Më 27 Shtator, Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë pati nderin dhe kënaqësinë të organizojë, në ambientet e saj, një seminar me temë me rëndësi të veçantë: “Fikhu i Pakicave Islame”, i trajtuar nga ligjëruesi i njohur, Hoxhë Dr. Shefqet Krasniqi.
Ky seminar u vlerësua si një kontribut i çmuar në pasurimin e dijeve dhe në thellimin e kuptimit të çështjeve që lidhen me jetën fetare të myslimanëve në kontekste ku ata përbëjnë pakicë. Dr. Shefqet Krasniqi, me eksperiencën dhe kompetencën e tij, foli për disa tematika te dobishme per muslimanët në Perëndim, ku përmendi dhe disa sfida fetare dhe sociale që hasin myslimanët në shoqëritë bashkëkohore.
Në këtë veprimtari morën pjesë një numër i konsiderueshëm hoxhallarësh nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilët jo vetëm ndoqën me interes ligjëratën, por gjithashtu kontribuan me pyetje dhe diskutime konstruktive. Shkëmbimi i mendimeve dhe përvoja e përbashkët e bëri këtë seminar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit dhe unitetit të hoxhallarëve në vendin tonë.
Organizimi i këtij aktiviteti dëshmon edhe një herë përkushtimin e Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë në promovimin e dijes së shëndoshë islame, në adresimin e çështjeve bashkëkohore dhe në përgatitjen e një brezi të ri dijetarësh e udhëheqësish fetarë të denjë për
kohën.