Zgjedhja jonë gjeopolitike

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 11 minuta lexim

nga Hoxhë Justinian Topulli

 

Samiti i fundit i NATO-s dhe vendimet e marra në të, shpërfaqën qartë faktin se jetojmë në një botë të përpirë nga ethet e konkurrimit për dominim ekonomik, politik dhe ushtarak. Fundi i historisë i parashikuar nga Fokujama, nuk duket kurrkund. Rënia e Bashkimit Sovjetik dhe rendit komunist krijoi për një moment iluzionin, se tashmë çdo gjë do të fliste për Perëndimin, por kanë kaluar tre dekada dhe duket sikur ngjarjet kanë marrë një rrjedhë spirale rikthimi të çuditshëm dhe të paparashikueshëm, me ngritjen e paprecedentë ekonomike, politike dhe ushtarake të Kinës, rikthimin e influencës së Rusisë, rritjen e ndikimit të Iranit në Lindjen e Mesme etj.
Sigurisht, dikush tjetër jam i bindur që do ta bënte më mirë panoramën gjeopolitike të botës, por ndërkohë synimi në këtë shkrim ka lidhje me pozicionimin tonë si muslimanë shqiptarë në këtë botë kryesisht bipolare.
Islami na mëson të jemi njerëz idealistë dhe parimorë, por njëkohësisht edhe realistë me aktualitetin në të cilin jetojmë. Mjafton për këtë, shembulli i jetës së Profetit të Allahut dhe qëndrimet e tij politike, për të kuptuar se si mund të qëndrojnë bashkë pa rënë ndesh, të qenit parimor dhe i sinqertë me fenë dhe në të njëjtën kohë, të mbahen qëndrime të mençura politike në dobi të më të mirës së mundshme që ofron aktualiteti. Për të pasur një qëndrim të tillë duhet të kemi parasysh disa të vërteta fetare dhe historike.
Së pari, bota islame ka kohë që e ka humbur forcën dhe ndikimin e saj politik, ekonomik, ushtarak dhe kulturor. Që ajo t’i rikthehet lavdisë së saj të dikurshme duhen transformime të mëdha fetare, shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore. Këto ndryshime nuk vijnë menjëherë dhe nuk janë aq të lehta siç mendojnë shumica e njerëzve, të cilët japin formula të thjeshtuara fetare dhe harrojnë ndërkohë disa të tjera më emergjente. Një nga këto ndryshime thelbësore, i cili do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe mbrothësisë së vendeve të botës islame, është garantimi i lirisë dhe vendosja e drejtësisë. Bota islame vuan në shumicën e saj dërrmuese nga tirania dhe mungesa e lirisë, nga despotizmi mbytës dhe korrupsioni që i shoqëron këto sisteme. Pa pasjen e një lirie reale të njerëzve në këto vende dhe pa vendosjen e drejtësisë, është e pamundur që feja islame, kultura e saj dhe zhvillimet në të gjitha fushat të marrin hov. Njerëz që jetojnë nën një robëri politike mbytëse, nuk kanë shanse t’i japin fesë dhe besimit të tyre mundësinë të lulëzojë dhe të tregojë më të mirën që ky besim mund të bëjë për ta dhe për botën. Sigurisht që argumentin më të qartë për këtë e kemi në Kuran dhe në jetën e Profetit tonë. Në Kuran kemi shembullin e popullit të Musait (alejhi selam), i cili e arriti kulmin e zhvillimit të tij fetar, politik dhe kulturor, pikërisht vetëm pasi e nisi këtë rrugëtim me emigrimin nga toka e skllavërisë në atë të lirisë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Profetin tonë (alejhi salatu ue selam) dhe besimtarët e parë muslimanë, ata bënë për dhjetë vjet në tokën e lirë të Medinës ku emigruan, atë që nuk mundën ta bënin dot për trembëdhjetë vjet në Mekë, ku tirania e Kurejshve ishte vrastare.
Asnjë brez njerëzish që rriten dhe edukohen në robëri dhe shtypje nuk mund të sjellin dot ndryshimin, atë mund ta sjellin vetëm njerëzit e lirë dhe ata që jetojnë për kauzën. Çdo edukim vetëm horizontal i brezit të ri dhe nën një regjim despotik, nuk ka shanse të japë suksesin e pritshëm, por vetëm do të riciklojë të njëjtët njerëz të dobët dhe të paaftë për ndryshim. Kjo është ajo që ndodh aktualisht në shumë vende të botës islame.
