Sekti Hurufi dhe ndikimi i tij

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 20 minuta lexim

Hoxhë. Bledar Haxhiu

Cilido që hedh vështrimin dhe lexon rreth historikut të sekteve dhe zhvillimit të tyre përgjatë historisë -qofshin ato sunite apo shiite-([1]) vë re se ato kanë filluar si ide periferike, më pas janë shndërruar në doktrina dhe rryma, dhe në përgjithësi marrin dhe japin me njëra-tjetrën, pra individë të ndikuar nga një apo disa rryma doktrinale të caktuara, i zhvillojnë këto ide me ide të reja të sjella prej tyre, duke dalë dhe formuar kështu një sekt apo tarikat të ri, i cili me kalimin e kohës merr ngjyrim të veçantë dhe formon disiplinat e tij të posaçme. Kështu është edhe me “Hurufizmin”, i cili në vetvete është një sekt i ngjizur në ambiente dhe terren ku dominonte shiizmi Pers, por që është i ndikuar edhe nga të tjera rryma sufiste dhe nga Ismailizmi.([2])

Shumë sekte sufish sunitë, por edhe shiite, në përgjithësi janë të ndërtuara mbi Ezoterizmin([3]) ku kuptimi i brendshëm, i padukshëm dhe i fshehtë i tekstit, merr vlerë të veçantë, pasi ai sipas tyre është ajka e dijeve, madje duke ushtruar këtë mënyrë dhe përqasje rreth teksteve, përdoruesit e tij pretendojnë se merren me palcën e gjësë dhe thelbin e saj, në dallim me dijetarët e sheriatit të cilët i përmbahen teksteve që sipas tyre -ezoteristëve-, merren me sipërfaqen dhe lëvoren, e cila është dija dhe njohuritë e masës!

Padyshim që ky botëkuptim i tyre hapi dyert e abuzimit dhe devijimeve, aq sa çoj shumë nga krerët e këtyre sekteve të sillnin ide, doktrina dhe dispozita të padëgjuara më parë, nga dijetarët Islam.

Hurufizmi si ide fillestare nuk gjendet në brezat e parë të muslimanëve, por ai si doktrinë u ndesh për herë të parë në shekullin e tetë të erës sonë nëpërmjet sektit Hatabije, i cili ishte një nga sektet ekstreme shiite i themeluar nga Ebul Hatab Esedi.([4])

Ndërsa si sekt me doktrinë të qartë dhe të njohur me emërtimin Hurufi, është themeluar nga Fadlullah Neimi Astarabadi([5]) në shekullin e katërmbëdhjetë sipas kalendarit gregorian, i cili pretendonte se rridhte nga familja e Profetit, pikërisht nga imami Musa Kadhim i cili ishte imami i shtatë i shiave.

Disa doktrina të sektit Hurufi:

  1. Sekti Hurufi ka si pjesë kryesore të doktrinës së tij shenjtërimin e shkronjave (prej dhe nga e ka marrë emrin), termave, numrave apo dhe fjalëve të caktuara, duke besuar se: Adhurimi kufizohet vetëm nëpërmjet shprehjes, pasi përmes saj njeriu mund të komunikojë me Zotin, mund të thuash se është e njëjtë me Kabalën hebraike([6]). Pra sipas tyre, njohja e fjalëve përfaqëson pamjen dhe imazhin e qenieve, dhe për këtë arsye fjala (apo termi) ka përparësi ndaj përmbajtjes. Hurufizmi i shpjegon termat dhe shprehjet përmes 28 shkronjave arabe dhe 32 shkronjave persiane, dhe lidhja midis dy gjuhëve arrihet nëpërmjet shkronjës (Lam Elif), e cila përmbledh shkronjat shtesë të persishtes, duke u nisur nga kjo persishtja u bë interpretuese e gjuhës arabe, dhe çështja bëhet më e veçantë pasi sipas tyre persishtja përfaqëson thellësitë interpretuese të Kuranit Fisnik dhe shprehjeve të tij. Për sa më lart, në sektin Hurufi profeti Musa alejhi selam ka një vlerë dhe pozitë të veçantë, pasi ai është kelimullah (profetit që Allahu i ka folur pa ndërmjetës), po ashtu dhe profeti Muhamed paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, rrjedhimisht ky besim zhvillohet duke e konsideruar më pas Aliun si zëdhënës i fjalës së Zotit.
  2. Një tjetër doktrinë e hurufizmit është besimi se Zoti përfaqësohet nëpërmjet njeriut, ku Ai shfaqet te njeriu veçanërisht në fytyrën e tij. Kështu sipas tyre Zoti është shfaqur në imazhe të njëpasnjëshme: fillimisht në imazhet e profetëve, më pas tek evlijatë. I Dërguari Muhamed paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ishte vula e profetëve dhe pas tij erdhën evlijatë (shenjtorët) nisur nga Ali bin Ebi Talibi e deri te Hasan El-Askeri, Imami i njëmbëdhjetë i shiave. Ata besonin se Fadlullah Astrabadi Neimi ishte veliu i fundit dhe se në të ishte mishëruar Zoti vetë -Zoti na ruajt nga këto herezi.([7]) Pra sipas Hurufive, meqenëse shfaqja e parë e Allahut ishte përmes “tingullit” ose të folurit, elementët e jashtëm të tingullit dhe kombinimet e tyre të ndryshme gjithashtu kanë një cilësi të shenjtë. Për shembull, hunda tek njeriu formon shkronjën “Elif”, sytë formojnë shkronjën “he”, dhe dy anët e hundës formojnë shkronjën “lam”. Kështu, sipas besimit Hurufi, Zoti ka gdhendur emrin e tij “Allah” në fytyrën e njeriut dhe shfaqet në të.
  1. Sipas Hurufive, të gjitha fjalët “Fadlullah” dhe “Fadl” në Kuranin Famëlartë janë shenja dhe sihariqe të cilat flasin për kreun e sektit të tyre Fadlullah Astrabadin Neimit, si mehdiu i pritur, e më pas si hyj.
  2. Ata që kanë njohuri për të fshehtat e shkronjave përbëjnë elitën e quajtur “Grupi i shpëtuar”, ndërsa ata që nuk mund të përfshihen në këtë kategori janë ata që konsiderohen si të pafat e të gjorë.

