Tarikati Bektashi

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 48 minuta lexim

Hoxhë. Dr. Bledar Haxhiu

Kuptimi i termit Tarikat:

Një: Kuptimi etimologjik i termit Tarikat:

Tarikat është një shprehje arabe Et-Tarika (الطريقة), e cila ka kuptimin: rruga që përshkon dikush,([1]) më pas ajo përdorej për sjelljen e dikujt, qoftë ajo e mirë apo e keqe; e dukshme apo kuptimore.

Tarika më pas u përdor dhe si shprehje e jetëshkrimit të dikujt, apo metodës së jetesës, apo mënyrës se si e adhuronte Zotin.([2])

 

Dy: Kuptimi terminologjik i termit Tarikat:

Fillimisht termi Tarikat, u njoh në mesin e Sufive si: Mënyrë e veçantë e udhëtarëve drejt Allahut, duke përshkuar vendqëndrimet dhe duke u ngritur nëpër pozita.([3])

Porse pas evolimit që bënë tarikatet përgjatë shekujve, termi tarikat filloi të njihej si: metedologjia e çdo dervishi, qofshin këto në aktet, organizimet apo bashkësitë sufiste, në të cilat bënin pjesë: besnikëria, dhikri (lutjet e ndryshme), mevludet, veshjet e veçanta, teqet dhe tyrbet në të cilat ata mblidheshin.([4])

Ebul Uefa Taftazani([5]) ka thënë: “Shpehja “Tarikat”, ke sufitë e vonshëm, mori kuptimin: një grup njerëzish, të cilët janë lidhur pas një Shehu të caktuar, të cilët i nënshtrohen një sistemi të caktuar në sjelljen shpirtërore, dhe që e organizojnë jetën në grupe, nëpër teqe, zavijete dhe tyrbe; ose që mblidhen në grumbullime të organizuara, në festa të caktuara, në të cilat lexojnë dhe bëjnë dhikër”.([6])

Ndërsa autori i librit “Studime rreth Sufizmit” thotë: “Tarikati Sufi sipas këndvështrimit të vetë sufive është: që një grup njerëzish (muridësh) ([7]) të zgjedhin një sheh (dervish), i cili do ti udhëheqë në veprime –rrugë- të veçantë me pretendimin se do tu pastrojë zemrën, në mënyrë që të arrunë në njohjen e Allahut”.([8])

Ja vlen të përmendim këtu se tarikatet Sufiste nuk janë shfaqur në realitetin e tyre veçse në shekullin e njëmbëdhjetë, dhe se ata që kanë shkruajtur rreth sufizmit para kësaj kohe, nuk i kanë përmendur tarikatet.

Rreth përkufizimit të tarikatit po ashtu kanë thënë: “Tarikati është disiplin sjelljesh, ajo është një organizëm e cila ka si qëllim arritjen në kulmin e fesë, me anë të respektit që tregohet ndaj bazave të fesë”.([9])

Ndërsa autori i librit “Sheriati dhe Hakikati” ka një mendim të ndryshëm nga ata të mëparshmit për Tarikatin, ku thotë: “Në realitet Tarikati nuk është vetëm se emërtimi i dytë i Ihsanit([10]), dhe ai quhet ndryshe si Sufizëm; pra të gjitha këto janë shprehje rreth një qëllimi të vetëm”.([11])

Ky lloj përkufizimi e bën Tarikatin dhe Ihsanin si dy sinonime të cilat bartin të njëjtin kuptim.

Megjithatë ai i cili mediton me kujdes në këto përkufizime dhe njeh historikun e sufizmit, e kupton se kjo shprehje ka pësuar evolim; ajo në fillim tregonte për rrugën që ndiqte muridi për të arritur ke Allahu, ose ajo që quhej si sufizmi individual, ndërsa më vonë ajo kishte për qëllim grupimet sufiste të cilat kishin një kod apo sheh të caktuar.

 

Përkufizimi i termit Sufizëm

E prara: Kuptimi etimologjik i termit Sufizëm:

Autori i librit “Misbahul Munir”, është i mendimit se: termi “Sufijetu”, është një fjalë e lindur për të cilën nuk dëshmon asnjë ngjashmëri, apo prejardhje e gjuhës arabe([12]), kështuqë shprehja “Teseuf”, është një shprehje e re e cila nuk është njohur në kohën e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), dhe shokëve të tij. ([13])

Nëse e kupton këtë, atëhere bëhet e qartë shumllojshmëria dhe mos konsensusi në prejardhjen etimologjike të termit Teseuf.

Përkufizimet kryesore të termit Teseuf:

Tesouf rrjedh nga fjala Sufe (الصُّفَّة)([14]). Sufitë shkuan në këtë përfundim për arsye të cilësive të përafërta që ka mes dy grupeve, si dhe në mënyrë që të gjenin mbështetje fetare për veprimet e tyre([15]); porse kjo ngjashmëri në aspektin leksikor nuk qëndron. Këtë e pohon Kushejri([16]) dhe Shejh Islam bin Tejmije([17]), ata pohojnë se nëse do të ishte si pretendojnë Sufitë, shprehja duhet të ishte Sufiji (صُفِّيِّ), po ashtu banorët e Sufes, nuk jetonin të veçuar nga njerëzit për shkak të asketizmit, dhikrit dhe riteve sufiste; përkundrazi ata qëndronin me Profetin (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe përziheshin me njerëzit, ndërsa në këtë gjendje i kish çuar, pamundësia dhe varfëria.([18])

Teseuf rrjedh nga fjala Saf (الصف), rreshti i parë në namaz, ose rreshti i parë përpara Allahut, duke rritur ambicien dhe këmbënguljen për të arritur ke Ai.([19]) Porse kjo ngjashmëri nuk qëndron në gjuhën arabe, sepse pot ë ishte ashtu do të thuhej Safij.([20])

