Të rinj të pensionuar para kohe

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 8 minuta lexim

thumbnail.php(2)

Të rinj të pensionuar para kohe

Feja islame është  fe e diturisë  dhe e shkencës, këtë gjë e vërtetojnë shumë ajete kuranore, të cilat nxisin në kërkimin e diturisë së dobishme duke bërë krahasimin midis  të diturit dhe të paditurit, si i gjalli me të vdekurin. Për ta kuptuar këtë natyrë të fesë islame mjafton të dish se vargu i parë kuranor i cili zbriti mbi profetin Muhamed (a.s.) ishte fjala “Lexo”.

Dijen mbi fenë dhe  dituritë  e tjera burimin e kanë  tek Allahu i Madhëruar dhe  ajo ka ardhur tek ne  nëpërmjet profetëve, të cilët jane dërguar në çdo popull që ata të njohin Zotin e tyre, të njohin rregullat e besimit  dhe mënyrën më të mirë për ta kaluar këtë botë.

Pas profetëve ata të cilët e trasmetojnë dhe e mbajnë gjallë këtë dituri janë mësuesit e fesë,  dijetarët dhe hoxhallarët, të cilët kanë marrë përsipër të ruajnë në mendjet dhe zemrat  e tyre  këtë  dritë.

Për dijetarët dhe hoxhallarët i Dërguari ynë  Muhamedi a.s. ka thënë: “Dijetarët janë trashëgimtarët  e profetëve, profetët  nuk kanë lënë trashëgimni në para, por  dituri”. Si trashëgimtarë  të profetëve dhe si mbartës të diturisë më të vyer për shpirtin e njeriut ata kanë një status të shenjtë në shoqëri. Ata janë mësuesit shpirtërorë të popullit, ata përpiqen t’u mësojne atyre  besimin tek  krijuesi i tyre dhe si të ndërtojnë raportet e duhura me Krijuesin e Madhëruar, Allahun subhanehe ue teala.

Në sistemin famëkeq komunist këta mësues të popullit u keqtrajtuan dhe u nëpërkëmbën, duke nxjerrë e shpifur për ta fjalë dhe batuta nga më të ndryshmet  për ta denigruar këtë figurë, qe  më së shumti gëzonte  respekt  në popull. Ende  në ditet e sotme  nuk eshte  hequr  ajo perde e zeze nga mendjet  e shumë njerëzve. Ata janë stacionuar në stacionin e vjetër dhe të prishur komunist, nga i cili  mban mend  dhe kujtohet rëndom, se hoxha  është  një figurë negative. Sot në ditët tona ky mësues i fesë ende nuk ka arritur ta rikthejë atë status, që dikur e gëzonte në shoqëri dhe kjo për shkak të mbeturinave prapanike dhe mikrokomuniste të mbetura në mendjet e njerëzve, dhe vetë drejtuesve fetarë nganjëherë.

Hoxhallarët janë mësues ndonëse nëpër xhamia e jo nëpër shkollat e ndryshme. Ata janë mësues të vërtetë dhe u mësojnë fëmijëve dhe të rriturve atë çka është më e vlefshme  për  shpirtin e tyre, për jetën e tyre në këtë botë, si dhe për shpëtimin në botën tjeter. Mirëpo edhe pse ai qëndron lart në detyrën e tij fisnike krahasuar me mësuesit e tjerë, të cilët japin mësim nëpër shkolla ai nuk e gëzon një status ekonomik të barabartë me ta, edhe pse  niveli arsimor i tij është në nivelet e kërkuara  bashkëkohore, madje të barabarta me mësuesit e tjerë.

Të bësh krahasimin sot midis mësuesit të fesë dhe mësuesit në shkolla do të vëresh një diskriminim të madh në vlerësim. Sot hoxhallarët ndihen të pavlerësuar për  atë që janë dhe për atë që bëjnë. Ata sot për punën e kryer gati nuk vlerësohen, as nga shteti shqiptar, e as nga instuticioni fetar përgjegjës  për ta. Hoxhallarët sot ndihen të braktisur, jo nga populli, por pushtetarët dhe drejtuesit, të cilët detyrohen të ulen në një tryezë me hoxhallarët për vota, për shkak të influencës dhe ndikimit real që kanë ata tek besimtarët. Edhe pse Hoxha si figurë e nderuar kombëtare, e cila ka dëshmuar se ka qenë një faktor i rëndësishëm në pavarësinë dhe në shtetformimin shqiptar, gjë për të cilën e dëshmon më mirë historia me faktet statike, sesa përvjetorët e pavarësisë, sot ndihet  i tradhtuar dhe i lënë pas dore. Një kontribut të madh në arsimin kombëtar kanë dhënë figura si Hafiz Ali Korça, e Hafis Dalliu e Mulla Daut Boriçi etj.

Ata sot nuk ndihen të vlerësuar nga vetë Komuniteti Musliman, i cili në vend që të përpiqet të ngrejë këtë figurë, e ta vlerësojë e ta respektojë atë, e  trajton atë njëlloj me pensionistët, të cilët duke i vlerësuar financiarisht njëlloj me ta, madje ka shumë raste edhe më keq se ata, ku rrogat  e disa prej tyre  mund të jenë  sa gjysma e një pensionisti.

Kësaj i thonë të jesh pensionist në rini. Ky është vlerësimi që i bën instuticioni përkatës, i cili në evenimente të ndryshme festive publike e ka dorën shumë të lëshuar, ku harxhon qindra mijëra euro, ndërsa me hoxhallarët e vet, që janë baza e tyre dhe që e mbajnë në këmbë këtë komunitet,  tregohen me ta dorështrënguar.

Të rinj pensionistë të tillë ka shumë në Shqipëri, edhe pse janë shumë të rinj në moshë për të qenë të tillë. Ata edhe këto pensione nuk i kanë të sigurta, sepse nga momenti në moment mund t’i ndërpritet pa ndonjë arsye e pa ndonjë paralajmërim. Kështu që problemi më i madh që ata kanë  është  se janë pa status të qartë dhe të braktisur nga vetë instuticioni nga i cili varen. Edhe pse kështu, ky mosvlerësim nuk e zhvlerëson statusin e tyre dhe atë që ka thënë i Dërguari i Allahut për këta njerëz. Allahu i Madhëruar i ka vlerësuar ata, po ashtu edhe i Dërguari i ka vlerësuar.  I Dërguari i Allahut  thotë në një hadith të tij:  “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve atë.”

E lusim Allahun e Madhëruar për Udhëzim dhe të mira në këtë botë dhe në atë tjetren. “Dijetarët  janë trashëgimtarët e Profetëve, ata nuk kanë lënë si trashëgimi pasurinë, por  diturinë.”