Më 17 shkurt 2026, me rastin e ardhjes së muajit të Ramazanit, Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë organizoi simpoziumin me titull “Ramazani i Ndryshimit”.
Simpoziumi u hap me leximin e disa ajeteve kuranore. Në këtë aktivitet mori pjesë Kryetari i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë, Hoxhë Dr. Klodian Mulita, i cili mbajti fjalën përshëndetëse. Në fjalën e tij, ai u përqendrua në urimin e ardhjes së këtij muaji të bekuar, si dhe në disa këshilla të vyera për besimtarët.
Më pas, fjalën e mori drejtori i Komisionit të Fetvave pranë Lidhjes së Hoxhallarëve, Hoxhë Mustafa Terniqi, i cili mbajti një kumtesë me titull: “Si të ndryshojmë në Ramazan”, duke theksuar se besimtari duhet ta marrë muajin e Ramazanit si pikë referimi për të realizuar ndryshimin e tij në aspektin e besimit, moralit dhe jetës shoqërore.
Në vijim, fjalën e mori Kryetari i Bashkësisë Islame të Mitrovicës, Hoxhë Ekrem Avdiu, i cili trajtoi temën me titull: “Ramazani – mundësi e kthimit në ekuilibër”.
Ky simpozium përkoi me datën e Pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast, Hoxhë Ekrem Avdiu i dhuroi Kryetarit të Lidhjes, si dhe disa hoxhallarëve e aktivistëve, një fanellë me emblemën e UÇK-së me mbishkrimin “Liria ka emër”. Ky gjest simbolik u prit me duartrokitje nga të pranishmit.
Simpoziumi u përmbyll me mesazhet e tij drejtuar hoxhallarëve dhe besimtarëve nga Myftiu i Tiranës, Hoxhë Bilal Teqja, i cili, ndër të tjera, vuri theksin te frytet e bashkëpunimit dhe koordinimit në davet.
Atmosfera e këtij simpoziumi ishte tejet e këndshme dhe pjesëmarrësit, të cilët e kishin tejmbushur sallën, u larguan me mbresa të mira nga ky aktivitet.
E lusim Allahun që kjo të ketë qenë një përpjekje e begatë.
Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!

