Masakra e Norvegjisë nga një i krishterë i krahut të djathtë tregon se terrori nuk ka ngjyrë apo besim

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 6 minuta lexim

NORWAY-MASSACRE

Masakra e Norvegjisë nga një i krishterë i krahut të djathtë tregon se terrori nuk ka ngjyrë apo besim

Ebu Bekër Kasem*

A mund ta merrni me mend, sikur vrasësi masiv norvegjez të ishte arab ose musliman?… Kur terrori po shpalosej në kombin paqësor evropian të Norvegjisë të ashtuquajturit ekspertë të terrorit u shfaqën nëpër ekranet televizive kohë e pa kohë. Ata villnin zjarr zemërimi e urrejtje, si të ishin dragonj që nxjerrin flakë e zjarr nga goja e tyre. Këta të ashtuquajtur “ekspertë” i përmbytën ekranet se si islamikët po pushtonin Evropën dhe Amerikën e Veriut, dhe sa të këqij janë Muslimanët. Pak orë më vonë këta ekspertë u turpëruan dhe u sikletosën. Ata u detyruan ta lënë skenën me shumë qetësi dhe pa rënë në sy pasi vrasësi i dyshuar ishte anëtar i një krahu të djathtë ekstrem. Tonet e tyre ranë. Kishës së Anglisë dhe Vatikanit nuk iu kërkua ndonjë herë të lëshojnë ndonjë deklaratë ku të denoncohej ky akt, ku megjithëse krimineli i dyshuar kishte deklaruar se ishte një ithtar i një grupi ekstremist të Krishterë, feja nuk kishte të bënte aspak me atë gjë. Ndërsa po zhvillohet gjyqi i tij mjaft interesante është, se terroristi që e ka pranuar krimin po mundohet të provojë se është mendërisht i shëndoshë dhe që ai do ta bënte përsëri këtë gjë po ta kishte një shans tjetër; një përpjekje tjetër kërkon ta paraqesë atë të duket mendërisht i sfiduar. Për më tepër që besimi i tij nuk përmendet asgjëkund. Megjithëse vlerësime profesionale e kanë përcaktuar atë shëndoshë e mirë; një hulumtim tjetër iu bë më pas, duke u përpjekur të kundërshtojë përcaktimet fillestare.

Nëse do të kishte qenë musliman situata do të kishte qenë krejtësisht ndryshe. Nuk do të kishte qenë e nevojshme për vlerësime mendore ndaj tij. Zemërimi dhe emocionet do të arrinin kulmin. Feja e vrasësit do të ishte në qendër të vëmendjes. Të ashtuquajturit ekspertë të terrorit do ta kishin pasur të lehtë të bënin lidhjet ndërmjet këtij akti të urryer dhe vetë fesë. Ata do të kishin shkruar tashmë libra dhe do të pasuroheshin e do të bëheshin të famshëm për shkak të ftesave që do të merrnin për të folur rreth njerëzve të përbindshëm, që quhen muslimanë. Jo vetëm që i dyshuari do të gjykohej, por e gjithë feja do të sillej zvarrë së bashku me të në karrigen e dëshmitarit. Udhëheqësit e komuniteteve do të rrinin zgjuar tërë natën, duke u përpjekur për të dalë me deklarata të fuqishme për të denoncuar aktin barbar. Mediat do të kishin vizituar xhamia e qendra islame të premteve për të raportuar, nëse imamët do ta denonconin këtë akt. Udhëheqësit deri edhe do të qanin gjatë leximit të deklaratave denoncuese, dhe sikur imamëve t’iu ikte zëri duke ulëritur se Islami nuk ka të bëjë aspak me këto gjëra, mediat përsëri do të gjenin se këto deklarata nuk do të ishin sa duhej të forta dhe jo aq me zë të lartë sa duhej.

Gjyqi që po zhvillohet në Norvegji duhet të jetë një zgjim për të gjithë njerëzimin. Ky është një zgjim për të treguar se terrorizmi nuk është vetëm një problem i brendshëm i shoqërisë muslimane. Njerëz të çmendur ka në çdo kulturë dhe shoqëri, ku disa e marrin përsipër vetë zbatimin e ligjit. Ne po jetojmë në një kohë ekstremizmi, kur njerëzimi e ka humbur sensin, sensin e orientimit. Ti mund të dëgjosh sot për sporte ekstreme, makijazh ekstrem, fitnes ekstrem e kështu me radhë. Deri edhe politikanët po sillen ekstrem këto ditë. Natyrshëm që edhe ndërmjet muslimanëve gjen të marrosur, që ndonjë herë veprojnë marrëzisht. Kështu veprojnë edhe të krishterët dhe komunitetet e tjera.

Sëmundja e ekstremizmit nuk ka ngjyrë apo besim. Ajo nuk ka kufij. Njerëzimi ka nevojë të zgjohet nga këto shpifje dhe të pyes veten, përse gjërat kanë dalë jashtë kontrollit?!…

(Anders Breivijk u shpall fajtor para pak ditësh për vrasjen e 77 personave të pafajshëm nga një gjykatë norvegjeze dhe u dënua më 21 vjet burgim. Sistemi i drejtësisë në Norvegji nuk e ka dënimin me vdekje.)

 

* Kolumnist i http://themuslim.ca , blogfaqe e muslimanëve kanadezë.

http://themuslim.ca/2012/04/20/the-norway-massacre-shows-terror-has-no-color-or-creed/