Tipologji diktature
nga hoxhë Justinian Topulli
Çdo praktikë e ndryshimit shoqëror nis fillimisht nga idetë dhe pasohet nga veprimtaria e njerëzve që i përqafojnë këto ide. Kështu, një njeri i vetëm ose një grup i vogël njerëzish, duke mos u kënaqur me gjendjen sociale, ekonomike dhe politike të një vendi a më gjerë, mendojnë për ndryshimin e tij. Ky ndryshim, në planin e tij apo të tyre, duhet të nisë mbi bazën e një ideje etike, e cila në thelb mund të jetë fetare ose jofetare. Fillimisht, kësaj ideje i duhet të zgjerohet e detajohet në një ideologji, e cila natyrisht kërkon të vendosë drejtësinë, barazinë, mirëqenien, paqen, mbrothësinë… dhe lumturinë e njerëzve, mbi bazën e atij parimi etik, mbi të cilin ajo nisi si ide. Mirëpo, që ky ndryshim të përmbushet në terren, kërkon mbështetës dhe sa më shumë njerëz që besojnë në këtë ide, të aftë dhe të vendosur për t’i shkuar deri në fund idesë, me çdo lloj sakrifice. Deri këtu çdo gjë është krejt e natyrshme dhe kështu kanë nisur të gjitha lëvizjet, revolucionet apo ndryshimet shoqërore njerëzore. Por, flamurtari apo flamurtarët e idesë, e dinë se jo të gjithë njerëzit janë të gatshëm ta pranojnë idenë e tij apo të tyre, madje do të kenë edhe kundërshtarë të saj, kështu që ata janë para zgjedhjes: për t’i ftuar mbarë njerëzit dhe zgjeruar ndjekësit në mënyrë publike dhe të hapur, duke propaganduar idetë e tyre, apo duke u zgjeruar hap pas hapi në mënyrë të kontrolluar dhe deri diku të fshehtë.
Zakonisht, ata që nuk duan ta përballin idenë e tyre me sfidat e ballafaqimit ideor, sepse besojnë verbërisht në të, dhe duan të kenë kontroll sa më të madh mbi grupin dhe unitet të vizionit dhe metodës, me të cilën arrihet tek realizimi i idesë tek e cila besojnë, zgjerimin e bëjnë tepër të kontrolluar, shpeshherë edhe të fshehtë dhe duke filtruar me kujdes çdo individ, i cili bëhet pjesë e grupit. Ata, të cilët janë më të duruar dhe kërkojnë një bindje më strikte ndaj ideve dhe parimeve të grupit, zgjerimin e tij e shohin në mënyrë më të përshkallëzuar dhe tepër të kujdesshme, duke i kushtuar kështu rëndësi më së shumti rekrutimit dhe edukimit të elementit të ri, që në moshë tepër të re, sesa përfshirjes së njerëzve tashmë të formuar, të cilët mund të shihen si të dyshimtë apo si mbështetës dytësorë të grupit, nëse ata përqafojnë idetë e tij. Në mënyrë që individët e grupit të ruhen maksimalisht nga çdo ndikim i jashtëm, që nuk pajton me idenë dhe metodën e grupit, ata krijojnë një rreth të mbyllur vicioz hermetik social, ku japin e marrin maksimalisht vetëm brenda njëri-tjetrit, martohen mes tyre, mbështesin me financë dhe tregti njerëzit e tyre, qajnë hallet mes tyre, punësojnë njerëzit e tyre, festojnë së bashku, krijojnë bizneset e tyre, kalojnë më së shumti kohën në shoqëri me njerëzit e tyre etj.