Tesauf rrjedh nga emri i një burri, apo fisi të vjetër arab i cili quhej “Sufetu”, këta jetonin pranë Mekes dhe njiheshin si adhurues. Porse Shejhul Islam e refuzon një pretendim të tillë, sepse ky fis nuk kanë qënë të njohur, dhe se shumica e atyre që kanë shkruajtur rreth termit Sufi, nuk e njihnin këtë fis dhe nuk kanë patur dëshirë që ti atribohen një fisi të kohës para Islame, i cili nuk gjendej më në Islam.([21])

Sufi e ka prejardhjen nga fjala “Sofia” e cila është me prejardhje Greke dhe mban kuptimin: mençuri. Këtë ide e ka përkrahur Ebu Rejhan Bejruni([22]) i cili ka thënë: “Ky është mendimi i Sofistëve, dhe ata janë mjeshtërit e urtësisë, sepse Sofia në Greqisht ka kuptimin mençuri. Në kohët kur një grup i muslimanëvefilluan tu përngjanin atyre u quajtën si ata.([23]) të këtij mendimi janë edhe disa studiues orientalistë.([24])

Ata që kanë shprehur këtë mendim, kanë parë besimet e sufive filozof, dhe vunë re se disa prej tyre janë marrë nga fozofia Greke, gjë e cila shfaqet dukshën në besimin që ata kanë rreth Zotit.

Sufitë e kanë marrë këtë emër për faktin se vishnin rroba leshi (الصوف), dhe këtë mendim e ka përkrahur një numër i madh dijetarësh dhe studiesish, madje dhe disa nga vetë dijetarët sufi si: Ebi Talib Meki([25]), Ebi Nasër Serraxh([26]), Sehreverdi([27]); po ashtu kjo është përzgjedhja dhe e disa dijetarëve të Ehli Sunetit([28]), si: Shejhul Islam Ibën Tejmije, dhe Ibën Halduni([29]) në parathënien e tij.([30])

Ata të cilët mbështetën mendimin se emërtimi i tyre vjen nga Sufi (leshi), e bazuan një gjë të tillë me gjendjen e tyre, Shejhul Islam Ibën Tejmije thotë: “Emri i tyre e ka prejardhjen nga Sufi (leshi), sepse ajo ishte veshja që ata mbanin”.([31])

Sufitë e morën këtë emër për faktin se ata i bërën rrobat e leshit si rrobat e tyre, edhe pse leshin e përdornin edhe të tjerët; porse ata e morën leshin si rrobë asketizmi dhe adhurimi, prandaj dhe ata morën këtë emërtim.([32])

 

Kuptimi terminologjik i termit Teseuf

Nuk është dhe aq e lehtë të gjesh një përkufizim që të mund të jetë unifikues dhe të mos ketë vërejte, apo që të jetë gjithpërfshirës rreth Tesaufit. E gjitha kjo kthehet në atë se, vetë udhëheqësit sufi, kanë shprehur përkufizime të ndryshme rreth tij, madje aq të shumta janë përkufizimet e tyre, saqë një ndër burimet më të hershme sufiste -“Lumau” e Ebu Nasër Serraxh- shprehet se përkufiximet e vetë sufive për Tesaufin, shkojnë mbi njëqind përkufizime.([33])

Ndërsa Sehraverdi ka thënë: “Thëniet e dijetarëve (shujuhëve) sufi, rreth përkufizimit të Tesaufit, shkojnë mbi njëmijë!”([34])

Pra në këtë mori kaq të madhe përkufizimesh, është e vështirë të gjesh diçka gjithpërfshirëse, megjithëse ne do të përmendim disa nga këto përkufizime:

Fejruz Kerhi([35]) ka thënë: “Tesaufi është të kapurit pas fakteve (të vërtetave) dhe mos mbajtja shpresë ke ajo që gjendet në duart e njerëzve”.([36])

Kur e pyetën Xhunejdin([37]) rreth Teseufit, ai tha: “Të jesh me Allahun, pa asnjë lidhje!”([38])

Nnjëherë e kanë pyetur Semnunin([39]) rreth Tesaufit dhe ai ka thënë: “Të mos posedosh asgjë, dhe të të mos posedojë asgjë”.([40])

Ndërsa Haxhi Bektash Veliun kur e kanë pyetur për Tesaufin, ka thënë: “Tesaufi është të hedhësh tej atë që ken ë kokë, të braktisësh atë që ken ë dorë, dhe të sillesh si dikush i cili ka rënë në pus”.([41])

Cilido që do t’i shohë me kujdes këto përkufizime, mundet që të nxjerrë si përfundim se: Tesaufi ndryshon –në domethënien e tij-, nga një sufi tek tjetri, nga një kohë në tjetrën, dhe kjo për faktin se sufitë i shohin gjërat në bazë të ndjenjave (vexhd) dhe shijeve (dheuk), ndaj dhe ço kush i ka dhënë sufizmit përkufizin në bazë të gjendjes që e përshkonte atë.

 

Dispozita e veshjes së rrobës së leshit dhe marja e tij si simbolikë

Origjina në lidhje me veshjet në legjislacionin Islam është lejueshmëria, ajo është e njëjtë me dispozitat e ushqimeve, banesave dhe mjeteve të transportit.([42])Allahu i Madhëruar thotë: “Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë. Pastaj, i është drejtuar qiellit dhe e ka rregulluar, duke e bërë atë shtatë qiej. Ai është i Dijshëm për çdo gjë”. El Bekare: 39.([43])

Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” Thuaj: “Ato janë për besimtarë (dhe të tjerët) në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të jenë vetëm për besimtarët. Kështu ua shpjegojmë shpalljet njerëzve që dine”. El A’raf: 32.

Por nëse një grup njerëzish e bën një veshje të caktuar si symbol dhe shenjë, sikur bëjnë sufitë të cilët vishnin rrobat e leshta, në këtë rast a ndryshon gjykimi?

