بسم الله الرحمن الرحيم
Mosha e rinisë është një prej periudhave më të çmuara që mbeten të ngulitura në kujtesën e njeriut, sado që të jetojë, sepse në atë kohë ai ka qenë i fuqishëm, i lirë dhe i pavarur.
Është transmetuar nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “Allahu nuk ka dërguar asnjë pejgamber, përveçse të ri, dhe asnjë dijetar nuk e ka marrë diturinë, përveçse duke qenë i ri.” Pastaj ai lexoi ajetin:قَ
قالُوا سَمِعْنَا فَتًى يَذْكُرُهُمْ يُقَالُ لَهُ إِبْرَاهِيمُ
“Ata thanë: ‘Dëgjuam një të ri që i përmendte ata, i cili quhet Ibrahim.” [El-Enbija: 60]
Allahu i Madhëruar na informon gjithashtu për Jahja ibn Zekerijan, të cilit i dha urtësinë kur ishte ende fëmijë:
وَآتَيْنَاهُ الْحُكْمَ صَبِيًّا
“Dhe i dhamë atij urtësinë që në fëmijëri.” [Merjem: 12]
Po ashtu, Allahu përmend në historinë e djelmoshave të shpellës:
إِذْ أَوَى الْفِتْيَةُ إِلَى الْكَهْفِ
“Kur të rinjtë u strehuan në shpellë…” [El-Kehf: 10] dhe thotë:
إِنَّهُمْ فِتْيَةٌ آمَنُوا بِرَبِّهِمْ
“Ata ishin të rinj që besuan në Zotin e tyre.” [El-Kehf: 13]
Po ashtu, në historinë e Musait (a.s) thuhet:
وَإِذْ قَالَ مُوسَى لِفَتَاهُ
“Dhe kur Musai i tha shërbëtorit të tij të ri…” [El-Kehf: 60]
Pra, Kurani Famëlartë ka sjellë shembuj të shumtë për të rinjtë, duke theksuar rolin dhe peshën e tyre në ndryshimin e shoqërisë dhe bartjen e mesazhit të së vërtetës.
Shembulli i parë është Pejgamberi ynë, Ibrahimi (alejhi selam). Ai ishte një djalosh i ri që shikonte drejt horizonteve të gjera, kërkonte të vërtetën e pastër dhe zotëronte guxim të lartë. Ai meditonte dhe mendonte për krijimin e qiejve dhe të tokës, derisa Allahu i Madhëruar ia tregoi të vërtetën, e ai besoi në Allahun dhe u largua nga idhujt dhe të gjithë politeistët.
Allahu thotë në Librin e Tij të shenjtë:
وَكَذلكَ نُري إِبرَاهِيمَ مَلَكُوتَ السَمَاوَاتِ وَالأرضَ وَلِيَكونَ مِنَ المُوقِنِينَ
“Kështu ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të tokës, që të bëhej prej të bindurve.” [El-En’am: 78]
Me këtë, Ibrahimi (alejhi selam) bëhet shembull për çdo të ri besimtar, që është i guximshëm dhe që refuzon idhujtarinë, politeizmin, devijimin dhe humbjen nga rruga e së vërtetës.
Shembulli i dytë që përmend Kurani për të rinjtë është profeti Jusuf (alejhi selam). Ai ishte një djalosh i cili kur arriti moshën e pjekurisë Allahu e nderoi me dije dhe urtësi. Ai u bë një djalë i fortë, i duruar dhe i qëndrueshëm përballë stuhive të dëshirës, joshjeve seksuale, tundimeve për pasuri dhe lavd, si dhe përballë presioneve të persekutimit, shtypjes, ndjekjeve dhe kërcënimeve për burgosje dhe dëbim. Jusufi (alejhi selam) ishte një djalë largpamës, që theu çdo lidhje, pranga të robërisë dhe të dëshirave, po ashtu dhe lidhjet me një shoqëri të korruptuar.
Kjo tregon forcën dhe qëndrueshmërinë e tij në mbrojtjen e vlerave të larta morale dhe besimin në Allahun, pavarësisht nga pengesat e shumta që ai përballej.