Duke qenë se njeriu është qenie që ka nevoja emocionale shpirtërore, sociale komunitare dhe ekonomike jetese, grupet hermetike synojnë t’i përmbushin të gjitha këto, vetëm brenda grupit. Kështu, nevoja emocionale dhe shpirtërore përmbushet p.sh. nëpërmjet predikimit të vazhdueshëm se ideologjia e grupit është e vërteta absolute. Nëse kjo ide është laike, atëherë ajo promovohet si shkencore, si arritja përfundimtare objektive e dijes dhe nismëtari i saj vishet me aureolën e një nga mendimtarëve më të shquar e më të mençur të njerëzimit. E nëse ajo është fetare, nismëtari i saj do të vishet me aureolën e një profeti, ose shenjtori, apo një Mesie të pritur e të pagabueshëm, që frymëzohet nga vetë Zoti etj… Zakonisht, drejt këtij fetishizimi njerëzor shkohet automatikisht, për shkak të besimit të patundur se doktrina e grupit është e vërteta absolute dhe rrjedhimisht, edhe nismëtari i saj duhet t’i përgjigjet këtij niveli vërtetësie me pozitën e tij të lartë, gati hyjnore, ndryshe nga njerëzit e tjerë. Ky fetishizim detyrimisht përzien edhe elementë fals, të cilët bëhen në mënyrë të qëllimshme ose jo, për të përmbushur shenjtërinë e idesë dhe nismëtarit të saj, të cilët duhet të preken shumë pak ose aspak nga hijet e dyshimit të gabimit njerëzor. Në këtë dimension emocional shpirtëror përfshihet edhe nevoja intelektuale, e cila për grupin hermetik është dytësore, pasi në thelb ai kërkon më së shumti luftëtarë të bindur ndaj idesë, sesa zhvillues të lirë të saj. Kështu që intelektualizmi i mirëfilltë është tepër i kufizuar mes këtyre grupimeve homogjene hermetike, edhe pse ata rreken të shpërfaqin të arsimuarit e tyre si intelektualë të mirëfilltë, ndaj dhe kjo nevojë nuk ndjehet shumë brenda një grupi të tillë. Të gjithë nevojën intelektuale më të lartë për ta, e plotëson vepra e nismëtarit apo baballarëve të idesë, e cila shihet si të ishte një libër i shenjtë i ardhur nga Zoti.
Nevoja sociale komunitare për këto grupime përmbushet duke i mbajtur individët sa më shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe duke kufizuar kontaktet, madje në disa raste edhe duke ndaluar kontaktet, kryesisht të të rinjve me të tjerët, zakonisht me ata që shihen si rrezik për grupin, për shkak se mbartin ide të ndryshme nga ato të grupit. Në disa grupime, kjo lidhje mes grupit konsiderohet si lidhja e vërtetë vëllazërore apo familjare e shenjtë, përtej së cilës çdo lidhje tjetër është e parëndësishme, ose e dorës së dytë.
Edhe pse në origjinë të saj nisma për ndryshim mund të synojë atë që ajo e quan të mirë për të gjithë njerëzit, në praktikë, grupi mendon se këtë mund ta bëjë vetëm duke qenë sa më i kompaktësuar brenda vetes dhe duke rritur fuqinë e tij, nëpërmjet zgjerimit të kontrolluar dhe unifikimit të bindjes së individëve të tij, ndaj idesë dhe liderit të saj. Kështu që grupime të tilla krijojnë shpesh hierarki piramidale sociale, ku në krye, padyshim qëndron njeriu legjendë i grupit dhe pas tij me radhë të tjerët, sipas rëndësisë dhe postit që përcakton organizimi social i grupit. Zakonisht, grupe të tilla krijojnë dhe mbledhin brenda vetes individë që janë të paaftë ose paaftësohen për të qenë të pavarur shoqërisht nga grupi, të paktën në disa dimensione sociale shërbimesh që grupi i ofron individëve të tij, si nevoja për punë, për shkollim, për mbështetje financiare, apo emocionale dhe fizike. Kjo bën që individët brenda grupit të ndjehen tepër nevojtarë ndaj tij dhe t’i binden rregullave të tij, me dëshirë ose jo. E njëjta gjë ndodh edhe me nevojën ekonomike financiare, të cilën grupi përpiqet t’ia sigurojë çdo individi të tij, për t’i mbajtur kështu, sa më të lidhur pas vetes. Individi i këtij grupi i ngjan peshkut në ujë, jashtë të cilit ai ngordh, kështu që atij i duhet të depersonalizohet për të mos rrezikuar nevojat bazë të jetës së tij. Natyrisht, shumë pjesëtarë të grupit mund të ndjehen rehat brenda tij, sepse ata i besojnë verbërisht ideologjisë së tij, të tjerë e bëjnë këtë nga halli, apo edhe me doza të caktuara hipokrizie. Dalja nga grupime të tilla shpesh është tepër e vështirë, sepse padyshim që shoqërohet me humbje të përfitimeve shoqërore dhe ekonomike, madje në raste të caktuara edhe me masa hakmarrëse, sepse tradhtia ndaj grupit dhe idealit të tij gjykohet gjithmonë ashpër. Nuk janë të rralla rastet kur grupime të tilla vihen para dilemave etike, se si duhet të sillen në raste të caktuara për të mbrojtur kompaktësinë e grupit, vazhdimësinë e tij dhe interesat e tij në përgjithësi. Duke qenë se për ta, këta elementë sigurie janë tepër të rëndësishëm dhe tejkalojnë çdo parim tjetër etik, ata janë të gatshëm të bëjnë kompromise me sjelljet dhe ndërmarrjet joetike, të cilat konsiderohen si të nevojshme për ekzistencën e grupit, apo thjesht ruajtjen e interesave të tij, kështu që shpesh grupe të tilla i referohen praktikisht parimit joetik se “qëllimi justifikon mjetin”, edhe kur ky mjet nuk është aspak etik, siç mund të jetë mashtrimi, falsifikimi, ryshfeti, hilja, intriga… etj.
