Përgjegjësia e Mjekut për gabimet mjekësore

Lidhja e Hoxhallarëve
21 minuta lexim

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Paqja dhe bekimet qofshin mbi zotërinë tonë, Muhamedin, vulën e profetëve, si dhe mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij!

Vendimi nr. 223 (23/7)

Lidhur me përgjegjësinë e mjekut për gabimet mjekësore të paqëllimshme nga këndvështrimi islam

Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, që funksionon në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, i mbledhur në sesionin e tij të njëzet e tretë në Medinën e Ndritur, gjatë periudhës 19-23 Sefer 1440 hixhri, që përkon me datat 28 tetor – 1 nëntor 2018.
Pasi shqyrtoi vendimet e konferencës shkencore lidhur me përgjegjësinë e mjekut për gabimet mjekësore të paqëllimshme nga këndvështrimi islam, e cila u organizua nga Organizata Islame e Shkencave Mjekësore në Kuvajt, gjatë periudhës 5-7 Xhumada el-Ahire 1436 hixhri, që përkon me datat 26-28 mars 2015, dhe pasi dëgjoi diskutimet e gjera të zhvilluara rreth kësaj çështjeje, vendosi si vijon:

Së pari: Gabimet mjekësore të paqëllimshme

1. Miratimi i përkufizimit të gabimit mjekësor si: “Dështimi në përmbushjen e një veprimi të planifikuar, ashtu siç ishte synuar, për shkak të neglizhencës, pakujdesisë apo shkaqeve të ngjashme”.

2. Miratimi i përkufizimit të incidentit mjekësor si: “Një dëmtim që lind si pasojë e një ndërhyrjeje mjekësore dhe që nuk i atribuohet gjendjes shëndetësore bazë të pacientit”.

3. Miratimi i përkufizimit të incidenteve institucionale si: “Ato që lindin nga bashkëveprimi i disa faktorëve shkaktarë të gabimit, në nivele të ndryshme, krahas shkaqeve të brendshme të sistemit shëndetësor, gjë që krijon mundësinë që rreziqet të ndodhin përmes një zinxhiri pikash të dobëta”.

4. Miratimi i përkufizimit të parimeve të profesionit shëndetësor si: “Parimet e qëndrueshme dhe rregullat e njohura shkencërisht dhe praktikisht”.

5. Hartimi i programeve shkencore, të mbështetura në studime dhe hulumtime të thelluara, lidhur me shkaqet dhe faktorët që çojnë në gabime, me qëllim përcaktimin e zgjidhjeve të përshtatshme për pakësimin e tyre sa më shumë që të jetë e mundur.

6. Domosdoshmëria e krijimit të kushteve dhe rrethanave të përshtatshme, të brendshme dhe të jashtme, që lidhen me kujdesin shëndetësor, me qëllim sigurimin e garancive për realizimin e tij.

7. Domosdoshmëria që siguria e pacientëve të jetë boshti kryesor i të gjitha politikave shëndetësore.

8. Domosdoshmëria e organizimit të seminareve trajnuese për të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor, me qëllim trajnimin, ndërgjegjësimin dhe forcimin e ndërgjegjes fetare, për t’i ndihmuar ata në përballimin e gabimeve kur ndodhin, duke qenë se këto seminare përbëjnë pjesë të detyrave kryesore të punës shëndetësore.

9. Sigurimi i mjeteve të nevojshme, si pajisjet, laboratorët dhe informacionet, si dhe respektimi i sistemeve ndërkombëtare të punës (protokolleve), për të kontribuar në saktësimin e diagnozës dhe përcaktimin e drejtë të sëmundjes.

10. Respektimi i parimeve dhe rregullave ndërkombëtare të punës, të cilat përcaktojnë që orari i punës së personelit mjekësor të mos i kalojë tetë orë në ditë, veçanërisht gjatë ditëve të shërbimit të rojës (turneve), me qëllim ruajtjen e përqendrimit të mjekut dhe mbrojtjen e shëndetit të pacientit.

