Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë në bashkëpunim me Klubin e Librit “Nur” promovoi ditën e premte datë 26.12. 2025 botimin e librit “Besimtarë të Lindur” të Justin Barrett të botuar nga LHSH. Në promovim referuan Hoxhë Justinian Topulli dhe Përkthyesi Klajd Bylyku.
Libri është një hulumtim dhe përmbledhje e rezultateve shkencore në fushën e Psikologjisë Konjitive të Fesë te fëmijët. Libri nuk mbron ndonjë fe të veçantë, por hedh poshtë pohimin se besimi fetar në thelb te njerëzit është thjesht një produkt social-kulturor dhe trashëgohet përmes indoktrinimit.
Libri tregon me fakte eksperimentale se fëmijët e vegjël, para se ata të marrin një edukim të caktuar nga familja dhe mjedisi social, kanë tendencën e qartë për të anuar dhe pranuar me lehtësi besimin e ekzistencës së Zotit, si dhe t’i atribuojnë Atij cilësi të tilla si plotfuqishmëria, dija e së fshehtës dhe mirësia. Libri provon se besimi i thjeshtë fetar pa komplikimet teologjike, ka karakter intuitiv te njerëzit, ndaj pranohet shumë më lehtësisht dhe është universale, dallim me shkencën dhe pikëpamjet e saj. Besimi fetar ngjan me gjuhën, me aftësinë e çdo njeriu për të folur, me të cilën njeriu lind, ndërsa gjuhët e veçanta janë pjesë e ndikimit të mjedisit, po kështu edhe besimet e ndryshme fetare. Libri është interesant të lexohet, për të kuptuar se asnjë njeri në këtë jetë nuk vjen “Tabula Rasa”, por ai lind me premisën për të besuar.
