Falënderimet më të larta i takojnë Allahut i Cili e krijoi njeriun në formën më të bukur, i dha mendje dhe e nderoi; I Lartësuar është Allahu, i Cili e ngriti pozitën e diturisë, u betua për penën, dhe ia bëri dhuratë njeriut duke ia mësuar atë që nuk e dinte, si dhe i tha të Dërguarit të Tij fisnik ﷺ: “Dhe Allahu të ka zbritur ty Librin dhe urtësinë dhe të ka mësuar atë që nuk e dije, dhe mirësia e Allahut mbi ty ishte madhështore”.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm, pa shok, Sunduesi i Vërtetë e i Qartë; e madhëroi diturinë dhe ithtarët e saj, dhe e qortoi injorancën dhe pasuesit e saj, ia ngriti gradët në begatinë e përhershme nxënësve të dijes dhe atyre që punojnë me të.
Dhe dëshmoj se zotëria ynë Muhamedi është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij, i Zgjedhuri i Tij nga krijesat dhe i Dashuri i Tij, më i njohuri nga krijesat me Allahun dhe më i devotshmi ndaj Tij. O Allah, dërgo salavate dhe selam dhe begati mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.
Kur Allahu –i Lartësuar– deshi të krijojë Ademin, paqja qoftë mbi të, i njoftoi engjëjt për këtë, atëherë engjëjt patën frikë se nga kjo krijesë do të ndodhte prishje në tokë dhe gjakderdhje, dhe kjo ishte si shkak i kujdesit të tyre që të mos kundërshtohej Allahu në tokë, dhe deshën të pyesin dhe të kërkojnë shpjegim për urtësinë e këtij krijimi: “Ata thanë: A do të vendosësh në të atë që prish dhe derdh gjak, ndërsa ne të madhërojmë Ty me lavdërim dhe të shenjtërojmë Ty? Ai tha: Unë di atë që ju nuk e dini” [El-Bekare: 30].
Atëherë Allahu –i Lartësuar– deshi të tregojë vlerën e Ademit para engjëjve të nderuar: “Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë! Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti. O Adem, – tha Ai – ua trego atyre emrat e gjërave!” Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha: “A nuk ju kam thënë se vetëm Unë i di fshehtësitë e qiellit e të Tokës dhe vetëm Unë e di çfarë tregoni haptazi dhe çfarë fshihni?! [El-Bekare: 31-33].
Pra Allahu –i Lartësuar– e shfaqi vlerën e Ademit para engjëjve me stolinë më madhështore dhe nderimin me të cilin stoliset njeriu, e ajo është dija. Të vërtetën ka thënë Allahu –i Lartësuar–: “Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?” [Ez-Zumer: 9].
Dituria është nderi më i lartë, dhe lavdia më me vlerë, drejt saj nxitojnë popujt dhe brezat, për të shkrihen jetët dhe pasuritë, madje është ajo që e pretendojnë mendjelehtët dhe injorantët. Ali ibn Ebu Talib –Allahu qoftë i kënaqur me të– ka thënë: “Mjafton si nder për dijen aspekti se e pretendon ai që nuk e zotëron, dhe gëzohet kur i atribuohet atij; dhe mjafton si përçmim për injorancën se largohet prej saj ai që është zhytur në të.”
Me diturinë njihet Zoti dhe Madhështia e Tij, arrihet civilizimi, lulëzon industria dhe ngrihen shoqëritë.
Me diturinë kombet ruajnë nderin dhe fuqinë e tyre, e me injorancë zhvishen shtetet nga lavdia dhe ringritja e tyre.
Me dituri zhvillohen vendet, shkruhet lavdia dhe ngrihen individët, pikërisht ashtu siç ka thënë i Lartësuari: “Allahu i ngre në shkallë ata që besuan prej jush dhe ata që u është dhënë dituri” [El-Muxhadele: 11].
Ibnul Kajim, Allahu e mëshiroftë Ka thënë: “Vërtet, dituria e ngre zotëruesin e saj në dynja dhe në ahiret në një shkallë që nuk e ngre as mbretëria, as pasuria dhe asgjë tjetër prej tyre. Dija ia shton të nderuarit nderin, dhe e ngre robin e skllavëruar derisa ta ulë atë në fronin e mbretërve.”
