mëshira e Zotit. Allahu i Madhëruar ka thënë për fshatin që ishte afër detit, banorëve të të cilit u ishte ndaluar të peshkonin të shtunave, të citët nuk ju përmbajtën këtij ndalimi: “Por, kur e harruan atë për të cilën ishin paralajmëruar, Ne i shpëtuam ata që këshillonin, kurse i ndëshkuam ashpër keqbërësit, për shkak të mosbindjes së tyre”. (El A’raf: 165).
Pra shpëtimi ishte vetëm për ata që këshillonin dhe ndalonin nga e keqja.
Po ashtu ka edhe tekste nga Suneti i Profetit që tregojnë se dënimi i përshkon të gjithë anëtarët e një shoqërie nëse e keqja shfaqet në një grup prej tyre dhe të tjerët që kanë mundësi ta largojnë atë heshtin derisa ajo bëhet normë. Pejgamberi, lavdërimet dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse njerëzit shohin një të keqe dhe nuk e ndryshojnë atë, Zoti do t’i përfshijë të gjithë me ndëshkim”. (Ibën Hibani në sahihun e tij, nr: 305)
E meqënëse mosbesimi është e keqja më e madhe, atëherë kushdo që e uron jobesimtarin për një nga festat apo ritualet e tij, duke braktisur detyrën e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, ai padyshim përfshihet në kërcënimin e atij që nuk ndalon nga e keqja.
Ibn Kajimi është shprehur se ka unanimitet rreth ndalimit për urimin e jobesimtarëve për festat e tyre
Ibn Kajimi ka treguar për konsensusin mbi ndalimin e urimit të jomuslimanëve për festat e tyre. Ai, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Sa i përket urimit për ritualet e mosbesimit të cilat janë të veçanta për ta, është e ndaluar me konsensus, si p.sh., urimi i tyre për festat dhe agjërimet e tyre dhe thënia: Qoftë një festë e bekuar; gëzuar festën, dhe të ngjashme. Në këto raste, nëse ai që e bën urimin ka shpëtuar nga rënia në kufër (mohim), padyshim që nuk shpëton nga gjynahu, sepse ajo është në pozitën e urimit kur ai i bën sexhde kryqit. Madje kjo -urimi i festave pagane- është mëkat më i madh dhe më i neveritshëm tek Allahu se urimi për pirjen e alkoolit, vrasjen e vetvetes, kryerjen e imoralitetit e të ngjashme”. (Ahkam Ehli Dhime)
Pretendimi se urimi i jomuslimanëve për festat e tyre nuk konsiderohet simpati është një pretendim i kotë
Kushdo që pretendon se urimi i jomuslimanëve për festat e tyre nuk konsiderohet simpati për festat e tyre, padyshim që është një pretendim i kotë; sepse kushdo që e miraton një çështje, e nxit atë ose e ndihmon atë, është si ai që merr pjesë në të, e kush e pranon një të keqe, e nxit atë ose e ndihmon atë, atëherë ai është përkrahës i së keqes dhe ndihmues në përhapjen e saj, dhe kjo nuk lejohet.
Prej formave të pjesëmarrjes të përcaktuara në Sheriat dhe ligj është pjesëmarrja me nxitje dhe inkurajim, dhe nuk ka dyshim se urimi i jomuslimanëve për festat e tyre është një lloj pjesëmarrjeje dhe miratimi për ta në festat e tyre, dhe ne jemi të urdhëruar të kundërshtojmë idhujtarët në atë që është një nga karakteristikat e tyre, ndërkohë që festat janë ndër gjërat më të veçanta që dallojnë fetë dhe që shpalosin ritualet e tyre.
Edhe nëse supozojmë se urimi i jomuslimanëve për festat e tyre nuk është përfshirje a një lloj pjesëmarrje në festat e tyre, sërisht nuk lejohet urimi për festat e tyre, sepse ai është urim për një festë të rrejshme, mbështetje për gënjeshtrën dhe përkrahje për të keqen.
