Strehimi te Allahu nga katër fatkeqësi

Lidhja e Hoxhallarëve
3 minuta lexim

H. Ulvi Fejzullahu

I Dërguari i Allahut (ﷺ) kërkonte mbrojtje te Allahu nga çdo fatkeqësi që prek fenë dhe dynjanë (jetën e kësaj bote), dhe i nxiste shokët e tij të bënin po ashtu.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kërkoni Allahut mbrojtje nga:
(1)- belaja,
(2)- nga gjërat që çojnë në përfundim të keq,
(3)- nga caktimi që dëmton dhe
(4)- nga gëzimi i armikut (me fatkeqësinë tuaj).” Muhamedi ﷺ nuk i ka kërkuar gjërat pa qëllim, por na ka mësuar të mendojmë thellë dhe të mbrohemi nga burimet më të mëdha të vuajtjeve
Ky hadith përmbledh katër nga frikërat më të mëdha të njeriut që ka zemër dhe mendim të shëndoshë:
1.  sprovat e rënda: D.m.th. vuajtje të padurueshme që lodhin trupin dhe shpirtin — si sëmundje të rënda, varfëri ekstreme apo humbje e njerëzve të dashur.
2.  rënia në mjerim: Mjerimi i përhershëm, largimi nga rruga e drejtë dhe fundi i keq në këtë dhe botën tjetër.
3.  caktimi i keq: Allahu na ka mësuar të kërkojmë strehë prej gjërave që, edhe pse të caktuara prej Tij, për shkak të mëkateve tona mund të na sillen si sprova të rënda. Kërkojmë prej Tij që çdo vendim i Tij për ne të jetë mëshirë.
4. “ gëzimi i armiqve për dështimin tonë: Asgjë nuk dhemb më shumë sesa kur dikush i keqdashur përfiton kënaqësi nga rrëzimi, poshtërimi ose humbja jonë.

Lidhja me realitetin e umetit sot
Umeti islam shpesh përballet me sprova të mëdha, me mjerim dhe me keqardhjen e armiqve tanë për çdo dobësi tonën.
— Rëndësia e kthimit te Allahu me lutje të sinqertë;
Ne nuk mund t’i shmangim vetë këto fatkeqësi, por me mbështetje dhe strehim te Allahu, ato zbuten ose largohen plotësisht.
— Shembull nga jeta e Profetit ﷺ
Ai ﷺ ishte më i forti në besim dhe përsëri lutej çdo ditë me këtë lutje.
Përmbyllje!
Kërko mbrojtje prej Allahut me këtë lutje të Profetit ﷺ, sepse zemrat ndryshojnë, rrethanat përmbysen, dhe askush s’është i sigurt për veten pa ndihmën e Allahut.
Përmende shpesh këtë lutje në sabah dhe aksham, me zemër të përulur: “O Allah, unë kërkoj mbrojtje tek Ti nga sprovat e rënda, nga rënia në mjerim, nga caktimi i keq dhe nga gëzimi i armiqve për fatkeqësinë time”.