Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Allahu i Plotfuqishëm në Kuranin Famëlartë thotë: Ne i dërgojmë shenjat tona të qarta (fenomenet natyrore), në mënyrë që njerëzit të frikësohen…”. Isra 59. Pra, që njerëzit të druhen e të kthehen te Zoti i tyre me pendim e punë të mbara.
Të nderuar bashkatdhetarë
Tërmetet, lëkundjet dhe dridhjet e tokës nuk mund të parashikohen dhe as që mundet të jepen parashikime me përafërsi, se kur dhe si mund të ndodhin. Nga shenjat e madhështisë së Zotit të Plotfuqishëm janë të gjitha fenomenet natyrore, që e prekin jetën e përditshme të njeriut, të cilat sipas shkallëve të ndryshme fizike mundet ta dëmtojnë njeriun dhe mjedisin ku jeton. Ngjarjet e fundit treguan se sensibiliteti njerëzor në rast tërmetesh të forta është shumë i lartë, prandaj edhe reagimet janë nga më të ndryshmet dhe përfundojnë me frikë edhe panik. Në kësi rastesh frika dhe paniku shtohen edhe nga lajme e njerëz të papërgjegjshëm, kohë kur menaxhimi i këtyre situatave në vetvete paraqet vështirësi. Caktimit të Zotit nuk mund t’i shpëtosh, prandaj edhe reagimi në këto momente duhet të jetë i matur. Pas dy goditjeve të forta të tërmeteve duhet të pasonte një periudhë reflektimi, qetësie dhe orientimi më të matur dhe më të kujdesshëm, e cila do të ndihmonte njerëzit për të kaluar tronditjen, gjë e cila nuk ndodhi për shkak edhe të sasisë së madhe të lajmeve dhe fokusimit të tyre tek ana sensacionale e lajmit.
Në këto momente njerëzit të gjithë, pa përjashtim, me frikë dhe pendesë duhej t’i drejtoheshin Zotit me lutje për të futur qetësi në zemrat e tyre dhe t’iu jepte dalje nga kjo situatë, e cila zgjati, ndërkohë kur shumë shtëpi e banesa ishin dëmtuar seriozisht. Gjithashtu i ftojmë të gjithë njerëzit t’iu drejtohen hoxhallarëve për këshilla të ndryshme dhe mbështetje shpirtërore. Madhërimi dhe falënderimi i Allahut për çdo ditë, kërkimi i vazhdueshëm i faljes, dhënia e lëmoshës, përpjekja për të qenë pranë njerëzve në nevojë, gjykimi i drejtë dhe pastrimi i zemrës nga veset dhe sëmundjet e saj dhe do të shikoni, se Allahu do të na ndihmojë edhe në momentet e sprovave. Prandaj është edhe shumë e nevojshme, që në këto situata t’iu drejtoheni hoxhallarëve për të dëgjuar prej tyre fjalën e Zotit nga e cila vjen qetësia dhe mirësia, dhe Zoti i Lartësuar është Ai që i jep robërve të Vet rrugëdalje dhe zgjidhje në kohë të vështira.
Të nderuar bashkatdhetarë e lusim Allahun të na mëshirojë e të gjithë të dëmtuarve t’iu japi zgjidhje për dëmet e pësuara, si ato shëndetësore dhe materiale.