Testamenti -Porosia-

Lidhja e Hoxhallarëve
12 minuta lexim

Falënderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër me meritë veç Allahut, një i vetëm pa shok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të nderuar, dhe mbi shokët e tij e tij besnik si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e Gjykimit.

O besimtarë! Me të vërtetë feja Islame, është fe madhështore; ajo ka përfshirë dobitë e njerëzve në këtë botë dhe në botën tjetër, ka vendosur mes tyre drejtësinë dhe i ka orientuar ata në rrugën e qartë e të kulluar, saqë kushdo që kapet fort pas saj, ka shpëtuar, e kushdo që devijon prej saj, ka humbur; e nuk shkatërrohet askush, përveç atij që e ka shkruar vetë shkatërrimin e tij.

Prej kësaj —o robër të Allahut— është edhe ajo që lidhet me të drejtat e njerëzve dhe me porositë (testamentet) e tyre, si dhe me atë që shkruajnë gjatë jetës së tyre, në gjendje të shëndetit të plotë mendor e kthjelltësisë së arsyes, pa e tejkaluar kufirin e sheriatit; kjo është ajo që quhet porosi/testament (Vasijet), me të cilën të gjallët i porosisin pasardhësit e tyre pas vdekjes.

Allahu ka tërhequr vëmendjen dhe e ka lartësuar rëndësinë e saj në ajetet e sures en-Nisa, në fjalën e Allahut të Lartësuar në më shumë se një vend:

]مِنْ بَعْدِ وَصِيَّةٍ يُوصَى بِهَا أَوْ دَينٍ[

“…pasi të jetë përmbushur porosia (testamenti) që ka lënë ose borxhi.”

Ndërsa në librat e hadithit, Abdullah bin Omeri përcjell se Profeti ﷺ ka thënë: Nuk i takon një njeriu musliman, i cili ka diçka për të porositur (për testament), që të kalojë dy net, pa e pasur porosinë (testamentin) e tij të shkruar nën krye (te koka).” (Buhariu dhe Muslimi)

Dijetarët kanë nxjerrë prej këtij hadithi, se kushdo që lë pas diçka për të cilën duhet lënë porosi —siç janë të drejtat që ai ka ndaj njerëzve, apo borxhet që i kanë atij ose që ai u ka të tjerëve— atëherë dokumentimi, shkrimi dhe porositja për to është e domosdoshme; në këtë rast, kjo porosi është obligative. Por, nëse ai nuk posedon asgjë, duke qenë i varfër e skamnor, nuk u ka borxh njerëzve dhe as njerëzit nuk i kanë borxhe apo të drejta atij, atëherë shkrimi i porosisë për ata që vijnë pas tij është sunet i fortë dhe nuk është obligim.

Porosia —o robër të Allahut— në disa raste mund të jetë edhe porosi e ndaluar: prej tyre është kur dikush porosit që pasuria e tij të shkojë për tyrbet, varret, apo vendet e mira; të ndërtohen kazino apo të ngjashme, këto llogariten prej porosive të ndaluara.

O ju muslimanë! Me të vërtetë testamenti është organizim i çështjeve tuaja dhe përgatitje për udhëtimin tuaj drejt shtëpisë së Ahiretit (botës tjetër). Ajo është amaneti juaj për ata që lini pas. Është e pëlqyeshme që për ekzekutimin e saj të caktoni një mbikëqyrës prej atyre që u besoni dhe keni mendim të mirë për ta; nëse ai është prej fëmijëve tuaj, kjo është më parësore, e nëse jo, atëherë prej të afërmve dhe të dashurve tuaj.

Dijeni se porosia nuk lejohet ta tejkalojë një të tretën në atë që ia porositni dikujt prej njerëzve; Profeti ﷺ kur vizitoi Sad bin Ebi Uakas-in (për shkak të sëmundjes), i cili nuk kishte tjetër veçse një vajzë dhe dëshironte ta linte porosi (sadaka) të gjithë pasurinë e tij, i tha: “Jo, o Sad!” Ai tha: “Po gjysmën, o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Jo, o Sad!” Më pas tha: “Një të tretën, e edhe një e treta është shumë.” (Buhariu dhe Muslimi)

Pra, nuk lejohet të shtosh më shumë se një të tretën e pasurisë sate për ta lënë porosi në ato që dëshiron prej punëve të mira e të tjera.

A e dini përse? Sepse Profeti ﷺ ka thënë: “Që t’i lësh trashëgimtarët e tu të pasur (të pavarur ekonomikisht) është më mirë për ty sesa t’i lësh ata nevojtarë, që t’u shtrijnë dorën njerëzve.” Për këtë arsye, porosia duhet të jetë më pak se një e treta, bazuar në fjalën e tij ﷺ: “Një të tretën, e edhe një e treta është shumë.”

