H. Bledar Haxhiu
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Pejgamberëve, Muhamed Mustafanë, familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnik që ndërtuan shoqërinë më shembullore që ka njohur njerëzimi dhe të gjithë ata që ecin në gjurmët e tyre.
Në këtë shkrim të dytë rreth temës “Shoqëria në Fokusin e Kuranit”, do të përpiqemi të trajtojmë dimensionet e shoqërisë islame, si dhe të përpiqemi të kurojmë disa nga problematikat e saj nëpërmjet fjalës së Allahut, Kuranit Famëlartë.
Do ta fillojmë këtë rrugëtim të aspekteve shoqërore pas hyrjes që bëmë në temën e parë, me një sure të veçantë (edhe pse i gjithë Kurani është i veçantë), të mbushur plotë dispozita dhe orientime; do të qëndrojmë pikërisht me suren Huxhurat. Kemi zgjedhur ta fillojmë rrugëtimin tonë për të kuruar problematikat e shoqërisë me këtë sure për disa arsye, ku ndër më kryesorët mund të përmendim:
1- Kjo është një sure e cila i ka zbritur Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) në Medine, pikërisht në vitin e nëntë të emigrimit, i cili quhet ndryshe dhe viti i delegacioneve, për shkak të delegacioneve të shumta që vinin të mësonin fenë Islame nga i Dërguari i Allahut. Pra kjo është një sure e cila i ka zbritur Profetit pak para se të largohej nga kjo botë, pikërisht kur pothuajse bazat e fesë ishin plotësuar dhe koncepti i shoqërisë Islame ishte i qartë.
2- Kushdo që mediton përmbajtjen e kësaj sureje do të zbulojë se ajo trajton shumë nga bazat dhe normat që rregullojnë funksionimin e shoqërisë islame në një mënyrë që i garanton asaj disiplinë dhe nënshtrim ndaj urdhrave të Zotit që zgjodhi këtë fe madhështore, si dhe zbulon se ajo e lartëson shoqërinë islame dhe individët e saj drejt vlerave morale të përsosura.
3- Kjo sure edhe pse është e shkurtër, trajton thuajse pjesën më të madhe të aspekteve që kanëtë bëjnë me marrëdhëniet shoqërore, duke sqaruar rregullat e marrëdhënieve të komunitetit musliman me burimin e legjislacionit, marrëdhëniet e muslimanëve me njëri-tjetrin, marrëdhëniet e tyre me shoqëritë e tjera, individët dhe grupet e ndryshme.
4- Në këtë sure Allahu i Madhëruar i drejtohet besimtarëve në veçanti, por edhe njerëzve në përgjithësi, si për të treguar se Kurani është burimi i vetëm ku duhet të kthehet njerëzimi mbarë, dhe se ai i drejton rreth mirësive dhe mirëqenies së kësaj bote dhe botës tjetër.
Në fakt, çdo përshkrim që mund t’i bëhet sureve dhe ajeteve të Kuranit është i pa mjaftueshëm për të nxjerrë në pah karakteristikat dhe urtësitë që ato mbajnë, por mund të themi me plot gojë se surja Huxhurat ndryshe mund të quhet edhe surja e moralit dhe bazave të etikës.
Allahu i Madhëruar e fillon këtë sure duke thënë: “O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kijeni frikë Allahun! Vërtet, Allahu dëgjon gjithçka dhe është i Gjithëdijshëm”.
O ju që keni besuar! Kjo është një thirrje që Allahu Bujar dhe i Mëshirshëm ia bën besimtarëve, pra mbarë shoqërisë Islame, një thirrje e cila vetëm në këtë sure përsëritet pesë herë. Në këtë thirrje ka zgjim për zemrat dhe nxitje drejt arsyetimit të mendjes dhe ndërgjegjes së pastër të çdo njeriu i cili është i interesuar se cili do të jetë përfundimi i tij dhe çdo shoqërie e cila kërkon të arrijë prosperitet dhe mirësi në këtë botë dhe botën tjetër.
Në përgjithësi këtë thirrje e gjejmë në suret e zbritura në Medine, të cilat janë shpallur pasi bashkësia dhe shoqëria islame e ka merituar këtë cilësi, pra kjo i drejtohet individit dhe bashkësisë të cilët i bashkon besimi dhe krenaria e të qenurit besimtar musliman.
Nga ana tjetër kjo është thirrja me vlerën më të lartë që e karakterizon njeriun, besimi në Zot, pasi besimi në Zot është dhurata më e çmuar që i është dhuruar, orientimi më me vlerë që ai ka zgjedhur, ndaj dhe kur besimtarët thirren me cilësinë e besimit, ata e rikujton këtë mirësi të Allahut, sepse është pikërisht Ai që ia hapi zemrat për t’i bërë prej muslimanëve. Pra Allahu u drejtohet muslimanëve që kanë besuar, të cilët janë krenarë me këtë përkatësi, dhe që pohojnë se i binden dhe nënshtrohen Allahut të cilët jetën dhe vdekjen e kanë vetëm për Të dhe në bindje të Tij.