وَلَمَّا بَلَغَ أَشُدَّهُۥٓ ءَاتَيۡنَٰهُ حُكۡمٗا وَعِلۡمٗاۚ وَكَذَٰلِكَ نجزي ٱلمحسِنِين
Kur ai arriti pjekurinë e tij, Ne i dhamë atij urtësi dhe dije. Kështu Ne shpërblejmë ata që bëjnë mirë. [Jusuf: 22].
Pse nuk iu nënshtrua Jusufi dëshirës së gruas? Kishte shumë arsye që mund ta bënin atë të ndiqte dëshirën e saj, madje shumë do ta justifikonin atë, duke thënë se ishte një djalë i ri dhe rinia është plot me pasion, ishte skllav dhe skllevërit bëjnë gjëra që s’kanë turp t’i bëjnë të lirët, ishte beqar dhe nuk kishte grua që ta ndihmonte, ishte i huaj dhe të huajt bëjnë gjëra që nuk do t’i bënin ata që janë në vendin e tyre, dhe shumë arsye të tjera. Megjithatë, Jusufi i tha: “Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”.
Ai ishte një model për çdo djalë të pastër dhe të ndershëm.
Shembulli i tretë është Profeti Musa (alejhi selam), i cili jetoi në gjirin e shtëpisë faraonike, u rrit në një mjedis tiranie, egërsie, luksit dhe të pasurisë. Faraoni e kishte marrë atë si birin e tij.
Megjithatë, ai (alejhi selam) mbeti i lidhur me rrënjët e tij të shpalljes dhe i lidhur me burimin e tij hyjnor dhe të drejtë, duke u shmangur nga ndihma e të padrejtëve dhe duke qëndruar përkrah të shtypurve, duke i mbrojtur ata. Ai i ofroi ndihmën dhe mbështetjen për të dobëtit dhe ata që kishin nevojë, duke duruar dhimbjet dhe vuajtjet dhe duke u larguar nga persekutimi. Ai preferoi të ishte i varfër në vend të një jete luksoze. Allahu i Lartësuar thotë:
وَلَمَّا بَلَغَ أَشُدَّهُۥ وَٱسۡتَوَىٰٓ ءَاتَيۡنَٰهُ حُكۡمٗا وَعِلۡمٗاۚ وَكَذَٰلِكَ نَجزِي ٱلمحسِنِينَ
“Dhe, kur ai arriti moshën madhore dhe pjekurinë e duhur, Ne i dhamë atij mençuri dhe dituri. Kështu, i shpërblejmë Ne ata, që bëjnë punë të mira”. [Kasas: 14]
Shembulli i katërt janë djemtë e shpellës, për të cilët Allahu thotë: “Ata ishin djelmosha që besonin në Zotin e tyre dhe Ne i forcuam në rrugën e drejtë. Ne i forcuam zemrat e tyre, kur u ngritën e thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Ne nuk do t’i lutemi asnjë zoti tjetër, përveç Tij, sepse atëherë do të thoshim një gënjeshtër të madhe”. [El-Kehf: 13-14].
Këto shembuj të bukur dhe domethënëse dalin nga një koncept i saktë i rinisë, fuqisë dhe forcës, që është besim në Zot dhe refuzimi i adhurimeve të tjera, kontrollimi i dëshirave dhe epsheve, mbështetje për të shtypurit dhe mbrojtja e tyre, ndihma për të dobëtit dhe ata që kanë nevojë, dhe përballja me realitetin e prishur dhe refuzimi i tij me guxim dhe sakrificë.