11. Pakësimi, sa të jetë e mundur, i numrit të pacientëve për çdo mjek, në mënyrë që pacientit t’i jepet koha e mjaftueshme për të shpjeguar problemin e tij shëndetësor.

12. Domosdoshmëria e rishikimit periodik të të gjitha ligjeve dhe vendimeve që lidhen me garancitë e sigurisë dhe mbrojtjen e pacientit nga gabimet mjekësore.

13. Theksimi i rëndësisë së mirëmbajtjes së rregullt të pajisjeve shëndetësore nga specialistë të kualifikuar për këto pajisje, me qëllim garantimin e sigurisë dhe funksionimit të tyre të përshtatshëm.

14. Puna për krijimin e një organi të lartë për gabimet mjekësore, i cili të përfshijë specialistë të fushave të ndryshme, me përvojë të dëshmuar dhe të njohur për ndershmërinë dhe sinqeritetin e tyre, në varësi të ministrisë përkatëse. Ndër detyrat e këtij organi të jetë kryerja e hetimeve për çdo incident mjekësor që ndodh, pavarësisht nëse ka shkaktuar dëm apo jo, dhe kjo të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, përpara se të zhduken gjurmët apo provat e tij.
Hulumtimi duhet të jetë gjithëpërfshirës, për të përcaktuar shkakun dhe pasojat e ndodhjes së gabimit, në rast se ka pasur dëm. Më pas, organi t’ua përcjellë raportet institucioneve përgjegjëse, të shoqëruara me rekomandimet përkatëse, me qëllim shmangien e përsëritjes së gabimeve në të ardhmen.

15. Inkurajimi i mjekëve që kanë bërë gabime për t’i deklaruar ato, në mënyrë që të sigurohet transparenca dhe komunikimi i hapur, në shërbim të së ardhmes dhe suksesit të punës mjekësore, si dhe gjetja e një mënyre ligjore për lehtësimin e përgjegjësisë së tyre.

16. Inkurajimi i personave që kanë dijeni për gabimet mjekësore që të raportojnë për to, duke u siguruar mbrojtje nga çdo pasojë apo dëm që mund t’u shkaktohet.

17. Domosdoshmëria e krijimit të një banke të dhënash për gabimet mjekësore, nga një
komision i specializuar i përbërë nga mjekë, juristë të së drejtës islame dhe juristë ligjorë.
Gjithashtu, nxjerrja e një ligji që i detyron të gjitha institucionet që veprojnë në kuadër të
ministrive të shëndetësisë të raportojnë për gabimet mjekësore dhe ta furnizojnë këtë bankë me informacionet përkatëse, me qëllim njohjen e shkaqeve dhe faktorëve që çojnë në këto gabime.

18. Vlerësimi i mjekut nga organi kompetent, në rast se ai kryen gabime të rënda që sjellin pasoja dëmtuese, me qëllim njohjen e kushteve në të cilat punon dhe të shkallës së aftësisë së tij profesionale.

19. Ftesë drejtuar institucioneve përgjegjëse që të regjistrojnë dhe monitorojnë barnat, për të verifikuar procedurat që lidhen me to, si dhe të ndjekin ecurinë e barnave, veçanërisht atyre me rrezik të lartë, pas përdorimit të tyre. Gjithashtu, të regjistrojnë çdo vërejtje lidhur me ndërveprimet anësore apo ndërveprimet e tyre me barna të tjera, si dhe përqindjen e dëmeve,
nëse ekzistojnë, dhe të marrin masat e nevojshme.

20. Ndërgjegjësimi me qëllim ndryshimin e konceptimit shoqëror për pranimin e mundësisë së ndodhjes së gabimeve gjatë ushtrimit të profesionit mjekësor.