Ndaj dhe Ebu Bekër es-Sidiku zgjodhi të linte porosi një të pestën e pasurisë së tij. Kur u pyet për këtë, tha: “Jam i kënaqur me atë që Allahu i Plotfuqishëm ka zgjedhur për veten e Tij”; duke iu referuar fjalës së Allahut të Madhëruar në ajetin e sures el-Enfal:

]وَاعْلَمُوا أَنَّمَا غَنِمْتُمْ مِنْ شَيءٍ فَأَنَّ لِلَّهِ خُمُسَهُ وَلِلرَّسُولِ وَلِذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَابْنِ السَّبِيلِ[

“Dhe dijeni se çfarëdo që të fitoni si plaçkë lufte, një e pesta i takon Allahut, të Dërguarit, të afërmve të tij, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarit të mbetur rrugëve…” [el-Enfal: 41].

Më dhëntë dobi Allahu mua dhe juve me Kuranin e Madhërishëm dhe me çfarë ka në të prej ajeteve dhe përkujtimit të urtë. E thash këtë që dëgjuat dhe kërkoj falje tek Allahu për veten time dhe për ju; kërkojini falje Atij, sepse me të vërtetë Ai është Falësi i Madh, Mëshirëploti.

 

Hytbeja e dytë:

Falënderimi i takon Allahut, Paqja, lavdërimet dhe bekimet e shumta e të përhershme të Allahut qofshin mbi Pejgamberin Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij, njerëzit e virtytit, e pozitës dhe e arsyes.

O robër të Allahut! Kini frikë Allahun dhe ruhuni nga padrejtësia duke veçuar disa prej fëmijëve tuaj mbi të tjerët. Dijeni se nuk i lejohet askujt të lërë porosi për një trashëgimtar që trashëgon prej tij pas vdekjes; pra, porosia për trashëgimtarët tuaj nuk hyn në fuqi, përveçse nëse pajtohen me të të gjithë trashëgimtarët e tjerë. Kjo sepse pasuria, sapo ju të vdisni, kalon tek trashëgimtarët tuaj, të cilëve Allahu ua ka bërë trashëgimi pasurinë tuaj. Pra, nuk është e saktë porosia për trashëgimtarin, sepse Pejgamberi ynë ﷺ ka thënë: “Nuk ka porosi (testament) për trashëgimtarin.”

Dijeni se në çështjen e porosive ka shkelje të shumta dhe vendime të dënueshme. Prej tyre është ajo që ndodh nga disa njerëz dhe në shumë krahina, ku i privojnë vajzat nga porositë e baballarëve të tyre dhe nga trashëgimia e tyre në pasuri të paluajtshme, ferma e shtëpi. Kjo është padrejtësi, sepse Allahu i Madhëruar thotë:

]يُوصِيكُمُ اللَّهُ فِي أَوْلَادِكُمْ لِلذَّكَرِ مِثْلُ حَظِّ الْأُنْثَيَينِ[

“Allahu ju urdhëron për fëmijët tuaj: mashkullit i takon sa pjesa e dy femrave…” [en-Nisa: 11].

Prandaj, nuk lejohet privimi i gruas me pretendimin dhe supozimin se ajo ka bashkëshort!

Prej padrejtësisë është edhe dallimi e favorizimi i disa fëmijëve ndaj të tjerëve. Në dy Sahihët (Buhariu dhe Muslimi), Nu’man bin Beshiri përcjell se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kini frikë Allahun dhe veproni me drejtësi mes fëmijëve tuaj.” Kur Beshir bin Sa’di kërkoi nga i Dërguari i Allahut që të dëshmonte për një dhuratë që i kishte dhënë djalit të tij, Nu’manit, Pejgamberi i tha: “A i ke dhënë çdo fëmije tënd një dhuratë të tillë?” Ai tha: “Jo, o i Dërguari i Allahut.” Atëherë ai tha: “Dëshmo dikë tjetër për këtë, sepse unë nuk dëshmoj mbi një padrejtësi. A nuk dëshiron që ata të jenë të gjithë njësoj në mirësjelljen ndaj teje? Kini frikë Allahun dhe jini të drejtë mes fëmijëve tuaj.”

O ju trashëgimtarë, dijeni se nuk ju lejohet të luani e të abuzoni me porosinë e baballarëve dhe gjyshërve tuaj, e as ta ndryshoni atë. Kushdo që e bën këtë, ka rënë në një gjynah të madh. Për këtë arsye, Allahu ka thënë në fund të ajeteve të porosive:

]فَمَنْ بَدَّلَهُ بَعْدَمَا سَمِعَهُ فَإِنَّمَا إِثْمُهُ عَلَى الَّذِينَ يُبَدِّلُونَهُ[

“E kushdo që e ndryshon atë (porosinë) pasi ta ketë dëgjuar, gjynahu i tij bie vetëm mbi ata që e ndryshojnë…” [el-Bekare: 181].

Dhe kini kujdes lidhur me atë që kanë porositur baballarët tuaj në lidhje me dhuratat apo vakëfet e tyre; ato duhen zbatuar patjetër, e për to duhet treguar kujdes dhe përkushtim, dhe nuk lejohet shfuqizimi i tyre.

Në përfundim dijeni se fjalët më të vërteta janë fjalët e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit ﷺ, punët më të këqija janë ato të shpikurat në fe, çdo shpikje është bidat) dhe çdo bidat është humbje.