Shkaqet e mos suksesit në udhëtimin bashkëshortor:
Nxitimi në miratimin ose zgjedhjen e bashkëshortëve dhe mungesa e shqyrtimit dhe saktësisë në pyetjet rreth njëri-tjetrit dhe rreth familjes. Përshembull, kur bëhet fjalë për familjen e vajzës i sheh teksa interesohet në mënyrë të detajuar, ndërsa familja e djalit nuk interesohet veçse për vocërrima të jashtme. Është e çuditshme se ka të atillë që tolerojnë disa cilësi të këqija, madje të ndaluara dhe shkatërruese për individin, familjen dhe pasardhësit.
Më kujtohet rasti kur një grua e pyeti një grua tjetër për një djalë që u kërkoi dorën e vajzës së tyre. Ajo iu përgjigj: “Fëmijët e mi thonë se ai nuk falet me njerëzit në xhami dhe se pi duhan”. Nuk është problem, e rëndësishme është që nuk përdor drogë, ia ktheu gruaja!
Për fat të keq, ka disa njerëz që kur pyeten për dikënd me qëllim martese, e teprojnë me lëvdata ndaj tyre, por gjendja bëhet edhe më e rëndë kur ky që pyetet ka thjesht njohuri shumë sipërfaqësore për atë që pyetet.
Në këtë rast ne duhet të bëjmë dallimin midis të folurit për miqtë dhe vëllezërit dhe asaj që është prej kërkesave të jetës bashkëshortore, apo specifikave të saj, sepse ka disa specifika të imtësishme për lumturinë bashkëshortore, për të cilat shumë njerëz nuk tregohen të kujdesshëm. Për këtë arsye unë i këshilloj vëllezërit e mi që të mos nxitojnë të lavdërojnë të tjerët me lëvdata të përgjithshme, por edhe pyetësi duhet të pyesë për çështje të rëndësishme rreth gjërave që mund të ndikojnë në të ardhmen e jetës bashkëshortore. Sa e sa shtëpi kanë kaluar një jetë të dhimbshme në ankth dhe pikëllim të vazhdueshëm. Të tjera kanë përfunduar në divorce dhe disfata, dhe arsyeja për këtë ka qenë neglizhenca që kanë shfaqur të afërmit e vajzës, të cilët nuk kanë qenë të përpiktë në pyetje, apo si pasojë e nxitimit në miratim.
Ndodh që për këtë të jetë shkak edhe ai që pyetet, sepse nuk tregohet i sinqertë dhe korrektë në përgjigjet e tij. Duhet të dimë se përgjigjja e sinqertë dhe me korrektësi duke përmendur gjithashtu edhe të metat që ka, madje në këtë rast nuk konsiderohet përgojim, përkundrazi, nëse i fshehim ato, kemi tradhtuar në besë dhe mashtruar.
Fakti që dikush falet, që i përmbahet fesë në përgjithësi, apo se ka pozitë dhe pasuri, nuk është e mjaftueshme për të qenë i përshtatshëm për martesë (me çdo kënd), përkundrazi ai duhet të jetë i moralshëm dhe person që shpresohet se mund të formojë një familje të lumtur. Argument për këtë është thënia Pejgamberit ﷺ : “Nëse ju vjen dikush, t ju kërkojë dorën e vajzës, që ia vlerësoni fenë dhe moralin, atëherë martojeni me të.”[1] Në hadith nuk është mjaftuar vetëm me të qenurit fetar, porse patjetër nevojitet të jetë i moralshëm. Es-Sindi në shënimet e tij ka thënë: … morali është boshti i të qenurit i mirë dhe fetar, si dhe boshti i përmbushjes së të drejtave. Gjithashtu duke qenë se morali është pjesë e fesë, është përmendur në hadith pikërisht për shkak të rëndësisë në jetën bashkëshortore.
Medito pra në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të drejtë!” (El-Nur: 32) Shprehja “të drejtë” është term i përgjithshëm që përfshin: drejtësinë në fe, drejtësinë në moral, drejtësi në brendësi dhe atë që shfaqim, e kështu me radhë.
Përcillet nga Hasan el Basri, se një burrë erdhi tek ai dhe i tha: Unë kam një bijë të cilën e dua. Atë e kanë kërkuar disa, prandaj me kë më këshilloni ta martoj? Ai tha: “Martoje me një burrë që i frikësohet Allahut, sepse nëse do ta dojë, do ta nderojë, dhe nëse e urren, nuk do t’i bëjë padrejtësi”.[2]
Një person i virtytshëm ka thënë: “Një djalë i ri dhe i mirë, më kërkoi që t’i gjeja një bashkëshorte, kështu që kërkova dhe i thashë: në filan familje do të gjesh atë që do. Vazhdon e thotë: m’u duk sikur u nxitova, sepse pasi u interesova mësova se familja e këtij të riu njiheshin se kishin shumë dorë mbi gratë.[3] Andaj porosia ime është që të mos nxitohemi në orientimin dhe lavdërimin e bashkëshortëve, bashkëshorteve dhe familjeve të tyre.