21. Puna për vendosjen e një karte elektronike me sistemin e barkodit për çdo individ, e cila të përdoret në të gjitha procedurat dhe shërbimet shëndetësore, duke theksuar domosdoshmërinë e kontrollit periodik të pajisjes së barkodit për t’u siguruar se ajo është funksionale.

22. Puna për nxjerrjen e studimeve, sistemeve (protokolleve) dhe udhëzuesve të punës, me qëllim forcimin e bazës së të dhënave dhe njohurive lidhur me pacientët, kushtet e tyre dhe historikun e tyre shëndetësor.

23. Domosdoshmëria e angazhimit për grumbullimin dhe klasifikimin e gabimeve që ndodhin gjatë praktikës mjekësore, me qëllim përdorimin e tyre në zhvillimin e raporteve shkencore dhe analizimin e secilit lloj të këtyre gabimeve.

24. Dallimi ndërmjet gabimeve mjekësore që vijnë si pasojë e neglizhencës së mjekëve dhe atyre që burojnë nga neglizhenca e institucioneve mjekësore, për shkak të mangësive në sistemet dhe pajisjet e nevojshme për trajtim.

25. Dallimi ndërmjet gabimeve mjekësore dhe incidenteve të padëshiruara, për të cilat mjeku nuk ka përgjegjësi, si dhe dallimi ndërmjet gabimeve mjekësore dhe ndërlikimeve të pritshme që lindin si pasojë e praktikave mjekësore.

26. Konsiderimi i mjekut si garantues dhe përgjegjës për dëmin në rastet e neglizhencës dhe tejkalimit të kufijve, në kundërshtim me rregullat e trajtimit për të cilat janë pajtuar ekspertët e profesionit mjekësor. Po kështu, edhe në rastet kur ai merr përsipër trajtimin e pacientit pa
pasur autorizimin e pacientit, kujdestarit të tij ligjor apo autoritetit përgjegjës, në rastet kur kërkohet një autorizim i tillë.

27. Ngarkimi me përgjegjësinë për kompensimin e dëmit të personit që e ka këtë detyrim sipas Sheriatit ose Ligjit, në rastet e tejkalimit të kufijve apo neglizhencës.

28. Puna për përgatitjen e një programi mësimor që trajton etikën e profesionit të mjekësisë, njohjen e gabimeve mjekësore në të gjitha specialitetet dhe mënyrat e parandalimit të tyre, si dhe përfshirjen e këtij programi si lëndë të detyrueshme për studentët e mjekësisë.

29. Mjeku duhet të tregojë kujdesin e duhur ndaj pacientit, duke e informuar për natyrën e sëmundjes së tij dhe pasojat që mund të sjellë trajtimi, duke pasur parasysh interesin e pacientit, në përputhje me kushtet e mjedisit dhe natyrën e kulturës mbizotëruese.

30. Mjeku duhet të tregojë ndaj pacientit kujdesin që do të tregonte një person i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm.

31. Ndalohet që mjeku të zbulojë sekretin e pacientit dhe ai mban përgjegjësi për dëmet morale ose materiale që mund të shkaktohen si pasojë e këtij zbulimi. Për këtë çështje duhet t’i referohemi vendimit nr. 79 (8/10) të Akademisë dhe rekomandimit të seminarit të Organizatës
Islame të Shkencave Mjekësore, të mbajtur në Kuvajt në prill të vitit 1987.

Së dyti: (A) Pëlqimi mjekësor:
Parimi bazë është kërkesa për marrjen e pëlqimit mjekësor. Nga ky parim përjashtohen vetëm
disa raste, të cilat janë si më poshtë:
a) Rastet emergjente, në të cilat ekziston rrezik për jetën e personit ose për disa nga organet e tij jetësore, kur është e pamundur të merret pëlqimi i pacientit ose i kujdestarit të tij ligjor.

b) Rastet kur interesi i përgjithshëm kërkon trajtimin ose parandalimin e tyre, siç janë
sëmundjet ngjitëse dhe infektive, të cilat përbëjnë rrezik për shëndetin e individëve të shoqërisë.

c) Nëse pacienti vuan nga një sëmundje psikike ose mendore që rrezikon jetën e tij apo jetën e të tjerëve, ai shtrohet me detyrim në institucionin e trajtimit, pasi të jenë ndërmarrë procedurat e nevojshme.

