Dashamirësia dhe organizimi duhet të jenë në bazë të thirrjes sonë në jetën e përditshme ishin temat e bisedave të mbajtura nga folësit në takimin special me hoxhën e mirënjohur tashmë Museleme Mazllami. Ato duhet të jenë themeli i një lëvizje mbarëkombëtare, ku duhet të përfshihemi të gjithë ne si një grup i madh interesi. Një atmosferë vllazërore e përshkoi të tërë takimin e mbajtur midis hoxhallarëve dhe aktivistave muslimanë të fushës së davetit, ku u diskutua gjerësisht mbi sfidat e përditshme me të cilat hasin muslimanët. Në këtë takim pas përshëndetjes për të ftuarit nga kryetari i LHSH-së hoxhë Sokol Kondakçiu theksoi, se organizimi dhe synimet e qarta janë një domosdoshmëri në aktivitetin e një muslimani.
Më pas hoxha dr. Durim Aliaj mbajti një bisedë të shkurtër mbi mënyrat e organizimit dhe realitetin e sotëm, ku theksoi se kemi nevojë për më shumë përpjekje për t’u bërë xhemat dhe se në aktivizmin tonë kemi nevojë për më shumë dashamirësi dhe lënien mënjanë të interesave të kësaj bote. Më pas takimi vazhdoi në formën e një bashkëbisedimi midis pedagogut Admirim Banaj, hoxhë Museleme Mazllamit dhe hoxhë Gëzim Abdishahut. Hoxhë Museleme Mazllami gjatë këshillës së tij gjithashtu theksoi domosdoshmërinë e sinqeritetit në punët tonë dhe se sot daveti ka nevojë për shumë punë dhe përpjekje të vazhdueshme.
Ky takim u iniciua nga Hoxhë Museleme Mazllami dhe u organizua nga Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë, ku morën pjesë hoxhallarë e aktivista nga Tirana, Durrësi, Lushnja, Fieri, Berati, Shkodra, Prizreni etj.