Së dyti, dobësia e botës islame reflektohet edhe tek ne si muslimanë shqiptarë, që për shkak edhe të pozicionit gjeografik e pasojave historike, numrit të vogël të popullsisë dhe arsyeve të tjera, na është dashur të mbijetojmë të vetëm, duke bërë kompromise politike, ndonjëherë edhe të gabuara, që na kanë kushtuar shtrenjtë identitetin tonë fetar dhe kombëtar. Diktatura komuniste qe për ne një mynxyrë, pasojat e së cilës ne i vuajmë edhe sot në të gjitha drejtimet, mes tyre edhe në rrafshin fetar. Bota islame nuk qe në gjendje as të na mbronte nga copëtimit territorial dhe as të na shpëtonte nga masakrat e dëbimet, por as edhe nga ideologjia ateiste marksiste-leniniste që erdhi më pas. Lirinë fetare që ne gëzojmë sot, e kemi për shkak të tjetërkujt. Sigurisht, që mirënjohja jonë e parë dhe e fundit, për këtë liri që jetojmë sot, i takon Zotit të Madhëruar, por Ai bëri shkak pikërisht Perëndimin dhe SHBA-në, që perdja e hekurt të shembej dhe ne të rifitonim lirinë për të njohur Allahun dhe për të mësuar se çdo të thotë të jesh musliman. Këtu do të doja ta përmblidhja duke huazuar Ervin Hatibin, i cili shprehej duke thënë në mënyrë alegorike, se me gurët e murit të shembur të Berlinit u ndërtuan xhamitë tona pas viteve 90’. Mesazhi është i qartë dhe mjaft domethënës, për të kuptuar realitetin politik, por edhe fetar që ne jetojmë sot në Shqipëri.
Së treti, ne na bashkon me pjesën tjetër të botës islame afërsia fetare, të qenit një Umet, por edhe ne si pjesë e këtij Umeti kemi hallet dhe problemet tona të shtëpisë ku jetojmë, të cilat pjesa tjetër e Umetit nuk na i zgjidh dot. Dhe sigurisht që solidarizimi me hallet e botës islame mbetet, por nuk mund të tejkalojë nevojën e domosdoshme që ne kemi për të zgjidhur hallet tona të vendit dhe realitetit ku jetojmë. Është interesant fakti se si Allahu na tregon në Kuran, në suren el-Enfal: 72, për obligimin që kishin muslimanët në kohën e Profetit (alejhi salatu ue selam) për t’iu ardhur në ndihmë muslimanëve të tjerë, kur ata e kërkonin këtë, me përjashtim të rastit kur kjo ndihmë do të thoshte kundërvënie me luftë ndaj atyre me të cilët muslimanët kishin marrëveshje. Respektimi i marrëveshjes në këtë rast del më parësor, sesa thyerja e saj në favor të muslimanëve. Sigurisht që ajeti ka si shkak zbritjeje marrëdhënien mes muslimanëve në Medinë dhe atyre beduinëve muslimanë që nuk kishin emigruar në të, por jetonin diku tjetër dhe përballeshin me sulme nga jomuslimanët që kishin marrëveshje me Profetin (alejhi salatu ue selam). Ky ajet Kuranor dhe kjo praktikë profetike janë qartësues tepër të rëndësishëm për të kuptuar pozicionin politik ku mund të gjenden muslimanët, sidomos në rastin tonë, ku statusi jonë dhe situatat gjeopolitike globale e rajonale, imponojnë dukshëm se çfarë qëndrimi duhet të mbajmë. Dhe padyshim që nuk e kemi aspak luksin për të qenë asnjanës, por sigurisht që me mençuri dhe dinjitet mund të mbajmë qëndrimin e duhur politik, në përputhje me parimet tona fetare dhe në interes të muslimanëve të këtyre trojeve.
Së katërti, Perëndimi nuk është unik brenda vetes së tij dhe jo çdo agjendë kulturore dhe ideologjike që vjen prej tij, është domosdoshmëri jetike dhe strategjike për të dhe detyruese për ne. Ndaj dhe duhet bërë dallim i qartë mes qëndrimit politik në krah të tij, kundrejt botës dhe influencave ruso-kineze dhe agjendave kulturore e ideologjike të qarqeve të caktuara liberale të majta, të cilat nuk pajtojnë me parimet dhe moralin tonë fetar, të trashëguar brez pas brezi.
Natyrisht që këtyre tezave mund t’iu shtohen edhe pika të tjera, dhe gjithashtu argumente fetare, politike dhe historike, por po ndalem me kaq, sepse besoj është e mjaftueshme për njerëzit që kuptojnë. Dikujt kjo qasje mund t’i duket e habitshme apo edhe e papranueshme, por ndërkohë është reflektim i një kohe të gjatë mbi realitetin dhe burimet udhërrëfyese të fesë. Allahut i përket dija dhe urtësia absolute.