Së pari, sipas normave të fesë Islame, çdo njeri që vdes duhet të varroset
në tokë dhe kjo konsiderohet një ritual respekti ndaj tij. Allahu duke treguar se si u varros njeriu i parë në këtë tokë, thotë:
“Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar se si ta mbulonte kufomën e të vëllait.” (Maide: 30-31)
Së dyti, norma e përgjithshme islame, për sa i përket të vdekurve, është se ata nuk duhet të zhvarrosen asnjëherë, por të lihen ashtu, derisa trupi të tretet dhe kockat të shpërbëhen tërësisht. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“Kush do t’i ngjallë eshtrat kur të kalben?” (Jasin: 78).
Fjala remim e përdorur në ajetin kuranor, flet për kockat që kalben tërësisht dhe bëhen dhe’. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë:
“Prej tokës ju kemi krijuar, aty do t’ju kthejmë dhe nga ajo do t’ju nxjerrim edhe një herë tjetër.” (Ta Ha: 55)
Kjo do të thotë se njeriu si qenie e krijuar nga dheu, duhet të qëndrojë në të pasi të vdesë, derisa të zhduket plotësisht e të bëhet dhe’. Duke u bazuar në sa u tha më lart, çdo njeri ka të drejtë të ketë banesën e tij të fundit në këtë botë të përkohshme, përpara se ai të ringjallet, e që është varri i tij personal.
Kjo, sipas normave islame do të thotë se:
a) Nuk lejohet të varrosen dy të vdekur në të njëjtin varr, vetëm se atëherë kur i vdekuri i parë të jetë tretur plotësisht, aq sa dhe kockat t’i jenë bërë pluhur. Për këtë, juristët islam të shkollës juridike islame hanefi, shkollë të cilën e ndjek zyrtarisht edhe Komuniteti Musliman i Shqipërisë, shprehen se: “Nëse një i vdekur varroset në një varr, ku është varrosur më parë dikush tjetër, kjo duhet të bëhet pasi të jenë zhdukur eshtrat e të parit dhe të mos ketë mbetur asgjë prej tij. Por, nëse shihet se eshtrat e të vdekurit të parë ekzistojnë akoma, atëherë duhet të mbulohen sërish me dhe’, duke mos i lëvizur ato.” Juristët e kësaj shkolle islame kanë theksuar se “Vetëm kur i vdekuri i parë të jetë bërë tërësisht dhe’, lejohet të varroset një tjetër në të njëjtin varr, por nuk lejohet në asnjë mënyrë thyerja e kockave dhe as zhvendosja e tyre në një vend tjetër.” Të njëjtin mendim ndajnë edhe juristët e tri shkollave të tjera islame, ata shafi, maliki dhe hanbeli. Pra, ka një konsensus në mes juristëve të shkollave të ndryshme juridike islame, se është e ndalur kategorikisht (haram), që të zhvarroset një njeri nga varri, nëse për këtë nuk paraqitet një nevojë e domosdoshme, e konsiderueshme nga normat fetare islame, sepse një akt i tillë cenon shenjtërinë e të vdekurit.
b) Lejohet në rast domosdoshmërie kur nuk ka vend, ose tokë të lirë, që i vdekuri të varroset në një varr ku është varrosur dikush tjetër para tij, të cilit nuk i janë tretur kockat, por duke respektuar në këtë rast disa norma të veçanta. Juristët islam janë shprehur se në rastet kur është e pamundur të gjendet tokë tjetër për të varrosur të vdekurit, mundet që për shkak të kësaj domosdoshmërie, i vdekuri të varroset bashkë me një tjetër në të njëjtin varr. Pra, nuk lejohet që të nxirren jashtë eshtrat e atij që është varrosur më parë dhe të zhvendosen në vend tjetër, për të varrosur një njeri tjetër në të. Juristët e shkollës hanefi janë të mendimit se “I vdekuri i dytë mund të varroset afër të parit, duke lënë mes të dyve një kufi prej dheu.” Asnjë nga juristët e shkollave juridike islame, nuk lejon që eshtrat e të vdekurit të parë të nxirren nga varri, për të futur një tjetër në të, sepse varri është banesë personale e tij, dhe këtë të drejtë askush nuk mund t’ia marrë atij. Por, në rast domosdoshmërie, varri mund të bëhet banesë për dy vetë, përndryshe uzurpimi i banesës, qoftë te të gjallët, qoftë te të vdekurit, është i ndaluar.
Së treti, nuk lejohet që eshtrat e të vdekurit të nxirren nga varri dhe të murosen, sepse në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të drejtpërdrejtë të normativës islame të përmendur më sipër. Veç kësaj, një veprim i tillë përbën shkelje të hapur të urdhëresës së Profetit Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) që ndalon ngritjen dhe lartësimin e varreve, si dhe përfshihet nga ndalesa e imitimit të riteve zakonore të komuniteteve të tjera. Së katërti, nuk ka asnjë afat të caktuar kohor se kur lejohet zhvarrimi apo prishja e varreve dhe riciklimi i eshtrave, qoftë ky 33, 40, apo 60 vjet. Të gjitha opinionet që jepen në këtë drejtim janë individuale, të pabaza dhe s’kanë kurrfarë argumenti fetar. Siç e përmendëm më sipër, afati i përcaktuar nga juristët islam është tretja e plotë e eshtrave, dhe natyrisht, që kjo ndryshon nga një vend në tjetrin dhe varet nga shumë faktorë. Së pesti, nuk lejohet përdhosja e varreve dhe dëmtimi i kufomave, sepse Profeti i Islamit ka ndaluar që varri të shkelet me këmbë, dhe gjithashtu ka thënë: “Thyerja e kockave të të vdekurit, është si thyerja e kockave të të gjallit.”
Së fundi, Ne nuk mendojmë se gjendemi në një situatë domosdoshmëri e cila për më tepër do të na detyronte të mos respektonim normat e fesë tonë, por në respekt të këtyre normave fetare ne kërkojmë: Mundësimin e hapësirave të veçanta për varrosjen e besimtarëve muslimanë, ashtu siç ka qenë traditë në këtë vend, para ardhjes së regjimit ateisto- komunist, kërkesë kjo e bërë që nga koha e H. Sabri Koçit, kryetar i parë i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, pas ndryshimit të sistemit të dikurshëm. Po ashtu, si rrugëzgjidhje të përshtatshme të këtij problemi, ne shohim edhe hapjen e varrezave private, dhe për përmbushjen e kësaj gjëje, ne i kërkojmë institucioneve shtetërore krijimin e lehtësirave ligjore dhe procedurale, në mënyrë që ne si besimtarë të kemi mundësi të respektojmë normat fetare të varrimit në përputhje me besimit tonë. Me këtë rast, iu bëjmë thirrje besimtarëve muslimanë që të bashkëpunojmë dhe të kontribuojmë së bashku, për të gjetur rrugët e zgjidhjes së këtij problemi, qoftë edhe duke kontribuar financiarisht në blerjen e vendeve të përshtatshme për hapjen e varrezave, ku respektohen normat e fesë islame për këtë gjë.
Komisioni i Fetvave pranë LHSH-së