Shejhul Islam ibën Tejmije ka thënë: “Sa i përket veshjeve prej leshi, është e vërtetë se Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka veshur xhybe leshi gjatë udhëtimit, prandaj dhe Euzai([44]) ka thënë: “Veshja e xhybes së leshit gjatë udhëtimit është vepër e Profetit, ndërsa veshja e saj jo në udhëtim, është bidat (risi)…dhe kjo d.m.th, se cilido që e vesh rrobën e leshit si formë adhurimi dhe afrimi ke Allahu, ka bërë bidat”.([45])

Ibën Xheuzi([46]) ka thënë: “Ka disa prej sufive që veshin rroba leshi duke u argumentuar se këtë e ka bërë dhe Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe se ka hadithe për vlerën e veshjes së tij. Duhet thënë se Profeti i vishte rrobat e leshit me raste, nga ana tjetër rrobat e leshit, nuk ishin rroba fame tek arabët, ndërsa hadithet e përmendura rreth tij, janë të gjitha të trilluara”.([47])

Po ashtu duhet thënë se veshja e leshit, ka qënë veshje e murgjërve, ndërkohë që murgjëria nuk është prej Islamit, madje shumë prej brezave të parë e urrenin veshjen e leshit. Hamad bin ebi Sulejman([48]) kur pa një burrë që kishte veshur rroba leshi i tha: “Jepi fund këtij lloj krishterizmi”.([49]) Po ashtu Ebu Alije([50]) kur oa një person të veshur me rroba leshi i tha: “Këto janë rroba murgjërish”.([51])

Ndërsa Sufjan Theuri, kur pa dikënd të veshur me rroba leshi i tha: “Rrobat e tua janë një risi (bidat)”. ([52])

Pra këtu bëhet fjalë oër ata që e vishnin leshin si shenjë e asketizmit, apo si symbol i braktisjes së kësaj bote, apo si formë adhurimi dhe arritje në kënaqësinë e Allahut, gjë të cilën nuk e ka bërë Profeti dhe as shokët e tij.

 

Tema e parë

Kuptimi i termit Bektashi

  Kuptimi etimologjik i termit Bektashizëm:

Termi Bektashi, është me prejardhje nga fjala “Bektas”, origjina e së cilës është nga turqishtja dhe që vjen me kuptimet: Princ, apo kryeplak.([53])

Po ashtu ajo sipav vetë bektashive vjen dhe me kuptimin “i hipuri mbi gurë”, duke ia dedikur këtë një prej mrekullive([54]) të Haxhi Bektash Veliut, për të cilin pretendohet se ai një herë kishte hipur mbi gurë dhe shëtiste me të.([55])

Ndërsa në një pohim tjetër thuhet se “bektashi” e ka kuptimin: “thyerës i gurëve”, dhe kjo për faktin se Haxhi Bektash Veliu, sa herë që shkelte mbi gurë i thyente ata!([56])

Porse ka dhe nga ata studiues të cilët pohojnë se Bektashi, është fjalë me prejardhje perse, e cila vjen me kuptimet: shok, mik, i ngjashëm, i njëjtë.([57])

Në fakt, në bazë të kerkimeve modeste që kam bërë rreth kësaj, më rezulton se fjala “Bektash”, në Iran përdoret nga turkmenët dhe vjen me kuptimin: i nderuar, pra në këtë kontekst rezulton që të mos jetë me prejardhje iraniane, porse me prejardhje turke dhe që ka kuptimin: “I Nderuar”.

 

Kuptimi terminologjik i Bektashizmit

E para: Duhet të pohojmë se në përgjithësi, dijetarët dhe historianët, qofshin bektashinj apo jo, janë të mendimit se Tarikati Bektashian, është themeluar dhe përhapur në Anadoll dhe themeluesi i saj ka qënë Muhamed i biri i Ibrahimit i Biri Musait nga Horasani([58]), i njohur si: Hynqar([59]) Haxhi([60]) Bektash Veliu, i cili ka lindur më 1210 (606 h)([61]) dhe sipas disa pretendimeve ka qënë bashkëkohor i sultan Orhanit([62]).

Ahmed Siri babai([63]) thotë: “Tarikati Alevi Bektashi e ka prejardhjen nga zotëria jonë, mullai ynë, sulltani i evlihajve, provë e kthjelltësisë, imami i zotëruesve të së vërtetës, shembulli i shkëlqyer i udhëheqësve të tarikatit, boshti kryesor, shpëtimtari i nderuar

skeleti ndriçues dhe sekreti i të Plotëfuqishmit, zotëria Mohammed, Hunqar Haxhi Bektash Veliu (Zoti i shenjtëroftë sekretin e tij të lartë e të qartë!)”.([64])

Çdo kush që shikon këtë përkufizim, i bie në sy qartazi teprimi ndaj figurës së Haxhi Bektash Veliun, duke e ngritur dhe madhëruar përtej kufijve të lejuarës, gjë kjo që bie në kundërshtim të plotë me udhëzimin e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), i cili ka ndaluar teprimin në çdo lloj forme, sikurse përcillet në librin e saktë të imam Buharit: “Mos më lavdëroni ashtu si lavdëruan të krishterët Isain birin e Merjemes, sepse unë nuk jam tjetër veçse një rob, prandaj thoni: robi i Allahut dhe i dërguari i Tij”.([65]) Pra mos më lavdëroni përtej kufijve, sikur vepruan të krishterët, të cilët e madhëruan Isain në kufijtë e Zotit.([66]) Nëse një vepër e tillë është e ndaluar kundrejt Profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), atëhere çfar mund të thuash për të tjerët pas tij?!