Në anën tjetër, Kurani jep edhe shembuj të rinisë së humbur, të devijuar, të magjepsur pas stolive, dhe të paditur. Një nga këto shembuj është historia e djalit të Nuhut, ku Allahu thotë:
وَنَادَىٰ نُوحٌ ٱبۡنَهُۥ وَكَانَ فِي مَعۡزِلٖ يَٰبُنَيَّ ٱرۡكَب مَّعَنَا وَلَا تَكُن مَّعَ ٱلۡكَٰفِرِينَ * قَالَ سَـَٔاوِيٓ إِلَىٰ جَبَلٖ يَعۡصِمُنِي مِنَ ٱلۡمَآءِۚ قَالَ لَا عَاصِمَ ٱلۡيَوۡمَ مِنۡ أَمۡرِ ٱللَّهِ إِلَّا مَن رَّحِمَۚ وَحَالَ بَيۡنَهُمَا ٱلۡمَوۡجُ فَكَانَ مِنَ ٱلمُغرَقِينَ
“Ndërsa Nuhu thërriste birin e vet, i cili ishte ndarë veç: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit!” (I biri) tha: “Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji”. Nuhu iu përgjigj: “Sot askush nuk do të kursehet nga dënimi i Allahut, përveç atij që e mëshiron Ai!” Një valë në mes tyre i ndau dhe ai u fundos.” [Hud: 42-43].
Një shembull tjetër që tregon Kurani për devijimin e rinisë është ai i mohimit të prindërve dhe rebelimit kundër Allahut, duke u thelluar në injorancë dhe devijim, ku Allahu thotë:
وَٱلَّذِي قَالَ لِوَٰلِدَيۡهِ أُفّٖ لَّكُمَآ أَتَعِدَانِنِيٓ أَنۡ أُخۡرَجَ وَقَدۡ خَلَتِ ٱلۡقُرُونُ مِن قَبۡلِي وَهُمَا يَسۡتَغِيثَانِ ٱللَّهَ وَيۡلَكَ ءَامِنۡ إِنَّ وَعۡدَ ٱللَّهِ حَقّٞ فَيَقُولُ مَا هَٰذَآ إِلَّآ أَسَٰطِيرُ ٱلۡأَوَّلِينَ
“Mirëpo ndonjëri u thotë prindërve të vet: “Uf ju! A po më premtoni se do të ringjallem, ndonëse para meje kanë kaluar shumë brezni?!” Kur ata i drejtohen Allahut për ndihmë, (duke i thënë djalit): “Mjerë për ty! Beso, sepse premtimi i Allahut është i vërtetë!”, ai përgjigjet: “Këto janë vetëm përrallat e popujve të lashtë!” [El-Ahkaf: 17].
Sjellja e Profetit ﷺ, me të rinjtë
Profeti ﷺ, u dha të rinjve besim dhe u dha përgjegjësi, ndryshe nga ajo që jetojnë shumë njerëz sot. Profeti, u dha vetëbesim Zejd bin Harithes, i cili ishte i ri, Xhafer bin Ebi Talibit, gjithashtu një të ri, dhe Abdullah bin Ruvahës. Ai ua besoi atyre drejtimin e ushtrisë në betejën e Mu’tes; Beteja e parë mes muslimanëve dhe romakëve!
Për më tepër, Profeti, ﷺ, i dha Usama bin Zajdit udhëheqjen e ushtrisë që kishte burra të mëdhenj prej shokëve të Profetit, si Ebu Bekri dhe Omeri, ndërkohë që Usama në atë kohë ishte vetëm 18 vjeç. Ai e dërgoi Muadh bin Xhebelin i cili ishte ende në lulen e rinisë në një vend të largët, me një detyrë të madhe dhe përgjegjësi të rëndë, duke e dërguar në Jemen, një vend ku banorët nuk ishin muslimanë dhe të cilët ndiqnin një fe tjetër. Profeti i tha Muadhit: “Do të shkosh te një popull që janë ithtarë të Librit (jo musliman), dhe çështja e parë që duhet t’u predikosh atyre është se: ‘Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.’ Nëse ata e pranojnë këtë, atëherë, mësoju se Allahu ua ka bërë të obliguar pesë namazet në ditë.”
Po ashtu, Abdullah Ibn Mesudi, radijallahu anhu, përcjell në një hadith të transmetuar nga Imam Ahmedi në Musned: “Ne bënim ekspedita me Profetin, ﷺ, dhe ishim të beqarë” – që do të thotë, ende ishim të rinj dhe ishim në fillim të rinisë.
Për këtë arsye, Profeti ﷺ, i këshilloi të rinjtë dhe tha: “Përfitoni pesë para pesë të tjerave: Rininë tuaj para plakjes, shëndetin tuaj para sëmundjes, pasurinë tuaj para varfërisë, kohën tuaj të lirë para angazhimeve dhe jetën tuaj para vdekjes.” (El Hakimi në: El-Mustedrek).
