Rreth ditëve të Shevvalit dhe agjërimit kaza
Pyetje: Ka mbaruar Ramazani dhe unë kam disa ditë borxh nga Ramazani. A më lejohet që të agjëroj 6 ditët e Sheualit para ditëve që kam borxh apo duhet patjetër të plotësoj ditët e Ramazanit në fillim pastaj ato të Sheualit? Allahu ju shpërbleftë.
Përgjigje: Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” Surja el-bekare 185
Ajeti Kuranor tregon se ditët që vinë më pas, në të cilat mund të agjërohen ditët kaza, nuk janë të kufizuara me datë apo muaj të caktuar, por e ka lënë cështjen e lirë. Andaj, ditët kaza që duhen zëvendësuar nga Ramazani nuk është detyrë që të agjërohen menjëherë pas Ramazanit, por mundet për arsye të ndryshme ta vonojë deri në Ramazanin tjetër. Për këtë Aishja (r.a) thotë: “Ditët që kisha borxh nga Ramazani nuk mundja ti shlyeja deri në muajin Sha’ban.” Transmetuan Buhariu dhe Muslimi. Dmth një muaj para Ramazanit të ardhshëm. Kështu që mund të agjërohen 6 ditët e Shevvalit para ditëve kaza, përderisa ditët e Shevvalit janë të kufizuara vec në këtë muaj. Sidoqoftë nëse është e mundur dhe pa sjellur rëndim të agjërohen ditët kaza të Ramazanit pastaj menjëherë ditët e Shevalit kjo është më mirë.
Komisioni i Pyetjeve & Përgjigjeve pranë LHSH