Rrymat fetare në Shqipëri

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 9 minuta lexim

EB4096BF_FE3E_4A66_BC30_798E5B42059B_w640_r1_s_cx0_cy1_cw0_563607704Rrymat fetare në Shqipëri


Intervistë nga Ben Andoni për “www.setimes.com/”

Kjo intervistë është bërë në fund të Prillit të vitit të kaluar, nga gazetari i mësipërm, por deri më sot nuk është publikuar,  kështu që ne e po e publikojmë atë këtu.

Ben Andoni:

1-Si është me pak fjale historia e kristalizimit të dy rrymave fetare brenda muslimanëve shqiptarë (arabo-shqiptare)?

2-Si prezantohet ai në komunitetin e besimtarëve?

3-Cili është më afër dogmës dhe cili do reformën?

4-Si e përcjellin njerëzit e thjeshte këtë ndarje?

Justinian Topulli:

Në fillim mendova t’iu përgjigjem fare shkurt pyetjeve tuaja, sepse në fakt problemi në thelb është i thjeshtë, mirëpo mënyra sesi ishin ndërtuar pyetjet, në tërësinë e tyre të marra së bashku, tregon atë se përfytyrimi që vazhdon të ekzistojë, nga jashtë për komunitetin e muslimanëve nuk është i qartë, dhe pikërisht mbi këtë paqartësi është ndërtuar pasaktësish edhe ideja e ekzistencës së dy ‘rrymave’ fetare në këtë komunitet. Shpesh kjo paqartësi ‘fut në grackë’ padashur edhe anëtarë të këtij komuniteti duke iu dhënë përgjigje pyetjeve, që kanë ndërtuar që më parë, një skemë që nuk qëndron. Kështu që, jam i detyruar t’i zgjas disi shpjegimet, edhe pse ndoshta nuk do të jetë nevoja që ato të përfshihen të gjitha në artikullin që ju do të shkruani, por shpresoj pa e cunguar dhe tjetërsuar thelbin e tyre, siç ndodh ndonjëherë me shkrimet e gazetave, të cilat i shkëpusin nga konteksti fjalët duke i dhënë tjetër kuptim atyre.

Pyetjeve, duke qenë se përbëjnë një vijë mendimi, do tu përgjigjem në bllok, pa i ndarë ato në mënyrë specifike.

Pyetjet së pari janë ndërtuar mbi një përfytyrim të pasaktë, ato vendosin një ndarje me thikë brenda një komuniteti të vetëm. Ndërtimi i brendshëm i komunitetit të muslimanëve dhe bashkëveprimi mes anëtarëve të tij buron nga mënyra sesi kuptohet dhe interpretohet feja brenda mes vetë muslimanëve.

Së pari, nuk ekziston ndarje për sa i përket çështjes së doktrinës apo dogmës dhe së paku deri më sot në asnjë nga debatet e zhvilluara mes muslimanëve të Shqipërisë nuk është ngritur si tezë çështja e doktrinës. Dihet se komuniteti musliman i Shqipërisë i përket sunizmit (emërtim ky që tregon doktrinën), i cili përbën gati 90% të botës islame, dhe falë këtij fakti nuk ka ekzistuar ndonjë debat mbi doktrinën që të ndajë në dy rryma muslimanët e Shqipërisë, qofshin këta të rinj apo të vjetër, të shkolluar në vendet arabe apo në Turqi. Vetë mënyra sesi është interpretuar historikisht doktrina islame si dhe mungesa një hierarkie të centralizuar klerikale brenda sunijve ka krijuar një fleksibilitet të atillë që lejon dallime dytësore në interpretimin e doktrinës pa krijuar çarje mes tyre. Madje edhe këto dallime, në mesin e shqiptarëve nuk janë përhapur dhe as janë shfaqur, sa të formojnë rryma mes tyre, sepse niveli i këtyre dallimeve është tepër akademik, për tu kuptuar dhe zhvilluar nga njerëzit e thjeshtë, qofshin këta besimtarë të rinj në moshë apo të vjetër.

Së dyti, për sa i përket çështjeve juridike islame, që përfshin si çështjet e riteve dhe ato të marrëdhënieve ndërnjerzore, fleksibiliteti është akoma më i madh, për vetë faktin që mes sunijve janë kristalizuar dhe pranuar katër shkolla të interpretimit juridik.

