Falënderimi i takon Allahut që na e dhuroi edhe një herë mundësinë të arrijmë Ramazani muajin e mëshirës, faljes dhe çlirimit nga zjarri. Paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, familjen dhe shokët e tij.
O agjërues!
Sot është xhumaja e parë e këtij muaji të bekuar. Një fillim i fortë, një dritare e hapur, një thirrje qiellore që na fton të mos jemi thjesht të uritur e të etur, por të jemi të zgjuar në zemër dhe të gjallë në shpirt.
Ramazani nuk është vetëm ndalim, ai është ndezje!
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “O ju që besuat! Ju është bërë obligim agjërimi, ashtu siç ishte bërë obligim për ata para jush, që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183)
Agjërimi nuk është vetëm largim nga ushqimi dhe pija. Ai është rikthim te burimi, është momenti kur besimtari ndalet dhe pyet veten:
A është ende zemra ime e ndezur?
A është ende lidhja ime me Allahun e gjallë?
Shumë prej nesh kemi hyrë në këtë muaj me mall, me plane, me lot në sy dhe me dua në buzë. Por kujdes: ashtu si një llambë ka nevojë për vaj, edhe zemra ka nevojë për përkujdesje të përditshme.
Mos lejo që entuziazmi i ditës së parë të zbehet në javën e parë. Mos lejo që agjërimi të bëhet rutinë, ndërsa zemra mbetet e palëvizur.
Shenjat e gjallërisë së zemrës në Ramazan
I Dërguari i Allahut, ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen mëkatet e kaluara.” (Trasmeton Buhariu)
Me besim dhe me shpresë, jo me zakon.
Me zemër të gjallë, jo me shpirt të lodhur.
Pikërisht atëherë:
– Kur Kurani nuk lexohet vetëm me gjuhë, por me ndjeshmëri.
– Kur namazi i natës nuk është barrë, por takim i pritur.
– Kur sadakaja nuk jepet për zakon, por për dashuri.
– Kur falja e të tjerëve bëhet më e lehtë se grumbullimi i inatit.
Ramazani është muaji i Kuranit.
Është muaji kur fjala e Allahut zë vend jo vetëm në sy, por edhe në zemër.
Mos e trajto Kuranin si një detyrë për ta përfunduar, por si një letër nga Zoti yt, që të flet personalisht ty.
Rreziku i agjërimit pa shpirt
I Dërguari i Allahut na ka paralajmëruar se mund të ketë agjërues që nuk marrin nga agjërimi i tyre veçse uri dhe etje.
Sepse trupi i tyre ka agjëruar, por zemra jo.
Agjërimi i vërtetë është:
– Agjërimi i syrit nga harami.
– Agjërimi i gjuhës nga përgojimi.
– Agjërimi i zemrës nga urrejtja.
Nëse ndiejmë se kemi filluar të lodhemi shpirtërisht, mos u dorëzo.
Kjo është pikërisht arsyeja pse erdhi Ramazani për të na ringjallur, jo për të na lodhur apo gjykuar.
Si ta mbajmë të ndezur dritën e adhurimit gjatë gjithë muajit?
- Rregullo lidhjen me Allahun para se të rregullosh programin tënd që ke me këtë botë.
Para se të shtosh aktivitete, shto sinqeritetin.
- Cakto një moment të përditshëm vetmie, ku të qëndrosh vetëm ti me Zotin tënd.
Qoftë edhe dhjetë minuta para iftarit, ku duaja del nga zemra e thyer dhe shpirti që e din se ka nevojë për faljen dhe mbështetjen e Allahut.
- Zgjidh shoqëri që të ndihmon ta kujtosh Allahun, jo ta harrosh Atë.
Ramazani forcohet në xhemat, në familje, në rreth të mirë, të cilët ta ruajnë agjërimin dhe nuk ta vjedhin.
- Mos e nënvlerëso një hap të vogël, po që është i vazhdueshëm, pasi Allahu e do veprën e vazhdueshme, edhe nëse është e vogël.
O besimtarë!
Xhumaja e parë, është një fillim i ri brenda fillimit
Nëse dita e parë nuk ishin siç e prisje, sot është dita për ta rindezur llambën. Nëse ke qenë i fortë, kërko që Allahu të ta shtojë qëndrueshmërinë.
Nëse je ndier i dobët, kërko që Ai të ta forcojë zemrën.
Mos e mat Ramazanin sa herë je uritur, por sa herë je zbutur, përulur para Zotit dhe lutur.
Mos e mat me suret që ke përfunduar, por me ajetet që i ke lexuar me përmallim dhe të kanë ndryshuar.
O Allah, bëje këtë Ramazan pikë kthese për çdo agjërues.
Ndriço zemrat tona me dritën e udhëzimit.
Na jep agjërim që na pastron, namaz që na ngre dhe Kuran që na shëron.
O agjërues!
Mos lejo që drita jote të zbehet në mes të muajit.
Mos e fik me dorën tënde atë që Allahu ta ndezi me mëshirën e Tij.
Le të jetë kjo xhumaja e parë një besëlidhje e re me Zotin:
-. të agjërojmë me trup,
-. të përulemi me zemër, dhe
-. të dalim nga ky muaj më të pastër, më të fortë dhe më afër Allahut se kurrë më parë.