Është e mahnitshme se si disa njerëz tregohen tejet të ndershëm dhe të sinqertë kur dikush kërkon të fejohet me motrën apo vëllain e tyre, kur pyeten për ta, tregohen tejet transparentë dhe të qartë rreth disa cilësive negative të tyre.
Që një grua të jetojë me dinjitet në shtëpinë e babait të saj, është më mirë sesa të jetojë ditë e natë e shtypur, e dhunuar dhe e poshtëruar…
Të vonohet treni, është më mirë se të hipë në të, e më pas ta lëndojë apo ta vrasë.
Që të vonohesh në martesë është më mirë se të nxitosh e më pas të pendohesh. Sa e sa vendime të nxituara kanë çuar në keqardhje, dhe sa të tjera të matura kanë përfunduar me sukses. Kushdo që tregohet i matur, do t’ia qëllojë; kushdo që tregohet i kujdesshëm, do të arrijë atë që ka dëshiruar dhe ai që duron, fiton.
Nga ana tjetër, gjen shumë të rinj apo të reja që e ekzagjerojnë në kriteret e vendosura dhe sa herë që një i ri gjen një vajzë ose një djalë i kërkon dorën një vajze, ata refuzojnë, kjo gjendje vazhdon kështu derisa u kalon mosha dhe më pas fillojnë të bëjnë lëshime, të cilat shpesh herë kanë pasoja të këqija. Në këto raste udhëtimi bëhet i dhimbshëm dhe fundi është edhe më pikëllues. Prandaj mesatarja është një kërkesë, ku nuk ka teprim dhe as neglizhencë, dhe ku gjithsecili nga bashkëshortët mund të avancoj dhe plotësohet nëpërmjet partnerit, dhe ku secili prej tyre është një ndihmë për të çuar përpara nivelin e moralit, sjelljes dhe edukatës së tjetrit. Pra çdo njëri prej tyre plotëson tjetrin, dhe këto cilësi plotësohen përgjatë jetës bashkëshortore.
Duhet të ketë pajtueshmëri midis bashkëshortëve në disa cilësi si dhe anasjelltas të kenë cilësi të kundërta, kështu që nëse bashkëshorti nxehet shpejtë, zgjedh një grua të qetë që nuk nxehet shpejtë, sepse nëse të dy do të ishin të tillë, do të rezultonte në një shpërthim zjarri të vazhdueshëm dhe pa fund. Po kështu nëse burri është shumë i ndjeshëm në marrëdhënie, ai nuk duhet të zgjedhë një grua të tillë. Gjithashtu, nëse ai është një person koprrac ose jo shumë i pasur, ndërkohë që gruaja jeton në luks, bollëk, dhe një lloj ekstravagance, sigurisht që nuk do të përputhen, madje do të jetojnë në një konflikt të vazhdueshëm. E njëjta gjë nëse burri është i përpiktë dhe i organizuar në jetën dhe oraret e tij, ai zgjedh dikënd që përafrohet ose mund të përshtatet me kalimin e kohës. Por ka dhe të atillë që synojnë për disa cilësi si: dituria, kultura, njohuritë dhe intelekti.
Në librin e saktë të Muslimit përcillet se Fatime bint Kajsi i tha të Dërguarit të Allahut ﷺ , se e kishin kërkuar për martesë Muaviu, Ebu Xhehmi dhe Usame ibn Zejdi. Atëherë i Dërguari i Allahut i tha: “Sa i përket Muaviut, ai është i varfër e nuk ka pasuri, kurse Ebu Xhehmi i rreh gratë, andaj martohu me Usame ibn Zejdin.” Ajo tha: “E urreja Usamen, por ai sërish më tha: “Martohu me Usamen”, kështu që u martova me të dhe Allahu më dha shumë të mira, madje na kishin lakmi.” Në një tjetër transmetim thuhet: “Bindja ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij është më e mirë për ty.”
Nga dobitë e hadithit:
– Përmendja e mangësive të një personi kur bëhet fjalë për fejesë, nuk konsiderohet përgojim.
– Kriteri për gjykimin mbi diçka, bazohet në tiparet dominuese të saj.
– Ofrimi i këshillës atij që të kërkon konsultë duke e orientuar drejtë dobive, dhe udhëheqja drejt alternativave dhe më të mirës.
– Kriteret dhe matësit për vlerësimin e dikujt, janë morali dhe devotshmëria, jo pozita dhe prejardhja.
– Njeriu nuk i kushton shumë vëmendje asaj që ia urren shpirti, por merr në konsideratë këshillën nëse vjen nga dikush i besueshëm, që ka përvojë dhe ndershmëri.
– Bekimi që vjen nga respektimi i urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, pasi ajo ishte e lumtur në jetën që pati me burrin e saj.
Fehd el Amari
______________________________
[1] Transmeton Tirmidhiu, e ka saktësuar Albani [2] Sharh Sunah i Bagaviut: (11/9). [3] I rrahin ato shumë.