Baba Rexhebi e përkufizon Bektashizmin duke thënë: “Bektashizmi është ai besim i tesaufit Islam, i cili përpiqet dhe predikon se e udhëheq pasuesin e kesaj rruge dhe e shpie ne objektivin e dëshiruar, në afrimin me Zotin”.([67])

Ndërsa në një vend tjetër po në të njëjtin libër thotë: “Tarikati Bektashian i ka rrënjët dhe bazat e tij nga i dashuri ynë, prijësi i besimtarëve Ali bin Ebi Talib Allah e ndriçoftë si dhe nga bijtë dhe nipërit e tij, derisa arriti tek prijësat dhe dijetarët tanë brez pas brezi. Prej tyre i kemi marë bazat e këtij tarikati të lartë”.([68])

Porse disa studiues të tjerë paraqesin një tjetër qasje rreth Bektashizmit, Enciklopedia e thjeshtësuar kur flet për sektin “Nusejri”([69]), pohon se Bektashizmi është tejzgjatje e sektit Nusejri ku thotë: “(Nusejritë), njihen në vende të tjera të Turqisë dhe Shqipërisë si Bektashi”.([70])

Mendoj se ajo që i shtyu në këtë përfundim është përngjashmëria në disa aspekte mes Nusejrive dhe Bektashive, por nëse do të shohim me kujdes, se si dhe nga kush është themeluar Bektashizmi, dalim në përfundimin se ajo nuk është tejzgjatje e Nusejrive. E themi këtë sepse Bektashizmi ka sipmtoma të qarta sufizmi, sidomos në zanafillën e tij, edhe pse mund të kenë të përbashkëta me njëra tjetrën. Ajo që e përforcon edhe më tej këtë përfundim, është fakti se Bektashinjtë konsiderojnë si themelues të tarikatit të tyre Haxhi Bektash Veliun, dhe në kërkimet modeste që kam bërë, nuk kam gjetur askund që ata të pohojnë se themeluesi i Bektashizmit të jetë “Muhamed Nusejri”([71]).

Ka dhe një dallim tjetër esencial mes Bektashizmit dhe Nuserizmit: është shumë e mundëshme që të bëhesh pjestar i Bektashizmit nëse respekton dhe madhëron Haxhi Bektash Veliun dhe i përmbahesh parimeve të tarikatit, ndërsa që të jesh Nusejri, patjetër duhet të kesh lindur nga një familje Nusejre.([72])

Ndërsa disa studiues të tjerë janë të mendimit se Bektashizmi është një përzierje mes Tesaufit dhe Shiizmit Ithnasheri([73]), autori i librit “El Fikër Sufi fi Deu’i el Kitabi ue Sune” thotë: “Tarikati Bektashi, është një tarikat Sufist-Shiist në realitetin dhe themelimin e tij, edhe pse ai u zhvillua në vendet sunite siç është Turqia dhe Egjipti”.([74])

Në këtë përshkrim të Bektashizmit, ka një vërtetësi shumë të madhe për atë se si duket ky tarikat sot, sepse në fakt ka një ngjashmëri tejet të madhe mes Bektashizmit dhe Shiizmit Ithnasheri, të cilin ne do ta trajtojmë po në këtë libër; por ajo që mbetet ende e mjegullt është fakti se: vallë a ka qënë që në fillesat e veta Bektashizmi një sekt Shiit, apo është ndikuar më vonë prej këtij sekti?!

Kamil Mustaf Shibi në një prej librave të tij shkruan: “Ndërsa tarikati i Haxhi Bektashit, në fillimet e saja nuk ndryshonte shumë nga tarikatet e tjera që kishte në atë kohë Anadolli, me përjashtim të disa gjërave si: një lloj dhikri të veçantë gjatë të cilit ndiznin qirinj, apo ritit që i ngjan kungimit([75]), si dhe përdorimi i kërcimit dhe veshjet e simboleve të veçanta të muridëve”([76]).([77])

Në një vend tjetër ky autor thotë: “Kështu përfundimisht mund ta konkretizojmë Bektashizmin në fillimet e tij, si një tarikat sufi, i cili është i dhënë pas asketizmit dhe fukarallëkut([78]), duke mos u identifikuar me ndonjë shkollë të qartë fikhu, apo kelami (skolastike) të posaçëm”.([79])

Ndërsa Keutheri([80]), kur ka folur për Ismailitë([81]), ka përmendur se Bektashizmi është një ndër emërtimet e këtij sekti në disa vende, ai thotë: “Ata në tokat Turke njihen si Bektashi apo Këzëlbash([82]) edhe pse kanë dallim nga njëri-tjetri). ([83])

Duhet thënë këtu se ky mendim i Keutherit nuk është plotësisht i drejtë, sepse Këzëlbashët janë sekt i Shiave Ithnasheri dhe jo Ismaili. Po ashtu nëse kthehemi pas në histori, gjejmë se Këzëlbashët ishin një bashkësi e përbuzur nga turqit, qoftë në rang shteti apo shoqëria dhe në përgjithësi ata gjendeshin të përqëndruar nëpër fshatra të thella; ndërsa Bektashitë kanë patur pozitë në qeveri dhe respekt në pushtet, madje disa sulltanë kanë qënë pjestarë të tarikatit Bektashi.

Ka disa studiues të tjerë të cilët e kanë konsideruar Bektashizmin si një tejzgjatje të Hajderizmit([84]), prej tyre është dhe autori i librit “Sufije Kalenderije”, i cili thotë: “Prej personazheve të shquara Hajderie-Kalenderije([85]), të cilët kanë lënë gjurmë deri në ditët e soçme, është dhe Haxhi Bektash Veliu, i cili formoi një grup hajderish që u quajtën Bektashi”.([86])

Është e vërtetë që Haxhi Veli Bektashi ka jetuar gjatë kësaj kohe, porse ky autor nuk është se ka sjellë argumente bindëse që tregojnë se Haxhi Bektash Veliu ka qënë Hajderi apo Kalenderi; shkak ky që na bën ti qëndrojmë idesë se Haxhi Bektash Veliu ishte një sufi i pavarur nga këto dy tarikate.

