Puna në kompanitë e kartave të kreditit dhe llojet e tyre

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim
TIMS-Software-Credit-Card-Processing1
Asambleja e Juristëve Muslimanë të Amerikës
Puna në kompanitë e kartave të kreditit
Në kohën e sotme kartat e kredit kanë marrë një rëndësi të madhe, sepse kanë zënë vendin e monedhave fizike dhe kanë bërë të panevojshme mbartjen e parave dhe ruajtjen e tyre. Si të tilla ato janë shndërruar në një nevojë pa të cilën nuk mund të bësh dot veprime, sidomos jashtë botës islame.
Kartat e kreditit janë dy llojesh:
E para: Kartë krediti që mbulohet nga rezerva financiare e mbajtësit të saj, dhe ku emetuesi i kartës përfiton një pagesë fikse për nxjerrjen e saj. Nga ana fetare kjo tarifë konsiderohet e lejuar sepse pagesa bëhet nga bilanci i mbartësit të kartës, në kompensim të këtij shërbimi që i ofrohet atij, ndaj dhe përdorimi i këtyre kartave është i lejuar, po kështu lejohet prodhimi i tyre dhe puna në ato kompani që i emetojnë apo i shesin ato.
E dyta: Karta krediti që nuk mbulohen nga rezervat monetare të mbartësit të saj. Këto karta janë tre lloje:
Lloji i parë: Kartë krediti e lëshuar në këmbim të një tarife fikse. Në këtë rast kjo kartë shërben si mjet për blerje me para borxh dhe ku përcaktohet edhe mënyra sesi shlyhet ky borxh, pa pasur në këtë rast ndonjë pagesë shtesë për vonesë në shlyerje. Këto lloj kartash emetohen nga institucione financiare islame dhe për aq sa ne dimë ato nuk gjenden në institucione të tjera jashtë botës islame. Këto lloj kartash janë të lejuara nga ana fetare ndaj lejohet përdorimi, prodhimi dhe emetimi i tyre gjithashtu, po kështu edhe puna në kompanitë që i prodhojnë ato ose i shesin, është e lejuar.
Lloji i dytë: Kartë krediti bazuar në kamatë. Kjo kartë shërben si mjet blerës me para borxh, të cilat je i detyruar t’i shlyesh me kamatë për borxhin që ke marrë. Kjo është e ndalura nga ana fetare. Nuk lejohet prodhimi dhe as emetimi i tyre, po ashtu nuk lejohet të punosh në kompanitë që nxjerrin ose i shesin ato.
Lloji i tretë: Karta krediti që i japin mbartësit të saj një afat të përcaktuar për shlyerje pa pasur kamatë në të, por nëse personi që mbart kartën vonohet në shlyerje pas kohës së përcaktuar, atëherë është i detyruar të shlyejë edhe kamatën. Kjo nuk lejohet sepse përmban një kusht të papranueshëm fetarisht, ndaj nuk lejohet prodhimi dhe as emetimi i tyre, po ashtu nuk lejohet as puna në ato kompani që i prodhojnë ose i shesin ato.
Lejohet për njerëzit në nevojë që të përdorin llojin e tretë të kartave në raste të nevojave urgjente (diçka që e bën jetën e dikujt shumë të vështirë), për shkak të përhapjes së madhe që ka kjo problematikë dhe pamundësisë për ta shmangur atë (li-umumul belua) dhe në rast se ai nuk gjen asnjë alternativë tjetër. Në këtë rast personi në fjalë duhet që patjetër të jetë i vendosur të shlyejë pagesën e plotë para se t’i mbarojë koha e përcaktuar e të detyrohet të paguajë edhe kamatën dhe të jetë i bindur se ka mundësi ta realizojë këtë shlyerje në kohë.
Ndërsa për sa i përket punës në prodhimin, emetimin ose shitjen e këtyre kartave, të cilat nuk plotësojnë kushtet e ligjëruara fetarisht, për to qëndron në fuqi ndalesa, kjo sepse leja për të përfituar nga diçka e ndaluar nisur nga domosdoshmëria apo nevoja urgjente nuk vlen në rastet kur bëhet fjalë për prodhimin ose shitjen e tyre, përveçse në raste (kur vetë personi gjendet në një situatë) domosdoshmërie.