Sinqeritet…

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 11 minuta lexim
nga hoxha Dorian Balliu
Ky qe një vit plot sprova dhe sfida. Ashtu si viti i kaluar, i cili me dy tërmetet njëri më i frikshëm se tjetri, vuri në dukje dobësinë tonë dhe nevojën për mbrojtjen e Zotit, edhe ky vit me pandeminë që e shoqëron na kujton pafuqinë dhe dorëzimin para planeve të Zotit.
Kjo qe xhumaja e fundit për këtë vit, dhe siç dihet shoqëria jonë ka filluar përgatitjet për festat e fundvitit, ndërsa besimtarët muslimanë që janë pjesë e kësaj shoqërie me të drejtë pyesin: ç’duhet të veprojmë gjatë festave dhe si të sillemi me shoqërinë?
Një pjesë ndjen brengën e diferencimit nga shoqëria në rast se nuk përfshihet në festë. Një pjesë frikësohet se ndjehet ndryshe nga të tjerët nëse hiqet indiferent. Ekziston edhe një tezë e guximshme që shprehet se ne nuk duhet të dukemi ndryshe nga të tjerët.
Por në fakt ne jemi ndryshe, madje të ndryshëm duhet të jemi, sepse të jemi njëlloj është utopi, të paktën për sa kohë që me vullnet të lirë ndajmë bindje të ndryshme, “Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time.” (Surja Pabesimtarët:6), përndryshe ose do të na duhet të pranojmë hipokrizinë, ose dhunimin e lirive. Për çdo rast asnjëra nga dy inercitë e shfaqura nuk është e dobishme për shoqërinë tonë. Njëra palë do të jetojë me iluzionin e një triumfi të patestuar, ndërsa pala tjetër do të jetë e kënaqur me triumfin në iluzione.
Zhvillimin e një debati të ndershëm e garanton vetëm një shoqëri e zhvilluar që transhendon, e cila nuk frikësohet ta përballë të vërtetën e saj me të vërtetat e tjera, gjë e cila me sa duket është e pamundur për shoqërinë tonë, të paktën për momentin. Sepse nga njëra anë ata që transhendojnë nuk janë të sinqertë, ndërsa nga ana tjetër ata që nuk transhendojnë nuk janë të gatshëm të përballen në rastin më të mirë, dhe atolerantë në rastin më të keq.
Festat në konceptin islam janë manifestim i begative të Zotit, shprehje e gëzimit dhe haresë. Në përmbushje të detyrave të njeriut ndaj Zotit, Zoti përmbush begatitë e Tij ndaj njeriut. Pra festa në konceptin islam manifeston përkujtimin e Zotit, falenderimin dhe lavdet për përmbushjen e begative.
Ato janë ceremoni që përmbajnë urtësi dhe domethënie, të mbushura me mesazhe kuptimplota. “Dhe madhërojeni Allahun në ditët e caktuara.”(Surja El-Bekare:203)
Abdulla Ibn Umer thotë: “Ato janë tri ditët e festës së Kurban Bajramit. Për këtë gjë profeti Muhamed -Paqja e Zotit qoftë për të- thotë: “Ditët e festës së Kurban Bajramit janë ditë ngrënie, pirje dhe madhërimi të Zotit.”
Islami synon t’i përgjigjet nevojave të njeriut: fizike dhe shpirtërore. Të ndërtojë një raport të shkëlqyer mes trupit dhe shpirtit, njeriut dhe njeriut, njeriut dhe Zotit, dhe jetës së kësaj bote dhe Botës Tjetër. Kurani në mënyrë të qartë e porosit çdo njeri: “Përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë.” (Surja El-Kasas:77)
Vetë fakti që islami lejon manifestimin e festave fetare, heqjen dorë nga preokupimet e përditshme, është shprehje e qartë e universalizmit të tij.
Festat që promovon Islami kanë kuptim, kanë domethënie, ato vijnë pas përmbushjes së obligimeve ndaj Zotit. Në këtë kuptim vetë festa është adhurim, pra konsiderohet një mundësi afrimi me Zotin, tek shijon begatitë e Tij pasi përmbush detyrimet ndaj Tij. Pra edhe gëzimi dhe hareja janë shenjë e falenderimit ndaj Zotit, edhe ato shndërrohen në adhurim.
Në përfundim të agjërimit, që është një ndër shtyllat më të rëndësishme të Islamit, besimtarët gëzohen, festojnë dhe madhërojnë Allahun: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta
falënderoni Atë.” (Surja El-Bekare: 185)
Edhe haxhinjtë në përfundim të Haxhit festojnë dhe gëzohen.
