RAMAZANI, MUAJI I SOLIDARITETIT SOCIAL

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 8 minuta lexim

teravih_1373289041

RAMAZANI, MUAJI I SOLIDARITETIT SOCIAL

Muaji Ramazan është një muaj i bekuar, i cili vjen për pasurimin e shpirtit dhe të zemrës me besim dhe shumë vyrtyte të larta njerezore dhe kjo nëpërmjet devotshmërisë,  e cila është qëllimi kryesor i këtij obligimi hyjnor. Nëpërmjet agjërimit të këtij muaji të shenjtë besimtari arrin të përmirësojë qënien e tij, besimin e tij sjelljet e tij, moralin e tij dhe gjithçka i duhet të paiset me të për të qenë një njeri model. Ky muaj i begatë, përvec të mirave shpirtërore dhe shpërblimit pa llogari i cili do të rëndojë shumë në peshore Ditën e Gjykimit, ka një ndikim social dhe ekonomik  në shoqëri, nëpërmjet rregullave dhe dizpozitave që posedon. Në këtë muaj agjeruesit e pasur prej besimtarëve përballen me urinë dhe etjen, gjë e cila i bën të mendojnë më shumë për vuajtjet e të varfërve, kështu që zemrat e tyre zbuten dhe kjo konkretizohet me sadakanë dhe ndihmën ekonomike.

Kështu që në këtë muaj, i cili e ngre lart moralin e besimtarit, ndihmohet i  varfëri, jetimi, gratë e veja, dhe të moshuarit.

Për jetimin i dërguari i Allahut (a.s.) thotë: “Unë dhe garantuesi i jetimit do të jemi kështu në Xhenet, dhe tregoi me dy gishtat e tij, treguesin dhe gishtin e mesëm”. Buhariu.Sadakaja e fitrit (zekati i fitrit) është një dispozitë nga dispozitat e muajit Ramazan pa të cilin nuk mund të plotësohet agjërimi i një besimtari.

Nëpërmjet kësaj sadakaje ne formë shpagimi, besimtarët pastrojnë veten e tyre nga gabimet e vogla që mund ti kenë kryer gjatë agjërimit të Ramazanit. Kjo sadaka është pjesë e pandarë e muajit Ramazan, por që ka një ndikim social- ekonomik në shoqëri. Kjo sadaka e ka origjinën në atë që thotë Zoti ynë në Kuran: “Dhe ata të pasurit, të cilët në pasurinë e tyre kanë një detyrim, kundrejt të varfërve dhe lypësve”. Mearixh 24-25.

Një fenomen tjetër që sjell muaji i begatë i Ramazanit është dhe zekati, i cili është një nga pesë obligimet madhore islame. Shumë prej besimtarëve llogarinë e nxjerrjes së zekatit e bëjnë pikërisht në këtë muaj, ku veças punëve të mira që bëjnë, duan të fitojnë edhe shpërblimin e dhënies së zekatit. Kjo ndodh në shumë vende islame dhe pothuajse është bërë traditë. I dërguari i Allahut (a.s) thotë: Allahu i Madhëruar ka bërë obligim të nxirret nga pasuria e të pasurve muslimanë aq sa do tu mjaftujë të varfërve prej tyre, e nëse do të vuajnë nga uria, varfëria, kjo do të ndodhë për shkak të mosdhënies së zekatit. Për këtë ata do të kenë një llogari të fortë dhe ndëshkim të dhembshëm në ditën e gjykimit”. Tabarani.

Një nga dispozitat e këtij muaji të begatë është dhe shpagimi i agjërimit për të gjithë ata që për shkak të pamundësisë shëndetësore nuk do të kenë mundësinë ta agjërojnë Ramazanin. Këtu bëhet fjalë për ata njerëz që nuk shpresojnë shërim të shpejtë ose të moshuarit e pafuqishëm për këtë obligim. Për këtë Zoti ynë thotë në Kuranin famëlartë: “Dhe për ata që nuk munden dot të agjërojnë (Ramazanin) t`a shpaguajnë me ushqim për të varfërit…..” Bekare 184.

 

Shporta e Ramazanit, është një aktivitet human i cili është bërë gjithashtu tek muslimanët gjatë këtij muaji të begatë. Besimtarët solidarizohen me kontributet e tyre modeste, por fisnike që për shtresën në nevojë është e domosdoshme dhe shumë me vlerë. Ky gjest fisnik bën që të varvërit të ndjehen mirë në mesin e vëllezërve muslimanë dhe të kuptojnë fare mirë se ata nuk janë vetëm, por gëzojnë përkrahjen e vëllezërvë të tyre në fe. Kjo e bën jetën më të qetë e më të sigurtë në një kohë kur njerëzit jetojnë me ndjenjën e pasigurisë ekonomike dhe kjo për shkak të mungesës së solidaritetit dhe përkrahjes sociale në një shoqeri të zhveshur nga besimi dhe parimet hyjnore qiellore.

 

Përvec kësaj, gjatë këtij muaji besimtarët muslimanë nxiten të kontribuojnë sa më shumë ekonomikisht, pa e lidhur këtë kontribut me ndonjë kohë apo vend të caktuar, por jo vetëm. Ata mund të jenë aktivë edhe në aspekte të tjera sociale si vizita e të afërmve, e të sëmurëve, e njerëzve në nevojë, përcjellja e xhenazesë, kryerja e ndonjë halli e shumë punë të tjera të dobishme për shoqërinë. I dërguari i Zotit Muhamedi (a.s) thotë: “ Zoti do të jetë në ndihmë të robit të vet përderisa ai do të jetë në ndihmë të vëllait të tij ”. Ahmedi.

Të gjitha sa përmendëm janë punë të dobishme për individin si dhe për shoqërinë. Të gjitha punët e lartpërmendura nuk veprohen vetëm gjatë muajit Ramazan, por ato më së shumti kryhen në këtë muaj për shkak të nivelit të lartë të besimit dhe të moralit  muslimanit, kur ai është agjërues.

 

Nëse do të vërejmë të gjitha detyrimet dhe shpagimet kanë të bëjnë me sadakanë, zekatin, si dhë ushqim për të varfërit, kjo na lë të kuptojmë se ky muaj përvec të mirave shpirtërore, na sjell dhe të mira sociale dhe ekonomike.

 

Ky muaj padyshim është një muaj i ngritjes shpirtërore dhe morale, por duke pasus parasysh universalitetin e kësaj feje, ai nuk lë pas dore anën sociale dhe ekonomike. Kjo për arsye se muslimanët me fenë e tyre janë një ymet i mesëm dhe mesatar. Kjo do të thotë se në këtë fe universale dhe të drejtë nuk i jepet rëndësi diçkaje duke lënë në harresë dicka tjetër, anës shpirtërore ndaj asaj materiale. Kjo është drejtësi hyjnore e cila buron vetëm nga Krijuesi i drejtë, Allahu i Madhëruar.

Hoxhë Sokol Kondakciu