Të përbashkëtat dhe dallimet mes zekatit dhe taksës
Dr. Isam Abduhadi Ebu Nasr
Taksa përkufizohet si një detyrim financiar që u ngarkohet individëve në dobi të të shtetit, ku individi nuk përfiton në mënyrë të drejtëpërdrejtë prej saj, por që nëpërmjet saj realizohen objektiva publike të caktuara. Në legjislacionin islam nuk ka detyrim tjetër përveç zekatit, por në rast se këtij detyrimi i bashkangjitet edhe detyrimi i taksës, atëherë kjo mund të jetë e mundur vetëm në këto rrethana:
1- Kur shtetit nuk i mjaftojnë burimet e paracaktuara nga legjislacioni islam, sepse shpenzimet e shtetit mbulohen nga pronat dhe asetet shtetërore.
2- Kur shteti ka nevoja reale për të ardhura.
3- Taksa të bëhet e detyrueshme vetëm pas konsultimit me njerëzit e fushës dhe që njohin jurisprudencën islame.
4- Shpenzimi taksës t’i nënshtrohet një kontrolli të vazhdueshëm.
5- Mbajtja e drejtësisë në shpërndarjen e barrës së taksës dhe në përdorimin e shumës së mbledhur.
6- Detyrimi i taksës të bëhet për një kohë të caktuar dhe të jetë i lidhur me nevojën, në mënyrë që taksa të mos kthehet në qëllim në vetvete.
7- Shuma e mbledhur nga taksat të zbritet nga të ardhurat e mbledhura nga zekati.
8- Taksa e merituar të konsiderohet prej borxheve, të cilat mund të zbriten nga zekati.
Sipas juristëve muslimanë pavarësisht se taksa merret pa u plotësuar kushtet e lartpërmendura kjo përbën një padrejtësi, nuk lejohet që individi t’i shmanget pagesës së saj, sepse në rast se ajo përbën një padrejtësi, do të jetë mëkëmbësi ai që do të japë llogari përpara Allahut a.xh.. Të përbashkëtat dhe ndryshimet mes taksës dhe zekatit:
1- Zekati përngjason me taksën për nga fakti se të dyja këto janë të detyrueshme të paguhen dhe se shteti merr përsipër mbledhjen dhe shpenzimin e tyre për interesa sociale dhe ekonomike.
2- Zekati duhet të paguhet me forcë nëse nuk paguhet me dëshirë, dhe në të njëjtën formë veprohet edhe me taksën. Ashtu si zekati edhe taksa ka objektiva sociale, financiare dhe ekonomike.
Përsa i përket ndryshimeve mes taksës dhe zekatit, mund të përmendim faktin se dallimet mes tyre jane thelbësore, ku ndër dallimet më të rëndësishme është fakti se:
1- Zekati është një detyrim i ngarkuar prej Allahut të Lartësuar duke u konfirmuar edhe nga suneti profetik, i cili ka përcaktuar edhe llojet e pasurive që përfshihen tek zekati, masën dhe përqindjen e detyrimit. Këto norma që lidhen me zekatin nuk mund të ndryshohen nga askush, as të shtohen dhe as të pakësohen. Ndërkohë që burimi i detyrimit të taksës është njeriu, ku masa e saj dhe forma e shpenzimit të saj bëhet nga vetë njeriu. Sigurisht që ka dallim të madh mes një detyrimi që buron nga Allahu dhe atij që buron nga njeriu.
2- Nga ana terminologjike termi “zekat” do të thotë pastrim, rritje, zhvillim dhe begati, domethënia e të cilave e nxisin njeriun, që ta nxjerrë zekatin me ndërgjegje dhe dëshirë të plotë. Nga ana tjetër, termi “taksë” do të thotë barrë, peshë dhe ndëshkim. Të gjitha këto domethënie e bëjne njeriun që ta shohë me syrin e ndëshkimit, duke e nxitur që të gjejë rrugët dhe format për t’u shmangur prej saj.
3- Gjithashtu zekati është një adhurim ashtu si namazi, haxhi, agjërimi etj, nëpërmjet të cilit besimtari afrohet me Allahun a.xh. dhe për vlefshmërinë e të cilit ka nevojë për nijetin, që përbën një kusht për pranimin e veprës. Ndërsa taksa është një detyrim qytetar që është e zhveshur nga të gjitha domethëniet, adhurimi dhe afrimi me Allahun a.xh.
4- Zekati përfaqëson shtyllën e tretë të Islamit dhe për këtë arsye prijësi i muslimanëve nuk mund t’i ngarkojë muslimanët me një detyrim tjetër vetëm brenda disa normave të caktuara. Kjo do të thotë se për aq kohë sa plotësohen kushtet e dhënies së zekatit besimtari duhet ta nxjerrë atë, edhe nëse nuk ekziston nevoja për të, ndërsa taksa shtohen dhe pakësohen në varësi të shpenzimeve pubilike të shtetit dhe për këtë arsye ajo mund të anullohet, nëse është e panevojshme.
5- Përderisa zekati është një adhurim, ai është i detyrueshëm vetëm për muslimanin që plotëson disa kushte të caktuara, ndërsa taksa e detyrueshme nuk bën dallim mes muslimani dhe jomuslimanit.
6- Zekati është një detyrim hyjnor, që dallohet për qëndrueshmërinë e tij nga koha në kohë dhe vende të ndryshme, ndërsa bazat dhe parimet mbi të cilën ngrihet taksa ndryshojnë sipas nevojës.
7- Zekati ka qëllime dhe objektiva madhore, siç është pastrimi i shpirtit, si burim i koprracisë dhe lakmisë, si dhe largimin e urrejtjes dhe zilisë nga shpirti i të varfërit, ndërkohë që taksa është shumë larg këtyre qëllimeve.
8- Zekati është detyrim vetëm për pasurinë e fituar në mënyrë të lejuar, ndërkohë që taksa nuk bën dallim mes pasurëi së fituar në mënyrë të lejuar dhe asaj të fituar në mënyrë të ndaluar, sepse që të dyja janë lënda e taksës.
9- Barra e zekatit është një përqindje e pandryshueshme, ndërsa barra e taksës sa vjen dhe rritet për të përballuar nevojat financiare. Përfituesit e zekatit janë përcaktuar në ajetin nr. 60 të sures Teube: “Vërtetë që sadekatë janë për të varfërit, të vobektit…”, ndërsa tek taksat vërejmë se ato shpenzohen për të përballuar shpenzimet publike të shtetit.
10- Në thelb zekati shpenzohet në vendin që është mbledhur dhe nuk transferohet diku tjetër vetëm se përmes një justifikimi fetar, ndërsa taksa mund të mblidhet në zona të ndryshme dhe më pas derdhet në arkën e shtetit.
11- Zekati nuk shfuqizohet nëse i kalon koha e nxjerrjes, por ai mbetet një borxh që rëndon mbi muslimanin derisa të nxirret, ndërsa taksa sa vjen dhe shfuqizohet sa më shumë kohë që të kalojë nga mospagesa e saj.
12- Shpërblimi dhe ndëshkimi për zekatin është i kësaj bote dhe i botës tjetër, ndërsa shpërblimet apo ndëshkimet që vijnë nga taksat janë vetëm të kësaj bote.