Terrorizmi dhe sfidat që sjell ai
Terrorizmi dhe sfidat që sjell ai ishte në qendër të vëmendjes së një takimi të organizuar me hoxhallarët nga Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë. Në këtë takim foli studiuesi dhe eksperti i sigurisë Endrit Reka, që kishte përgatitur një material të gjerë rreth kësaj teme e mbushur me shembuj konkretë, që vijnë nga kohë të ndryshme dhe vende të ndryshme. Gjatë fjalës së tij Endrit Reka e konsideroi shumë abuzive bashkërendimin e dy termave “terrorizëm” dhe “islamik” nga ana mediatike, duke radhitur disa arsye në këtë drejtim. Deri tashti ekspertët e sigurisë dhe juristët kanë dhënë 72 definicione për “terrorizmin” dhe ende nuk ka një qëndrim të vetëm rreth këtij termi. Ekspertët ndërkombëtarë janë përpjekur të japin një definicion të përbashkët, por ende nuk është gjetur mundësia. Sipas studiuesit Reka ajo që e bën terrorist një akt është se ai duhet të ketë këto element si aktivitet: Të jetë i paligjshëm, i planifikuar/paramenduar; i dhunshëm ndaj personit apo pronës; të shkaktojë frikë tek qytetarët; objektivat të jenë civilët dhe jo-ushtarakët; dhe e fundit të konceptohet si mjet me synim final politik. Gjithashtu studiuesi Endrit Reka përveç këtyre 6 elementeve të përbashkëta për një akt apo aktivitet terrorist numëroi edhe 5 llojet e terrorizmit të njohur deri tashti nga historia moderne: 1. Terrorizmi i sponsorizuar nga shteti, i cili përbëhet nga akte terroriste në një shtet apo qeveri nga një shtet apo qeveri. 2. Terrorizmi Disident – grupe terroriste të cilat janë rebeluar kundër qeverisë së tyre. 3. Terroristët Majtistë dhe të Djathtë – grupe të rrënjosura në ideologjinë politike. 4. Terrorizmi fetar – janë grupe terroriste të cilat pretendojnë se përfaqësojnë një fe apo grupim fetar të caktuar (hyjnor), si dhe 5. Terrorizmi Penal – akte terroriste të përdorura për të ndihmuar krimin dhe fitimin kriminal. Sipas ekspertëve ndërkombëtare nuk ekziston asnjë simptomë paraprake për të shquar një individ si potancial terrorist, sikurse varfëria, stabiliteti politik, mungesa e arsimit etj. nuk është vërtetuar në asnjë rast se luajnë rol në krijimin e ideve dhe lëvizjeve terroriste. Përkundrazi, përvoja ndërkombëtare ka vërtetuar se një pjesë e mirë e potencialeve terroristë vijnë nga bota e arsimit dhe nga familje me gjendje të mirë ekonomike. Sipas ekspertit Reka, Shqipëria nuk ka treguar asnjë premisë të mundshme për rritjen dhe krijimin e ideve dhe grupeve terroriste.
Pas kësaj ai dha sqarime të hollësishme të pasuruara me fakte të ndryshme mbi zhvillimet rreth këtij problemi shqetësues të epokës moderne. Më pas u kalua në një bashkëbisedim me hoxhallarët mbi premisat dhe problemet aktuale të vendit tonë. Ky takim u zhvillua në mjediset e LHSH-së në kuadër të aktiviteteve të saj mujore, që zhvillon me anëtarët e saj.