Pyetje: Kam problem memorizimin, prandaj pyes: A lejohet të japësh sadaka të fshehtë dhe të kem nijet që të mësoj Kuranin përmendësh?
Përgjigje:
Sadakaja është nga veprat më të mira dhe më të dashura tek Allahu. Allahu në Kuran thotë:
“Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” Bekare 261.
Ndërsa Profeti (alejhis-salatu ues-selam) thotë: “Shtatë janë nën hijen e Arshit të Allahut atë ditë ku nuk do të ketë hije veç hijes së Arshit të Tij: …dhe një person që kur jep sadaka e fsheh atë, aq sa nuk e di e majta se çfarë dha e djathta.” Buhariu dhe Muslimi.
Për sa i përket dhënies sadaka, në mënyrë që mësimi përmendësh i Kuranit të bëhet i lehtë pasi ke vështirësi në memorizimin e tij, lejohet, pasi kjo vepër është një ndërmjetësim për të kryer një adhurim tjetër sa më lehtë e më mirë. Ndërmjetësimi me veprat e mira të sinqerta për të arritur adhurime të tjera është i vërtetuar edhe me hadithin e tre personave, që u strehuan në një shpellë dhe më pas hyrjen e saj e zuri një shkëmb. Ata filluan t’i luteshin Allahut që këtë vështirësi t’ua largonte për hir të veprave më të sinqerta që ata kishin bërë, ku secili përmendi nga një vepër. Pas lutjes së të tretit hyrja e shpellës u hap. Hadithi trasmetohet nga Buhariu dheMuslimi.
Por në këtë gjë rol të rëndësishëm kanë:
- Sadakaja të jetë e sinqertë, vetëm për hir të Allahut, pa syefaqësi.
- Pasuria që do të jepet sadaka të jetë e fituar në mënyrë të lejuar fetarisht, pra jo me mënyra të ndaluara (harame).
- Kjo pasuri që do të jepet sadaka të investohet atje ku nuk bëhet gjynah.
- Atij që i jepet kjo sadaka, nuk duhet t’i përmendet, dhe as të përçmohet kur i jepet.
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH