Pse jam musliman?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 13 minuta lexim

Rëndësia e kësaj teme

Për rëndësinë e kësaj teme flasin vetë shprehjet e njerëzve, të cilët pa të keq pyesin këdo që e njohin apo, qoftë dhe rastësisht, nisur nga paraqitja e tij, pse musliman je ti!, apo, pse shkon në xhami ti!.

Kjo gjë nuk duhet ta shqetësojë askënd që me dëshirë dhe bindje është bërë musliman, por në të kundërt i del si detyrë, që në formën më të mirë, ashtu siç jemi të urdhëruar nga mësimet kur’anore, t’ua shpjegojë qartë arsyen pse është musliman.

Nisur nga këto arsye, edhe unë, që jam një prej atyre që më pyesin, po sqaroj me pak fjalë arsyet pse jam musliman.

Së pari do të thosha se besimi e ka vendin e tij në zemër dhe askush nuk ta dikton, ndaj dhe të qenit musliman është një proces që vjen natyrshëm, ku njeriu ndërgjegjësohet pas leximit, dëgjimit dhe  meditimit të thellë.

  • Arsyeja kryesore që e justifikon të qenin tim musliman, është mënyra se si e njohin dhe e adhurojnë Zotin muslimanët.

Besimi në Zot është pjesë e çdo vetëdije njerëzore, qoftë edhe e atyre që mendojnë se nuk besojnë, madje vetë ata kur gjenden në ndonjë vështirësi te Zoti drejtohen për ndihmë, qoftë dhe instinktivisht, fakt ky për ekzistencën e Krijuesit absolut.

 

Bazat e besimit të Zotit në fenë islame mund të përmblidhen:

1- E besoj Zotin si krijuesi i çdo gjëje, në dorën e Tij gjenden çelësat e mirësive dhe të begative. Asgjë nuk ndodh në univers, qoftë e mirë apo e keqe, pa lejen e Tij. Ai është i aftë për çdo gjë, mjafton të thotë bëhu e ajo bëhet. Mjafton gjithësia, me të dukshmet dhe të padukshmet e saj, si faktor se Allahu ka mundësi për gjithçka.

Kjo bindje më qetëson në çdo situatë. Kur jam në vështirësi, i lutem, i mbështetem dhe i frikësohem vetëm Zotit dhe jo vendeve të ashtuquajtura të shenjta, sepse e di se asgjë e askush tjetër nuk ka në dorë as më pak e as më shumë sesa thjesht të qenit veprues të asaj që ka caktuar Ai. Më duket i tepërt shpjegimi se përse nuk duhet të shkoj nëpër tyrbe e vende të tjera, gjoja të shenjta, sepse çdokush që mendon pak e kupton se i vdekuri nuk ka asgjë në dorë, se po të kishte ne muslimanët do t’i bënim tyrbe kudo të Dërguarit Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi të. Por duke e ditur se tyrbet e shumta vetëm sa i largojnë njerëzit nga lutja dhe lidhja e shpresës vetëm me Zotin, muslimani e lut vetëm Zotin direkt pa shkuar në vendet gjoja të mira. Ata njerëz që ndjekin këtë mënyrë të shkurtër për të lutur Zotin e kanë gabim sepse kjo formë nuk ka asnjë argument nga feja e Zotit dhe këta njerëz, që edhe pse me qëllim të mirë, e bëjnë këtë veprim kurrë nuk do të gjejnë derman. Ata, që njerëzit adhurojnë përveç Zotit nuk munden të më ndihmojnë a të më dëmtojnë po nuk deshi i madhi Zot. Kjo qetësi shpirtërore është veçori dalluese e atyre që me bindje i mbështeten vetëm Krijuesit të tyre dhe vetëm atij i luten për ndihmë.

2- E besoj Zotin si një Krijues me emra dhe atribute të përkryera. Ai më sheh çfarë bëj, më dëgjon çfarë them, më shpërblen nëse veproj mirë dhe më ndëshkon nëse nuk i bindem. Jam i sigurt se çdo gjë që më ka urdhëruar, është në të mirën time dhe se çdo gjë që ma ka ndaluar, është në të keqen time. Jam i sigurt se vetëm Ai e ka në dorë rrizkun dhe të ardhmen time ndaj dhe vetëm Atij ia kërkoj atë që më nevojitet.

Nisur nga këto dhe nga shumë cilësi të tjera, jam i bindur se ky Zot e meriton të adhurohet çiltërsisht me dashuri, frikë, shpresë dhe pa kurrfarë syefaqësie.

  • Pjesë tjetër e rëndësishme për mua si musliman është dhe besimi në Kur’anin Famëlartë.

