“Shpjegim i përmbledhur i Kuranit” botimi i fundit i Lidhjes së Hoxhallarëve

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 8 minuta lexim

Pas një përpjekje nga një grup hoxhallarësh të LHSH-së më së fundi del nga shtypi një tefsir Kurani me të vërtetë i vlefshëm për të gjithë publikun shqiptar “Shpjegim i përmbledhur i Kuranit”. me të vërtetë që ky libër i komentit të Kuranit Famëlartë do t’iu shërbejë të gjithëve, por veçanërisht do të jetë një referencë e mirë për të gjithë hatibët e vaizët e xhamive në të gjithë vendin. Përkthimi i tekstit kuranor është rishikuar me kujdes nga hoxha Uthman Agolli, ndërsa me përkthimin e tefsirit të përmbledhur janë angazhuar një grup përkthyesish tashmë të mirënjohur për të gjithë publikun musliman për për punën e tyre cilësore në përkthim, hoxhallarët Myrteza Bode, Genc Plumbi, Kastriot Bardhi e Justinian Topulli. Me përgatitjen e botimit janë marrë hoxhë Mustafa Tërniqi e hoxhë Justinian Topulli, si dhe nën redaktimin gjuhësor të dr. Edvin Camit. Ky punim është kurorëzim i një puna disa vjeçare për të ardhur në këtë libër prej 606 faqesh, ku në mënyrë profesionale dhe me kujdesin më të madh që meriton Fjala e Allahut të Lartësuar hoxhallarët dhe publiku do të kenë mundësi të marrin bazat e Kuranit Famëlartë në shqip, të komentuar në mënyrë të përmbledhur. Një libër të cilin hoxhallarët tonë mund ta lexojnë së bashku me xhematin e tyre në xhami dhe të përfitojnë nga perlat kuranore në shqip, së bashku me komentin.

Parathënia e Botuesit

Kurani është fjala e padiskutueshme e Allahut, Zotit dhe Krijuesit të vetëm; ai është mesazhi hyjnor, përmbyllës i të gjitha misioneve profetike të mëparshme. Si i tillë, Kuranit iu dha garancia e shenjtë, si asnjë Libri tjetër të Zotit më parë, se do të mbetej mes njerëzve përjetë autentik, në tekstin e tij origjinal, me të cilin ai i zbriti Vulës së Profetëve, Muhamedit alejhi salatu ue selam. Këtë fakt nuk e dëshmon vetëm besimi i mbarë myslimanëve për gati pesëmbëdhjetë shekuj, por edhe praktika e papërsëritshme e ruajtjes së tekstit të tij. Myslimanët e kanë mësuar përmendësh Kuranin që nga koha e zbritjes së tij, e kanë kënduar, shkruar dhe përhapur atë në çdo cep të botës ku ata shkuan. Kujdesi i jashtëzakonshëm që ata i kanë kushtuar këtij Libri hyjnor, nuk lidhet thjesht me bukurinë e tij stilistike dhe mbarësinë e recitimit të tij, por mbi të gjitha, me përmbushjen e qëllimit për të cilin Allahu e zbriti nga dija e Tij e amshueshme. Padyshim që qëllimi i Kuranit është jetësimi i përmbajtjes së tij në jetën e njerëzve, i cili nuk mund të merret i plotë, nëse teksti do të humbiste autenticitetin e tij, siç ka ndodhur me shpalljet e mëhershme. Por krahas kësaj, njerëzit kanë nevojë të domosdoshme për një kuptim sa më të qartë, të thellë dhe origjinal të fjalëve të Krijuesit dhe qëllimit të Tij në to.

Pikërisht për këtë arsye madhore, Kurani fisnik është shpjeguar dhe komentuar fillimisht nga vetë Profeti alejhi salatu ue selam  dhe më pas, nga njerëzit e ditur që erdhën pas tij. Për të njëjtën arsye, përmbajtja e tij është përkthyer dhe komentuar edhe në gjuhë të tjera, që mesazhi i tij të kuptohet nga mbarë myslimanët, edhe kur ata nuk e njohin dhe kuptojnë gjuhën arabe, me të cilën i Gjithëmëshirshmi zgjodhi të sjellë Librin e Tij të Fundit për njerëzimin.

Libri që keni në dorë përmban përkthimin e tekstit kuranor, si dhe shpjegimine ajeteve të Kuranit duke i perifrazuar ato, që është edhe një nga mënyrat e komentimit të Kuranit. Kështu, për lexuesin ai është më i thjeshtë në të kuptuar, pa qenë nevoja të lexojë komente të zgjatuara. Natyrisht kjo mënyrë kurrsesi nuk shteron të gjitha kuptimet kuranore dhe nuk mjafton për të parë horizontin e gjerë kuptimor që ai përmban, me të gjitha elementet e detajet e tij. Por për një besimtar të thjeshtë dhe një njeri që kërkon të marrë thelbin e kuptimeve kuranore në mënyrë të përmbledhur, ky libër është një udhërrëfyes i dobishëm.

Libri është i përbërë nga teksti i Kuranit në arabisht, përkthimi i tij dhe nën të gjendet shpjegimi i tyre në trajtë të perifrazuar, pra tre tekste të ndara në të njëjtën faqe. Shpjegimi shoqërohet në hyrje me disa nga tematikat e sures, sqarimin se ku është zbritur kjo sure, në Meke ose në Medine, si dhe një përmbledhje e shkurtër e disa prej dobive, që përfitohen nga ajetet, në fund të çdo faqeje.

Ndërkohë, ajo që e dallon këtë libër, ndryshe nga tradita e paraqitjes së ajeteve në çdo paragraf më vete, është ndarja e ajeteve në grupe paragrafësh, sipas tematikave që ato trajtojnë, për ta bërë atë më të lehtë dhe më të qartë për t’u kuptuar. Për këtë ndarje i jemi referuar botimit të Kuranit në arabisht nga Daru el-Fexhr el-Islami, me qendër në Damask të Sirisë.

Teksti kuranor i përkthyer në shqip bazohet kryesisht në përkthimin e H. Sherif Ahmedit, i përpunuar me ndihmën e komenteve të ndryshme të Kuranit në gjuhën arabe etj. Përkthimi i shpjegimit të ajeteve i është referuar librit el-Mukhtesar fi Tefsiril Kuran el-Kerim, përgatitur dhe botuar nga “Qendra e Tefsirit për Studime Kuranore” me rezidencë në Rijad të Arabisë Saudite (www.tafsir.net)

Padyshim, si çdo vepër njerëzore, edhe kjo vepër ka mangësitë e saj, kështu që do t’i ishim mirënjohës çdo njeriu dashamirës, që në emër të saktësisë dhe kujdesit që kërkon mesazhi i Kuranit, të na dërgojë çdo vërejtje apo sugjerim në adresën e mëposhtme, me qëllim përmirësimin e tij në botimet e ardhshme. Synimi ynë final është arritja e kënaqësisë së Allahut.

lidhjahoxhallarëve@yahoo.com