Dikur për arsye historike të njohura, vende dhe popuj të caktuar ndiqnin një nga këto shkolla juridike, por ka pasur edhe vende ku besimtarët e atij vendi i përkisnin më shumë se një shkolle juridike islame. Në vendin tonë ka qenë e përhapur shkolla juridike islame sunite hanefite. Pas viteve të gjata të izolimit komunist ishte normale që edhe në Shqipëri muslimanët e këtij vendi të hapeshin dhe të binin në kontakt me shkollat e tjera juridike islame sunite, por edhe me lëvizje akademike juridike islame bashkëkohore që synojnë interpretime juridike islame sunite ndërshkollore, kjo jo vetëm për çështje të sotme që kanë të bëjnë me praktikimin e fesë, por edhe ato të trashëguara. Natyrisht është më së normale që të gjesh pikëpamje të ndryshme në këtë drejtim, dikush më strikt e dikush më tolerant. Dhe pikërisht për këto çështje, për shkak të izolimit të gjatë komunist, padijes, keqkuptimit dhe papjekurisë rinore ka pasur fërkime mes një pjese të të rinjve dhe një pjese të të vjetërve. Me kalimin e kohës këto fërkime janë minimizuar mjaft dhe këndvështrimet e ndryshme në lidhje më atë që përmenda janë kristalizuar duke formuar njëkohësisht edhe një tolerancë më të madhe mes besimtarëve. Ndërkohë pjesa më e madhe e njerëzve të thjeshtë besimtarë e ka përcjellë këtë ‘ndarje’ në mënyrë të qetë dhe gati indiferente.

Së treti, përplasjet publike që ka pasur mes besimtarëve dhe drejtuesve të KMSH, deri së paku para tre viteve, nuk kanë lidhje fare me atë çka përmenda më sipër. Ato kanë qenë të një natyre krejt tjetër dhe si në radhët e njërës palë dhe tjetrës janë përfshirë si të rinj të shkolluar në vendet arabe po edhe të vjetër. Përplasjet kanë qenë për çështje parimore, siç ka qenë çështja e shitjes së vakëfit pranë lapidarit të Azem Hajdarit, zgjedhjes së kryetarit të KMSH, mungesës së transparencës, përjashtimi dhe anashkalimi i besimtarëve intelektual dhe një pjese të mirë të kuadrove të përgatitur jashtë vendit, moszbatimi dhe manipulimi i statutit të KMSH, përzierja e politikës dhe e klaneve me interesa aspak fetare etj… që i përkasin kësaj natyre. Por ndërkohë është për të ardhur keq që për të mbrojtur pozitat e tyre dhe për tërhequr pas vetes opinion publik jashtë xhamisë dhe atë politik e ndërkombëtar, këta drejtues apo ish drejtues të KMSH kanë shfrytëzuar qëllimisht ose jo ‘imazhin e konfliktit mes dy rrymave’ të përhapur në mediat tona, për të mbuluar arsyen e vërtetë të këtyre përplasjeve. Fakt ky që është konstatuar dhe përmendur edhe në një nga kabllogramet e Ambasadës Amerikane të publikuara në WikiLeaks. Vetë qëndrimet antagoniste të këtyre drejtuesve në vite dhe muaj karshi po të njëjtëve njerëz, tregon se nuk bëhet fjalë –deri më sot të paktën- për përplasje ‘rrymash’ radikale dhe reformatore.

I gjithë vendi ynë dhe mbarë shqiptarët në të edhe për shkaqe globale po përjetojnë pas viteve të gjata të komunizmit një transformim si dhe një përballje në mes trashëgimisë subkoshiente të së kaluarës dhe ideve të reja të sotme që vijnë ngado, dhe e gjitha kjo nuk ka sesi të përjashtoj muslimanët e këtij vendi, që natyrisht janë pjesë e kësaj shoqërie dhe këtij transformimi.

Vërtetë ndoshta panorama që solla nuk duket edhe aq interesante për një artikull gazete, por në thelb ky është realiteti pjesë e të cilit ne jemi.

Me respekt

Justinian Topulli