Nga thëniet e Fadlullah Neimit është dhe kjo:

Kur nuk më gjetët, ekzistenca ime nuk ishte gjë tjetër veçse shfaqje e Zotit

Unë po vdisja nga jeta që nuk ishte në shpirtin e Isait birit të Merjemes.([8])

Sekti Hurufi fillimisht u përhap në trevat e Persisë dhe më pas gjeti strehë edhe në Turqi, sidomos në zonën e Anadollit e cila ishte një zonë e njohur si djep i sekteve të ndryshme sufiste.

Kështu ndikimi i Hurufive në Anadoll filloi që nga epoka e Selxhukëve të Rumit dhe pak nga pak vazhdoi të shtrihej nëpër periudha të ndryshme të historisë së Perandorisë Osmane. Një grup autorësh turq theksojnë se: “Anadolli ka qenë gjithmonë i ndikuar nga mësimet e lëvizjeve fetare që erdhën në të nga Irani. Këta historianë konfirmojnë se ndikimi i Hurufive ishte i gjallë dhe ndikues në rendin sufist (tarikatet sufiste), veçanërisht në tarikatin bektashi që konsiderohej si më e rëndësishmja e asaj kohe, pasi mori mbështetje të pakufizuar nga sulltanët e Perandorisë Osmane, ku mendimi hurufi u kristalizua në idetë dhe praktikat e tij, duke marrë frymëzim nga kuptimet e veçanta dhe të fshehura të shkronjave. Hurufizmi u kristalizua ndër Bektashinjtë e përzier edhe me filozofinë e panteizmit, kështu Hurufitë gjetën një strehë të sigurt për veten e tyre në Anadoll dhe në rajonet e Rumelisë nëpërmjet depërtimit të tyre në nyjat e shoqërive turke, sidomos ato të sektit Kalenderi([9]) dhe Bektashi, duke u bërë ndër përfaqësuesit e saj më të shquar. Për shkak të rëndësisë së mendimit hurufi te bektashinjtë, shumica e lajmeve të tyre u shkruajtën në gjuhën turke, dhe ndër librat më të famshëm që përfshinin parimet e tyre ishin: “Muharrem Name” dhe “Hakikat Name”.([10])

Lidhja më e spikatur midis Hurufijve dhe sulltanëve në Perandorinë Osmane ishte gjatë sundimit të Mehmet Fatihut, siç theksohet në librin “Shekaik En Nu’manije” ku thuhet: “Disa nga ndjekësit e Fadlullah Tebrizit (Neimit), kreut të sektit të devijuar Hurufi, fituan simpatinë e sulltan Mehmet Fatihut dhe i shfaqën disa nga njohuritë e tyre të stolisura dhe të zbukuruara, saqë sulltan Mehmeti u ndikua disi prej tyre dhe e strehoi të parin e tyre së bashku me pasuesit e tij në Dar Seadeh. Ministri Mahmud Pasha ishte shumë i mërzitur nga kjo situatë -pasi e njihte realitetin e tyre-, por nuk ishte në gjendje të thoshte asgjë për ta nga frika e Sulltanit.