O ju që keni besuar! Ibnu Mesudi -Allahu qoftë i kënaqur me të!- ka thënë: “Nëse dëgjoni në Kuran thirrjen “O ju që keni besuar!”, atëherë vërjani veshin, sepse pas kësaj thirrje ka ose mirësi me të cilat urdhërohesh t’i kryesh, ose sherr dhe diçka të keqe prej së cilës duhet të heqësh dorë dhe t’i japësh fund”.
“Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kijeni frikë Allahun!”
Prej cilësive më të larta të besimtarit është bindja ndaj Allahut dhe Pejgamberit të Tij, gjë e cila tregon devocion dhe nënshtrim, kështu që në këtë Ajet Allahu i madhëruar u tërheq vërejtjen besimtarëve që të mos nxitojnë për të marrë vendime apo vendime përpara se të vendosë Allahu apo i Dërguari i Tij, qoftë kjo për çështje që kanë të bëjnë me jetën e tyre personale, apo për çështjet që prekin dhe ndikojnë mbi mbarë shoqërinë ku ai gjendet.
Përmendja e Pejgamberit së bashku me Allahun është tregues se Profeti duhet të respektohet, dëgjohet dhe bindet, sepse ai është përcjellës i fesë së Allahut dhe dispozitave të Tij.
Pra ju jeni nën mbikëqyrjen e Zotit të Plotfuqishëm, i Cili ju shikon dhe dëgjon, dhe i Dërguari është në mesin tuaj duke përcjellë shpalljen dhe duke ju sqaruar fenë, prandaj ju duhet të vlerësoni pozicionet tuaja para librit të Zotit dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij si dhe të rritet tek ju ndjenja e madhështisë për Allahun, Krijuesin e Gjithëpushtetshëm dhe respekti për të Dërguarin e Tij fisnik.
Zbritja e këtij ajeti ka një historik dhe shkak, ku ndër të tjera thuhet se ai ka zbritur për dy njerëzit më të lartë në mesin e shoqërisë islame pas Pejgamberit, ai ka zbritur për Ebu Bekrin dhe Umerin.
Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), në vitin e dhjetë të emigrimit i erdhi një delegacion arab nga fisi beni Temim në mënyrë që të shpalosnin pranimin e Islamit dhe të dëgjonin e mësonin nga Profeti rreth shpalljes së Kuranit, fesë dhe dispozitave të saj.
Gjatë kësaj vizite të këtij delegacioni, te Profeti ishte prezent edhe Ebu Bekri me Umerin, të cilët gjendeshin gjithmonë pranë profetit. Ebu Bekri iu drejtua Pejgamberit dhe i tha: cakto si prijës të tyre, Ka’ëka bin Mabed, ndërsa Umeri tha: cakto Ekra bin Habis. Në këtë moment Ebu Bekri i drejtohet Umerit dhe i thotë: me këtë veprim kërkove thjesht të më kundërshtosh, dhe filluan të fjalosen duke ngritur zërat, për këtë shkak zbritën ajetet në mënyrë që kësaj sjellje t’i jepej fund dhe të ishte si tërheqje vërejtje për besimtarët që të mos nxitojnë për të dhënë vendime para Allahut dhe të dërguarit të Tij, por të dëgjojnë dhe ta pasojnë.
Padyshim, çdo individ dhe shoqëri që dëshiron suksesin, mirësinë dhe rrugëdaljen në këtë botë dhe botën tjetër, duhet me doemos t’i japë përparësi fjalës së Allahut dhe të dërguarit dhe vendimeve të tyre, pasi atje është shpëtimi, suksesi dhe siguria. Sepse Allahu i Lartësuar kur vendos diçka, vendos dhe ka dije të plotë dhe gjithëpërfshirëse për të, Ai ka urtësi dhe drejtësi absolute pse e zgjedh për ta obliguar një dispozitë të caktuar apo pse vendos të ndaloj një veprim a sjellje. Ai dhe vendimi i Tij është i drejtë për robërit, dhe nëse i përmbahesh asaj ke fituar në këtë botë, por ke fituar edhe në botën tjetër ditën kur të dalësh për të dhënë llogari përpara Allahut, -besim ky i cili është nga karakteristikat më të veçanta të besimtarët-.
