بسم الله الرحمن الرحيم
Pyetje: Kam prindër të cilët më pengojnë të falem rregullisht, nuk duan dhe gjejnë arsyetime se sipas fesë fëmija duhet t’i bindet prindërve. Si t’ia bëj në këtë situatë?
Përgjigje: Është e vërtetë që prindërit duhet të respektohen sipas fesë islame dhe të nderohen, madje dhe kur prindërit nuk janë besimtarë duhet të respektohen, por kjo nuk do të thotë që duhet bërë gjithçka që ata thonë, kur bie ndesh me urdhrat e Zotit. Falja e pesë namazeve në kohën e tyre është së pari urdhër hyjnor nga vetë Zoti që krijoi qiellin, tokën, njeriun dhe çdo gjë tjetër në univers dhe bindja ndaj prindërve për të mos falur namazin është mosbindje ndaj Zotit që na krijoi. Për këtë gjë Profeti (alejhissalatu uesselam) në një hadith që e përcjell prej tij Ibn Umeri ka thënë: “Dëgjimi dhe bindja duhet të jenë kur nuk kundërshtohet urdhri i Allahut. A nëse bie në kundërshtim me urdhrin e Allahut nuk ka dëgjim as bindje.” Transmetuan Buhariu nr. 2955 dhe Muslimi nr. 1839.
Në një hadith tjetër që përcillet nga Aliu, Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Nuk mund t’i bindesh një krijese duke kundërshtuar urdhrin e Allahut.” Transmetoi Ahmedi nr. 1095.
Mosbindja ndaj prindërve në këtë rast nuk do të thotë se ata nuk duhen respektuar. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Nëse ata dy (prindërit) mundohen që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka për të cilën nuk ke dituri, mos i dëgjo, por në këtë jetë sillu mirë me ta.” Surja Lukman 18.
Në këtë ajet Allahu na mëson që prindërit edhe nëse kërkojnë prej fëmijës padrejtësinë më të madhe, që është shirku ndaj Allahut në adhurim, fëmijët nuk duhet t’ju binden, por mosbindja duhet të jetë duke marrë parasysh pozicionin prindëror dhe duke u sjellë mirë me ta sa janë gjallë në këtë jetë. Pra duhet gjetur mënyra më e mirë dhe e butë që ata mos të përballen me edukatë të keqe, arrogancë, mosbindje fyese ose hakërrime. Por duke u lënë hapësirë të kuptojnë që feja islame fton në adhurimin e Zotit Krijues. Nga sa thamë më sipër këshillojmë që namazin si fillim mos ta falë para tyre, por të gjejë një kohë dhe vend të përshtatshëm për të anashkaluar keqkuptimet apo hatërmbetjet. Me kalimin e kohës prindërit mund të zbuten dhe të mirëkuptojnë.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH