Takim vllazëror me hoxhallarët e rinj

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 2 minuta lexim

 

Lidhja e Hoxhallarëve e Shqipërisë organizoi një takim me studentë të degëve të ndryshme fetare që studiojnë në vendet arabe dhe në Turqi. Në këtë takim me studentët ju foli për sfidat, që i presin në të ardhmen hoxhë Justinian Topulli, i cili ju tha se: “Realiteti i vendeve arabe është një realitet krejtësisht tjetër nga ai që po përjetojmë ne këtu”. Ai ju dha disa këshilla rreth fushave të studimit, se ku duhet të përqendrohen studentët, të cilat do t’ju shërbejnë më pas pasi të kthehen nga studimet në Shqipëri.

Pastaj studentët i përshëndeti hoxhë Sokol Kondakçiu, kryetar i LHSH, që i ftoi studentët të bëhen pjesë aktive e davetit me projektet e tyre, të cilat duhet t’i përgatisin përpara se të kthehen në vendet e tyre të origjinës, duke u përgatitur kështu paraprakisht për sfidat që na presin të gjithë neve këtu në Shqipëri. Ai ju tha atyre, se i kanë dyert të hapura të LHSH-së, ku do të gjejnë përkrahjen dhe konsulencën e nevojshme në të gjitha drejtimet.

Më pas hoxhë Irfan Tota e mori fjalën dhe theksoi, se kemi nevojë të gjithë të punojmë së bashku në fushën e davetit për të pasur sukses, si dhe duhet që të punojmë me sinqeritetin maksimal. Me këtë rast u promovua edhe botimi i fundit i LHSH i tefsirit “Shpjegim i përmbledhur i Kuranit”, i cili tashmë ka tërhequr vëmendjen e të gjithë hoxhallarëve. Të gjithë studentave në fund të veprimtarisë ju dhurua një set botimesh të LHSH, ku libri më i vyer siç u shprehën shumë prej tyre ishte pikërisht tefsiri i përmbledhur i Kuranit.