(B) Rastet kur pëlqimi nuk merret ose zëvendësohet:

a) Nëse kujdestari ligjor refuzon të japë pëlqimin, e drejta e kujdestarisë kalon te personi që vjen pas tij në radhën përkatëse, ose te autoriteti publik përgjegjës.

b) Në rastet kritike, kur pacienti madhor dhe me aftësi të plotë mendore refuzon të japë pëlqimin për trajtim, duhet t’i sqarohen rreziqet që sjell refuzimi i dhënies së pëlqimit. Mjeku duhet ta dokumentojë zyrtarisht këtë sqarim. Në këtë rast, pëlqimi nuk mund të anashkalohet për sa kohë pacienti është i vetëdijshëm.

c) Nevojiten më shumë kërkime dhe studime lidhur me rastet kur kërkohet kryerja e lindjes me prerje cezariane për të shpëtuar jetën e nënës, të fetusit ose të të dyve së bashku, si në rastin kur kordoni i kërthizës mbështillet rreth qafës së fetusit, nëse nëna refuzon të japë pëlqimin për kryerjen e operacionit cezarian.

Rekomandime të përgjithshme:
1. Organizata Islame e Shkencave Mjekësore të kryejë studime krahasuese ndërmjet parimeve të Sheriatit Islam në fushën e ushtrimit të profesionit mjekësor dhe përgjegjësisë për gabimet që ndodhin gjatë këtij ushtrimi, nga njëra anë, dhe dispozitave të legjislacioneve në fuqi dheparimeve juridike të përcaktuara në këtë fushë, nga ana tjetër, si në nivelin e vendeve arabe, ashtu edhe ato myslimane. Gjithashtu, të propozojë masat e nevojshme për të arritur përputhjen e plotë ndërmjet këtyre parimeve dhe dispozitave ligjore.

2. Të ketë koordinim ndërmjet OBI, Ligës së Shteteve Arabe dhe organizatave simotra në
nivelin e botës islame, për të studiuar hartimin e një projektligji model të unifikuar lidhur me dispozitat e ushtrimit të profesionit mjekësor dhe përgjegjësinë që lind nga gabimet përkatëse, në mënyrë që vendet arabe dhe islame të mund të mbështeten tek ai gjatë hartimit të
legjislacionit të tyre që lidhet me ushtrimin e profesionit mjekësor dhe gabimet që rrjedhin prej tij.

3. Të krijohet në çdo shtet arab dhe islam një organ i specializuar, i cili gëzon pavarësi dhe ka kompetencë ekskluzive për përgatitjen e raporteve të ekspertizës në çështjet gjyqësore penale dhe civile, si dhe në mosmarrëveshjet që shqyrtohen pranë komisioneve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe organeve të arbitrazhit, lidhur me gabimet që rrjedhin nga ushtrimi i profesionit mjekësor.

4. Të zbatohet sistemi i pajtimit në çështjet penale që lidhen me gabimet gjatë ushtrimit të profesionit mjekësor, në çdo fazë të procedimit gjyqësor, në mënyrë që pajtimi të sjellë pushimin e çështjes penale dhe pezullimin e ekzekutimit të dënimeve, nëse vendimet gjyqësore kanë marrë formë të prerë

5. Të zgjerohet përdorimi i mënyrave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të drejtohet vëmendja drejt arbitrazhit në lidhje me përgjegjësinë civile që lind nga gabimet gjatë ushtrimit të profesionit mjekësor.