Kështu, Hurufitë depërtuan në pallatin e Fatih dhe ishin shumë pranë sulltanit, në mesin e tyre ishte dhe Uthman Baba Kalenderi, i cili kishte një lidhje shumë të fortë me njerëzit me ndikim në pallatin Fatih.([11]) Ky Uthmani ishte një nga prijësit e urdhrit Kalendari, dhe kjo na shpjegon lidhjen e fortë midis Kalandarive dhe Hurufive, kështu që disa historianë turq pohojnë se: “Përfundimisht nëse duam të kërkojmë rreth sektit Hurufi, ne duhet t’i kërkojmë ata nën petkun e Kalendarive dhe Bektashive, dhe jo me karakteristikat e Hurufive në shekullin e pesëmbëdhjetë e më tej.”

Por meqenëse besimet e Hurufive ishin në kundërshtim të qartë me themelet e fesë Islame dhe pasuesit e këtij sekti ishin persekutuar që nga koha e Sulltan Bajazitit I, duke i penguar ata të përhapnin gënjeshtrat, devijimet dhe trillimet e tyre, një numër shtetarësh të lartë dhe të pjekur ishin shumë të shqetësuar, në krye të tyre -sikurse pohuam-, ishin Veziri Mahmud Pasha dhe Sadrazemi (ministri i madh) Halil Pasha Xhandarli, të cilët nuk mundën që të flisnin nga frika e Sulltanit, kështu që Mahmud Pashai shkoi te myftiu i atëhershëm Fahrudin  Axhmi dhe u konsultua me të rreth kësaj çështje. Myftiu donte të dëgjonte diçka nga idetë e Harufive para se të merrte një vendim lidhur me ta, kështu që u fsheh në shtëpinë e Mahmud Pashës, i cili ftoi dervishin Hurufi dhe ndjekësit e tij në një darkë dhe u tregoi atyre se kishte pëlqyer doktrinën e tyre dhe donte të dinte më shumë për këtë sekt. Dervishi konsumoi me të një bisedë të gjatë duke qenë i sigurt, derisa filloi të shprehej se Zoti lejohet të shkrihet te gratë e bukura dhe se adhurimi i tyre është i detyrueshëm për njerëzit. ([12]) Në këtë moment myftiu Fahrudin doli i zemëruar dhe i irrituar, dhe filloi t’i mallkonte Harufitë. Më pas myftiu e kapi atë dhe e arrestoi në prani të Sulltanit, i cili heshti nga ndrojtja ndaj dijetarit të madh (myftiut). Myftiu Axhmi e çoi dervishin e Harufive në Xhaminë e Madhe, ku urdhëroi myezinët që të thërrisnin njerëzit dhe kur u mblodhën turmat e tyre, ai u ngjit në minber dhe foli për këtë sekt dhe devijimet e tyre, ku vendosi me dekret se pasuesit e këtij sekti ishin heretikë (qafirë) të pafe dhe se ata duhet të eliminoheshin.

Pasi myftiu i bëri të qarta devijimet dhe veprat e devijuara të sektit Hurufi, Sulltan Mehmeti e hoqi mbrojtjen e tij nga Harufitë, kështu që publiku i gjerë i ndoqi ata, i arrestuan dhe i morën duke i eliminuar shumicën e tyre.

Ata që mundën prej tyre të shpëtonin dhe të mbijetonin, iu bashkuan urdhrit Kalenderi, më pas u bashkuan me Bektashitë dhe lanë një ndikim të madh tek ata.([13])

Më poshtë janë disa tabela kaligrafike të përdorura nga sekti Hurufi

والله علي ابن أبي طالب الغالب رضي الله تعالى عنه وكرم الله وجهه Pasha Zotin, Ali bin Ebi Talibi është fitimtar, Zoti i Madhëruar qoftë i kënaqur me të dhe Zoti ia nderoftë fytyrën.

 

 

 

Ademi është tabloja e ekzistencës, shenja e Fadlullahit, e vërteta e fshehur nën fytyrë

____________________________

[1] Shia është një emërtim i cili në përgjithësi përfshin ata që besojnë në 12 imamët të cilët rrjedhin nga familja e Profetit salallahu alejhi ue selem, të caktuar sipas tyre me dekret nga vetë Profeti e ku imami i dymbëdhjetë është imagjinar, (i pa lindur ndonjëherë) dhe se është fshehur që prej mbi njëmijë e njëqind e disa vite, dhe se është ende gjallë e do të dali në kohën e fundit. Për më tepër rreth shiave shiko temën në linkun e mëposhtëm: https://lidhjaehoxhallareve.com/shiat-e-sotem-nuk-jane-shia/

[2] Ismailizmi është një degë e besimit shiit por që janë ndarë nga njëri-tjetri pas vdekjes së imamit të gjashtë Xhafer Sadik. Ismailitë e kanë marrë emrin e tyre pasi kanë pranuar Ismail bin Xhafer si pasardhës të të Xhafer Sadikut, ndërsa Ithnasheritë pranojnë Musa el-Kadhim, vëllain e vogël të Ismailit. Milel ue Nihel: (f. 191).

