Rritja e çmimeve dhe borxhliu nëpërmjet thënieve të Resulit alejhi salatu ue selam
Nga hoxhë Genc Plumbi
Në vijim do t’ju përcjellim komentin e dy haditheve të profetit tonë Muhamedit alejhi selam të cilat shpresojmë se do të jenë shumë të vlefshme për lexuesit tonë. Njëri ka të bëjë me çmimet dhe tregun, ndërsa tjetri flet mbi borxhliun. Të dy këto hadithe kanë një ndërlidhje të madhe me realitetin e sotëm kur jetojmë, ku rregullimi apo vetërregullimi i tregut nëpërmjet çmimeve është një temë e ditës, po ashtu edhe borxhet apo siç po mundohen të kamuflojnë kreditë bankare janë dy mekanizma, që vejnë në lëvizje shoqërinë e sotme.
Hadithi i parë
Na përcillet nga Enesi r.a. se ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut a.s. u ngritën çmimet në Medine dhe njerëzit i thanë atij: “O i Dërguari i Allahut! Çmimet janë ngritur, prandaj vendos një çmim tavan për ne.” I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Allahu është Çmimvënësi, që i vendos çmimet, Ai që e ngushton dhe e lëshon rrizkun, Ai është Furnizuesi. Unë shpresoj që ta takoj Allahun dhe askush prej jush të mos më kërkojë shlyerjen e ndonjë padrejtësie në gjak apo pasuri.”
E përcjellin të pestë, përveç Nesaiut dhe Ibn Hibani e vlerëson të saktë.
Njohje me fjalët e hadithit:
- Thënia e Enesit r.a. “u ngritën çmimet” do të thotë, se çmimet e mallrave u ngritën më shumë se sa niveli i zakonshëm.
- Thënia “…prandaj vendos një çmim tavan për ne”- do të thotë që pushtetari të urdhërojë vendosjen e një çmimi të detyrueshëm në një masë të caktuar, të cilit t’i përmbahen tregtarët dhe të mos shesin, as më shumë, dhe as më pak se ai çmim.
- Thënia e Profetit a.s. “Allahu është Çmimvënësi”- do të thotë se Ai i ngre apo i ul çmimet sipas urtësisë së Tij.
- Thënia e Profetit a.s. “Ai që e ngushton”- do të thotë se Allahu është Ai që i pakëson rrizkun për ato krijesa që Ai dëshiron sipas urtësisë së Tij.
- Thënia e Profetit a.s. “dhe e lëshon rrizkun”- do të thotë se Allahu është Ai që e zgjeron rriskun dhe e shton atë për kë të dëshirojë sipas urtësisë së Tij.
- Thënia e Profetit a.s. “Ai është Furnizuesi” do të thotë se Allahu është Ai që i fal robërve të Tij rriskun e tyre.
Kuptimi i hadithit:
Në qytetin e të Dërguarit të Allahut a.s. në Medine u ngritën çmimet e mallrave ushqimore. Ndoshta arsyeja e kësaj ngritjeje kishte të bënte me thatësirën, shirat e pakët dhe ndërprerjen e rrugëve tregtare mes Medines dhe Shamit prej nga shkonin e vinin edhe mallrat ushqimore. Si pasojë, njerëzit shkuan tek i Dërguari i Allahut a.s. duke kërkuar prej tij, që të përcaktonte një vlerë për mallrat dhe t’i vendoste tregtarëve një çmim të caktuar dhe fitim të përcaktuar, pa patur të drejtë të shtonin mbi të asgjë.
Por i Dërguari i Allahut a.s. i ktheu gjërat në orgjinën e tyre, se Allahu a.xh. ishte Ai vepronte mbi çmimet, Ai që shton dhe pakëson rriskun mbi robërit e Tij sipas një urtësie. Si pasojë, ndërhyrja në rriskun dhe furnizimin e njerëzve dhe tregtinë e tyre është padrejtësi, prandaj unë shpresoj që Allahu të më nxjerrë prej kësaj dynjaje dhe askush prej jush të mos më kërkojë të shlyej ndonjë padrejtësi në gjak apo në pasuri.