“Elif, Lâm, Mîm. Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne; dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër. Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit”. [Bekare 1-5]
Disa këtë ngjarje dhe zbritjen e ajeteve apostafat për të dhe kurimin e saj, mund ta shohin si diçka jo edhe aq të rëndësishme. Ndërkohë gjejmë se në këto ajete ka kritikë dhe tërheqje të vërejtjes, për ata që shkelin rregullat dhe bazat e etiketës me Allahun e Plotfuqishëm dhe të Dërguarit të Tij (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), duke dhënë opinione dhe qëndrime përpara se çështja të shpjegohet nga ligjvënësit -Allahu dhe i Dërguari i Tij-.
Në fakt guximi për të dalë para Zotit të Plotfuqishëm dhe të Dërguarit të Tij (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), është absolutisht e papranueshme nga asnjë anëtar i shoqërisë Islame, motoja e së cilës duhet të jetë: Zoti është Ai që urdhëron, i Dërguari është përçuesi i fesë, ndërsa ne kemi për detyrë të dëgjojmë dhe të bindemi.
– Qortimi i dy prej shokëve më të mirë të profetit dhe dy personave të cilët janë përgëzuar me Xhenet, që në pamje të parë është në formën e sugjerimit dhe jo të një vendimi, është një dëshmi e cila tregon për ndjeshmërinë e kësaj çështje dhe rëndësinë që ajo ka. Kështu që nëse një shoqëri dëshiron të jetë e garantuar nga dështimi dhe shkatërrimi, atëherë duhet t’i japë përparësi fjalës së Allahut, vendimit të Tij dhe Pejgamberit që Ai ka dërguar!
“dhe kijeni frikë Allahun!”
Allahu i Madhëruar porosit që t’i frikësohemi Atij, sepse frika ndaj Allahut në këtë jetë është siguri dhe garanci për në jetën tjetër, ajo është si një sistem ruajtje dhe vetkontrolli në mënyrë që njeriu të mos shkelë kufijtë e Zotit dhe të mos cenojë të drejtat e njerëzve.
Frika ndaj Allahut është një porosi e kahershme e Allahut për të gjithë popujt, ata që i janë përmbajtur kësaj porosie kanë shpëtuar, ndërsa kushdo që është treguar kryeneç ndaj saj ka humbur dhe është shkatërruar “Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve: “Frikësojuni Allahut!” [En Nisa: 131]
Kijeni frikë Allahun se një ditë do të ktheheni tek Ai për t’i dhënë llogari, do të përgjigjeni për çdo vepër tuajën, do të përgjigjeni edhe për guximin e treguar duke folur dhe dhënë vendime para Allahut dhe të Dërguarit të Tij.
Kijeni frikë Allahun, sepse ajo me të cilën ju ka urdhëruar është jetë dhe shpëtim për ju, ndërsa ajo të cilën ua ka ndaluar është shkatërrim dhe katastrofë për ju. Kështu që frika ndaj Allahut, është që të vendosësh mes vetes dhe zemërimit të Zotit dhe dënimit të Tij mburojë, jo më kot këtë porosi në mënyrë të veçantë Allahu ja ka drejtuar dhe Pejgamberit të tij Muhamed Mustafasë alejhi selatu ue selam. “O ti i dërguar frikësoju Allahut”. [El Ahzab: 1]
“dhe kijeni frikë Allahun, se vërtet, Allahu dëgjon gjithçka dhe është i Gjithëdijshëm”.
Allahu i Lartësuar, pasi i drejtohet besimtarëve dhe shoqërisë Islame me termin e besimit, pra: O ju që keni besuar! U tërheq vërejtjen që të dalin me vendime para Allahut dhe Pejgamberit të Tij, si dhe i porosit që t’i frikësohen Atij, pasi Allahut të Madhëruar nuk i shpëton asgjë nga ajo që ju veproni, nuk i fshihet asgjë nga ajo që ju flisni dhe belbëzoni, madje Ai është në dijeni të çdo gjëje që ju mbani fshehur në gjokset tuaja dhe mendoni.
Me këto fjalë Allahu i Madhëruar forcon ndërgjegjen fetare tek besimtari dhe shoqëria: kjo thirrje e bën shoqërinë islame që ta ndërtojë sistemin e saj sipas metodës hyjnore dhe rregullave të saj, ta dojë Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe tu bindet atyre, sepse me anë të tyre mjedisi shoqëror arrin të pastrohet nga faktorët që çojnë në devijime dhe shkatërrim.
Kur të gjitha këto kuptime rrënjosen në një shoqëri, atëherë veprat e tyre do të jenë në përputhje me fjalët, e brendshmja e tyre do të jetë e njëjtë me atë që shfaqin, jeta e tyre do të ndërtohet në përputhje me fjalën e Allahut dhe të dërguarit dhe kështu do të realizohen tek ata kuptimet reale të: besuam, dëgjuam dhe u bindëm, ku ndër to bën pjesë dhe mos paraprirja me gjykim para se të vendosë Allahu dhe i dërguari i Tij.