Sqarime në lidhje me agjërimin e ditëve të Dhul Hixhes

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 8 minuta lexim
img_1320337849_579
Agjërimi i ditës së Arafatit në ditën e xhuma.
 
Komisioni i Përhershëm i Fetvasë
Mbretëria e Arabisë Saudite
Fetvaja nr 6655 v.10 fq. 396
 
Pyetje: Është ndezur debati mes nxënësve të dijes rreth agjërimit në ditën e xhuma kur përkon me ditën e Arafatit. A lejohet agjërimi në ditën e xhuma vecmas apo duhet patjetër të shoqërohet me një ditë para ose një ditë pas, duke ditur se për agjërimin e ditës së xhuma duke  e vecuar nga ditët e tjera ka ndalesë. Shpresojmë nga shkëlqesia juaj të na e largoni këtë paqartësi dhe të na sqaroni gjykimin e saktë të fesë rreth kësaj cështjeje. Allahu ju shpërbleftë me të mira.
Përgjigje: Është e lejuar të agjërohet dita e Arafatit edhe nëse përkon me ditën e xhuma, pasi Profeti (alejhissalatu uesselam) ka nxitur për agjërimin e kësaj dite dhe ka treguar për vlerën dhe shpërblimin e madh në të. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Agjërimi në ditën e Arafatit shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe atij që do të vijë, kurse agjërimi në ditën e Ashurasë shlyen mëkatet e vitit të kaluar.” Transmetuan Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Davudi. Ndërkohë hadithi: “Mos të agjërojë askush prej jush në ditën e xhuma, përvec nëse e shoqëron me një ditë para ose një ditë pas.” që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi është i përgjithshëm dhe hadithi që flet për agjërimin e ditës së Arafatit është specifik. Pra ndalesa e agjërimit të ditës së xhuma ka për qëllim vecimin e asaj dite nga ditët e tjera. Kurse agjërimi në ditën e xhuma jo për shkak të xhumasë por për një shkak tjetër që e ka përcaktuar sheriati islam dhe e ka bërë të pëlqyeshme, atëherë nuk është aspak e ndaluar, por dicka  miratuar edhe nëse nuk e shoqëron agjërimin e ditës së xhuma me ndonjë ditë tjetër. Mirëpo nëse arrin ta shoqërosh agjërimin e ditës së xhuma me ndonjë ditë tjetër është edhe më mirë, jo vetëm për të qenë më shumë i sigurtë rreth kësaj cështjeje duke i bashkuar në praktikë të dyja hadithet, por edhe për të përfituar shpërblim më të madh.
 
Agjërimi i ditës së Arafatit në ditën e shtunë.
Komisioni i Përhershëm i Fetvasë
Mbretëria e Arabisë Saudite
Fetvaja nr 11747 v.10 fq. 396
 
Pyetje: Njerëzit ndajnë mendime të ndryshme rreth agjërimit të ditës së Arafatit kur qëllon të jetë ditë shtune. Disa thonë se ne jemi duke agjëruar ditën e Arafatit dhe jo ditën e shtunë në të cilën ka ardhur ndalesë. Ndërsa të tjerë mendojnë se është e ndaluar të agjërohet ditën e shtunë pasi për këtë ditë ka ndalesë profetike sepse ajo është dita që e madhërojnë hebrenjtë. Kësisoj unë jam në dilemë rreth agjërimit në ditën e shtunë kur përkon me ditën e Arafatit. Kam kërkuar në libra të ndryshëm fetarë rreth kësaj cështjeje, por nuk kam gjetur dicka të qartë dhe të prerë. Shpresoj nga hirësia juaj të na e tregoni gjykimin e vërtetë të kësaj cështjeje. Allahu ju shpërbleftë me të mira në këtë botë dhe në botën tjetër për kontributin që jepni në përcimin e dijes së dobishme.
Përgjigje: Është mëse e lejuar të agjërohet dita e Arafatit e pavarur nga ditët e tjera edhe nëse përkon me ditën e shtunë apo me cdo lloj dite tjetër, sepse agjërimi i ditës së Arafatit është sunet (traditë profetike) më vete, kurse hadithi që e ndalon agjërimin në ditën e shtunë është hadith i dobët si pasojë e crregullimeve në transmetimin e tij si dhe kundërshton hadithe të tjera të sakta.
 
Bashkimi i nijeteve në adhurime
Komisioni i Përhershëm i Fetvasë
Mbretëria e Arabisë Saudite
Fetvaja nr 13019 v.10 fq. 397
 
Pyetje: A lejohet që dikush të bashkojë nijetet Brenda një pune? Përshembull, ka një ditë borxh nga muaji Ramazan dhe përpara ka ditën e Arafatit, a lejohet të agjërojë atë ditë duke pasur për qëllim shlyerjen e ditës kaza të Ramazanit dhe ditën e Arafatit njëkohësisht? Gjithashtu a lejohet të bashkojë mes umres dhe haxhit në kohën kur është duke kryer ritet e haxhit?
Përgjigje: Nuk ka asnjë problem nëse në ditën e Arafatit agjëron një ditë kaza të Ramazanit, mirëpo nuk merr shpërblimin e agjërimit të ditës së Arafatit pasi nuk ka ndonjë argument që na tregon se lejohet të bashkohet nijeti në këtë rast.  Ndërsa për sa i përket futjes se umres brenda haxhit në kohën e haxhit ka argument të posacëm për këtë nga vetë Profeti (alejhissalatu uessem) ku thotë: “Umra është e futur brenda haxhit deri në ditën e gjykimit.”  Transmetoi Muslimi.
 
Agjërimi i 10 ditëve të muajit Dhul-Hixhe
Komisioni i Përhershëm i Fetvasë
Mbretëria e Arabisë Saudite
Fetvaja nr 7233 v.10 fq. 399
 
Pyetje: A ka ndonjë argument që Profeti (alejhissalatu uesselam) I ka agjëruar 10 ditët e para të muajit Dhul-Hixhe?
Përgjigje: Sipas dijes që kemi nuk dimë të ketë asnjë argument që tregon se Profeti (alejhissalatu uesselam) e ka agjëruar të gjithë 10 ditëshin e parë, të muajit Dhul-Hixhe, pra bëhet fjalë për 9 ditët e para të muajit para ditës së Bajramit. Sidoqoftë Profeti (alejhissalatu uesselam) ka nxitur për vepra të mira gjatë këtyre ditëve dhe thotë:  “Ditët në të cilat puna e mirë është më e dashur tek Allahu janë 10 ditët e Dhul-hixhes.” Të pranishmit e pyetën: “Puna në këto ditë është më e mirë se sa vetë Xhihadi në rrugë të Allahut?” Profeti (alejhi salatu ue selam)u përgjigj: “Po! Vetëm nëse njeriu del me veten dhe pasurinë e tij në rrugë të Allahut dhe nuk kthehet më.” Transmetoi Buhariu