nga Hoxhë Justinian Topulli
Njeriu është qenie që i jep kuptim gati çdo gjëje që e rrethon, qoftë ky kuptim funksional ose qëllimor. Kjo është një prirje e lindur e tij, që provohet edhe nga studimet në sferën konjitive të njeriut.
Kështu funksioni i një feste është të të dhurojë disa momente kënaqësi, por ndërkohë cili është kuptimi i saj i vërtetë?
Viti i ri nuk është i vetmi rast që njerëzit kanë për të gëzuar, qoftë individualisht, me familjet ose me shoqërinë, kështu që ky funksion nuk mund të jetë qëllimi i final tij.
Shumica e njerëzve janë të prirë që kuptimin funksional të shumicës së gjërave ta konsiderojnë si kuptimin qëllimor të tyre dhe të mjaftohen me aq, pa ditur kuptimin e tyre fundor.
Kështu ndodh edhe me kremtimin e vitit të ri tek ne, i cili është një kremtim krejt profan, pas të cilit nuk gjendet asnjë kuptim sublim dhe nuk synon t’i rikujtojë njeriut asnjë mesazh qenësor. Edhe pse ndërrimi i kalendarëve na rikujton se koha rrjedh dhe vitet ikin dhe bashkë me to edhe shumë gjëra ndryshojnë, çka këtë e bën çdo ditë e re e javës, çdo muaj që përsëritet e çdo stinë që vjen, asgjë më shumë se kaq nuk rithotë kjo festë. Në fakt shumica e njerëzve as për këtë duket se nuk kanë nevojë, përkundrazi ata janë të interesuar vetëm për funksionin e saj argëtues dhe asgjë më shumë.
Njerëzit duken se jetojnë për t’u ushqyer, ndërkohë që ushqimi është mjet për të jetuar. Gëzojnë dhe kënaqen, ndërkohë që ato shërbejnë për t’u rehatuar nga lodhjet e jetës. Lindin dhe rrisin fëmijë, ndërkohë që ata thjesht u trashëgojnë atyre emrin, pasurinë dhe racën…
Cili është pra qëllimi i vërtetë i kësaj feste? Në fakt cili është qëllimi i vërtetë i kësaj jete?
Festa e vitit të ri është një nga treguesit më domethënës se jeta e shumicës së njerëzve është e mbushur me pakuptimësi dhe vetëm me funksione e mjete që në fund nuk thonë asgjë të përtejshme, asgjë sublime. Kështu pra njerëzit kryejnë tradhtinë dhe mashtrimin më të madh ndaj vetvetes, duke e lënë atë të humbasë, e harbuar dhe e dalldisur pas bukurisë së lëvozhgave dhe duke mos kërkuar shijen e thelbit.