Meqë dija është stolia më e bukur, petku më i ndritshëm dhe cilësia më e mirë, Allahu i Lartësuar iu drejtua Pejgamberit të Tij: “Dhe thuaj: O Zoti im, shtomë në dije” [Ta-Ha: 114].
Imam Kurtubiu –Allahu e mëshiroftë– thotë: “Sikur të kishte diçka më fisnike se dija, Allahu i Lartësuar do ta kishte urdhëruar të Dërguarin e Tij ﷺ që t’ia kërkonte shtimin e saj, ashtu siç e urdhëroi që t’i kërkojë shtimin e dijes.”
II
Falënderimi i plotë i takon Allahut, Bujarit, Dhuruesit të madh, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, që mësoi Kuranin, krijoi njeriun, ia mësoi atij të folurit e qartë.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm, pa shok.
Si dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, më i miri i të dërguarve, imami i mësuesve dhe shembulli i edukatorëve. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Edhe disa ditë dhe fëmijët tanë nxënës dhe studentë kthehen në bankat e shkollës, për të filluar një vit të ri shkollor. Sigurisht që prindërit dhe vendi presin prej tyre shumë të mira, dhe shpresojnë prej tyre që të jenë në nivelin e përgjegjësisë, dhe që në të ardhmen të jenë thesar i çmuar dhe ndihmë për vendet e tyre, dhe para së gjithash të jenë të dobishëm për veten dhe për familjet e tyre.
O ju rinia muslimane të cilët do të ktheheni sërish në bankat e shkollës, mos harroni se ju jeni pjesëtarë të një feje e cila e ka çmuar dijen, aq sa dhe prej Kuranit gjëja e parë që është shpallur ishin ajetet ku Allahu thotë:
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” [El Alak: 1-5]
Nuk ka dyshim, se dija i hap njeriut mundësinë e sundimit të hapësirës, zbulimit të shtresave të tokës, shërimit të sëmundjeve dhe parandalimit të katastrofave. Por mbi të gjitha këto, ia mëson njeriut frikën ndaj Allahut dhe drojën prej Tij. Dhe mjafton kjo si dëshmi e vlerës së saj.
Prandaj kërkohet që muslimani ta vendosë arsimin në shkallën më të lartë të përparësive të tij; pasi me të formohet brezit i ri, arrihen vlerat fisnike dhe krenaria e dikurshme që historia ka në kujtesën e saj për muslimanët.
Duhet të jemi të bindur se Allahu nuk e humb shpërblimin e atij që vepron mirë, dhe se kush mundohet do të arrijë qëllimin, dhe kush mbjell sot, do të korrë nesër: ngritje, zhvillim, dobi, mirësi, lulëzim dhe stabilitet.
Vendet perëndimore dhe civilizimet moderne për shkak se u morën me arsimin dhe e bënë atë çështje të sigurisë kombëtare, kjo u solli fryte të bollshme, një ringritje të madhe industriale, zhvillim në tregti dhe industri, begati materiale dhe ndërtim të një civilizimi me ndikim të madh mbi ata që jetojnë nën hijen e tij, qofshin nga populli i tyre apo të tjerë.
Për shkakun se ata paraprinë në arsim dhe kujdesin për të, shpikën dhe i emërtuan shpikjet moderne me emrat e tyre, prodhuan dhe vendosën emrat e tyre mbi çdo produkt, dhe kështu u bë e tyre udhëheqja dhe përparimi, ndërsa kombet e tjera u bënë të varura prej tyre…
A jemi pra të vetëdijshëm për rëndësinë e arsimit dhe për pasojat e këqija të neglizhimit të tij?!
Ndaj o ju nxënës dhe prindër, bëni durim gjatë vështirësive që hasni në rrugën e arsimit, përpiquni që të shkëlqeni, e të jeni të sigurt se do ta arrini shpërblimin e mundit tuaj në dynja dhe Ahiret