Përfshirja e muslimanëve në politikë

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 10 minuta lexim

Asambleja e Juristëve Muslimanë të Amerikës, në sesionin e saj të katërt, të mbajtur në Kajro, Egjipt, në periudhën nga 4 deri më 7 Rexheb të vitit 1427 Hixhri, që korrespondon me 28 korrik deri më 2 gusht 2006, pas shqyrtimit të hulumtimeve sheriatike, të paraqitura nga anëtarët dhe ekspertët e Asamblesë në lidhje me temën “Pjesëmarrja në politikë” dhe diskutimit të gjerë që u zhvillua rreth saj, vendosi si më poshtë:
Së pari: Çfarë kuptohet me “pjesëmarrje në politikë” dhe cili është gjykimi për të.
– Pjesëmarrja në politikë është përfshirja në vendimmarrjet politike, përmes partive politike, kuvendeve parlamentare ose këshillave bashkiake, si dhe institucioneve të tjera politike dhe kushtetuese të shtetit, qofshin këto me zgjedhje ose me emërim. Përfshirja në politikë kërkon aleanca të përkohshme me forca të tjera politike ose përdorim të mjeteve të lejuara (me kushtetutë), siç janë protestat, grevat, mosbindja civile dhe formimi i grupeve të lobimit, etj.
– Pjesëmarrja e muslimanëve emigrantë -që banojnë jashtë trojeve islame- në aktivitete politike, është një çështje, në të cilën ka dëme dhe dobi:
– Disa nga dobitë janë: kontributi pozitiv që muslimanët mund të japin në zgjidhjen e çështjeve të këtyre shoqërive nga perspektiva islame, dhënia e imazhit të saktë të Islamit si fe e vërtetë dhe e muslimanëve si qytetarë, që kanë rolin e tyre kontribues e civilizues në fusha të ndryshme, mbrojtja e të drejtave të muslimanëve, që banojnë jashtë trojeve islame, si dhe mbështetja e kauzave të drejta të bashkësisë islame brenda këtyre territoreve.
-Disa nga dëmet janë: prezenca në disa raste në kuvende ku mohohet e vërteta, e shoqëruar kjo me shkelje fetare, elemente këto që mund të çojnë në përçarje të radhëve të muslimanëve si dhe të shkaktojë grindje mes tyre, por edhe mund të sjellin gradualisht lëshime fetare që nuk përligjin dobitë që përfitohen.
-Përfshirja në aktivitet politik është një çështje që i përket “politikës së sheriatit”, dhe gjykimi për të sillet rreth peshimit mes dëmit dhe dobisë.
Përfshirja është e lejuar nëse qëllimi është i pastër dhe dobia është e dukshme dhe nuk sjellë një dëm më të madh. Kjo përfshirje mund të jetë obligative, nëse identifikohet mjeti, përmes të cilit përmbushen disa dobi më të mëdha ose neutralizohen disa dëme të dukshme. Por përfshirja mund të jetë edhe e ndaluar, nëse dëmi është më i madh dhe e tejkalon dobinë, e ndoshta shpie edhe në dëmtimin e besimit. Çështja pra është e atillë që fetvaja për të ndryshon sipas kohës, vendit dhe situatës, duke parë gjithmonë ku qëndron dobia.
– Nuk ka asgjë të keqe që muslimanët emigrantë të marrin poste politike në vendet joislame, për të përmbushur një të mirë të përgjithshme dhe pakësuar atë që mund të pakësohet në drejtim të së keqes, duke vendosur drejtësinë për aq sa mundet, me kusht që ky të jetë synimi i përfshirjes në politikë që nga fillimi dhe gjatë gjithë kohës, në mënyrë që ky funksionar të jetë zë i atyre që u bëhet padrejtësi, duke ua larguar apo pakësuar atë, dhe jo zë i zullumqarëve duke i ndihmuar ata në të padrejtësitë e tyre.
– Është gjithashtu e lejuar, që të mbështetet një kandidat jomysliman, për marrjen e një posti politik, karshi një kandidati tjetër, nëse ai ka më shumë gjasa të shmang padrejtësinë, apo të bëj më shumë të mira, në përputhje kjo me atë që është përcaktuar në parimet bazike të Sheriati, të cilat legjitimojnë përmbushjen e kërkesave bazike dhe përmirësimin e tyre, si dhe synojnë neutralizimin dhe minimizimin e të këqijave.