Grupe të tilla, pasi kanë arritur një shtrirje dhe forcë të konsiderueshme dhe kanë konsoliduar radhët dhe besimin në vetvete, mendojnë të hedhin hapin tjetër të rëndësishëm, që është implementimi i idesë mbi pjesën tjetër të shoqërisë, ku ka edhe kundërshtarë, indiferentë ose thjesht mosbesues ndaj tyre. Natyrisht, që këtu ata janë të detyruar të përfshihen në politikë, herët ose vonë, sepse nuk mund të kuptohet një ndryshim shoqëror pa pasur një ndryshim politik. Politika madje, ka natyrisht mjete më efikase, në shumë raste dhe më të shpejta, për të zbatuar ndryshimet shoqërore, ekonomike dhe ideologjike. Jo më kot që së lashti rron e thëna, se njerëzit janë në fenë e mbretit, dhe fjala ‘fe’ në këtë rast, përfshin çdo lloj ideologjie apo doktrine, mbi të cilën ndërtohet pikëpamja mbi botën, jetën dhe njeriun. Ata këtu janë para një tjetër zgjedhjeje etike: a do të përfshihen në politikë duke e marrë pushtetin dhe përligjur atë nëpërmjet popullit, qoftë me anë të një revolucioni mbarë popullor, qoftë me hyrjen në konkurrencën e ideve politike që ata ofrojnë, ose me anë të partive politike në një sistem demokratik, apo nëpërmjet kapjes së pushtetit në mënyrë joetike, me anë të puçeve ushtarake apo infiltrimit dhe puçeve institucionale? Duke qenë se rruga e parë edhe pse më etike, nuk garanton fitoren dhe rrezikon rrëzimin nga pushteti i marrë, për shkak të ekzistencës së forcave antagoniste dhe shkaqeve të tjera, rruga e dytë edhe pse ka kosto të tjera, veç asaj etike, është më e preferuara për këto grupime të mbyllura ideologjike, dhe kjo, për arsyen e thjeshtë, sepse grupi nuk ka besim se bërja publike e ideologjisë së tij dhe apeli mbarë popullor do t’i japë atij suksesin e duhur dhe forcën e kompaktësinë e nevojshme për të udhëhequr drejt ndryshimeve politike. Pushteti politik është joshës për shumë kë, ndaj grupi nuk mund të rrezikojë duke përfshirë në të masat popullore, të cilat mund jenë tepër emocionale, fluide dhe të paqëndrueshme me ideologjinë e grupit. Kështu që ata natyrshëm priren drejt uzurpimit puçist të institucioneve politike, publike dhe komunitare. Sigurisht që të dyja këto lloje puçesh, ai institucional dhe ushtarak, mund të kombinohen me njëri-tjetrin në varësi të situatës, kohës dhe vendit. Edhe pse kauza në rrënjë të saj mund të jetë etike, kjo marrje e pushtetit në mënyrë amorale përligjet me qëllimin madhor dhe etik të grupit, që ai ka ndërmend të realizojë! Pushteti politik për këto grupime nuk merret në mënyrë legjitime nga poshtë, nga masat, por përpiqet t’i veshë atij rrobën e legjitimitetit nga lart, më pas! Legjitimiteti i pushtetit të grupit për vetë grupin bazohet te besimi i vërtetësisë së asaj që ai beson dhe më pas, ai argumentohet me ndryshimet dhe reformat që ai bën. Pra, legjitimiteti mbi masat -sipas tyre- fitohet në praktikë më pas, nga ndryshimet që grupi bën kur merr pushtetin dhe jo para kësaj, por ndërkohë i përligjur më herët vetëm brenda individëve të tij me besimin fanatik tek vërtetësia e ideologjisë dhe përparësia apriori e pushtetit, që ata besojnë se u takon.
