RAMAZANI PO VJEN POR A PO KTHEHEMI NE TEK ALLAHU?

Lidhja e Hoxhallarëve
7 minuta lexim

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Për Resulullahin shumë salavate dhe selame.

O robër të Allahut!
Ramazani po vjen, por a jemi gati në këtë kohë ku gjithçka na merr vëmendjen, përveç Allahut?
Ne jetojmë në një kohë ku gjithçka është e shpejtë: lajmet, teknologjia, rrjetet sociale, bisedat, dëshirat.
Jetojmë në vitin 2026, ku njeriu ka gjithçka në dorë, por shpesh e ka humbur zemrën.
Ka informacion, por pak udhëzim. Ka lidhje, por pak lidhje me Allahun.
Allahu i Madhëruar nuk na thërret vetëm të veprojmë, por të ndalemi dhe të reflektojmë: “O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe le të shikojë çdo shpirt se çfarë ka përgatitur për nesër.”

O besimtarë!
Pyetja sot nuk është vetëm: A do ta arrijmë Ramazanin?
Por : Në çfarë gjendjeje do ta arrijmë?
– Me zemra të pastra apo me mendje të mbushura me haram që shohim çdo ditë në ekran?
– Me gjuhë që përmend Allahun apo që lodhet me thashetheme, komente dhe grindje virtuale? – Me plan për ibadet, apo me shpresën e rreme se “Ramazani do të na rregullojë vetë”?
Ramazani nuk i shpëton të papërgatiturit.
Ai ose të shëron ose të zbulon. Apo të ngre ose dëshmon kundër teje.
Prandaj, para se të na vijë Ramazani, le të vijmë ne tek Allahu.

O besimtarë!
Ndaluni për një çast në këtë botë të zhurmshme dhe pyesni veten:
– Si ishte Ramazani im i kaluar?
– A u ndjeva më afër Allahut pas tij, apo gjithçka përfundoi me Bajramin dhe postimet në rrjete sociale? – A ndryshoi namazi im, morali im, shikimi im, apo vetëm orari i ushqimit?
Sa Ramazane kemi jetuar, por sa pak na kanë ndryshuar!
Sa Ramazane kemi agjëruar, por zemra jonë ka mbetur e njëjtë!

O robër të Allahut!
Po na afrohet një mysafir i madh Ramazani.
Por pyetja që duhet të na djegë zemrën është:
A do të na gjejë Ramazani gjallë?
Dhe nëse na gjen gjallë, a do të na gjejë të zgjuar apo të humbur në shpërqendrime? Sa njerëz ishin me ne Ramazanin e kaluar, sot janë vetëm kujtim!
Sa fytyra mungojnë sot në xhami, sa zëra janë shuar papritur!
Në një botë ku vdekja vjen pa paralajmërim, kush na garanton se ky nuk është Ramazani ynë i fundit?

O besimtarë!
Ramazani nuk është zakon që përsëritet, por mundësi që mund të mos kthehet. Nuk është vetëm uri dhe etje, por shpëtim ose humbje.
Kush hyn në Ramazan pa pendim, rrezikon të dalë prej tij pa falje.
Kush hyn në Ramazan pa plan, rrezikon të dalë prej tij i njëjtë vetëm më i lodhur. Prandaj pyesni veten sot, para se të vijë Ramazani:
– A ka mëkate digjitale që ende nuk i kam lënë?
– A ka namaze që i shtyj për shkak të punës, telefonit, lodhjes? – A ka Kuran që e kam zëvendësuar me ekran?
– A ka zemër që ende nuk është përulur sinqerisht para Allahut?

O besimtarë!
Në Ramazan hapen dyert e xhenetit.
Por pyetja nuk është: a janë dyert e hapura?
Pyetja është: a do të ecim ne drejt tyre?
Në Ramazan mbyllen dyert e zjarrit.
Por a do t’i mbyllim ne rrugët që na çojnë drejt tij?
Në Ramazan shejtanët prangosen.
Por kush do ta prangosë epshin tonë, shikimin tonë, gishtin tonë mbi ekran, nëse ne vetë nuk luftojmë?

O ju që e doni Allahun!
Përgatituni për Ramazanin para se Ramazani të vijë.
Pastroni zemrën me pendim. Ndriçoni shtëpinë me namaz. Gjallëroni shpirtin me Kuran jo vetëm si audio, por si udhëzim jete.
Vendosni sot një nijet të sinqertë:
Ky Ramazan nuk do të jetë si të tjerët. Ky Ramazan do të jetë kthesë. Ndoshta shpëtim. Ndoshta Ramazani im i fundit.
Kush e humb Ramazanin, çfarë shprese i mbetet më pas?
Dhe kush e fiton Ramazanin, çfarë humbet më pas?
Me ardhjen e Ramazanit, Allahu ju hap një derë nga dyert e xhenetit.
Mos e shtyni pendimin.
Mos e shtyni ndryshimin.
Mos e shtyni kthimin tek Allahu.

Disa porosi për ta pritur Ramazanin në kohën tonë
1. Njihe vlerën e Ramazanit,
në një botë që e relativizon gjithçka. Ai nuk është muaj rutine, por muaj faljeje, ngritjeje dhe shpëtimi.
2. Mëso rregullat e agjërimit,
sepse agjërues ka shumë, por të pranuar pak.
3. Lehtësohu nga mëkatet,
sidomos ato që janë bërë normale në shoqërinë e sotme, sepse ato janë pengesa më e madhe e bereqetit.
4. Nijet i sinqertë dhe vendosmëri reale.
Allahu nuk sheh postimet tona, por zemrat tona.
5. Përgatitje psikologjike dhe shpirtërore.
Fol me veten për Ramazanin, jo vetëm për iftarin.
6. Shtim i lutjes (duasë), sepse pa ndihmën e Allahut, asnjë plan nuk ka vlerë.

O Allah, na e bëj të mundur ta arrijmë Ramazanin.
O Allah, na e bëj Ramazanin dëshmi për ne, jo kundër nesh.
O Allah, na fal para Ramazanit, na fal në Ramazan dhe na fal pas Ramazanit.

O Allah, na bëj prej atyre që hyjnë nga dyert e xhenetit pa llogari.

 

ULVI FEJZULLAHU