Gjithashtu, Profeti ﷺ, tha: “Allahu është i mahnitur nga ai i ri që nuk ka dëshira të liga.” Ahmedi, hadithi është i mirë.
Roli i të rinjve në ndërtimin e umetit
Të rinjtë muslimanë kanë pasur një rol të madh në ndërtimin e popujve dhe kombeve. Në shpatullat e tyre janë ngritur civilizime, dhe ata kanë pasur një ndikim të madh në ringjalljen e umetit islam gjatë shekujve dhe në fusha të ndryshme. Kështu që ata kanë merituar të jenë modele të mira dhe shembuj të ndershëm për të rinjtë në çdo kohë.
Në lidhje me rëndësinë e të rinjve, Profeti ﷺ, ka thënë: “Ai që hyn në Xhenet, begatohet dhe asnjëherë nuk përjeton vështirësi. Atij nuk i vjetrohen rrobat e as i përfundon rinia.” (Muslim)
Po ashtu, Abdullah bin Mesudi transmeton se Profeti ﷺ, ka thënë: “O ju të rinj, kush është në gjendje të martohet, le të martohet, sepse martesa është një mjet për të mbajtur sytë të pastër dhe trupin të mbrojtur. Dhe kush nuk mund të martohet, le të agjërojë, sepse agjërimi është mburojë.” (Mutefekun alejhi).
1- Të rinjtë janë ata që ishin më të shpejtë në pranim të thirrjeve reformuese:
Të rinjtë, si dikur ashtu dhe tani, janë ata që u përballën me të keqen dhe ishin më të shpejtë në pranimin e të vërtetës, sepse zemrat e tyre ishin më të buta dhe shpirtrat e tyre më të qeta, pa lakmi për jetën siç kanë ata që janë të moshuar ose të pasur. Sa herë që erdhi një i dërguar nga Allahu, këta të fundit e mohuan, siç thotë Allahu në Kuran në lidhje me të pasurit:
وَكَذَٰلِكَ مَآ أَرۡسَلۡنَا مِن قَبۡلِكَ فِي قَرۡيَةٖ مِّن نَّذِيرٍ إِلَّا قَالَ مُتۡرَفُوهَآ إِنَّا وَجَدۡنَآ ءَابَآءَنَا عَلَىٰٓ أُمَّةٖ وَإِنَّا عَلَىٰٓ ءَاثَٰرِهِم مُّقۡتَدُونَ ۞ قَٰلَ أَوَلَوۡ جِئۡتُكُم بِأَهۡدَىٰ مِمَّا وَجَدتُّمۡ عَلَيۡهِ ءَابَآءَكُمۡۖ قَالُوٓاْ إِنَّا بِمَآ أُرۡسِلۡتُم بِهِۦ كَٰفِرُونَ
“Po ashtu, në çdo vend që Ne kemi dërguar paralajmërues para teje, pasanikët e atij vendi thonin: “Ne i kemi gjetur etërit tanë në këtë fe dhe po ndjekim gjurmët e tyre”.(Çdo i dërguar) thoshte: “Po sikur unë t’ju kem sjellë (një fe) më të ndriçuar se ajo e të parëve tuaj?!” Ata thanë: “Ne e mohojmë mesazhin me të cilën jeni dërguar!” [Az-Zukhruf: 23-24].
Të rinjtë janë pikërisht ata që u kundërvënë të keqes me besim dhe qëndresë, siç ndodhi me Profetin Ibrahim alehi selam dhe popullin e tij, si dhe me shokët e shpellës që qëndruan kundër mbretit të padrejtë.
2- Ata janë simbol i përparimit të kombit dhe mbështetje për rigjallërimin e tij:
Të rinjtë janë thesari më i vlefshëm që ka një komb. Një komb mund të ketë pasuri ekonomike, kapacitete ushtarake, pozita gjeografike dhe burime njerëzore, por ajo që është më e vlefshme për një komb janë burimet njerëzore, dhe më e vlefshme prej tyre janë të rinjtë.