Por ka dhe studiues që janë të mendimit se Bektashizmi është një përzierje mes tarikateve të ndryshme, pra i cili ka përfshirë nën vete një numër tarikatesh ezoterike([87]) të cilat gjendeshin në Anadoll gjatë asaj kohe. ([88])

Në fakt, nëse do ta shohim në aspektin historic dhe lëvizjet që janë bërë gjatë atyre kohëve, gjejmë vërtet se një pjesë e mirë e ndjekësve Haderi dhe Kalenderi do ta konsideronin Haxhi Bektash Veliun si prijësin e tyre, madje do të bëhen, dishepuj dhe misionarë të tij.

Kështu që mbas paraqitjes së të gjitha këtyre mendimeve rreth Bektashizmi, mund të dalim në konkluzionin se Tarikatin Bektashi e ka themeluar Haxhi Bektash Veliu në ngjashmëri me tarikatet e përhapura atë kohë në Anadoll, tarikat ky që ka një sistem të veçantë, ku dallohet madhërimi i Aliut dhe Ehli Bejtit, por që më vonë u ndikua nga sekte dhe rryma, sidomos nga Shiizmi Ithnasheri, dhe kjo për faktin se u bënë pjesë e tij një sërë anëtarë të sekteve ezoterike Shiite që gjendeshin në Anadoll.

 

(Vazhdon)

_________________________

([1])  Es-Sihah, Ebu Nasër Ismail Farabi, bot: 4: (4/1513), Dar El Ilm lil Melajin.

([2]) Lisanul Arab, Muhamed bin Mendhur, bot: 1: (13/215), Dar Sadir.

([3])  Es-Sihah: (4/1513).

([4])  Enciklopedia e njohurive Islame, grup autorësh: (15/172); Turuk Sufije Nesh’etuaha Akaiduha ue Etherua, Abdulla Sehli, bot: 1: (fq: 11).

([5])  Muhamed Ebul Uefa Teftazani, ka lindur më 1930, dhe ka qënë kryetari i tarikateve Sufiste në Egjipt. Ka shkruar një sërë libra rreth sufizmit, vdiq në Egjipt më: 1994. Meusuatu Sufije, Abdul Mun’im Hanefi: bot: 1: (fq: 82).

([6])  Turuk Sufijetu Fi Masër. Ebul Uefa Teftazani, bot: 1: (qf: 235).

([7])  Murid, janë nxënësit e një tarikati, të cilët i kanë dhënë besën shejhut dhe e pasojnë atë në mënyrë apsolute.

([8])  Dirasat fi Teseuf, Sabir Abdurrahman Tuajme: (fq: 113).

([9])  Shiko në: Tesavufi dhe Tarikatet, Selçuk Eraydin: (fq: 328), Alsar, Tiranë 2011; po ashtu dhe në: Antologjia e Sufizmit, Eva de Vitary-Meyerovitch: (fq: 59), Logosa, Shkup 2012.

([10])  Ihsani është shkalla më e lartë e Islamit e cila është shpjeguar nga vetë Profeti Muhamed: “Ta besosh Allahun sikur e shikon, por megjithëse nuk e shikon, Ai të shikon ty” Muslimi

([11])  Sheria uel Hakika, Muhamed Zekerija Kandehlevij: (fq: 99).

([12])  Misbah el Munir fi Garib Sherh Jebir, Ahmed bin Muhamed bin Ali Fejumi: (5/289).

([13])  Mef’hum Teseuf ue Envauhu fi Mizan Sherr’ij, Muhamed Jusuf Shubkij, Mexheletu Xhamiatu Gaza

([14])  Sufe ka qënë një vend i mbuluar me palma në pjesën e fundit të xhamisë së Profetit, i cili ishte si vend strehim për fukarenjtë, të cilit emigronin nga vendet e tyre për në Medine. Shiko Lisanul Arab: (9/194).

([15])  Shiko: Tearuf Limedhheb Ehël Teseuf, Ebu Bekër Muhamed el Kelebadhi, bot: 1: (fq: 12); Risaletu el Kushejrije, Ebu Kasim Abdulkerim bin Huzan Kushejri: (fq: 312).

([16])  Ai është: Abdurrahim bin Abdulkerim bin Huzan Kushejri, i njohur si Ebu Kasim. Ka lindur në vitin 986 dhe ka vdekur më 1072, ai është autor i librit “Risale”, i cili është një ndër burimet kryesore të Tesaufit. Ai po ashtu është dhe autor i librit “Letaifu el Isharat”. Për më tepër shiko: Sijer Alam Nubela, Imam Dhehebi, bot: 11: (18/227); dhe Uefejatul Ajan, Ibën Khalkan: (3/205).

([17])  Ai është dijetari i shquar, Tekijudin Ahmed bin Abdulhalim bin Tejmije. Ka lindur në Haran më 1262, dhe u rrit në një shtëpi dijeje, duke u bërë dhe ai një ndër dijetarët e mëdhenj të kohës së tij, ka shkruar afro 300 vëllime në dije të ndryshme, vdiq më 1327. Për më tepër shiko në: Tedhkiretul Hufadh, imam Dhehebiu, bot: 1: (4/192).

([18])  Es Sema inde Sufije Arrdun ue Nakdun, Abdurrahmen Kureshi: (fq: 43).

([19])  Shiko: Tearuf Limedhhebi ehli Teseuf: (fq: 10).

([20])  Shiko: Risale Kushejrije: (fq: 312); Mexhmuatul Fetave: (11/6).

([21])  Mexhmuatul Fetava: (11/6).

([22])  Ai është: Muhamed bin Ahmed, Ebu Rejhan Bejruni Havarizmi. Ka lindur më 972, dhe ka vdekur më 1048. Bejruni ka qënë filozof, matematicient dhe historian. Ka lindur në Havarizëm dhe ka jetuar një pjesë të jetës në Indi; ka shkruajtur libra si: Thëniet e pranuara dhe të revuzuara që gjenden në Indi, dhe Historia e popujve të lindjes. Për më tepër shiko: A’lam, Hajredin Zerekli, bot: 15: (5/314); Mu’xhem Muelefin, Umer Rida Kehale: (8/241-242).

([23])  Tahkik ma Lilhindi min Makuletin Makbuletin fil Akli eu Merdhule, Ebu Rejhan Beruni: (fq: 24).

([24])  Shiko: Teseuf, Mensha ue Mesadir, Ihsan Ilahi Dhahir, bot: 1: (fq: 33).

([25])  Ai është: Muhamed bin Alij bin Atije el Harithi, Sufist. Lindi dhe u rrit në Meke, udhëtoi në Basra dhe Bagdad. Shumë njerëz e braktisën, për shkak të ideve të tij; vdiq më 966. Nga librat më të shquar të tij është: “Kutul Kulub”. Për më shumë shiko në: Tarijh Bagdad: (3/98).

([26])  Ai është: Abdullah bin Alij Tusi, prej dijetarëve sufi, prej librave të tij është: “Elumau fi Teseuf”, vdiq më 988. Shedheratu Dheheb fi Ahbari men Dheheb, Abdulhaj bin Ahmed el Akrij: (4/413).

([27])  Ai është: Shihabudin ebu Hafs, Umer bin Abdullah Emavejh, nga fisi kurejsh. Lindi më 1414 në Sehreverd, ka qënë prijës sufi dhe njohës në medhhebin shafi. Halifja e dërgoi shpesh si mesazhier në vende të ndryshme. Vdiq në Bagdad më 1234. Nga librat e tij përmendim: “Auariful Mearif” dhe “Xhelbul Kulub ila Muasaleti el Mahbub”. Uefijatul Ajan: (3/446) dhe Shedheratu Dheheb: (5/135).

([28])  Ehli Sune është term i cili është dhënë pasuesve dhe atyre që i përmbahen Sunetit të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), dhe të cilët nuk shkëputen nga bashkësia e muslimanëve.

([29])  Ai është: Uelijudin Abdurrahman bin Muhamed bin Haldun, i lindur më 1331 në Tunisi dhe i rritur në Ishbilja, një ndër dijetarët e mëdhenj të medhhebit Maliki, ka qënë poet njohës në lëndët shoqërore dhe historian. Kur shkoi në Egjipt e caktuan kadi (gjykatës) të shkollës së Malikive. Vdiq më 1405 në Egjpt dhe la një sërë libra dhe dorshkrime. Shedheratu Dheheb: (7/76) dhe A’lam të Zerkeliut: (3/330).

([30])  Mukadimetu Ibën Haldun, Uelijudin Abdurrahman bin Muhamed bin Haldun, bot: 1: (2/225).

([31])  Mexhmuatul Fetava: (11/6).

([32])  Sema inde Sufije: (fq: 48).

([33])  Lumau, Ebu Nasër Serraxh Tusi: (fq: 48).

([34])  Auariful Mearif: (fq: 44).

([35])  Ebu Mahfudh Maruf bin Fejruz Kerhi, ishte një njeri asket. Ka vdekur në Bagdad më 815, dhe varri i tij vizitohej dhe madhërohej nga sufitë, duke kërkuar bereqet e shërim! Tabakat Sufije, Ebu Abdurrahman Muhamd Ezdi: (1/80).

([36])  Risaletu el Kushejrijetu: (2/553); Auariful Mearif: (fq: 41).

([37]) Ai është: Ebul Kasim Xhunejd bin Muhamd el Haraz Kavarijri, me origjinë është nga Nehavendi i Iranit, ka lindur rreth viteve 835 dhe është rritur dhe formuar në Irak. Ka qënë një njeri me dije dhe pozitë në Irak, vdiq më 909. Sijer A’lam Nubela: (14/66); Tabakat Sufije: (fq: 129).

([38])  Risaletu el Kushejrije: (2/552); Auariful Mearif: (fq: 41).

([39])  Ai është: Ebu Hasen Semnun bin Hamzetu el Khavas. Ka lindur në Basra dhe ka jetuar në Bagdad. Ka qënë një ndër emrat e njohur Sufi dhe një ndër poetët e parë të tyre. Vdiq në Bagdad më 910. Tabakat Sufije: (fq: 158).

([40])  Përkthimi i komenteve të Kuranit, është bërë nga Hasan Nahi.

([41])  Misticizma Islame dhe Bektashizma, Baba Rexhebi: (fq: 172), botimi II, Urtësia-Tiranë.

([42])  Shiko: Teudijh el Ahkam min  Bulug Muram, Abdurrahman Abdullah El Besam, bot: 5: (2/112).

([43])  Risaletu el Kushejrije: (2/552)

([44])  Ai është: Abdurrahman bin Amru bin Muhamed Euzai, Imami i vendeve të Shamit, ishte njohës i legjislacionit dhe asket. Ka lindur në Balebek më 706; i kërkuan të ishte kadi, porse ai refuzoi, shkroi një sër librash, prej tyre: “Es Sunen”, “El Mesail” etj. Shiko: Tarijh Dimeshk, Ibën Asakir, bot: 1: (35/147); Sijer A’lam Nubela: (7/107).

([45])  Mexhmuatul Fetava: (11/454-455).

([46])  Ai është: Dijetari, Imami, historiani, mufesiri dhe muhadithi, shejhul Islam dhe dijetari i Irakut, Xhemaludin Ebu Ferexh el Xheuzij. Lindi më 1114 dhe ishte një ndër dijetarët më të mëdhej në Irak, aq sa në mësimet e tij mernin pjesë mbretër, princër, dijetarë dhe njerëz të thjeshtë. Ka shkruar një sërë libra; vdiq më: 1201. Uefijat A’lam: (3/140); Tedhkiretul Hufadh: (4/92).