Por padyshim, se pas zgjedhjes së parë për të hermetizuar grupin, kjo është premisa e dytë që shpie drejt vendosjes së diktaturës së grupit mbi shoqërinë, ku kjo e fundit ka në vetvete edhe elementë heterogjenë, kundërshtues dhe jobashkëpunues me grupin në fjalë.
Natyrisht, cilëndo mënyrë që ky grup zgjedh të vijë në pushtet, ai do të përballet me disa sfida që përfshijnë të njëjtat nevoja, me të cilat ai është përballur për ekzistencën dhe ruajtjen e vetë grupit. Padyshim, që duke qenë se grupi në vetvete është hermetik, ai do ta ruajë këtë mbyllje edhe në administrimin e tij të pushtetit, tashmë jo vetëm të anëtarëve të grupit, por të mbarë shoqërisë apo komunitetit që ai sundon, i cili është heterogjen. Në këto kushte, grupi në fjalë për të ruajtur dhe siguruar mbarëvajtjen e pushtetit të tij, hapat e parë që do të bëjë janë spastrimi një e nga një i të gjithë elementëve që nuk i përkasin grupit dhe që nuk pranojnë të bëhen ideologjikisht besimtarë të tij. Ndërkohë, bashkëpunëtorët e jashtëm të grupit, servilët, frikacakët dhe oportunistët janë ata që mbijetojnë nën pushtetin e grupit në fjalë, të cilët i shërbejnë grupit, ndër të tjera edhe si fasadë e legjitimitetit fals, se pushteti nuk i takon vetëm bijve të grupit, por edhe pjesës tjetër të popullit. Pas kësaj, grupit uzurpues i duhet të merret me vënien në jetë të ndryshimeve shoqërore, duke përhapur ideologjinë e tij mes njerëzve me mjetet e propagandës dhe duke luftuar dhe eliminuar çdo zë kundra tij, madje edhe kur ata janë kritikë objektivë dhe dashamirës ndaj thelbit të idesë etike, mbi të cilën grupi nisi.
Marrja në mënyrë ilegjitime e pushtetit krijon gjithmonë një frikë në hierarkinë piramidale të tij dhe kjo frikë kthehet në një paranojë, sidomos për elementët mediokër dhe tërësisht të paaftë të grupit, të cilët zotërojnë pushtet, thjesht për shkak të militantizmit dhe besnikërisë ndaj ideologjisë dhe liderit ose servilizmit, sesa nga aftësitë e tyre personale të paqena. Kjo lloj paranoje bashkë me mentalitetin e trashëguar hermetik të grupit, për të ruajtur kompaktësinë dhe vazhdimësinë e tyre, pasi kjo shikohet si vazhdimësi e kauzës, gjenerojnë diskriminim dhe padrejtësi ndaj pjesës tjetër të popullsisë dhe elementëve që shihen si kundërshtarë për këtë ideologji. Kështu që për të mbajtur pushtetin, grupit i duhet të përdorë politikën e kulaçit dhe kërbaçit, duke joshur të bindurit dhe ndëshkuar të pabindurit. Kjo vërtet mund të mos jetë etike, por kauza është gjithmonë aq justifikuese për grupe të tilla okulte, sa për të përligjur çdo skrupull moral.