Nëse doni të dini të ardhmen e një kombi, mos pyetni për pasurinë e tij ose kursimet financiare, por shikoni tek të rinjtë dhe interesat e tyre. Nëse i shihni ata të jenë të devotshëm dhe të drejtë, atëherë dihet që ai komb është i madh dhe ka një bazë të fortë. Po nëse i shihni të rinjtë të degraduar, të përfshirë në gjëra të kota çojnë në shthurje, atëherë ai komb është i dobët dhe i shpërbërë, dhe do të shembet lehtësisht përpara armikut.
Të rinjtë kanë qenë dhe janë gjithmonë ata që janë shtylla e ringjalljes për çdo komb, ata janë ata që kanë dhënë forcën, si dhe janë bartës të çdo ideje të re e cila është në shërbim të umetit. Siç thotë Allahu:
“Ata ishin djelmosha që besonin në Zotin e tyre dhe Ne i forcuam në rrugën e drejtë.” [El-Kehf: 13].
Ishin pikërisht rinia ata që mbajtën flamurin e thirrjes për në Islam dhe me anën e tyre arritën fitoren më të madhe dhe ngritën shtetin e ri. Nëse shfletojmë biografinë e Profetit, do të shohim se të rinjtë ishin ata që përballuan tiranët e Mekës, të Perandorisë Persiane dhe të Romës. Të rinjtë ishin të parët në çdo fushë. Shihni për shembull Zubejr ibn Auamin, një nga dhjetë të përgëzuarit me Xhenet, u bë musliman kur kishte 15 vjet, dhe Talha ibn Ubejdillah, po ashtu nga dhjetë të përgëzuarit me Xhenet, që kishte 16 vjet. Edhe Sa’d ibn Abi Vekas ishte 17 vjeç; Erkam ibn Ebi El-Erkam 16 vjeç, i cili e ktheu shtëpinë e tij në një vend mësimi dhe edukimi për muslimanët për 13 vjet rresht.
Mbështetje kryesore për fenë islame janë të rinjtë, me moshën e tyre që varion nga 17 deri në 30 vjeç. Po, ata mund të jenë të rinj në moshë, por janë të mëdhenj në intelekt, qëllime, ambicie dhe çdo aspekt tjetër.
Modele të ndritura të rinisë islame në ndihmën e ndërtimit të umetit
Ja disa figura rinore që ofruan për umetin heroizma të mrekullueshëm:
Në këtë ligjërim u drejtohemi rininë, sepse janë pikërisht ata që mbajnë gjallë shpresat, dhe me ta arrimë në majat e maleve.
Rinia në fushën e dijes dhe thirrjes:
1. Imam Shafi’u: Imam Shafi’u ishte një fëmijë që e donte dijen dhe dijetarët. Nëna e tij kërkonte për të dijetarë nën kujdesin e të cilëve mund të rritej dhe të mësonte. Allahu deshi dhe e mundësoi që ëndrra e nënës të bëhej realitet dhe kështu ai u bë një nga dijetarët më të mëdhenj të historisë islame deri në Ditën e Kiametit. Imam Shafi’u shkruante dhe udhëtonte ndër dijetarë me një përkushtim të lartë për të kërkuar dije. Ai kishte aftësi të jashtëzakonshme, aq sa e mësoi “Muvatan” kur ishte në moshën dhjetë vjeçare. Ai gjithashtu nisi të jepte fetva kur ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç dhe u bë i njohur në mbarë botën islame. Ai ishte i pari që themeloi shkencën e Bazave të Fikhut (Usul Fikh).
