Falënderimi i takon Allahut, i Cili e ka bërë Kuranin dritë dhe udhëzim, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Pejgamberëve, Muhamed, familjen e tij të pastër, shokët e tij të sinqertë dhe të gjithë ata që ecin në gjurmët e tyre.
Vazhdojmë së bashku rrugëtimin tonë në këtë temë të re rreth trajtesës “Shoqëria në Fokusin e Kuranit”, duke u përpjekur të udhëhiqemi nga udhëzimi i Kuranit për të nxjerrë në pah, trajtesën që ai bën për ruajtjen e individit dhe përsosjen e shoqërisë.
Përmendëm në temën e shkuar se si Allahu na thërret në emër të besimit që të jemi të kujdesshëm e të mos japim gjykime dhe të mos nxjerrim vendime pa u konsultuar më parë me librin e Allahut dhe sunetin e Pejgamberit, dhe t’i frikësohemi Allahut sepse Ai shikon dhe dëgjon gjithçka.
“O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e ndier ju fare”.
Edhe në këtë ajet ashtu si më parë Allahu i lartësuar na drejtohet duke na thirrur në emër të besimit, na ngacmon ndjenjat dhe përgatit zemrat që të marrin iniciativën për t’iu përgjigjur me bindje, nënshtrim dhe pa hezitim, dyshim apo bezdisje urdhrit të Allahut.
“Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit”
Në këtë ajet Allahu i Madhëruar na edukon se si të sillemi me Profetin, duke na vënë në dukje se e drejta e Pejgamberit është menjëherë në radhë mbas të drejtës së Allahut, ndaj ai meriton respekt, nderim dhe vlerësim të lartë, kështu që nuk ngrihet zëri mbi zërin e tij kur ai është gjallë, nuk ngrihet zëri me potere në varrin e tij pasi ka vdekur, dhe nuk ngrihet zëri me kundërshti ndaj hadithit (fjalës) të tij.
Thirrja e Pejgamberit dhe të folurit me të, nuk duhet të jetë kurrë e njëjtë me atë të njerëzve të thjeshtë, dhe as sikur ne flasim me njëri-tjetrin, përkundrazi komunikimi me të duhet të jetë me respekt dhe madhërim.
Ky ajet zbriti pikërisht për pjesëtaret e fisit Temim të cilët vinin nga vise të largëta dhe nuk kishin kulturën e qytetit, ata kur arritën në Medine filluan ta thërrisnin profetin me zë të lartë ndërkohë që ai ishte brenda në shtëpi: O Muhamed dil, sepse lavdërimi ynë është i mirë, ndërsa sharja jonë është e vështirë. Me këtë sjellje të pa hijshme ata e munduan Pejgamberin, ndaj dhe Allahu u tërhoqi vërejtjen me këtë ajet.
Megjithatë ky ajet la gjurmë të mëdha në zemrat e besimtarëve dhe shokëve të tij që jetonin në Medine. Transmetohet se pasi zbriti ky ajet, sa herë që Omeri i fliste të Dërguarit të Allahut ﷺ, ai i kërkonte t’ia përsëriste për së dyti (për shkak të zërit të ulët me të cilin fliste Omeri). Buhariu
Ndërsa Ebu Bekri iu drejtua Pejgamberit duke i thënë: “Pasha Zotin o i Dërguar i Allahut, që sot e tutje nuk do të flas ndryshe vetëm se sikur personi që flet diçka sekrete në veshim e mikut të tij”. Hakimi
Ndërsa rasti më i habitshëm është ai i Thabit bin Kajsit i cili për shkak se e kishte dëgjimin të rëndë, e kishte zërin të lartë, dhe kur zbriti ky ajet, mendoi se kishte zbritur për të, ndaj u mbyll në shtëpi dhe filloi të fajësonte veten duke menduar se ai është shkatërruar dhe puna e tij ka shkuar dëm. Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se Pejgamberi ﷺ kishte vënë re se Thabit ibn Kajsi kishte ditë që mungonte. Dikush i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë do të të njoftoj për të.” Kështu, shkoi tek ai dhe e gjeti duke ndenjur kokulur në shtëpi, andaj e pyeti:
Çfarë ke?
– Vetëm të këqija, – iu përgjigj Thabiti dhe i tregoi se si ai e ngrinte zërin mbi atë të Pejgamberit ﷺ, gjë për të cilën thoshte se i janë shkatërruar veprat dhe, si rrjedhojë, është bërë banor i Zjarrit.
Lajmëtari shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tregoi çfarë i kishte thënë. Musa ibn Enesi thotë: “Pastaj, lajmëtari u kthye sërish te Thabiti me sihariq të madh dhe i tregoi se Pejgamberi ﷺ kishte thënë: “Shko tek ai dhe thuaji: “Ti nuk je banor i Zjarrit, por banor i Xhenetit.” Buhariu
Ja pra kështu ka qenë edukata e brezit të parë me të Dërguarin e Allahut, por vallë shoqëria e sotme Islame a është e tillë? Sa nevojë kemi ne si shoqëri që të stolisemi me këto virtyte, sa nevojë kemi që ta madhërojmë hadithin e Pejgamberit dhe të ulim zërat kur përmendet thënia dhe hadithet e tij.