Përveç propagandës së ideologjisë së tij, grupit i duhet të përmbushë edhe disa premtime të shpejta, konkrete të dukshme e të prekshme fizike, të cilat duket se rregullojnë mirëqenien e popullit, apo përmbushin nevojën e tij për arsim, institucione sociale, kulturore, punësim etj. Këto arritje, krahas vërtetësisë së pretenduar të ideologjisë, do të trumbetohen si dy shtyllat e legjitimitetit të pushtetit të grupit në fjalë dhe përligjin vazhdimësinë e tij, qoftë edhe me mënyra joetike.
Sigurisht, nevoja për ruajtjen e vazhdimësisë së ideologjisë në njërën anë dhe besnikërisë ndaj kauzës nga ana tjetër, do ta verbojnë shpesh kastën sundimtare të grupit për të bërë gjithmonë e më shumë zgjedhje joetike, të cilave nëse u bashkohen edhe pamundësitë për të kënaqur pritshmërinë e etshme të popullit për ndryshime të thella në ekonomi, shoqëri, kulturë, arsim, etj., do rrisin pakënaqësinë mes njerëzve, të cilave pushteti i grupit do t’iu përgjigjet gjithmonë e më shumë me mjete makiaveliste, madje edhe të dhunës dhe represionit, për t’i mbajtur njerëzit, qoftë edhe me pahir nën pushtetin e tyre.
Dalëngadalë, këto regjime shndërrohen në regjime totalitare diktatoriale, të cilat pasi zotërojnë mjetet e pushtetit politik në dorë, janë të gatshme të bëjnë çdo gjë, jo vetëm për të ruajtur pushtetin ideologjik që ata përfaqësojnë, por edhe interesin nepotik dhe klanor që iu siguron atyre vazhdimësinë e përfitimeve politike, ekonomike dhe sociale.
Padyshim, fundi i këtyre regjimeve dihet, ato kalben nga brenda fillimisht, pikërisht për shkak të krizës morale me kompromiset e shumta joetike që ata bëjnë për hir të pushtetit, e pasuar kjo nga krizat ekonomike dhe sociale që pësojnë sisteme të tilla të mbyllura hermetike ideologjike, të cilat ngrihen mbi shenjtërimin e individit dhe ideologjisë që ai prodhon. Zakonisht, krizat ekonomike dhe sociale, edhe pse pasojnë ato ideologjike dhe etike, përshpejtojnë rënien e regjimeve të tilla, ndërsa ato që dështojnë vetëm në aspektin etik dhe ideologjik, dhe rezistojnë të mbajnë rendin social dhe përballojnë krizat ekonomike, jetojnë më gjatë, sepse një rend politik mund të mbijetojë më gjatë edhe pa një rend etik, por jo pa rend ekonomik dhe social. Kjo, për shkak se njerëzit në shumë raste janë të prirë, që për shkak të interesit material dhe shoqëror, të ambientohen me të keqen dhe amoralen dhe ta pranojnë atë si normë të jetës, qoftë edhe me heshtjen dhe pasivitetin e tyre. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se mbijetesa e rendeve të tilla politike e sociale amorale është e parrezikuar nga ndryshimet. Ndryshimet mund të nisin pas reflektimit të ardhjes së një ndëshkimi hyjnor “të papritur”, por me shumë gjasa kur vetë individë të caktuar, që përbëjnë pjesën më të shëndoshë të kësaj shoqërie ndjejnë nevojën morale për ndryshim dhe marrin iniciativën për këtë mision.
Shqipëria ka vuajtur nga një diktaturë e tillë, që nisi me premtime të bukura dhe ëndrra të mëdha, por që degjeneroi edhe për shkak të ideologjisë së saj të panatyrshme, në atë që tashmë e dimë. Kështu që për aq kohë sa baza etike nuk është parimi më i lartë i çdo gjëje dhe grupet e interesuara për ndryshim nuk shkojnë drejt mbylljes, dhe për aq kohë sa ky themel etik nuk lidhet pazgjidhshmërisht me të vërtetën hyjnore dhe mbikëqyrjen e saj, që garanton vazhdimësinë e pastërtisë së saj, çdo nismë apo grupim i shoqërisë sonë që synon ndryshimin për mirë, është i destinuar të dështojë në përmirësimin e situatës, ose të degradojë në një formë të caktuar të diktaturës politike dhe institucionale.
* Titulli është i Redaksisë.