Së dyti: Kriteret që duhen zbatuar gjatë përfshirjes në veprimtari politike:
– Kriteri bazë është se veprimtaria politike duhet t’i referohet parimeve të Fesë, dhe të rregullohet sipas interesave që përcakton Feja. Për të vlerësuar përligjjen fetare në praktikë, aktivitet politike duhet të mbikëqyren nga një grup juristësh sheriatikë dhe ekspertësh të fushës. Në mënyrë që pjesëmarrja politike të jetë legjitime fetarisht dhe efektive, duhet patjetër të ketë një paketë rregullash doktrinore, morale dhe praktike, si në vijim:
-Kriteret doktrinore: pjesëmarrja politike nuk duhet të përmbajë mbështetje të një ligji që bie ndesh me atë që ka zbritur Allahu, apo të mbështesë ata që janë kundër muslimanëve, apo të konsiderojë si më të afërm të tjerët veç besimtarëve.
-Kriteret morale: ata që përfshihen në aktivitete politike nuk duhet të gënjejnë, as falsifikojnë si dhe nuk duhet të dëmtojnë qëllimisht të tjerët.
– Kriteret praktike: aktiviteti politik nuk duhet të kthehet në mjet për të qenë prepotent ndaj të tjerëve dhe as si arsye për të konsumuar energjitë, që të shpërqendrojnë nga aktivitetet e thirrjes islame, mësimdhënia dhe edukimi.
Muslimanët duhet të bihen dakord mes vetes për kërkesat e tyre politike si dhe për autoritetin që do t’i përfaqësojë ata për këto kërkesa. Në këtë mënyrë ata nuk do të përçahen dhe nuk do të humbasin fuqinë e bashkimit.
– Gratë muslimane, duke respektuar kufijtë e mbulesës dhe dëlirësisë morale, u lejohet të marrin pjesë në aktivitet e thirrjes islame dhe bamirësisë, si dhe të përfshihen në procesin politik të votimit, në çfarëdo rrethanë që u përshtatet atyre dhe në përputhje me natyrën e tyre, nëse këto kushte përmbushen për to dhe interesi i bashkësisë e kërkon si dhe krijohen mjete e mekanizma që parandalojnë dëmet që mund të vijnë nga kjo pjesëmarrje.

Së treti: Protesta dhe legjitimiteti i saj:

– Tubimet publike apo protestat janë deklarim i një opinioni ose shfaqje ndjenjash, në formën e një marshimi kolektiv. Në shoqëritë demokratike, kjo është një formë bashkëkohore e shprehjes së mendimit dhe të imponimit të vendimeve politike.
– Protestat në shoqëritë perëndimore gëzojnë legjitimitet dhe mbrojtje kushtetuese dhe rregullohen në mënyrë ligjore, në mënyrë të atillë që të mos shndërrohen në një mjet anarkie apo shkatërrimi të pronës dhe objekteve publike.
– Brenda kuadrit të vendosur nga shoqëritë perëndimore, protesta mund të jetë një mjet për të përmbushur një të mirë dhe për të arritur te një dobi e përgjithshme, veçanërisht nëse në disa vende ose situata protesta është një mjet efikas për të arritur këtë qëllim, me domosdoshmërinë e përpjekjes për të zvogëluar dëmet e saj, për aq sa është e mundur.

Së katërti: Bojkoti si mjet për të shmangur agresionin dhe për të ndaluar sulmet:

– Bojkoti është ndalimi i marrëdhënieve ekonomike ose sociale, sipas një organizmi kolektiv të mirëstudiuar. Bojkoti është një nga mjetet efikase të rezistencës, që funksionon në realitetin tonë bashkëkohor.
– Parimi bazë është liria për të blerë dhe shitur të mirat materiale me cilindo, pavarësisht nëse personi është i drejtë ose jo, musliman ose jo, por kur bojkoti përcaktohet si mjet efikas për të zmbrapsur agresionin ose për të ndaluar sulmet, atëherë ai konsiderohet një nga mjetet legjitime të rezistencës, madje nuk është e gabuar të thuhet se bojkoti kthehet në një obligim të pashmangshëm, në përputhje kjo me normën islame se mjetet marrin gjykimin e synimeve, në lejim dhe ndalim.
-Vendimi për këtë bojkot duhet të merret nga njerëz të ditur dhe me përvojë, në mënyrë që bojkoti të jetë efektiv dhe të arrijë qëllimin e tij.

***

Paqja, shpëtimi dhe begatitë e Allahut qofshin për zotërinë tonë Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij. Të gjitha përlëvdimet janë për Allahun, Zotin e botëve.

Burimi: https://www.amjaonline.org/declaration-articles/decisions-and-recommendations-of-amjas-fourth-annual-convention-egypt-ar/