Thirrja e ezanit me kasetë

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 6 minuta lexim

Subjekti: Thirrja e ezanit me kasetë

Nr. 55

Akademia e Fikhut Islam me qendër në Mekë

Lavdërimi i takon Allahut, paqja dhe bekimet e Tij më të mira shkofshin për të Dërguarin e Allahut, familjen dhe shokët e tij.

Asambleja e Fikhut Islam, organ i Ligës së Botës Islame, e mbledhur në sesionin e saj të nëntë në Mekën e nderuar në datat 12-19/07/1406 h. (Mars- Prill 1986 e.s.) pasi mori në shqyrtim pyetjen e ardhur nga Ministri i Vakëfeve të Sirisë, me nr. 2412/4/1 të datës 21/09/1405 h. rreth gjykimit islam që ka për thirrjen e ezani nëpërmjet regjistruesve të zërit (kasetave) nëpër xhami, kur kjo bëhet me qëllim shmangien e diferencave në kohë që mund të ndodhin gjatë thirrjes së ezanit për kohët e namazit nga xhami të ndryshme të të njëjtit vend.

Nisur nga kjo kërkesë Asambleja mori në shqyrtim studimet e paraqitura për këtë çështje nga disa prej anëtarëve të Akademisë dhe po ashtu edhe fetvanë e dhënë nga ish myftiu i Arabisë Saudite, hirësia e tij Shejh Muhamed ibn Ibrahim Al Shejh –rahmet pastë- nr. 35 datë 03/01/1378 h. si dhe vendimin e marrë nga Këshilli i Dijetarëve të Mëdhenj të Mbretërisë së Arabisë Saudite në sesionin e tij të dymbëdhjetë të mbledhur në muajin Rebiul Euel 1398 h., si dhe vendimin Komisionit të Përhershëm të Fetvasë me nr. 5779 datë 04/07/1403, ku që të tria e ndalojnë thirrjen e ezanit nëpër xhami me mjetet që përcjellin zërin e regjistruar dhe se thirrja e ezanit në këtë mënyrë nuk e shlyen detyrimin e këtij adhurimi, nisur nga kjo Asambleja qartëson se:

 

  1. Ezani është një nga ritet e dukshme të adhurimit në Islam, i njohur dhe pranuar unanimisht në mes myslimanëve, ai është një nga shenjat që dallohet një vend mysliman nga një jomysliman, aq sa përcillet se ka konsensus në mes dijetarëve që nëse banorët e një vendi bien dakord ta braktisin thirrjen e ezanit ata luftohen për këtë gjë.
  2. Muslimanët kanë trashëguar brez pas brezi që nga koha kur u ligjërua ezani, viti i parë i hixhretit, deri në ditët e sotme se, ezani thirret për çdo namaz dhe në çdo xhami, edhe nëse në një vend të caktuar ka më shumë se një xhami.
  3. Nga Malik ibn El-hurejth (radijallahu anhu) përcillet se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Kur të vij koha e namazit, njëri prej jush të thërres ezanin dhe më i madhi të bëhet imam.” (Buhariu & Muslimi)
  4. Nijeti (qëllimi) është një nga kushtet e ezanit, ndaj dhe ezani i thirrur nga një i çmendur, i dehur apo të ngjashëm me ta, nuk është i saktë, sepse nuk përmban brenda këtë kusht, e njëjta gjë vlen edhe për thirrjen e ezanit me kasetë.
  5. Ezani është një adhurim që bëhet me trup, Ibn Kudama në El-Mugni (1/425) ka thënë: “Askush nuk mund të vazhdoj ezanin e nisur nga dikush tjetër, sepse ai është adhurim trupor dhe nuk ka vlerë nëse kryhet nga dy persona të ndryshëm, njëlloj si namazi.”
  6. Unifikimi i ezanit të xhamive me mënyrën e përmendur më lartë, duke përdorur zërin e regjistruar në kasetë, paraqet këto probleme dhe rreziqe:
  1. me ezanin në çdo xhami për çdo namaz lidhen norma dhe sunete të caktuara, të cilat nëse ezani thirret në këtë mënyrë ato humbasin, sepse humbet kushti i nijetit në të.
  2. kjo metodë i hap rrugën e të luajturit me çështjet e fesë dhe bëhet shkak për futjen e bidatit në mesin e myslimanëve për çështjet e adhurimeve dhe riteve të fesë së tyre. Kjo gjë shpie në braktisjen e thirrjes së ezanit dhe të mjaftuarin vetëm me ezanin e regjistruar.

 

Nisur nga sa u përmend Asambleja e Akademisë së Fikhut Islam vendosi se:

 

Të mjaftuarit e thirrjes së ezanit nëpër xhami, kur hyn koha e namazit, me anë të zërit të regjistruar nuk lejohet. Nëse ai kryhet kështu atëherë ai nuk vlen si adhurim, kështu që detyrimi i thirrjes së ezanit ngelet i papërmbushur.

Muslimanët e kanë obligim ta thërresin ezanin në mënyrë të drejtpërdrejtë për çdo kohë namazi në çdo xhami, ashtu siç e kanë trashëguar këtë gjë që nga koha e të Dërguarit tonë Muhamed (alejhi salatu ue selam) e deri më sot.

 

Burimi: http://www.themwl.org/Fatwa/default.aspx?d=1&cidi=105&l=AR&cid=11

P.s. që të mos lindi ndonjë keqkuptim, duhet të sqarojmë se fetvaja e mësipërme kufizohet vetëm tek çështja e unifikimit të ezanit dhe thirrja e tij me zë të regjistruar më parë nëpër kaseta apo forma të tjera dhe jo tek thirrja e tij me anë të mikrofonit dhe altoparlantit, gjë e cila lejohet.