Shokët e profetit të cilët u edukuan më virtytet e Kuranit, edhe pasi profeti kishte ndërruar jetë, sa herë që gjendeshin në xhaminë e Profetit dhe pranë varrit të tij, i ulnin zërat e nuk bënin potere. Një ditë në xhaminë e Pejgamberit pasi ai kishte ndërruar jetë vinë dy persona dhe po flisnin me zë të lartë, Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ishte halife dërgoi dikënd dhe i tha: “Shko dhe sillmi ata dy persona.” Kur i çoi te Omeri, i pyeti: “Cilët jeni ju?” – ose ka thënë: “Prej nga jeni?”
– Nga Taifi, – iu përgjigjën ata.
– Sikur të ishit vendas, do t’ju jepja një dajak të mirë. Po e ngrini zërin brenda Xhamisë së të Dërguarit të Allahut ﷺ! – i qortoi Omeri.” Buhariu
Ne si muslimanë jemi urdhëruar t’i ulim zërat edhe në jetën tonë të përditshme, sepse të folurit me zë të ulët është pjesë e etikës dhe moralit Islam. Profeti Muhamed nuk ishte i zhurmshëm kur fliste, ai fliste qetë e shkoqur, aq sa fjalët e tij i ngjanin margaritarëve.
Zëri i lartë, i zhurmshëm dhe me potere, është i kritikuar, ai është një virtyt të cilin duhet ta largojmë prej vetes. Allahu i madhëruar na sjell porosinë e Lukmanit që ia drejton të birit të tij kur i thotë: “Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”! [Lukman: 19]
“në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e ndier ju fare”.
Pra Allahu tërheq vërejtjen: o ju bashkësia islame që keni besuar, bëni kujdes dhe jini të vëmendshëm në mënyrë që të mos i çoni punët tuaja dëm, për shkak të mos respektit ndaj Pejgamberit të Allahut, pasi ajo vepër që çon në zemërimin e Pejgamberit, automatikisht shkakton edhe zemërimin e Allahut dhe shkatërrim të veprave.
Këtu dua të theksoj se orientimi për t’u pajisur me këtë edukatë ndaj Pejgamberit, nuk kufizohet vetëm në ngritjen e zërit shqisor në prani të Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), porse ajo përfshin edhe ngritjen e zërit të mendjes dhe ideve, mbi fjalën dhe vendimet e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, sidomos kur dihet se një nga metodat e ligjërimit Kuranor është paralajmërimi me diçka të vogël për më të madhen. Pra kur thjesht ngritja e zërit shqisor është e ndaluar dhe shkak për shkatërrimin e veprave, siç është shprehur qartazi në tekstin Kuranor, atëherë ç’mund të thuash për atë që kundërshton fjalën apo vendimin e tij?
Çështje tjetër për të cilën dua të ndalem këtu është dhe fakti se në mesin e shoqërive islame, herë pas here shfaqen fenomene të urryera, që janë në kundërshtim me bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij; ato herë dalin nga vetë muslimanët si shkak i injorancës dhe kuptimit të cekët apo të gabuar të fesë, dhe herë të tjera nga armiqtë e tyre dhe ata që duan me patjetër të hedhin dyshime në mesin e shoqërive islame dhe që shpesh në rrjetën e këtyre të fundit bien shpesh një numër muslimanësh të luhatur apo të jo mirë informuar për fenë e tyre.
Ka njerëz të cilët duan ta shkërmoqin dhe rrëzojnë bazën e orientimit të muslimanëve, e cila është Kurani dhe Suneti duke pretenduar se muslimanëve u mjafton vetëm Kurani, kështu që nuk duhet të shohin në hadithet dhe as që është nevoja t’i marrin për bazë ato!
Profeti Muhamed sikur flet për ta kur thotë në një hadith autentik: “Së shpejti do të vijë një kohë kur dikush do të jetë i ulur rehatshëm në kolltukun e tij, të cilit do t’i thuhet një hadith nga hadithet e mia ndërsa ai do të thotë: ‘Ndërmjet nesh dhe jush është Libri i Allahut; çfarë gjejmë në të që është hallall, e pranojmë si të lejuar, dhe çfarë gjejmë në të që është haram, e pranojmë si të ndaluar.’ Por dijeni se çfarë ndalon i Dërguari i Allahut është njësoj si ajo që ndalon Allahu.” Sahih Ibn Maxheh
Ndërkohë Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj”.
Në fakt kjo është një nga shenjat dhe argumentet e profetësisë, pasi i dërguari i Allahut i tërheq vërejtjen muslimanëve që të mos bien preh e tyre.
Pra Allahu thotë që besimtari nuk duhet të ngrejë zërin mbi Pejgamberin, ndërsa këta njerëz kanë guximin që të ngrenë veten e tyre mbi pozitën e profetit duke braktisur dhe mohuar hadithet e tij me pretekstet nga më të ndryshmet dhe më qesharaket. “Vërtet, ata që ulin zërin në prani të të Dërguarit të Allahut janë njerëzit, zemrat e të cilëve Allahu i ka kalitur për besim e përkushtim. Për ata ka falje dhe shpërblim të madh. Vërtet, ata që të thërrasin ty (o Muhamed) me zë të lartë nga jashtë dhomave të tua, shumica e tyre nuk marrin vesh. E sikur të duronin derisa ti të dilje jashtë tek ata, do të ishte më mirë për ata. Por Allahu është Falës dhe Mëshirues.” (El Huxhurat: 3-5)