Dispozitat e vendosjes së çmimeve tavan dhe kushtet e saj:
Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë thotë: “Vendosja e çmimeve tavan në disa raste është e ndaluar dhe në disa raste është e lejuar dhe e drejtë. Nëse vendosja e çmimeve tavan përmban padrejtësi për njerëzit dhe detyrim në mënyrë të padrejtë mbi shitjet e tyre në mënyrë të padëshirueshme nga ana e tyre, ose duke i privuar ata nga gjërat që iu janë lejuar, atëherë vendosja e çmimeve tavan nuk lejohet. Por nëse vendosja e çmimeve tavan përmban drejtësi për njerëzit, si p.sh: detyrimi i tyre për të këmbyer mallrat e tyre me një çmim që përkon me vlerën reale të tyre, apo ndalimi i tyre për të përfituar një çmim mbi vlerën reale të një malli, atëherë vendosja e çmimit tavan është e drejtë, madje është e obligueshme. Ekulibri përbashkues mes këtyre rasteve është, se nëse nëse interesi i njerëzve përmbushet vetëm nëpërmjet vendosjes së çmimeve tavan, atëherë çmimet tavan vendosen me drejtësi dhe nëse nevojat e njerëzve plotësohen pa patur nevojë për vendosjen e çmimeve tavan, atëherë ato nuk vendosen.
Pra mund të thuhet që vendosja e çmimeve tavan lejohet, por me dy kushte:
- Vendosja e çmimeve tavan të bëhet për ato nevoja që përfshijnë të gjithë njerëzit.
- Nëse shtrenjtimi i mallrave vjen si pasojë e ofertës së pakët ose kërkesës së madhe.
Nëse këto dy kushte janë të pranishme, atëherë është pjesë e drejtësisë dhe një mënyrë e përkujdesjes ndaj interesave publike, që të vendosen çmime tavan për mallra të tilla si mishi, buka, medikamentet etj.
Vendimi i Asamblesë së Fikhut të mbajtur në Kuvajt, në lidhje me përcaktimin e fitimeve të tregtarëve në vitin 1409 H:
- Njerëzit janë të lirë të shesin, të blejnë dhe të kryejnë veprime me pasurinë e tyre.
- Nuk ekziston asnjë kufi që përcakton një përqindje të caktuar fitimi me të cilin duhet të kufizohen tregtarët në shitblerjen e tyre. Përkundrazi, kjo i lihet rrethanave të përgjithshmne të tregtisë dhe gjendjes së tregtarit dhe mallit, duke iu përmbajtur butësisë dhe tolerancës.
- Pushteti dhe pushtetari ndërhyjnë duke vendosur një çmim tavan vetëm në rast se rezultojnë defekte të qarta në treg apo në çmime, të cilat vijnë si pasojë e disa rrethanave të krijuara në mënyrë artificiale. Në këtë moment autoritetit i lejohet të ndërhyjë për të trajtuar shkaqet dhe arsyet e këtij defekti, qoftë ky shtrenjtim, mashtrim etj.
Çfarë mund të përfitojmë prej këtij hadithi:
- Legjislacioni islam i jep një rëndësi të madhe çështjes së padrejtësisë në pasurinë e njerëzve dhe se rreziku i tij është tepër i madh Ditën e Gjykimit.
- Hadithi na tregon se Allahu a.xh. është absolut në pronësinë e gjithçkaje dhe se Ai vepron në mbretërinë e Tij sipas një urtësie të caktuar përsa i përket bollëkut, mirëqënies, ngushtimit të rriskut apo vështirësive në jetën e krijesave të Tij.
- Hadithi vërteton shpërblimin dhe ndëshkimin në botën tjetër.
- Hadithi është një argument se “Çmimvënës” është një nga emrat e Allahut të Lartësuar dhe se emrat e Tij nuk kufizohen vetëm tek 99 emra.
Hadithi i dytë
Buhariu dhe Muslimi shënojnë nga Ebu Hurejre r.a., se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Zvarritja prej atij që ka mundësi është padrejtësi, e nëse ndonjëri prej jush përcillet tek dikush tjetër që e ka mundësinë, le të shkojë.”
Referencat e hadithit:
Hadithin e ka shënuar Buhariu në kapitullin e Havales- “Përcjelljes së borxhit” fq. 542, vol. I, 2287.
Gjithashtu hadithin e ka shënuar Muslimi në kapitullin e Musakasë “Ortakëria në të ardhurat e tokës dhe pemëve”, tema e ndalimit të zvarritjes së borxhdhënësit dhe lejimit të përcjelljes së borxhit.