([47])  Telbijs el Iblijs, Ebu Ferexh el Xheuzij: (fq: 174).

([48])  Ai është: Hamad bin Muslim, një prej të cilëve ka përcjellë imam Muslimi. Ka qënë nga qyteti i Kufes së Irakut. Vdiq më 737. Tabakat el Kubra: (6/324); Tarijh el Kebijr, Ebu Ismail Buhari: (3/18).

([49])  Telbis Iblijs: (fq: 175).

([50])  Ai është: Rrafij Ebul Alijetu Ravahi, nga Basra, ka qënë nga tabiinët (nxënësit e sahabeve) të mëdhenj. Ai u bë musliman dy apo tre vite pas vdekjes së Profetit dhe ka dëgjuar Abdullah bin Abasin dhe Abdullah bin Umerin. Vdiq më 711. Tabakat el Kubra: (7/79); Tarijh el Kebijr: (2/326).

([51])  Telbis Iblijs: (fq: 175).

([52])  Po aty: (fq: 176).

([53])  Urdhëri Bektashi i Dervishëve, Johen Kingsley Birge: (fq: 38), Urtësia Bektashjane-Tiranë.

([54])  Lexuesi do të habitet nga pretendimet e Bektashive në lidhje me disa të ashtëquajtura mrekulli, madje nuk e teprojmë nëse themi se ato janë të ngjashme si legjendat dhe mitet pagane shqiptare!

([55])  Fletorja e përgjithshme e Bektashinjvet, Atë Ali Turabiu: (fq: 25); Makalat, Haxhi Bektash Veliu, Prof. Dr. Esat Xhoshan: (fq: 23), Fokus-Print, Shkup 2008.

([56])  Mision Bektashian, Shyqyri Hushi: (fq: 13), albPaper-Tirana 2004.

([57])  Tarikati Bektashi, Metin Izeti: (fq: 43), Çabej-Tetove 2001.

([58])  Horasani, i dikurshëm përfshinte Iranin, Avganistanin dhe një pjesë të Azisë qëndrore, ndërsa sot, Horasani është një krahinë në Jug-Lindje të Irant, dhe Haxhi Bektash Veliu ka lindur në qytetin e Nisaburit, qytet ky që është pjesë e zonës së Horasanit.

([59])  Hynqar, sipas disa burimeve na del që është fjalë me prejardhje turke dhe që ka kuptimin: Burrë i vjetër (plak). Fletorja e Përgjithshme e Bektashinjvet: (fq: 25); ndërsa në disa burime përmendet se kjo është fjalë me prejardhje perse e cila ka kuptimin: “Sulltan, mbret”, sipas bektashive ky llagap iu dha sepse ai ishte mbreti i Evlijave. Shiko: Mekalat: (fq: 24)

([60])  Haxhi nuk është emër i tij, porse është titull i cili i është dhënë, edhe ky në mënyrë mitike.

([61])  Shiko: Pir Haxhi Bektash Veliu, Iren Melikof: (fq: 92), Urtësia, Tiranë 2010; Fikër Batini fi Anadol, Bediatu Muhamed Abdul Al, bot: 1: (fq: 28). Megjithatë duhet pohuar se ka një mjegulli dhe paqartësi rreth kohës kur ka lindur Haxhi Bektash Veliu. Disa fakte të tjera na tregojnë se ai ka lindur në vitin 1248, për më shumë shiko: Tefsiri i Fatihasë, Haxhi Bektash Veliu, Hysen Ozcan: (fq: 41), Prizmi-Tiranë; Mekalat: (fq: 28-29); Shejti mbi Gur (vilajetname): (fq: 8); Fletarorja e Përgjithëshme e Bektashinjvet: (fq: 21).

([62])  Ai është: Sulltan Orhan Gaziu, i biri i Sulltan Othmanit –themelues i perandorisë Osmane-. Orhani ka lindur më 1288, dhe mori drejtimin e shtetit duke u bërë sultan më 1326. Në kohën e tij perandoria Osmane u zgjerua goxha, ai vdiq në moshën tetëdhjet e tre vjeçare, pikërisht në vitin 1360. Tarijh Deuletu el Ilije el Uthmanije, Muhamed Ferid Bek, bot: 1: (fq: 12); Semt Nuxhum el Aualij, Abdulmelik bin Husejn el Meki, bot: 1: (4/72).

([63])  Ahmed Siri Babai, është babai i teqes së Egjiptit për të cilin do të flasim ke personazhet e Tarikatit.

([64])  Risale Ahmedije fi Tarijh Tarikati el Bektashije: (fq: 7).

([65])  Sahih Buhari, nr: (3455), hadithi i Ibnu Abasit.

([66])  Fet’hul Bari Sherh Sahih Buhari, Ibën Haxher el Askalani: (12/149).

([67])  Misticizma Islame dhe Bektashizmi: (fq: 121).

([68])  Po aty: (fq: 69).

([69])  Nusejri janë një sekt ezoterik, i cili e ka marë këtë emër për shkak të themeluesit të saj “Muhamed bin Nusejr Numejri”, i cili ka jetur në shekullin e nëntë, dhe të cilët janë nëndegë ekstreme e Shiizmit; kjo për faktin se ata e tepruan në madhërimin e Ali Bin ebi Talibit “djalit të xhaxhait të Profetit Muhamed”, aq sa e konsideruan atë Hyj, Nusejritë ndryshe quhen dhe Alevij, dhe gjenden përgjithësisht në Siri! Për më shumë shiko: Harakat el Batinije fi Alem el Islami, Muhamed Ahmed Hatijb, bot: 2: (fq: 321).

([70])  Meusuatu el Mujesera fil Edjani ueel Medhahibi uel Ahzabi el Muasiratu, Nedvetu el Alemijetu Lishebab Islami, bot: 4: (1/395).