2. Imam Buhari: Imami Buhari, ishte një djalë i vogël që humbi shikimin në moshën pesëvjeçare, dhe nëna e tij vazhdoi t’i lutej Allahut që t’ia kthente shikimin, jo që të ishte si fëmijët e tjerë, por që të bëhej dijetar dhe i ditur. Allahu deshi dhe caktoi që t’i përgjigjej lutjeve të nënës së tij, dhe ai u bë kolosi i muhadithëve në historinë e lavdishme islame. Ai ishte një mal në nxënien përmendësh dhe imam i kohës së tij. Ishte prijës i dijetarëve të hadithit, që historia islame nuk ka parë të ngjashëm me të në forcën e kujtesës, saktësinë në transmetim dhe durimin në kërkim, megjithëse kishte mungesë të konsiderueshëm të mjeteve. Deri sa u bë një pishtar ndriçuese në fushën e hadithit, duke i tejkaluar nxënësit dhe mësuesit e tij njëkohësisht. Ai është autori i librit më të saktë pas Kuranit Famëlartë, të cilin e përpiloi për gjashtëmbëdhjetë vjet dhe e bëri një argument mes tij dhe Allahut të Lartësuar. Askush nuk mund të bëjë pa të. Ai – Allahu e mëshiroftë – dinte përmendësh më shumë se njëqind mijë hadithe, prej të cilave përfshiu në “Sahihun” e tij vetëm shtatë mijë, dhe kishte një metodologji të veçantë në përzgjedhjen dhe pranimin e haditheve të tij.
Në fund të shekullit të dytë të hixhretit, në Lindjen e botës, në Nisabur, u ul Muhammad ibn Ismail el-Buhari, 17 vjeç, para mësuesit të tij, Is’hak ibn Rahavejh. Mësuesi përpiqej t’u fliste nxënësve të tij për nevojat e umetit, dhe tha: “Po të ishte dikush nga ju që të mbledhë hadithet e vërteta në një libër të vetëm, do të përfitonte shumë njerëzia”. El-Buhari thotë: “Kjo fjalë ra në zemrën time dhe u betova se do të isha ai njeri.” Ai u ul në shtëpinë e tij dhe fjeti, dhe pa në ëndërr Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) që ishte ulur në minberin e tij, dhe disa flutura po i afroheshin. Ai shkonte dhe i largonte ato flutura nga Profeti. Kur u zgjua nga gjumi, i tregoi mësuesit të tij këtë ëndërr, dhe ai e interpretoi si shenjë se ai do të largonte gënjeshtrat nga hadithet e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).
El-Buhari filloi të mbledhë hadithet e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) në një libër. Ai merrte abdes dhe falte dy rekate para se të shkruante çdo hadith. Ai kishte një biznes, dhe shpërndante fitimin e tij për këtë mision me pasurinë e tij.
3. Zejd ibn Thabit: Një model i mrekullueshëm dhe i bukur ishte Zejd ibn Thabit, nga fisi i Beni Nexhar. Ai ishte vetëm 13 vjeç kur dëgjoi se ushtria e muslimanëve po dilte për në Bedër. Në zemrën e tij lindi një dëshirë e madhe për të ndihmuar Islamin, kështu që mori shpatën e tij, e cila ishte më e gjatë se ai vetë. Megjithatë, ai doli për t’u bashkuar me ushtrinë, edhe pse nuk kishte asnjë detyrë ushtarake ende. Megjithatë, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) e refuzoi dhe i tha: “Ti je ende i vogël, o djalë.”
Djaloshi u kthye në shtëpi i trishtuar dhe duke qarë!! Sepse i Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, nuk e lejoi të marrë pjesë në luftë. Por nëna edukatore dhe e mençur i tha: “Mos u trishto, ti mund t’i shërbesh Islamit në një mënyrë tjetër.” Shërbimi ndaj Islamit ishte qëllimi dhe aspirata e tij. Ajo i tha: “Ti di të shkruash mirë dhe din përmendësh shumë sure nga Kurani, mund t’i shërbesh Islamit në këtë fushë.” Ajo e çoi tek i Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, dhe i rekomandoi që të mësonte gjuhën sirjanishte. Zejdi transmeton nga Thabit bin Ubejd se Zejd bin Thabit ka thënë: I Dërguari i Allahut më tha: “A e njeh gjuhën sirjanishte?” Thashë: “Jo.” Tha: “Mësoje, sepse na vijnë shkresa.” Tha: “E mësova për shtatëmbëdhjetë ditë.” El-A’mesh thotë: “I vinin letra që nuk dëshironte t’i lexonte askush tjetër përveç dikujt që kishte besim te ai.” Që këtej ai mori titullin “Përkthyesi i të Dërguarit”. Përkthyesi i të Dërguarit të Allahut, paqja qoftë mbi të, sa vjeç ishte? 13 vjeç!! Dhe më pas iu ngarkua mbledhja e Kuranit në kohën e Ebu Bekrit.
Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, myslimanët u morën me luftërat kundër renegatëve. Në betejën e Jemames numri i dëshmorëve nga ata që ishin hafiza të Kuranit ishte i madh. Sapo u shua zjarri i trazirës, Omeri nxitoi te halifja Ebu Bekër Sidiku, duke i kërkuar që të mblidhet Kurani përpara se vdekja t’i kaplojë hafizat e tjerë të Kuranit. Halifja u konsultua me shokët e tij, pastaj thirri Zejd ibn Thabitin dhe i tha: “Ti je një i ri i mençur, të cilit nuk i vihet në dyshim besueshmëria”, dhe e urdhëroi që të fillonte mbledhjen e Kuranit duke u ndihmuar nga njerëzit me përvojë.
Zejdi u ngrit për ta përmbushur këtë detyrë dhe dha një kontribut të madh në të: krahasonte, përputhte, hulumtonte me kujdes derisa e mblodhi Kuranin të radhitur dhe të sistemuar. Ai tha për madhështinë e kësaj përgjegjësie: “Pasha Allahun, sikur të më kishin ngarkuar të zhvendosja një mal nga vendi i tij, do të më ishte dukur më e lehtë sesa ajo që më urdhëruan për mbledhjen e Kuranit.” Ai gjithashtu tha: “Ishte detyra ime të ndiqja Kuranin dhe ta mblidhja atë nga lëkurat, kockat e shpatullave, gjethet e palmave dhe nga zemrat e njerëzve.”
Ai e përmbushi misionin në mënyrën më të mirë dhe e mblodhi Kuranin në më shumë se një mus’haf. Më pas ai e mblodhi atë përsëri në kohën e kalifatit të Uthmanit, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.
4 – Imam Ibn Tejmije: Shejhu i Islamit, Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë –, ky dijetar i madh ishte ende fëmijë ndërkohë që njihej për përkushtimin dhe zgjuarsinë e tij. Ai mbante me vete pllaka të mëdha (ku shkruante hadithet) dhe ecte distanca të gjata në këmbë! Nuk kishte fletore apo mjete shkrimi moderne, por mbante me vete pllaka prej druri për të shkruar mbi to mësimet. Një ditë, një dijetar dëgjoi për këtë djalë të jashtëzakonshëm – një mendje brilante që e memorizonte menjëherë çfarëdo që i thuhej.
Ky dijetar iu afrua dhe i tha: “A je ti Ibn Tejmije?”
“Po, unë jam Ibn Tejmije”, edhe pse ishte ende një fëmijë i vogël.
Dijetari i tha: “Ma jep pllakën.” Ai ia dha, dhe dijetari shkroi mbi të trembëdhjetë hadithe. Pastaj i tha: “Lexoji.” Dhe ai i lexoi përpara tij. Dijetari ia mori pllakën dhe i tha: “Tani mi recito.” Ai i recitoi të trembëdhjeta hadithet, të gjitha përnjëherë, – i kishte memorizuar të gjitha.
Këshilla për të rinjtë
Duhet që të rinjtë të dinë se Islami përmban në vetvete të mirën, begatinë dhe formimin e tyre. Pa Islamin, ata janë në mjerim dhe pa vlerë. Të rinjtë janë një fuqi që Allahu e ka vënë në shërbim të përmirësimit të njerëzimit. Prandaj, vëlla i im i ri, këto janë disa këshilla që feja jote t’i jep, në mënyrë që të mund ta kryesh rolin tënd siç duhet:
I riu duhet ta njohë fenë e tij, ta zbatojë në sjelljen dhe në veprën e tij, dhe të jetë i bindur plotësisht në të, pa ia vënë veshin fjalëve të urrejtësve dhe dyshuesve. Duhet ta dijë se feja e tij është feja më e mirë, dhe se çdo gjë tjetër përveç saj është mashtrim dhe e pavërtetë. Ai duhet ta vërë në shërbim të kësaj feje gjithë fuqinë dhe energjinë që Allahu i ka dhënë. Le të jetë kjo motoja jote gjithmonë: (Feja jote është mishi dhe gjaku yt).
