Vjedhja e rrymës elektrike

Lidhja e Hoxhallarëve
2 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

 

Rryma elektrike edhe pse nuk mund të shihet në vetvete, efektet e saj janë mjaft të dukshme. Elektriciteti prodhon dritë dhe nxehtësi, dhe furnizon me energji pajisjet shtëpiake, makineritë industriale, pajisjet e komunikimit etj. dhe si e tillë ajo është mall e produkt që ka vlerë.

Format e cenimit të saj janë:

  1. Vjedhja e rrymës elektrike drejtpërdrejtë nga burimi i saj: Kjo ndodh kur dikush lidh pa leje ose pa miratim, tela përcjellës direkt nga burimi i energjisë elektrike, qoftë ky burim publik, si shtyllat e shpërndarjes së rrymës ose ai privat, si banesa apo biznesi i dikujt, dhe marrësi përfiton nga kjo pa paguar.
  2. Manipulimi i matësit të energjisë elektrike: Ndërhyrja në sahatin matës të rrymës duke e nxjerrë atë tërësisht nga puna, ose dëmtuar apo modifikuar në mënyrë të atillë që ai të mos tregojë sasinë reale të energjisë së konsumuar.

Gjykimi i çështjes:

Pa dyshim që në të dyja rastet e përmendura më sipër gjykimi fetar për to është se çdo përfitim i tillë është haram, apo ndryshe e ndaluar fetarisht dhe cenuesi konsiderohet mëkatar. Dallimi në aspektin sheriatik, qëndron vetëm në ndarjen specifike të rasteve, nëse ai konsiderohet fetarisht vjedhje e mirëfilltë (serikah), apo përfitim i paligjshëm (ikhtilas), ku dallon edhe masa e ndëshkimit për secilin rast. Por si do që të jetë, ajo konsiderohet e ndaluar (haram), sepse i hyn në hak ose prodhuesit dhe shpërndarësit të saj, që mund të jetë shteti ose një entiteti privat ose individit, të cilit i duhet të paguaj më tepër, për shkak të vjedhjes që i shkaktohet, dhe kjo në çdo rast është padrejtësi.

Allahu e di më së miri.

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Etiketat