Shtatë rrethana në të cilat engjëjt luten për ju

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim

Hoxhë: Bledar Haxhiu

 

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka Zot tjetër përveç Allahut, i Cili është Një i vetëm dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Nëse do të shfletojmë librat e hadithit, do të hasim në një numër të konsiderueshëm të haditheve ku Pejgamberi -paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të-, tregon se engjëjt i luten Allahut për besimtarët, më poshtë do të përmendim shtatë situata në të cilat engjëjt luten që Allahu t’i falë e mëshirojë besimtarët.

 

🔖 1- Kur faleni në safin e parë për namaz.

  • I Dërguari i Zotit (lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) , ka thënë: “Zoti i vlerëson dhe engjëjt e Tij luten për besimtarët -që falen- në safin e parë”. [Sahih El-Xhami: 1840]

 

🔖 2- Kur qëndron në xhami pas mbarimit të namazit.

  • Ebu Hurejre përcill se i Dërguari i Zotit (lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të), ka thënë: “Engjëjt luten për çdo njërin prej jush përderisa ai qëndron në vendin e tij të faljes, duke thënë: O Zot fale, O Zot ki mëshirë për të. Ata vazhdojnë kështu për aq kohë sa është me abdes.” [Sahih Muslim: 649].

 

🔖 3- Kur viziton të sëmurin.

  • Ali bin Ebi Talibi -Allahu qoftë i kënaqur me të-, transmeton se Pejgamberi (paqja e Allahut qofshin mbi të), ka thënë: “Nuk ka njeri që viziton një të sëmurë në mbrëmje e të mos e shoqërojnë Shtatëdhjetë mijë engjëj të cilët kërkojnë falje për të deri në mëngjes dhe ai do të ketë një kopsht në Xhenet, e kushdo që e viziton në mëngjes shtatëdhjetë mijë engjëj do ta shoqërojnë deri në mbrëmje duke kërkuar falje për të dhe ai do të ketë një kopsht në Xhenet.” [Sahih El-Xhami: 5717]

 

🔖 4- Kur lutesh për vëllanë tënd në fshehtësi.

  • Ebu Derda përcjell se Pejgamberit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ka thënë: “Lutja e muslimanit për vëllanë e tij në fshehtësi do të përgjigjet, në kryet e tij qëndron një engjëll, sa herë që ai lutet për të, engjëlli përgjegjës për të thotë: Amin, edhe juve ju dhuroftë e njëjta gjë. [Sahih Muslim: 2732].

 

🔖 5- Kur u mëson njerëzve mirësinë.

  • Ebu Umame transmeton se i Dërguari (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ka thënë: “Vërtet, Zoti dhe engjëjt e Tij, banorët e qiejve dhe të tokës, madje edhe milingona në strofën e saj, edhe peshqit në det luten për atë që u mëson njerëzve të mirën.” Tirmidhiu [Sahih El-Xhami:1838].

 

 🔖 6- Kur fle me abdes.

  • Ibën Omeri përcjell se i Dërguari i Zotit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ka thënë: “Kush e kalon natën në pastërti (me abdes), një engjëll do të qëndrojë në kokën e tij dhe kur ai të zgjohet engjëlli do të thotë: “O Zot, fale robin tënd filan, sepse ai e ka kaluar natën i pastër.” [Sahih Ibn Hiban: 1051].

 

🔖 7- Kur hani syfyr.

  • Ibn Omeri -Allahu qoftë i kënaqur me ta-, përcjell se i Dërguari i Zotit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ka thënë: “Vërtet, Zoti i Madhëruar i lavdëron dhe engjëjt e Tij luten për ata që hanë syfyr”. [Sahih Ibn Hiban: 3467, Silsileh Sahiha].
Etiketat