6. Të krijohen trupa gjyqësorë të specializuar për shqyrtimin e çështjeve jopenale dhe civile që lidhen me gabimet e mjekëve dhe të ndihmësve të tyre, të cilët të kenë kompetencë ekskluzive për gjykimin e këtyre çështjeve.

7. Duhet të zhvillohet ndërgjegjësimi dhe njohuritë lidhur me të gjitha çështjet thelbësore dhe procedurale që kanë të bëjnë me përbërësit themelorë të punës në grup, si dhe të forcohen ato në programet e trajnimit në universitete dhe institutet mjekësore që në një fazë të hershme.

8. Mjekët duhet të marrin trajnim për praktikën dhe reagimet që lidhen me zhvillimin e aftësive dhe njohurive në punën në grup, me qëllim përforcimin e kompetencave të fituara në universitete dhe institucionet akademike.

9. Trajnimi i mjekëve gjatë periudhës së praktikës profesionale duhet të synojë forcimin e rëndësisë së punës në grup në kujdesin shëndetësor dhe të ndihmojë në lehtësimin e kalimit drejt një kulture të sigurisë.

10. Sistemi i kujdesit shëndetësor duhet të intensifikojë nxjerrjen e mësimeve nga programet e kualifikimit të avancuar.

11. Kompetenca e mjekëve në fushën e punës në grup duhet të rritet përmes procedurave të dhënies së licencave për ushtrimin e profesionit.

12. Provimet e licencimit nga bordet e specializuara duhet të përfshijnë vlerësimin e njohurive të mjekëve të rinj lidhur me përbërësit e punës në grup dhe pritshmëritë e përbashkëta të profesionit.

13. Të studiohet vendosja e sistemeve të sigurimit kundër rreziqeve që rrjedhin nga ushtrimi i profesionit mjekësor, me qëllim nxitjen e mjekut që të bëjë përpjekjet e duhura për trajtimin e pacientit.

14. Mediat dhe mjetet e tjera të ndërgjegjësimit të opinionit publik duhet të kujdesen për përcjelljen e informacioneve që lidhen me çrregullimet psikike, në mënyrë që ato të trajtohen në mënyrë efektive dhe në fazë të hershme, si dhe të rritet ndërgjegjësimi për të drejtat e pacientit që vuan nga çrregullime psikike.

15. Shtetet arabe dhe islame duhet të bashkëpunojnë për nxjerrjen e një ligji model të unifikuar për shëndetin psikik, i cili të mbështetet në parimet e përgjithshme të Sheriatit Islam dhe në parimet e konventat ndërkombëtare përkatëse.

16. OBI, në bashkëpunim me shtetet arabe dhe islame, të hartojë një ligj të unifikuar për shëndetin mendor, i cili të mbështetet në rregullat e Sheriatit Islam dhe në konventat ndërkombëtare përkatëse.

17. Të organizohet një simpozium i specializuar për shëndetin mendor, me qëllim diskutimin e çështjeve etike dhe fetare që lidhen me shëndetin psikik dhe nxjerrjen e rekomandimeve konkrete në këtë drejtim.

18. Institucionet mjekësore duhet të përgatiten për organizimin e takimeve periodike ndërmjet mjekëve ose ndihmësve të tyre, me qëllim studimin e të gjitha zhvillimeve të reja në fushën e praktikës mjekësore, shkëmbimin e mendimeve lidhur me problemet dhe pengesat që hasen gjatë kësaj praktike, si dhe shqyrtimin e gabimeve mjekësore dhe propozimin e mënyrave për parandalimin ose kufizimin e tyre.

19. Të zhvillohen aftësitë e mjekëve për komunikimin me pacientët dhe familjarët e tyre, në mënyrë që të sigurohet ndjekja e zhvillimeve të gjendjes shëndetësore të pacientit dhe e problemeve që mund të shfaqen gjatë zbatimit të procedurave mjekësore. Allahu i Lartësuar e di më së miri. Burimi: https://iifa-aifi.org/ar/4888.html