Kur’ani është libër që Zoti ia zbriti  me anë të melekut Xhibrail të dërguarit Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi të gjithë të Dërguarit para Tij dhe mbi të gjithë ata njerëz që ndjekin rrugën e tij. Kur’ani është libër që i mahnit lexuesit, i çudit shkencëtarët dhe i fut në meditime mendimtarët. Të jem i sinqertë, jo që në leximin e parë Kur’ani të bën për vete, kjo për shkak të vështirësisë në të kuptuar, ngaqë është i pamundur përkthimi perfekt i tij në gjuhë tjetër. Por nëse do të lexosh fillimisht shpjegimin që i është bërë, do ta kesh të lehtë për ta kuptuar më pas. Në këtë libër, Zoti i Madhëruar ia ka sqaruar njerëzimit rrugën që duhet të ndjekë për të qenë i lumtur në këtë botë dhe në tjetrën. Kur’ani edhe sot ekziston në gjuhën në të cilën ka zbritur pa i ndryshuar as dhe një germë, fakt që nuk e mohon kush. Në të flitet dhe për shumë zbulime shkencore, edhe pse nuk është libër shkencor, por Zoti me anë të këtyre ajeteve do t’u tregojë njerëzve se ky libër është vetëm prej Tij dhe se njerëzit nuk kanë mundësi të shkruajnë një libër të tillë. Kur’ani është koherent dhe do të mbetet i përshtatshëm për të gjitha kohërat. Të fshehtat e tij nuk shteren kurrë. Ai e ndalon njeriun nga çdo e keqe dhe ia tregon çdo të mirë, këtë e dinë mirë ata që e kanë lexuar.

  • Parim tjetër i fesë islame, që unë e besoj, është dhe besimi në jetën pas vdekjes, e cila është një domosdoshmëri dhe pa të cilën nuk ka kuptim real as jeta aktuale.

Nuk kam ndër mend të paraqes morinë e argumenteve që më bindën mua ta besoj ringjalljen, sepse nuk është ky momenti, por unë të ftoj të lexosh rreth kësaj çështjeje ekzistenca e së cilës nuk varet nëse e beson ti apo jo. Mjafton që ti të besosh se nuk e ke krijuar vetë veten tënde dhe se nuk je krijuar nga asgjëja, për t’u bindur se Ai që të krijoi për herë të parë, ka mundësi të të rikrijojë për së dyti, dhe kjo është më e lehtë, apo jo!

Gjithashtu mjafton të besosh se Kur’ani është libër i Zotit dhe si i tillë është më se i saktë, për t’u bindur se dhe Dita e Llogarisë që përmendet në të, do të ndodhë.

Besimi në Ditën e Gjykimit ndikon në jetën e muslimanit, që ai të bëjë sa më shumë vepra të mira sepse shpreson se një ditë do të shpërblehet për to, dhe të shmanget nga të këqijat se e di që do të ndëshkohet për to. Besimi në Ditën e Gjyqit të madh më bën të ndjehem i qetë, sepse jam i bindur se çdokush do të marrë atë që meriton, qoftë i mirë apo i keq. Përveç kësaj, nëse dikujt nuk i është dhënë e drejta që i takon, edhe pse është munduar ta marrë atë, ai është i sigurt se i madhi Zot nuk i bën padrejtësi kujt, por do t’ia japë atë ditë kur t’i nevojitet më shumë. Ju pyes, a është e drejtë vallë që dikush, i cili gjatë gjithë jetës ka bërë mirë dhe dikush tjetër që ka bërë nëntëdhjetë e nëntë të zezat dhe nuk e merr ndëshkimin e merituar para vdekjes, a është e drejtë që fundi i tyre të jetë vdekja pa shpërblimin apo dënimin e duhur? Nëse njerëzit do ta besonin këtë Ditë, të jeni të sigurt se nuk do të kishim këto probleme që kemi sot, duke filluar nga vjedhjet, korrupsioni, marra e nderit të tjetrit, e duke përfunduar me vrasjet dhe vetëvrasjet,.

  • Fakt tjetër bindës që më bën të ndjehem krenar si musliman është dhe historia e lavdishme e Islamit që prej fillimit të tij.

Mjafton të dish se si ndikoi Islami në transformimin e atij populli ku u shfaq. Ishte ai popull që përçoi kulturën e tij deri në Evropë, që për hir të së vërtetës ia kushton qytetërimit islam periudhën e Rilindjes Evropiane. Ishin universitetet islame në Spanjën e asaj kohe, ku u shkolluan shumë rilindës evropianë. Mora si shembull popullin ku u shfaq Islami rishtazi, sepse aty duket qartë ndryshimi se çfarë mund të bëjë një popull i prapambetur, në të gjitha drejtimet në krahasim me kulturën perse, bizantine apo romake të asaj kohe, nëse ai pranon Islamin. Vlen të përmendet dhe fakti se kur muslimanët e zbatonin fenë e tyre, jomuslimanët merrnin mësim prej tyre, ndërsa tani ndodh e kundërta. Edhe kjo të bën të mendosh pak në realitetin e kësaj feje.

Pa dashur të zgjatem akoma në argumentet reale që më bëjnë të ndjehem i qetë që jam musliman, ju ftoj të lexoni sadopak librat autentikë të kësaj feje, për të kuptuar realitetin e Islamit e të mos ndikoheni nga çfarë thonë apo bëjnë njerëzit. Askush nuk mund të jetë shembull real i një muslimani të mirë, përmes të cilit ti mund të shohësh Islamin e vërtetë, edhe pse janë të shumtë ata që janë pajisur me cilësitë islame.

 

Burimi:

Revista Zemzem