Ulvi Fejzullahu
Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve. Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga të këqijat e vetes sonë dhe nga veprat e këqija tona. Kë e udhëzon Allahu, nuk ka kush ta humbë, dhe kë e humb Allahu, nuk ka kush ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një dhe i vetëm, pa ortak. Dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij.
Këshilla
O besimtarë! Ju këshilloj dhe veten time që të kemi frikë Allahun, të ruhemi nga mëkatet dhe t’i përmbahemi urdhrave të Tij, sepse të kesh frikë Allahun është shpëtimi në këtë botë dhe në botën tjetër.
Tema e hutbes
Sot, do të ndalemi tek një çështje shumë e rëndësishme në jetën tonë shoqërore dhe familjare: shikimi i të mirave dhe jo përqendrimi vetëm në të metat.
Muhamedi ﷺ ka thënë: “Mos ta urrejë besimtari besimtaren (gruan e tij). Nëse nuk i pëlqen një cilësi prej saj, ai do të jetë i kënaqur me një tjetër.”
Ky hadith na mëson të mos ngutemi në gjykim dhe të mos e bazojmë marrëdhënien tonë me të tjerët vetëm mbi të metat. Arsyeja pse dikush fillon të urrejë apo të zemërohet është diçka negative, por negativiteti është pjesë e çdo njeriu. Askush nuk është i përsosur dhe i lirë nga mangësitë.
Muhamedi ﷺ na orienton që të shohim anën tjetër, anën pozitive: “Nëse nuk i pëlqen një cilësi, do t’i pëlqejë një tjetër.” Kjo është një udhëzues për të gjithë: burrë me grua, grua me burrë, prind me fëmijë, mësues me nxënës, mik me mik, punëtor me përgjegjës, dhe çdo marrëdhënie tjetër shoqërore.
Said bin El-Musejib ka thënë: “Nuk ka njeri fisnik, as dijetar, as me pushtet, vetëm se ka një të metë, medoemos. Por disa njerëz nuk u përmenden të metat, sepse kur mirësitë e tyre janë më të shumta se mangësitë, mangësitë u falen për shkak të virtyteve.”
Pra, njeriu duhet të peshojë më shumë të mirat se sa mangësitë. Sepse kush harron mirësitë dhe kujton vetëm të metat, bie në padrejtësi dhe shkatërron marrëdhënie.
O besimtarë!
Le të përpiqemi të kultivojmë shikimin pozitiv në marrëdhënie. Le të kujtojmë mirësitë e bashkëshortit, bashkëshortes, prindit, fëmijës, mikut e vëllait. Le të mos biem në grackën e shejtanit i cili na bën të harrojmë dhjetëra të mira për shkak të një mangësie të vogël. Le të kujtojmë gjithmonë fjalët e Allahut: “Vërtet, Allahu është me ata që janë të devotshëm dhe me ata që bëjnë mirë.” (Nahl, 128)
Allahu na bëftë prej atyre që shohin të mirat, falin të metat dhe ndërtojnë mar rëdhënie mbi dashuri, respekt dhe drejtësi!