Edhe nëse ai që i uron për festat e tyre nuk ka për qëllim të marrë pjesë në idhujtarizmin e tyre; por e bën këtë duke qënë i shtyrë nga mirësjellja dhe modestia, sërisht themi se mirësjellja ndaj gënjeshtrës nuk është e lejuar.
Ndalimi i urimit të jomuslimanëve për festat e tyre nuk nënkupton armiqësinë ndaj tyre
Ndalimi i urimit të jomuslimanëve për festat e tyre nuk nënkupton asesi armiqësinë dhe sulmin ndaj tyre në festat që ata kryejnë, duke i dhunuar, fyer e kështu me radhë. Islami e ndalon padrejtësinë dhe agresionin, përveç atyre që tregojnë agresivitet dhe padrejtësi. Pejgamberi paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, e ka ndaluan shtypjen e jomuslimanëve që janë në besë, duke paralajmëruar për shtypjen e tyre dhe zvogëlimin e të drejtave që ata kanë: “Ai që i bën padrejtësi një jomuslimani të marrë në besë, ose e nënçmon atë, ose e ngarkon përtej mundësive të tij, ose ka marrë diçka prej tij pa dëshirën e tij, atëherë unë do të ballafaqohem me të në Ditën e Kijametit”. (Ebu Daudi në sunenin e tij, nr: 3052).
Lënia e urimit të jomuslimanëve për festat e tyre nuk i largon jomuslimanët nga Islami përderisa muslimanët sillen me ta me drejtësi dhe mirësi
Mos urimi i jomuslimanëve për festat e tyre, nuk i largon ata nga Islami përderisa muslimanët sillen me ta me drejtësi dhe mirësi. Përkundrazi, duke mos i uruar ne tregohemi të sinqertë me ta, nuk i mashtrojmë me syefaqsi dhe as nuk i përkëdhelim në kotësinë e tyre. E nëse mos urimi i jomuslimanëve do ishte shkak për largmin e tyre, në kohën kur muslimanët nuk e kryenin këtë -siç bëhet sot për shkak të inferioritetit-, atëhere sdo kishte tentuar askush të pranonte këtë fe, porse e kundërta është e vërtetë, dhe mirësia dhe mirësjellja nuk është e kufizuar ne urimin e festive të ndaluara, përkundrazi hapësirat e saj jatë tejet të mëdha për të na i kufizuar vetëm në urime festash.
Mirësjellja ndaj jomuslimanit jo domosdoshmërisht kërkon miratimin e tij për një të pavërtetë ose një vepër të ndaluar
Mirësjellja ndaj jomuslimanit jo domosdoshmërisht kërkon miratimin e tij për të pavërtetat apo veprat e ndaluara. Allahu i Cili ka urdhëruar për të qenë të mirsjellshëm dhe të butë, është po Ai që ndaloi pjesmarrjen dhe aprovimin ndaj mëkateve, madje urdhëroi ndryshimin e së keqes sa të jetë e mundur dhe urdhëroi shmangien nga tubimet e mosbesimit dhe mosbindjes.
Mirësjellja dhe bamirësia duhet të realizohen në bazë të fesë dhe dispozitave që ka vendosur Allahu, jo sipas tekave dhe dëshirave tona, pra mirësjellja shprehet në atë mënyrë që nuk bie ndesh me sheriatin dhe në një mënyrë që nuk përfshin pranimin e të pavërtetës ose akteve të qortueshme. Edhe pse Profeti paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ishte njeriu më i drejtë dhe më i miri në karakter; edhe pse ka jetuar në një shoqëri të përzier ku kishte hebrenj dhe të krishterë, megjithatë nuk është pohuar qoftë dhe një rast i vetëm që ai të ketë uruar ndonjë të pafe për festat e tij.
Nëse urimi i tyre përgjatë festave do të ishte pjesë e mirësjelljes, atëherë Profeti do ta kishte bërë një gjë të tillë, qoftë edhe një herë të vetme, sepse mundësitë kanë qënë për ta kryer këtë, kështu që atë që nuk e ka bërë Profeti ndërkohë që ka patur mundësi ta kryej, nuk lejohet ta kryejë askush pas tij.