([71])  Ai është: Muhamed bin Nusejr Umejri, i njohur si Ebu Shuajb. Ka qënë pjestar i sektit Shit Ithnasheri. Me origjinë është nga Persia, më vonë ai u shkëput nga Ithnasheritë si shkak i përplasjeve se kush është meritor për të qënë porta për tek Mehdiu i pritur, gjë të cilën Muhamed nusejri e pretendoi për vete. Ai vazhdoi të jetë prijësi dhe drejtuesi i Nusejrive derisa ndërroi jetë më 874. Firrak Muasira tensib ilel Islam, Galib el Avaxhi: (2/42).

([72])  Pir Haxhi Bektash Veli, Iren Melikoff: (fq: 228).

([73])  Shiat Ithnasherie, janë një sekt i dalë nga muslimanët të cilët pretendojnë se Aliu meritonte të ishte prijës para Ebu Bekrit dhe Umerit, dhe se i par ii shtetit është çështje themelore dhe se drejtimi i shtetit duhet të jetë ke 12 imamë, të cilët rrjedhin të gjithë nga Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të. Do ta shpjegojmë këtë çështje më gjerësisht, në faqet në vazhdim.

([74])  El Fikër Sufi fi Deu’i el Kitabi ue Sunne, Abdurrahman Abdulhalik: (fq: 409)

([75])  Kungimi është një rit i krishterë, dhe do të thotë të falënderosh. Kjo ceremoni është përsëritje e darkës së fundit, të cilën –sipas të krishterëve- Isai (Jezusi) para vdekjes e ka ngrënë me dishepujt e tij. Besohet se në këtë ritual shërbehet verë dhe bukë. Shiko: Historia e Feve, Ekrem Sarëkçogllu: (fq: 216), Logosa, Shkup 2007.

([76])  Murid është nxënësi, një prej anëtarëve të vëllazërisë Bektashianë, për të cilën do të flasim më poshtë.

([77])  Siletu Bejne Teshejui ue Teseuf, Kamil Mustafa hibi, bot: 3: (2/338).

([78])  Braktisja totale e kësaj bote, me qëllim që të arrijë gradat më të larta ke Zoti.

([79])  Siletu Bejne Teshejui ue Teseuf: (2/339).

([80])  Ai është Muhamed bin Hasen bin Alij Keutherij, ka lindur në Stamboll më 1859: ka qënë ndjekës i shkollës Hanefi, skolastik, historian, poet; Maturidi në besim. Ka qënë njohës i disa gjuhëve si: Arabisht, Turqisht dhe Persisht. Prej librave të tij mund të përmendim: “Med’hal am fi Ulumil Kuran”. Vdiq po në Stamboll më 1959. Muxhem el Muelefin, Umer Rrida Kehale: (10/4-5).

([81])  Ismailitë janë ndjekësit e një sekti të dalë nga shiat, të cilët besojnë se imami pas Xhaferit, është djali i tij Ismaili, duke pretenduar se Xhaferi ia la postin me gojë para se të vdiste, dhe se pas Ismailit, imam është djali i tij Muhamedi, duke mohuar kështu imamllëkun e bijve të tjerë të Xhaferrit. El Gulu uel Firakul Galijetu fi Hadaratul Islamijetu, Abdullah Selum Saamurai: (fq: 287).

([82])  Këzëlbashët janë mistikët e Shiave Safevi. Ata u quajtën Këzëlbash sepse mbanin veshur në formë simbolike kësula të kuqe në formë konike, të rrethuar me beze dhe të ndarë në dymbëdhjet damarë, të cilat simbolizojnë Aliun dhe djemtë e tij, pra 12 imamët. Siletu Bejne Teshejui ue Teseuf: (2/363).

([83])  Keshf Esrar Batinije, Muhamed bin Malik el Hamadi, Muhamed bin Hasen Keutherij, bot: 1: (fq: 13).

([84])  Hajderitë janë një tarikat Sufi, të cilët kanë të parë të tyre Kutbudin Hajder edhe ky nga Horasani. Kutbudini bënte një jetë tejet të shkëputur (veçuar) nga njerëzit. Ai jetoi në një shpellë derisa vdiq; në këtë vend i ndëruan një tyrbe të madhe të cilën e vizitonin dhe kërkonin prej saj bereqet. Kutbudin Hajderi vdiq rreth viteve 1221. Shejhul Islam Ibën Tejmije ka folur në disa libra rreth Hajderive ku ka nxjerrë në pah devijimet e tyre. Sufije Kalenderije, Muhamed bin Abdullah Ahmed: (fq: 152-153).

([85])  Kalenderitë janë një tarikat Sufitë cilët kanë sit ë parë Kalender Jusuf nga Andalusi i cili më pas emigroi drejt lindjes. Fillimisht Kalenderizmi u shfaq në Damask rreth viteve 1213. Pasuesit e këtij tarikati i rruajnë mjekrat, vetullat dhe flokët dhe lëshojnë vetëm mustaqet. Kalenderitë janë njohur si njerëz të cilët nuk i përmbaheshin dispozitave fetare, sikurse kishin dhe mungesë të theksuar morale, Kalenderi vdiqi në Dimjat të Egjiptit. Kalenderizmi është i përhapur në Indi dhe Turkistan, ai ka patur prezencë edhe në Anadoll. Keshf an Hakikatu Sufije, Mahmud Abdurrauf Kasim: (1/357).

([86])  Sufijetul Kalenderije: (fq: 158).

([87])  Ezoterik është pretendimi se feja dhe Kurani përmbajnë mësime ose dije të fshehta, ide këto që i kanë bartur një sërë sektesh Shiito –Sufiste, të cilat shpesh herë kanë degraduar në blasfemi!

([88])  Bektashizmi Në Shqipëri: Histori Politike E Një Lëvizjeje Fetare, Albert Doja: (fq: 23), AiiS Tiranë 2008; Fikër el Batini fil Anadoll: (fq: 5, 12); Tefsiri i Fatihasë: (fq: 20).

Etiketat