[3] Ezoterizmi është besimi se tekstet fetare kanë dy kuptime: një që është i dukshëm, të cilin njerëzit e kuptojnë përmes gjuhës dhe duke njohur metodat e të folurit, dhe i dyti është i fshehur, të cilin e kuptojnë vetëm ata që Zoti i ka zgjedhur për këtë njohuri, dhe ata arrijnë t’i kuptojnë këto kuptime që janë të fshehura nga masa e gjerë nëpërmjet inspirimit të drejtpërdrejtë që Zoti ua jep atyre. Ky term i referohet disa sekteve duke përfshirë ismailitët, karamitat etj., por në mënyrë specifike i atribuohet sektit Ismailit. Meusuatu Islamije Mujesera: (3/483); Meusuatu Arabijetu Mujesera

[4] Hatabije është një sekt ekstrem shiit i zhdukur që ishte themeluar nga Ebu Hatab Muhamed bin Abi Zejneb el-Esedi dhe thuhet ndër doktrinar e tyre ishte dhe besimi se: Bijtë e Hasanit dhe Husejnit që janë djemtë e Aliut, janë bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij. Madje pohohet se ai është shprehur se Xhafer Sadik është Zoti vetë, më pas këtë e pretendoi për veten e tij. Sekti Hatabije e konsiderojnë alkoolin dhe lidhjet jashtë kurore si të  lejuara, madje nuk falen as nuk agjërojnë. Firrak bejnel Firrak, El Bagdadij: (f. 247)

[5] Ai quhet Fadlullah bin Ebi Muhamed Abdurrahman Xhelalu Din Astarabadi (1340-1394), i lindur në Astrabad të Azerbajxhanit. Ai njihet edhe me nofkën Neimi, i cili guxoi ta shpallte veten si mëkëmbës të Zotit në tokë, duke e krahasuar veten me Ademin, Isain dhe Muhamedin, paqja e Zotit qoftë mbi ta. Ai u vra nga Miran Shah bin Temurlenk, pas një fetvaje që nxorën dijetarët e Tebrizit për herezinë e Neimit. Shiko: A’jan Shia, Muhsin Emin Amili: (7/329); Meshahir Shuara Shia, Abdulhusejn Shebsteri: (f. 464).

[6] Kabala është një grup besimesh dhe ushtrimesh ezoterike që i përkasin trashëgimisë hebraike të shpjegimieve të Biblës dhe vëzhgimeve fetare. Mbahet si autoritare dhe e besueshme nga shumica e hebrenjve ortodoksë dhe përdoret për të studiuar kuptimin e brendshëm të Toras.

[7] Shiko: Minah Rrabanije fi Deuletu el Uthmanije, Muhamed bin ebi Surur Sadijki: (f. 32-34).

[8] A’jan Shia: (7/329); Shuhada el Fadijle: (f. 79-80); Dheria, Aga Tahrani: (5/77).

[9] Sekti Kalenderi u shfaq në Iran në shekullin e 10-të si një lëvizje sufiste me origjinë nga Malamatijya e Horasanit dhe u themelua nga Cemaledin në fund të shekullit tq 10. Kalenderët ishin një komunitet që nuk i kushtonte rëndësi pronës dhe famës, ata jetonin të izoluar në një masë të konsiderueshme nga shoqëria, nga shenjat e tyre ishte se qethnin flokët, mjekrat mustaqet dhe vetullat. Ata ndërmorën një sërë kryengritjesh ndaj hilafetit, dhe në kohën e sulltan Sulejmanit u konsiderua si sekt i jashtëligjshëm dhe pronat e tyre u konfiskuan dhe i kaluan sektit bektashi.

[10] Shiko: Deuletu el Uthmanijetu Tarijh ue Hadara; Kamus el Islami, Atijetullah: (2/68); Mu’xhem Mustalahat ue Elkab Tarihije: (f. 143).

[11] Tarijh Edeb Turki, Hasen Muxhijb el Masri: (f. 52-53).

[12] Minah Rrabanije fi Deuletu el Uthmanije: (f. 32-34).

[13] Tehaulat Fikrije fi Alëm el Islami, Fethi Hasen Ukashe dhe të tjerë: (f. 381).

Etiketat