Rëndësia e sunetit profetik në fenë islame

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 6 minuta lexim

1

 

 

Rëndësia e sunetit profetik në fenë islame

Mustafa Terniqi

Sunet quhet tradita profetike dhe gjithçka që na ka ardhur nga i Dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhis salatu ues selam). Suneti është burimi i dytë i Fesë Islame pas Kuranit. Tradita profetike është pjesë e shpalljes hyjnore. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.” En-Nexhm 3-4. Ndërsa Profeti (alejhis salatu ues selam) ka thënë: “Vërtet mua më është dhënë Libri dhe diçka e ngjashme me të.” Ebu Davudi dhe Ahmedi. Kjo do të thotë se fjalët profetike janë pjesë e shpalljes hyjnore. Ato janë prej diturisë së Allahut që ia dha të Dërguarit të Tij, Muhamedit (alejhis salatu ues-selam). Suneti ka ardhur si shpjegim dhe sqarim i fjalës së Zotit. Për shembull: Allahu në Kuran thotë: “Faleni namazin dhe jepeni Zekatin!”, mirëpo nuk tregon formën e namazit, as detajet rreth Zekatit. Është pikërisht Suneti ai që shpjegon dhe i sqaron kwto detaje. Kjo tregon se Feja Islame është e plotë me Kuranin dhe Sunetin bashkë. Për këtë arsye dijetarët kanë shpjeguar se ajetet kuranore, kuptimet e tyre janë të përgjithshme dhe nuk mund të kuptohen vetëm se duke parë shpjegimet dhe sqarimet përkatëse në sunetin profetik.

Duke qenë se Suneti është shpjegim dhe sqarim i Kuranit, atëherë ai është i ruajtur me vetë Kuranin deri në Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye shohim se dijetarët islamë, që herët janë kujdesur shumë për Sunetin e të Dërguarit (alejhis salatu ues-selam) dhe kanë dhënë një mund dhe një shërbim tepër të madh në këtë fushë. Mundin më të madh të tyre e shikojmë në ruajtjen e sunetit të pastër duke i klasifikuar qartë hadithet e dobta dhe ato të trilluara në mënyrë që muslimanët të kenë parasysh punimin dhe praktikën si dhe mësimin e fesë nëpërmjet haditheve autentike të Profetit (alejhissalatu uesselam).

Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar të ndjekim Sunetin profetik me rigorozitet, na ka treguar se bindja ndaj Profetit është bindje ndaj Tij dhe se ndjekja e rrugës së Profetit është shenjë e dashurisë ndaj Tij. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë:

Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut.” Nisa 80.

“Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu, dënon vërtet ashpër.” Hashr 7.

“Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!” Ali Imran 31.

Këto ajete dhe argumente të tjera në hadithet profetike na tregojnë se ndjekja e rrugës së Profetit (alejhis salatu ues-selam) është detyrë për t’u ndjekur, nëse duam të ruajmë Islamin tonë të pastër dhe të padevijuar. Në këtë kundërtën Profeti (alejhis salatu ues-selam) ka thënë se çdo risi (bidat) në fe të shpie në humbje dhe humbja e devijimi e shpien njeriun në zjarr. Për këtë arsye mësojmë se Profeti (alehis salatu ues-selam) ka thënë: “Kush largohet nga tradita ime ai nuk është prej meje.” Buhariu dhe Muslimi. E pra suneti është burimi kryesor që na mëson në detaje sheriatin dhe zbatimi i tij na garanton qëndrimin në rrugë të vërtetë. Sot shikojmë shumicën e muslimanëve të përçarë në mendime, opinione dhe vizione, madje deri në konceptimin e fesë. Po të zbatohej dhe praktikohej sot suneti i pastër dhe i saktë, larg risive dhe larg haditheve të dobwta e të trilluara, ashtu siç e kanë kuptuar gjeneratat e para islame do të shikonim vërtetë njw unifikim tw dukshëm mes muslimanëve. Pikërisht për këtë Profeti (alejhis salatu ues-selam) na ka lajmëruar, se pas vdekjes së tij muslimanët do të përçahen e do të kontradiktohen mes veti e në të njëtën kohë ai na ka treguar dhe shpëtimin nga kjo përçarje kur na urdhëron të kapemi fort pas traditës së tij profetike dhe rrugës që kanë ndjekur kalifët e drejtë pas tij, rrugë e cila garanton nga një anë mosdevijimin nga rruga e vërtetë dhe nga ana tjetër bashkimin e muslimanëve me njëri tjetrin.