Përgjegjësia e dhënies së fetvasë

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim
imageview-aspx
Përgjegjësia e dhënies së fetvasë


Pyetje:

Shikojmë sot në mesin e muslimanëve njerëz, xhematli apo nxënës të cilët nuk kanë mbaruar shkollat por japin fetva pa asnjë hezitim. A lejohet që çdo kush të marrë përsipër shpjegimin e çështjeve të fesë dhe të japë fetva për lejesat dhe ndalesat, pa mësuar në shkolla të rregullta?

Përgjigje:

Bismilah, elhamdulilah, uessalatu uesselamu ala resulilah.

Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë thotë:

“Pyesni ata që dinë nëse nuk dini!” (El-Enbija: 7)

 Ajeti i mësipërm tregon qartë se njerëzit duhet të pyesin dijetarët për gjërat e paqarta dhe për çështjet rreth të cilave nuk kanë informacion dhe as dituri. Në mesin e sahabëve, shokëve të Profetit (alejhissalatu uesselam) të cilët ishin me mijëra, vetëm njëqind prej tyre jepnin fetva, ku më të njohurit prej tyre ishin: Omer ibn Hatabi, Ali ibn Ebi Talibi, Abdullah ibn Mesudi, Aishja, Zejd ibn Thabiti, Abdullah ibn Abasi dhe Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre). Kjo do të thotë se jo çdo kush ka të drejtë të japë fetva.

Njerëzit e dijes kuptojnë se sa më shumë të mësojnë aq më tepër duan të jenë larg përgjegjësisë për të dhënë fetva. Kurse të paditurit janë ata që shpejtojnë për të dhënë mendimet, verdiktet, opinionet, gjykimet apo fetvatë e tyre edhe nëse nuk iu kërkohet. Profeti (alejhissalatu uesselam), siç transmeton Buhariu na ka treguar se dituria do të largohet me kalimin e kohës nga njerëzit derisa ata s’do të gjejnë më dijetarë dhe, kur të pyeten, do të japin përgjigje, por me “fetvatë” e tyre në fakt ata kanë humbur veten dhe të tjerët.

Edhe vetë hoxhallarët sot nuk mund të japin fetva sipas mendjes së tyre e duke u mbështetur tërësisht në aftësitë e tyre. Hoxhallarët përcjellin mendimet e shkollave juridike islame, medh’hebeve të njohura sipas argumenteve përkatëse nëse çështjet janë trajtuar më herët. Kurse në çështjet e reja bashkëkohore shumë mbështeten në akademitë botërorë islame dhe sesionet shkencore, të cilat ato organizojnë për të dalë me një përgjigje dhe përfundime të studiuara mirë, për çështje të ndryshme me të cilat përballen muslimanët sot.

Nëse vetë hoxhallarët mbështeten në argumentimin e shkollave juridike islame, medh’hebeve të njohura dhe në studimet e akademive shkencore duke përçuar dijen e sheriatit islam, çfarë mbeti për xhematin e thjeshtë dhe të paditurit të shpjegojnë?!

Kësisoj nuk lejohet që xhemati i thjeshtë ose nxënës që nuk kanë mbaruar shkollat përkatëse apo nuk kanë formimin e duhur fetar të japin fetva edhe sikur të kenë lexuar libra apo dëgjuar ligjërata të shumta. Hallalli dhe harami si dhe çështjet e fesë duhet të merren nga shkollat juridike islame të njohura, dijetarët e njohur apo akademitë ndërkombëtare islame, të përcjella me besnikëri nga hoxhallarët e ngarkuar me këtë detyrë. Andaj çdo kush duhet të ndjejë rrezikun dhe përgjegjësinë e nxitimit për të mos dhënë fetva, dhe duhet të largohet nga ajo gjë sa më parë dhe nga padurimi për të interpretuar apo shpjeguar çdo çështje të fesë. Çdo njeri do të pyetet në Ditën e Gjykimit para Allahut të Madhërishëm dhe do të jetë përgjegjës për gjithçka që ka thënë.

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH