Përmbledhje e koncepteve të Akides së Ehli Sunetit (1)

Lidhja e Hoxhallarëve
7 minuta lexim

Koncepte hyrëse në akide (besim)

Koncepti 1: Përkufizimi i Akides dhe përmbajtja e saj

Kuptimi gjuhësor: Fjala akide rrjedh nga rrënja “akd” që nënkupton lidhje, forcim, lidhje të qëndrueshme dhe besim të ngulitur fort në zemër.

Kuptimi terminologjik (në kuptimin fetar): Akideja, sipas terminologjisë islame, është besimi i patundur, të cilit nuk i afrohet asnjë dyshim në zemrën e atij që e beson. Kështu, akideja islame është ajo me të cilën zemra lidhet fort me bindje dhe pohim në Allahun e Lartësuar, në Njësimin e Tij, në domosdoshmërinë e bindjes ndaj Tij, si dhe në besimin në engjëjt e Tij, librat dhe të dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe caktimin hyjnor (kaderin). Këto janë gjashtë shtyllat e Imanit (Besimit).

Nën konceptin e akides hyjnë gjithashtu edhe çështjet që lidhen me besimin dhe mosbesimin (kufrin), hipokrizinë (nifakun), dashurinë dhe armiqësinë për hir të Allahut (el-uelâ’ ue el-berâ’), si dhe diskutimet rreth feve, sekteve dhe rrymave ideologjike. Ndaj, konceptet që lidhen me fushën e akides do t’i përfshijnë të gjitha këto çështje.

 

Koncepti 2: Burimet e Akides

Burimet nga të cilat njihet dhe merret akideja e saktë janë: Libri i Allahut të Lartësuar (Kurani), Suneti i saktë i të Dërguarit të Allahut ﷺ, edhe nëse janë hadithe ahad (të transmetuara nga një numër i kufizuar transmetuesish), dhe ixhmai (konsensusi) i paraardhësve të këtij umeti — domethënë ajo për të cilën janë pajtuar selefët e devotshëm të tre gjeneratave të para, të cilët janë brezat më të vlefshëm, siç ka treguar i Dërguari ﷺ kur është pyetur: “Cilët njerëz janë më të mirët?” Tha: “Brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre.” ([Buhariu, nr. 6658])

Sa për frymëzimin (ilhamin), ëndrrat e mira dhe të sinqerta, apo intuita e saktë (firasën) — të gjitha këto janë vetëm vlerësime (dhurata hyjnore) dhe shenja të mira, me kusht që të jenë në përputhje me Sheriatin; megjithatë, ato nuk janë burim për akiden dhe as burim për legjislacionin fetar.

 

Koncepti 3: Akidja islame është e ngulitur në natyrën njerëzore

Akidja e saktë është e mbjellë në natyrën (fitren) e njeriut që nga lindja e tij, siç ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Çdo i porsalindur lind në natyrën e pastër (fitren), por prindërit e tij e kthejnë në çifut, të krishterë ose idhujtar.” (Buhariu, nr. 1359, dhe Muslimi, nr. 2658).

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Nuk lind asnjë fëmijë përveçse në këtë fe (d.m.th. Islamin), por prindërit e tij e kthejnë në çifut, të krishterë…” (Muslimi, nën nr. 2658).

Në transmetimin e parë, Islami nuk është përmendur krahas judaizmit, krishterimit dhe idhujtarisë, çka tregon se natyrshmëria me të cilën lind njeriu është Islami, siç është sqaruar qartë në transmetimin e dytë: “Nuk lind asnjë fëmijë përveçse në këtë fe.”

Në një hadith kudsij gjithashtu thuhet: “Unë i krijova robërit e Mi të gjithë me natyrë të pastër (hanifë), por u erdhën djajtë dhe i shmangën nga feja e tyre, ua ndaluan atyre gjërat që ua kisha lejuar dhe i urdhëruan të më shoqërojnë Mua atë për të cilin nuk u kam zbritur ndonjë argument.” (Muslimi, nr. 2865).

Ndërsa argumenti Kuranor, që tregon se akidja islame është e ngulitur në natyrën e çdo njeriu, është fjala e Allahut të Lartësuar: “(Përkujto) Kur Zoti yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, duke u thënë: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je.” Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur. Ose që të mos thoni: “Me të vërtetë, etërit tanë ishin idhujtarë para nesh, kështu që edhe ne jemi pasardhësit e tyre. A mos vallë do të na shkatërrosh për veprat e atyre që ndoqën mashtrimin?”(El-A‘raf, 172–173)

Dijetarët këtë ajet e quajnë “Besëlidhja e brezave”, d.m.th. besëlidhja që Allahu mori nga pasardhësit e Ademit. Kjo besëlidhje është fitra (natyrshmëria e pastër), pra besimi i ngulitur në shpirtin njerëzor para lindjes së tij. Pastaj, ky besim i natyrshëm përditësohet dhe ripërtërihet përmes pejgamberëve që Allahu dërgon — jo për të themeluar një fe të re, por për të rikujtuar dhe për të ripërtërirë besëlidhjen e parë, duke sqaruar përmbajtjen e saj dhe duke i shfaqur kërkesat e saj: adhurimin e Allahut të vetëm, shkëputjen nga adhurimi i çdo gjëje tjetër, veprimet e drejta, sjelljen morale, dhe përkushtimin e plotë ndaj Zotit, që është Zot i besëlidhjes së hershme.

Nga kjo besëlidhje me Allahun burojnë të gjitha besëlidhjet dhe marrëveshjet mes njerëzve; prandaj, kush ruan besën e parë me Allahun, ruan edhe të gjitha besëlidhjet e tjera, sepse ruajtja e tyre është detyrim që buron nga ajo besëlidhje e parë hyjnore.

 

(Vazhdon)

Përshtati: Bledar Haxhiu