Kuptimi i hadihtit:
Thënia e Profetit a.s. “Zvarritja prej atij që ka mundësi është padrejtësi” do të thotë mos-shlyerja e detyrimit në kohën e shlyerjes së tij. Në këtë mënyrë zvarritja e shlyerjes së borxhit dhe kthimit të tij tek i zoti është padrejtësi dhe haram, sikurse nga ana tjerër, zvarritja e shlyerjes së borxhit nga dikush që nuk ka mundësi që ta shlyeje atë është e lejuar për shkak se vonesa e tij është e justifikuar, sipas asaj që kuptohet nga hadithi.
Të tjerë janë shprehur, se hadithi tregon për qëndrimin e mbajtur nga mez’hebi maliki, ai shafi dhe pjesa dërrmuese e dijetarëve, se borxhliu që gjendet në vështirësi nuk lejohet të mbahet i burgosur dhe as t’i kërkohet borxhi deri në momentin, që të ketë mundësi për ta shlyer atë.
Fjala e Profetit a.s.: “…e nëse ndonjëri prej jush përcillet tek dikush tjetër që e ka mundësinë, le të shkojë”,- do të thotë nëse borxhliu e përcjell të zotin e borxhit tek dikush tjetër që ka mundësi ta shlyej në vend të borxhliut, atëherë le të shkojë tek ai për të marrë borxhin e vet.
Çfaqë qëndrimi mbahet për dikë që e vonon qëllimisht shlyerjen e borxhit?
Dijetarët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme, në lidhje me faktin nëse ai që nuk e shlyen borxhin qëllimisht bën gjynah të madh apo jo?
- Pjesa dërrmuese e dijetarëve janë të mendimit se borxhliu që vonin qëllimisht shlyerjen e borxhit është fasik (i prishur), por a mund të konsiderohet i tillë nëse borxhi i kërkohet vetëm një herë?
Imam Neveviu thotë: “Medh’hebi i shafive e kushtëzon përsëritjen e kërkesës. Nëse borxhliu e zvarrit shlyerjen e borxhir për të disatën herë, atëherë vërtetohet fakti që ai është një njeri i prishur.”
Disa ndjekës të mez’hebit shafi nuk e kanë pranuar këtë mendim duke u argumentuar se privimi i tjetrit nga një e drejtë pasi ta ketë kërkuar atë dhe nxjerrja e justifikimeve në mënyrë artificiale është e njëjtë me përvetësimin e pronësisë së tjetrit me dhunë (kusari), vepër e cila është prej gjynaheve të mëdha. Gjithashtu përshkrimi i zvarritjes së shlyerjes së borxhit me emërtimin “padrejtësi” të jep të kuptosh, se ke të bësh me një gjynah të madh, dhe se nuk është kusht që kërkesa të përsëritet.
Por a konsiderohet ai që e zvarrit shlyerjen e borxhit si njeri i prishur përpara se i zoti i borxhit (borxhdhënësi) t’ia kërkoje shlyerjen e tij? D.m.th. përpara se të mbarojë afati i borxhit?
Hadithi të jep të kuptsoh se bëhet fjalë për zvarritjen e shlyerjes së borxhit pas kërkesës nga borxhdhënësi.
Çfarë mund të përfitojmë prej këtij hadithi:
- Hadithi kritikon zvarritjen e shlyerjes së borxhit e quan atë padrejtësi.
- Borxhliu i pamundur nuk përfshihet në këtë padrejtësi.
- Borxhliu në vështirësi nuk burgoset dhe nuk i kërkohet shlyerja e borxhit derisa t’i jepet mundësia për ta shlyer dhe kjo është një nga vlerat e larta të Islamit si fe tolerante.
- Hadithi është argument se borxhliut zvarritës mund t’i kërkohet shlyerja e borxhit vazhdimisht, se mund të detyrohet për ta bërë këtë dhe se duhet të vazhdohet përpjekja për marrjen e të drejtës me të gjitha rrugët, madje edhe me forcë.
- Hadithi orienton drejt braktisjes së atyre shkaqeve, që çojnë tek prishja e zemrave, sepse e kritikon zvarritjen e borxhit, i cili është një nga shkaktarët e prishjes së zemrave.
- Hadithi nxit për ndjekjen e etikës dhe sjelljes së mirë, kur e urdhëron borxhliun, që të shlyejë borxhin në mënyrën më të mirë dhe borxhmarrësin, që të ndjekë orientimet profetike.