I riu duhet të dijë se umeti i tij është më i miri ndër të gjithë umetet, dhe se kjo përparësi është e garantuar për të për sa kohë që ai qëndron i lidhur me fenë e tij. Duhet të dijë se umeti i tij ka qenë për një kohë të gjatë udhëheqës i botës, dhe se duhet të vazhdojë të mbajë këtë udhëheqje — dhe kjo nuk arrihet veçse nëpërmjet përkushtimit ndaj mësimeve të Islamit.
I riu duhet që, pas përmirësimit të vetvetes, të ketë për synim përmirësimin e të tjerëve dhe udhëzimin e njerëzve drejt adhurimit të Zotit të botëve. Le të ruhet mirë nga të qenët thirrës në të keqe, që të mos i rëndojë mëkati i vet, si dhe mëkatet e të tjerëve.
I riu duhet të jetë gjithmonë i lidhur me Allahun e Lartësuar, duke e kryer namazin në kohën e vet, duke e përmendur shpesh Atë dhe duke iu lutur, duke u mbështetur te Ai në çdo çështje, duke u mbështetur vetëm tek Ai.
I riu duhet të dijë se modeli i tij i vërtetë është Muhamedi ﷺ. Le të ruhet nga imitimi i verbër që ia humb personalitetin dhe dallueshmërinë.
I riu duhet të ruajë burrërinë e tij, dhe të shmangë gjithçka që e dobëson atë, si përkëdhelja e tepruar, butësia e shtirur, imitimi i grave dhe gjëra të ngjashme.
I riu duhet të durojë vështirësitë gjatë kryerjes së adhurimeve dhe të largimit nga mëkatet, derisa shpirti i tij të qëndrojë në rregull dhe t’i shijojë ato. Bëhu prej njerëzve të mirë, derisa të bëhet e mira zakon për ty, dhe të mos kërkosh me veprat e tua veçse fytyrën e Allahut. Largoju të keqes, mos e fut në zemrën tënde e as mos ia hap kraharorin, sepse ajo nuk ndodh veçse me ngulmimin e shejtanit dhe të shpirtit që nxit për të keqen. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “E mira është zakon, e keqja është ngulmim, dhe kujt ia do Allahu të mirën, ia jep kuptimin e fesë.”
Nëse i riu dëshiron të pushojë e të çlodhet, le ta bëjë këtë në mënyrë të lejuar, duke iu shmangur të ndaluarës, sepse në të lejuarën ka mjaftueshmëri nga çdo gjë tjetër, dhe pasojat e të ndaluarës janë të rënda. Le ta bëjë këtë lutje: “O Allah, më mjafto me hallallin Tënd nga harami, dhe më bëj të pavarur me mirësinë Tënde nga kushdo tjetër.” (Tirmidhiu dhe e ka cilësuar hadith të mirë.)
Të rinjtë duhet të jenë të kujdesshëm ndaj ideve shkatërruese, edhe nëse duken në pamje të parë si të mira apo reformuese. Le të mos e pranojnë asnjë ide pa e paraqitur më parë te dijetarët dhe mësuesit, që të mos bëhen pre e thirrësve të së pavërtetës.
Së fundi: O të rinj, dijeni se rëndësia e rinisë qëndron edhe në faktin se do të pyeteni për të dy herë në Ditën e Gjykimit. Nga Muadh ibn Xhebel – Allahu qoftë i kënaqur me të – transmetohet se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk do të lëvizin këmbët e robit Ditën e Kiametit derisa të pyetet për katër gjëra: për jetën e tij – si e kaloi? për rininë e tij – si e shfrytëzoi? për pasurinë e tij – nga e fitoi dhe ku e shpenzoi? dhe për diturinë e tij – çfarë bëri me të?” (Suneni i Darimiut)
Prandaj, le të punojnë të rinjtë, le të përpiqen, dhe le të zgjojnë ambiciet e tyre, sepse ringritja e umetit nuk do të ndodhë veçse mbi supet e tyre.
Përzgjodhi:
Hoxhë: Bledar Haxhiu