Pranimi i lutjeve për 40 ditë që nga dita e mbulesës

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 2 minuta lexim

Pyetje:

Gruaja ime është mbuluar, por një shoqe e saj i ka thënë, se 40 ditë që nga dita që ka vendosur mbulesën i pranohen lutjet tek Allahu shumë më lehtë. Sa është e vërtetë kjo?

Përgjigje:

Nuk ka në Fenë Islame argumente, që flasin për këtë gjë apo detaje të tilla. Mundet që Allahu t’ia pranojë lutjet, ngaqë e ka të nevojshme dhe për ta forcuar edhe më shumë në besimin e saj, por mundet të mos ia pranojë disa lutje për të vënë në provë durimin, vendosmërinë dhe devotshmërinë e saj. Çdo gjë lidhet me rrethanat dhe urtësinë e Allahut të Gjithëdijshëm. Muslimani nuk ka pse të besojë dhe të mbështetet në mendime, të cilat jo vetëm që nuk kanë argument, por nuk dihet,  se nga dhe pse kanë ardhur. Ai duhet ta adhurojë Allahun, ta falënderojë Atë dhe t’i lutet Atij vazhdimisht, duke shpresuar që Allahu do t’ia pranojë lutjet dhe të mundohet të zbatojë me rigorozitet urdhrat e fesë dhe të largohet sa të ketë mundësi nga ndalesat e përmendura në argumentet e sakta fetare.

Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Çdo musliman i cili bën një lutje, që nuk ka brenda saj gjynah, as largim nga marrëdhëniet fisnore, Allahu do t’i japë një nga këto tre gjëra; mund t’ia përshpejtojë pranimin e duasë, ose ia ruan si shpërblim për në Ditën e Gjykimit, ose ia largon një të keqe prej tij në përmasat e duasë që ka bërë. “ Transmetuan Ahmedi, Buhariu në el-Edeb el-Mufred dhe të tjerë.


Komisioni Pyetje &Përgjigjeve pranë LHSH