Festat e caktuara nga Zoti kanë si synim futjen e haresë dhe gëzimit mes besimtarëve, madhërimin dhe lavdërimin e Zotit për plotësimin e begative, shfaqjen e solidaritetit shoqëror në ndihmë të atyre që kanë nevojë. “Bëjini ata të mos e ndiejnë skamjen këtë ditë”, thotë profeti Muhamed -Paqja e Zotit qoftë për të-.
Besimtari jeton me një qëllim të lartë, dhe e gjithë veprimtaria e tij vërtitet rreth këtij qëllimi, kënaqja e Zotit. Madje edhe festat plotësojnë këtë kriter themelor, sepse besimtari feston dhe gëzon në kënaqësi të Zotit.
Një festë që ngrihet për të madhëruar Zotin nuk mund të jetë njëlloj me një festë që bën ta harrosh Atë. Një festë që shërben si frymëzim për përmirësimin e marrëdhënieve të njeriut me Zotin, njeriut me njeriun dhe njeriut me veten, nuk mund të jetë njëlloj me një festë që shërben për t’i përkeqësuar këto dimensione. Një festë që është manifestim i unitetit të krijuesit, s’mund të jetë njëlloj me një festë që manifeston paganizëm. Një festë që zgjon tek njeriu ndjenjën për Zotin nuk mund të jetë e njëjtë me një festë që e shuan këtë ndjenjë.
Profeti Muhamed -Paqja e Zotit qoftë për të- kur u vendos në Medine vuri re se medinasit festonin dy herë në vit, gjë që i tërhoqi vëmendjen, dhe tek pyet shokët e tij për to, ata u përgjigjen se këto janë dy festa që banorët e medines i festojnë prej shumë kohësh. Profeti Muhamed -Paqja e Zotit qoftë për të- tha: “Allahu do t’jua zëvëndësojë me dy festa më të mira; Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami.”
Namazi i dy bajrameve demonstron qartë shenjën e gëzimit dhe haresë. Aty ngrihet lart zëri i besimtarëve që pohon të vërtetën universale “Allahu është më i madhi”, në shenjë falenderimi për begatitë e dhuruara në përmbushje të obligimeve fetare.
Aty manifestohet uniteti i umetit, si dhe adhurimi i Allahut në mënyrën më të përsosur.
Madhërimi i Allahut gjatë festimit është refreni që simbolizon njëshmërinë e Tij, se Ai është Një i vetëm pa ortak.
Edhe gjatë aktit të kurbanit, që flijohet veç në emër të Allahut ngrihet lart emri i Tij. “Falu vetëm për Zotin tënd dhe ther kurban.” (Surja El-Keuther:2), sepse “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin veç përkushtimi juaj.” (Surja El-Haxh:37)
Kjo mund të konsiderohet festë e vërtetë, sepse është plot kuptim, sepse bashkon një umet i cili manifeston unitetin e Zotit edhe tek feston. “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i apri që i nënshtrohem Atij.” (Surja El-Enam:162-163).
Islami i fton besimtarët që festat të jenë një rast i volitshëm për përmirësimin e marrëdhënieve me të afërmit, familjarët, miqtë dhe shokët, duke lënë mënjanë armiqësitë, ndasitë dhe urrejtjen. Festa në konceptin Islam është arsye për manifestimin e virtyteve të larta. Besimtarët shndërrohen në thirrje të gjallë të kësaj feje dhe në fanar udhëzimi për të paudhëzuarit.
Islami i fton besimtarët të jenë të sinqertë me shoqërinë dhe ta ndajnë me ta të vërtetën (të paktën sipas tyre). Festat e fundvitit janë mendjelehtësi dhe shpikje pa kuptim. Ato në vend se ta nxitin njeriun të reflektojë e përhumbin atë. Në vend se ta orientojnë drejt të vërtetës, e largojnë edhe më shumë prej saj.
Fundviti duhet të shërbejë si një mundësi për të bërë bilancet dhe jo për t’u dëfryer. Duhet të shërbejë si reflektim, nëse marrëdhëniet me Zotin i kemi përmirësuar apo përkeqësuar. Duhet të shërbejë si një mundësi për vetëllogari. Kalifi i muslimanëve, Umer Ibn Hatab thotë: “Kërkoni llogari prej vetes para se t’ju kërkohet llogari! Peshojini veprat tuaja para se t’ju peshohen!”.
Fundviti duhet të shërbejë për të reflektuar pikërisht mbi këto të vërteta, por edhe për një arsye tjetër, sepse në fund të vitit çdonjëri prej nesh është edhe një vit më larg kësaj bote dhe më pranë Botës Tjetër.